– Me rastin e 20 vjetorit të ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Engjëll SEDAJ –
Nga VLASH PRENDI
Takimet me prof. Engjell Sedajn kanë qënë gjithmonë të kendëshme. Ishte personalitet i spikatur i kulturës dhe letërsisë shqiptare. Fjalëpakë, i matur, i qetë dhe bindës. Fjala që thoshte ishte nje argument me shumë për historinë, kulturën dhe traditën tonë. Aso kohe pati ardhur nga Prishtina për të referuar në takimin përkujtimor të 300 vjetorit të Kuvendit të Arbrit temën: ”Vlerat e përkthimit të akteve të Kuvendit të Arbrit nga prof. Engjell Radoja”, një temë shumë interesante. Tema u vlerësua nga të gjithë pjesmarrësit në kuvend. Qe takuar me personalitete të kulturës dhe letërsisë Pjetër Arbnorin, Nikolin Kurtin, dr. Shan Zefin, prof. Ferit Dukën, Tef Topallin, Willy Kamsin etj. Të gjithë paten shprehur konsideratat më të larta për të. Kishin të drejte, sepse bisturia e tij ka operuar dhe zbuluar vepra të tilla si “Meshari i Gjon Buzukut”, ”Kenga e Sibilave” dhe “Çeta e profetënve” të Bogdanit, ”Fjalori latinisht – shqip” i Frang Bardhit, të cilëve u pati bërë anatominë e plote të tyre duke qenë nje studiues tepër i thellë dhe kritik ndaj tyre. Ndjehem me fat kur prof. Engjelli me dhuron një nga veprat e tij më të mira “Shqipja arbnore”, ku janë përfshirë mjaft studime të tij rreth disa figurave të letërsisë dhe histories sonë të lena në harresë. Prof. Engjell Sedaj hap rrugë të reja për studime të mëtejshme për të hedhur dritë sadopak në historiografinë shqiptare dhe traditën tonë kulturore.
Prof. Engjell Sedaj ka qënë dhe mbetet një nga figurat më të shquara në fushën e studimeve shqiptare, sidomos të traditës. Veteran i nderuar i arsimit shqip, lëvrues i njohur i gjuhës shqipe dhe misionarë i papërtuar i përhapjes së kulturës dhe letërsisë në trevat mbarëkombëtare. Mbetet perjetësisht monument i gjallë i studimit të visareve kombëtare dhe përhapjes së dijes dhe shkences filologjike tek brezat e ardhshëm. Lindi në Kabash të komunës së Vitisë më 14. 07. 1943 në një familje më origjinë fshatare, por me tradita patriotike dhe atdhetare. Gjyshi i tij Toma, kishte ardhur nga Stublla e Epërme dhe ishte vendosur në Kabash rreth vitit 1928. Prindërit e tij Jak Sedaj dhe Magdalena Sopi kishin gjashtë femijë, ku Engjëlli ishte femija i fundit. Qysh i vogël provoi vështirësite e jetës, sepse populli kosovar aso kohe vuante nën thundrën e shovinistëve serbë.
Kur u çlirua vendi nga forcat nazi – fashiste, Engjëlli i vogël ishte vetëm 1 vjeç, kjo bëri që ai të rritej me veshtirësi të mëdha. Në fshatin e lindjes kreu shkollën fillore dhe dy klasë të arsimit të detyruar, ndërsa dy klasët vijuese i përfundoi në Viti. Në vitet 1958 – 1962 vijoi gjimnazin klasik në qytetin Pazin në Kroaci, ku u pais me kulturë dhe njohuri bashkëkohore. Më pas vijoi studimet në Fakultetin Teologjik të Zagrebit dhe më tej në Fakultetin Filologjik të Shkupit, ku u specializua në degën e filologjisë klasike duke u diplomuar në vitin 1971.

Pikërisht në këtë periudhe spikati fuqishem talenti i tij në fushën e botimeve në lemin studimor dhe filozofik. Nga ky vit pena e tij do të shkelqente për t’i dhënë lexuesit perla të letërsise dokumentare shqiptare dhe emri i tij do të mbetej në themelet e shkencës studimore dhe letrare shqiptare. Krahas punës studimore, vijoi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë dhe në vitin 1980 mbron doktoraturën me teme: “Homeri tek Shqiptarët”, duke shpalosur përmes saj kulturën e gjërë dhe dijet shkencore për letërsinë klasike.
