DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE

0
588
Women's Day - March 1975

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

„8 Marsi“

Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të grave, të datës 8 mars 1914 shkruan:

„Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t’ia paguajnë, si shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8 mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“. 

Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje ndërkombëtare.

Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë në vit, më 8 mars.

Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave) ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.

*   *   *

Dita ndërkombëtare e grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë femërore. Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe për emancipimin e femrave.

Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt 1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës. Me shënimin e Ditës së grave përkujtoheshin edhe ngjarje historike të rëndësishme, duke përfshirë edhe tragjedinë e shkaktuar nga zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin 1911, me ç’rast humbën jetën mbi 140 gra.

Pasqyra historike – Figura të njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë socialistja gjermane Klara Cetkin (Clara Zetkin, 1857-1933) dhe komunistja gjermane me prejardhje hebraike Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg, 1871-1919).

Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune, shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan publikisht në Nju-Jork (New York).

Punëtoret e e tekstilit protestonin për shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën. Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njuhur prej tyre është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote.

Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara Cetkin* (Clara Zetkin) u përcaktua Dita ndërkombëtare e grave“.

Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe në Zvicër. Këto njgarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork, me ç’rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë, pati numër të madh viktimash. Në prag të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913, femrat e mbarë Evropës organizuan demondtrata paqeje.

Demonstarat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit, revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e markizmit Aleksandra Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të shënuar „heroizmin e punëtoreve“.

Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e vet ideologjike dhe u shndërua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë dhe respektin ndaj pjesëtarëve të gjinisë së kundërt. Në shtetet perëndimore Dita ndërkombëtare e grave ka shërbyer si amalgamë tipike e Ditës së nënës dhe e Ditës së Shën Valentinit.

Dita e grave në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të plishtë, u hoq. Në Hungari ndërkaq, tradita për t’u dhuruar lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.

Dita e grave sot – Në shumë shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i Ditës së grave në Itali është mimoza.

Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht pushoi të shënohet në vitet ’30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit maj, shënohet Dita e nënës për nder të nënës dhe të të qenit nënë.

Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgizi, në Moldavi, në Mongoli e në Taxhkikistan dhe shënohet me lule e  dhurata.

Por, në vitet ’60 të shekullit XX feministet përsëri filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas, Ditën ndërkombëtare të grave Kombet e Bashkuara nisën ta festojnë zyrtarisht.

Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa prej tyre kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në të gjitha vendet.

*   *   *

Shënim: Roza Luksembur lindi në vitin 1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike. Ishte shtetase gjermane. Studioi në Universitetin e Cyrihut. Teoriciene e marksizmit dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë.

Roza Luksemburg, Karl Libkneht* (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering* (Franz Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale – Lidhja Spartakus (Lidhja Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik lindi Partia Komuniste Gjermane. Në janar të vitit 1919 Roza Luksemburg mori pjesë në revolucionin e pasuksesshëm në Berlin. Kryengritja shpërtheu përkundër mospajtimit të saj. Revolucioni u shua nga mbetjet e ushtrisë monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, të njohur si frajkorë. Roza Luksemburgu, Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u pushkatuan. Teoria revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizëm, buron nga emri i saj.

Karl Libkneht (Karl Paul August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut dhe i Franc Meringut. I përket Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, është një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U pushkatua pas kryengritjes së pasuksesshme në Berlin.

Franc Mering (Franz Erdmann Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) sociolog gjerman, historian dhe historian i letërsisë, marksist dhe politikan radikal. Një prej udhëheqësve të krahut të majtë dhe teoricien i socialdemokracisë gjermane. Një prej themeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Komuniste të Gjermanisë.

*   *   *

Shënim: Klara Cetkin, mbiemri i vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Konfederata Gjermane, 1857 – Arhangelskoje, afër Moskës, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. U shkollua për arsimtare. Bashkëmendimtare e Roza Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus Osip Cetkin (Ossip Zetkin, Odesë, 1850 – Paris, 1889) me të cilin kishte dy djem. Në vitet 1899-1928 ishte e martuar me piktorin gjerman Georg Fridrih Cundel (Georg Friedrich Zundel, 1875-1948).

Prej vitit 1874 u lidh me lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Në vitin 1878 u bë anëtare e Partisë Socialiste Punëtore (Sozialistische Arbeiterpartei, SAP). Kjo parti u themelua më 1875 me bashkimin e dy partive paraprake: Asociacionit të Përgjithshëm Gjerman të Punëtorëve (ADAV), të themeluar nga Ferdinand Lasal* dhe Partisë Socialdemokrate Punëtore (SDAP) të August Bebelit* dhe të Vilhelm Libknehtit*. Më 1890 partia e ndryshoi emrin dhe u quajt Partia Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD).

Në debatin mbi revizionizmin në fillim të shekullit XX, Klara Cetkin, bashkë me Roza Luksemburgun mban vijën revolucionare ekstreme dhe sulmon tezat reformisteEduard Bernshtajnit*. Gjatë qëndrimit në Paris luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Internacionles Socialiste. Zhvilloi lëvizjen e femrave socialdemokrate në Gjermani.

Klara Cetkin ishte aktive në Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD). I përkiste krahut të ekstremit të majtë të partisë – Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste Gjermane (KPD). Gjatë Republikës së Vaimarit (Weimarer Republik), në vitet 1920-1933 ishte deputete popullore në Rajhstag (Reichstag).

Më 8 mars 1911 organizoi kremtimin e parë të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1915, krahas veprimtarive të tjera kundër luftës, organizoi në Berlin konferencën ndërkombëtare të grave kundër luftës. Gjatë luftës, për shkak të qëndrimeve kundër luftës, u burgos disa herë. Në vitin 1916 Klara Cetkin është një prej bashkëthemeluesve të Lidhjes Spartakiste dhe të Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) e cila, në vitin 1917 u nda nga partia nënë – SPD.

Në janar 1919, pas revolucionit gjerman të nëntorit të vitit paraprak (1918), u themelua Partia Komuniste Gjermane (KPD). Klara Cetkin u bë anëtare e saj. Në vitet 1920-1933 ishte deputete e popullit në parlamentin gjerman. Më 1920 e intervistoi Vladimir Iliç Leninin (1870-1924) për “çështjen e femrës”. Në vitet 1921-1933 ishte anëtare e Komitetit ekzekutiv të Kominternit. Vdiq në Arhangelskoje afër Moskës. U varros në muret e Kremlit në Moskë.

Shënim: Ferdinand Lasal (Ferdinad Lassalle, 1825-1864) është jurist, filozof pruso-gjerman, veprimtar socialist dhe socialdemokrat. Lindi në Vrocuav, të Polonisë. Vdiq në Carouge të Zvicrës. U varros në Old Jewish Cemetery, në Vrocuav të Polonisë. August Bebel (1840-1913) është shkrimtar dhe politikan gjerman, socialist, socialdemokrat. Lindi në Deutz, Këln të Gjermanisë. Vdiq në Passugg të Zvicrës.

Vilhelm Libkneht (Wilhelm Martin Philipp Christian Ludwig Liebknecht, 1826-1900) socialist dhe marksist gjerman, udhëheqës politik, bashkëthemelues i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. Eduard Bernshtajn (Eduard Bernstein, 1850-1932) politikan, ekonomist, sociolog gjerman. Socialdemokrat dhe propagandues i ideve socialdemokrate, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SDAP), teoricien marksist dhe revizionues i ideve marksiste.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.