Ishte personalitet me kulturë të gjërë dhe dije të sakta shkencore. Nje krijues dhe studiues i kompletuar nga më të njohurit në trevat shqiptare. I etur për kulturë e dije, në vitet 1976 – 1977, ndoqi në Universitetin e Romës mësimet për gjuhën latine mesjetare, pastaj mori leksione në fushën e kërkimeve shkencore për t’i perfunduar në qytetin historic të Urbinos, vendlindjen e Papa Klementit XI – Gjon Francesk Albani, të cilit i pati kushtuar edhe një libër monografik, ku mori disa lektura për punën kerkimore dhe shkencore dhe gjuhën italiane. Ishte njohes i katër gjuhëve të huaja. Ne vitin 1968 filloi pune si mesues i gjuhës latine në gjimnazin e Ferizajt, ku punoi deri në vitin 1971. Këtë vit, thirret të japë po këtë lendë në Fakultetin Filozofik të Prishtines, në fillim si lektor ndërsa qe nga viti 1992 si profesor ordinar, derisa doli në pension.
Prof. Engjelli është ndër të parët studiues shqiptarë, që pati një aktivitet aq të dendur studimor dhe shkencorë në atë periudhe të vështirë të historisë së Kosovës, kur nuk duhej të heshtej. Ai e ngriti me forcë zërin kundër shtrembërimeve të qëllimshme historike që bënin pseudohistorianët serbe, duke mbrojtur me guxim dhe vendosmeri historinë e lavdishme dhe popullin heroik dhe të shumëvuajtur shqiptar të dardanisë. Punimet e tij në fushën e studimit dhe të hartimit të teksteve shkollore, janë të shumta. Ka hartuar 8 tekste shkollore nga të cilet tre për shkollat e mesme dhe pesë lektura për shkollat univesitare, të cilat janë: “Gjuha latine” për kl. I – II gjimnaz 1974, “Gjuha latine” për kl. III – IV më 1981, ”Gjuha latine” për kl. I më 1989, ”Gjuha latine” për studentët e universiteve më 1979, “Pjetër Bogdani – Kenga e Sibilave” – leksionë në vitin 2000, “Virgjili – Eneida” – leksionë në vitin 2002, “Homeri – Iliada dhe Odisea” – leksionë në vitin 2001, “Eskili – Prometeu i lidhur” – leksion në vitin 2002.
Këto tekste dhe leksione shquhen për qartësine e mendimit dhe të shprehjes, për pasqyrimin e parametrave metodike të paraqitjes së materialit studimorë, për gjuhën e pastër dhe të rrjedhshme shqipe, për leksikun e pasur dhe terminologjine e zgjedhur që përmbajnë. Janë tekste mësimire që i rezistuan kohës, sepse përmbanin në vetvete thellësi mendimi. Ata qenë një ndihmesë e madhe dhe e padiskutim ndihmuan në përparimin dhe konsolidimin e shkollës dhe mendimit pedagogjik shqiptar, si dhe kontribut i shquar në lëvrimin e shkencës letrare shqiptare. Në këtë kontekst, ai ka ecur në gjurmet e ideologyëve të Rilindjes, sidomos të Aleksander Xhuvanit, të cilin e ka patur si shembull model në punën e tij studimore dhe hulumtuese.
![Engjëll Sedaj - Etnonimi Arb]eresh - Shqiptar](https://fjala.info/2026/engjell-sedaj-etnonimi-arberesh-shqiptar.webp)
Tematika e studimeve dhe artikujve të botuar është e gjërë dhe e larmishme. Qe nga viti 1970 deri në vitin 2004, numërohen rreth 365 artikuj studimorë të botuar në organe të ndryeshme të shtypit dhe revista shkencore periodike në Kosovë dhe jashte saj, duke dhënë kështu një kontribut të paçmuar në përhapjen e kulturës shpirtërore dhe dijes ndër shqiptarë.
Vepra studimore dhe vetëdija kombëtare
Eshte e veshtirë të përmblidhet vepra e prof. Engjellit në këto pak rreshta, megjithatë do të kujtoj dy nga veprat e tij filozofike dhe studimore “Tradita dhe letërsia” Prishtinë 1997 dhe “Shqipja arbërore” Prishtine 2002, ku ai shpalos lirshëm mendimin e tij filozofik dhe respektin e padiskutueshëm për mjaft figura të shquara shqiptare të fushës së shkencës dhe të letërsisë. Në këto vepra ai ka synuar të paraqesë në një shkallë më të lartë punën dhe përpjekjet e disë përfaqësuesëve të shkencës filologjike shqiptare, duke krijuar një ide të qartë për punën dhe përpjekjet e tyre në këtë fushë. Meritë e autorit është se ka ditur të na japë dimensionet krijuese të disa perj figurave më të njohura të shkences dhe letërsisë shqiptare pak, ose aspak të njohura në trojet tona.
Prof. Engjelli e njeh mirë krijimtarinë dhe veprën e tyre, ka shfletuar mijëra dokumente dhe ka zbuluar veprimtarinë e tyre krijuese. Gjykimi i thellë mbi këto personalitete dhe vleresimi i matur ndaj tyre, paraqiten para nesh figura të tilla shumëdimensionale pak të trajtuara në literatureën tone studimore si Henrik Lacaj dhe Gjon Shllaku, dy përkthyes legjendarë shqiptarë, Eqerem Cabej, Francesko Solano dhe Rexhep Smajli, pionierët e leksikografise shqiptare, Zef Mirdita dhe Gaspër Gjini korifejt e letërsise historiko – dokumentare shqiptare, Luigj Marlekaj, Don Lush Gjergji dhe Gjergj Gashi përfaqesuesit më në zë të pasqyrimit të traditës kishtare shqiptare dhe më tej, figura e prof. Mihal Petrushevskit i cili ka dhënë një kontribut të padiskutueshem në përhapjen e kulturës shqiptare. Këto figura janë analizuar me kompetencë dhe dashuri duke e njohur lexuesin me informacion të ri dhe të bollshëm për jetën dhe aktivitetin e tyre krijues në sherbim të çështjes kombetare. Në të njëjtën linjë logjike vjen edhe libri i dyte i tij në lemin e studimit “Shqipja Arbnore”, ku më së shumti preken çështje të zhvillimit të gjuhësisë, studiohen figura të shkencës gjuhësore që punuan për zhvillimin e gjuhës dhe përhapjen e saj, sipas natyrës dhe ligjeve të brendshme të gjuhës sonë.
Duke u marrë me studimin e korifejve të kulturës botërore që bënë epokë dhe hodhën themelet e letërsise se dokumentuar si Homeri, Platoni, Hesiadi, Virgjili, Horaci, Ovidi etj, autori kërkon thellë në histori dhe madje analogon me krijuesit e vjetër të letersisë shqipe, duke zbuluar thelbin e krijimtarisë së tyre. Buzuku, Bogdani, Budi dhe Bardhi do të ishin objekt i penës së tij. Njohurite e thella dhe të sakta për letërsinë e vjetër shqipe, Ai i ka shfrytëzuar për të ndriçuar periudhën e lulëzimit të kulturës shqiptare dhe ndikimit të saj në kulturën europiane. Ndjehet i përviligjuar prof. Engjelli, sepse ka mundur të studioë figura të tilla si Francesk Durrsaku, Martin Segani, Nikolle Keta, Ndre Bogdani, Frang Bardhi etj, dhe ka zbuluar se këta personalitete janë përçuesit e gjuhës arbërore, janë shkëndijat e para të kësaj gjuhe të lashtë europiane.
Madje është i pari studiues që zbuloi mbishkrimet gravurës së Grotafferratas në Itali, ku vertetoi se gjuha shqipe ka ekzistuar qe nga viti 1492, kur është shkruar shqip. Ne këtë gravurë autori ka lexuar katër shkronja, Cast…,ku mendon se duhet të jetë shkruar emri i Kastriotit. Më tej, ai ka deshifruar: Alberia – More – Shala, ndërsa më poshtë ai ka lexuar në latinisht: Vivat as pantas lea. Prof. Engjelli mendon se këta mbishkrime janë shkruar nga ushtarë arbreshë, që ishin aso kohe nën sundimin e Alfonsit, mbretit të Napolit.
Sidoqofte këto gravura dhe mbishkrimet e tyre, janë dëshmi e gjallë e hershmërisë së shkrimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe, megjithse data e të shkruarit të tyre mungon. Duke bërë një lidhje logjike mes mbishkrimeve të Grotafferratas dhe autorëve të parë të shkrimeve shqipe, mund të mendojmë se faktet historike që përmend prof. Sedaj janë plotësisht të besueshme dhe të argumentuara. Gjuha është jeta e një kombi, ajo identifikon kombin, prandaj prof. Sedaj ka theksuar: ”…Këto kenaqësi përjetohen edhe më mirë nga monumentet e kulturës antike dhe mesjetare, kurse monumenti më i madh i popullit shqiptar është gjuha e tij, shqipja arbrore…”. Ne këtë kontekst, ai ngriti zërin kundër ndarjes dhe copëtimit të gjuhës shqipe dhe provincializmit të saj.
Papa Clementi XI dhe Arbëria
Vemendje të vacantë prof. Engjelli u kushtoi edhe studimeve historike kishtare, temë e munguar terësisht në trojet shqiptare në periudhën postkomuniste. Një vend të rendësishëm në këtë fushë zë studimi i plotë “Papa shqiptar Klementi XI – Albani dhe Kuvendi i Arbërit”, ku ai verteton me argumente shkencore se ky Papë që drejtoi për 21 vite me radhë Selinë e Shenjtë është shqiptarë me origjinë nga Laci i Kurbinit. Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, autori e radhit këtë Papë krah Gjergj Kastriotit. Interes paraqesin njoftimet e prof. Sedajt për motivet që e shtynë Papën Clementi XI të ndihmonte Shqipërinë, të ndikonte fuqimisht për hapjen e shkollave shqipe në atdheun e tij, të organizonte Kuvendin e Arbrit me 1703, duke vënë në dukje përparësitë e programit të tij papnor dhe aftësitë e padiskutueshme profesionale të papës shqiptar.
Eshte e rëndësishme të theksojmë se Papa Clementi XI punoi pa u lodhur për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Me materiale të pasura dhe argumente shkencore prof. Sedaj argumenton vlerat e tij njerzore dhe fetare duke dhënë nje informacion të pasur mbi veprimtarine e tij pontifikale, për hir të së cilës u quajt Papë i Madh.
Pjesa e dytë i kushtohet Kuvendit të Arbrit, që u mblodh me 1703 në fshatin Mërqi të Lezhës, iniciuar nga Papa Clementi XI, nën drejtimin e ipeshkvit të Tivarit Vincens Zmajevic, të cilin e pati caktuar edhe si vizitor apostolic në viset arbërore.
Kështu, krahas Kuvendit të Lezhës më 1444, Kuvendit të Matit më 1462, Kuvendit të Dukagjinit më 1602, Kuvendi i Arbrit vlerësohet si një ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, megjithse qëllimi i këtij botimi ka më tepër karakter informative – historik sesa studimorë. Në këtë vazhdë, autori pati nisur të botojë edhe një revistë me karakter studimore – shkencore që për nga niveli, ishte nga më të arrirat në tregun e medias sonë. Fjala është për revistën e njohur “Dardania Sacra” numri i parë i së cilës doli në vitin 1999, me kontributin edhe të intelektualit të njohur Pal Shtufi dhe u mbyll pas ndarjes nga jeta të prof. Engjellit. Ȅshtë një revistë me nivel të lartë shkencor, gjithpërfshirëse me një staf tepër të kualifikuar.
Përmes materialeve të botuara, hidhet dritë mbi rrënjët e histories dhe prejardhjes së kombit tone, të katolicizmit shqiptarë, zhvillimit të gjuhës, figurat më të spikatura të popullit tonë dhe kontributit të tyre për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo reviste serioze synonte të përmbushte zbraztinë e krijuar në fushën e botimeve studimore dhe në atë të hulumtimeve historike kombëtare dhe kishtare. Dardania dhe Iliria janë quajtur vende të shenjta, sepse Herodoti ka thenë: ”Iliret, ose kanë rënë nga qielli, ose kanë mbirë nga toka”, duke krijuar një imazh të gjallë për këtë popull të lashtë, kodi gjenetik i të cilit është shenjtërimi.
Ligjëruesi dhe studiuesi i zellshëm
Aktiviteti shkencor i prof. Engjell Sedajt nuk mund të jetë i plotë pa përmendur pjesmarrjen e tij në shume konferenca, takime, kuvende dhe tubime shkencore. Ai ka marrë pjesë në të gjitha kuvendet e filologëve të ish Jugosllavisë në Ohër – 1977, Nevi Sad – 1980, Zhalec – 1983, Pula – 1986, Shkup – 1989, ku ka referuar dhe thenë me kompetencë fjalën e tij. Ka botuar mjaft artikuj në organin e filologëve klasikë të ish Jugosllavise “Zhiva antike”, që botohej në Shkup në një periudhë prej 20 vjitesh, duke qënë edhe bashkëpunëtor në revistën “Latinet Graeca”, të Zagrebit. Ne vitin 1987 mbajti në Beograd temën studimore “Pellazgët e vjetër në studimet e Milan Budmirit”, ndërsa në vitin 1989, në Akademinë e Shkencave të Shqiperise ka mbajtur ligjeratën “Mbi veprën e Pjetër Bogdanit”.
Me 1997 u nderua me çmimin Kombëtar “28 Nentori”, nga Ministria e Kulturës për veprën “Etnonimi Arbëresh – Shqiptarë”, botuar në vitin 1996. Ȅshtë njeri nga themeluesit e manifestimit “Takimet e Don Mikelit” dhe botuesi i buletinit me të njejtin titull, kushtuar martirit kosovarë Don Mikel Tarabulluzi nga Stublla e Epërme. Rruga krijuese e profesor Engjell Sedajt ka qene e mundimshme, e vështire dhe plot sakrifica, por na ka dhënë gjithnjë kenaqësi dhe na ka befasuar me penën e tij të artë. Krijimtaria e tij është një kontribut i padiskutueshëm në fushën studimore, shkencore të shkencës filozofike shqiptare. Kjo punë voluminoze ka kërkuar vullnet, kemengulje dhe përkushtim, të cilat profesor Engjellit nuk i kanë munguar kurre. Ai pati krijuar profillin e tij krijues edhe një shkollë të njohur studimore dhe shkencore në pararojë të mbrojtjes së vlerave kulturore dhe kombëtare shqiptare.
Prof. Engjell Sedaj u nda nga jeta më 03. 06. 2006, duke lënë një trashegimi të vyer krijuese dhe studimore me vlera kombëtare, një vepër historike që do të shkëlqëjë ndër dekada. Duke lexuar vepra të tilla si “Homeri në letërsinë dhe kulturën shqiptare” botuar në Prishtine me 1984, ”Etnonimi Arbresh – Shqiptarë”, Prishtine 1996, ”Tradita dhe letersia”, Prishtine 1997, ”Papa shqiptar Klementi XI dhe Kuvendi i Arbrit”, Prishtine 1998, ”Etnokultura në peshoje”, Prishtine 2000, ”Shqipja arbrore”, Prishtine 2002 dhe shume studime të tjera për figurat më të ndritura të kulturës dhe letërsisë shqiptare, mendojme se prof. Engjell Sedaj i ka sjelle sherbime të shquara shkencës studimore dhe filologjike shqiptare. Ai do të mbetet shembull pune dhe sakrifice për brezat e ardhshëm. Prof. Engjell Sedaj, edhe pas vdekjes gëzon respektin dhe nderimin e masës së popullit për sherbimet e shquara që i ka bërë shkencës së letërsise dhe kulturës shqiptare.
L I T E R A T U R E :
1 – Revista “Hylli i dritës”, Shkodër nr.1/1993
2 – E. Sedaj: ”Tradita dhe letërsia”, Prishtinë 1997
3 – E. Sedaj: ”Papa Clementi XI…”, Prishtinë 1998
4 – E. Sedaj: ”Etnokultura në peshojë”, Prishtinë 2000
5 – E. Sedaj: ”Shqipja arbërore”, Prishtinë 2002
6 – Revista: “Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 1/1999
7 – Revista: ”Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 2/2000
8 – Revista: ”Dardania Sacra”, Prishtinë nr. 5/2003
9 – Revista: ”Takimet e don Mikelit”, Prishtinë nr. 4/2004
10 – Revista “Nentori”, Tiranë nr. 3/1960
VLASH PRENDI










