DIASPORA ME SY E ZEMËR NË ATDHEUN MËMË

0
127
Ferit Hoxha - samit

SAMITI I DIASPORËS

Nga Ferit Hoxha

Samiti i tretë i Diasporës Shqiptare mbajtur më datat 22 dhe 23 Nëntor 2023 në Pallatin e Kongreseve Tiranë, dëshmoi edhe një herë domosdoshmërinë e vlerësimit të kontributit që ka dhënë Diaspora, si dhe e drejta e tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes.

Kjo, sepse roli dhe kontributi i Diasporës Shqiptare ka qenë dhe mbetet vendimtar si në vetë ekzistencën e Kombit Shqiptar, ashtu edhe në atë të rritjes së nivelit ekonomik dhe mirëqenies së shqiptarëve në trojet e tyre në Shqipëri, Dardani, Iliridë e Malin e Zi e jo vetëm.

Ka ardhur koha që sot më shumë se kurrë, diaspora shqiptare duhet të ketë vëmendjen dhe vlerësimin maksimal nga qeveritë e shteteve përkatëse. Për fat të keq, shohim të gjithë se çdo ditë Diaspora po përdoret nga politika vetëm për qëllimet e pushtetarëve duke i mohuar edhe të drejtën më themeltare, atë të pjesëmarrjes në votime, pra duke i mohuar një ndër të drejtat që i jep kushtetuta e një nga të drejtat që shpirtërisht e moralisht i bën të ndihen bij të kombit të tyre.

Të mohohesh nga kombi yt, është mëkati më i madh që mund të bëjë një sistem diktatorial në kohë demokracie. Ironi e fatit kjo.
Përveç kësaj, mohim tjetër është edhe mospërfaqësimi i Diasporës në dikasteret shtetërore dhe në strukturat vendimmarrëse si: në Këshillat Bashkiakë, Këshillat e Qarqeve dhe Parlamentin Shqiptar. Mendoj se kjo e drejtë u takon për dy arsye kryesore.

Së pari, numri i shqiptarëve në total për Diasporën është edhe më i madh se ata që kryejnë veprimtari brenda Trojeve Shqiptare.
Së dyti, kapitali i tyre financiar është vendimtar në shtimin e të ardhurave të familjeve shqiptare në mënyrë direkte, dhe indirekte edhe në përcaktimin e buxhetit të shtetit.

E në vlerësim të kësaj, sepse s’kishte si të ndodhte ndryshe, edhe këtë radhë në Samit nuk munguan përfaqësues të diasporës nga të gjitha shtetet e botës(edhe pse të paktë në numër), ku me shpirt e zemër për atdheun e tyre erdhën me ide e propozime konkrete, duke sjellë eksperiencat e tyre më të mira në zhvillimin e ekonomisë e në ato strategjike.

Në këtë Samit ishin të ftuar edhe një përfaqësi nga Parlamenti Paqësor i Kombit Shqiptar(me qendër në Gjermani) dhe Grupi i Deputetëve të Parlamentit Paqësor për Shqipërinë, duke ndjekur nga afër të gjitha seancat me tematika të ndryshme.

Ky grup i përbërë nga z. Can Tahiri, Ferit Hoxha, Bujana Malaj, Kozeta Zavalani, Flutura Maçi, Lulzim Veliu, Hamëz Bytyçi e shumë të tjerë(ndjesë që nuk po ua përmend emrat), gjatë këtij Samiti realizoi edhe disa takime me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të ardhur nga Diaspora, si dhe me disa drejtues, e përfaqësues të dikastereve të vendit tonë, duke dhënë dhe shkëmbyer mendime dhe propozime konkrete për shumë çështje që kanë të bëjnë me Diasporën si:

– të drejtën e votimit në zgjedhjet e ardhshme
– përfaqësimin e Diasporës në Dikasteret vendimarrëse dhe ekzekutive
– favorizimi i tyre në rastet e investimeve në Shqipëri etj.

Urojmë që nga ky Samit, përtej folklorizmave dhe propozimit për ta shpallur ditë pushimi datën 22 Nëntor (si një ditë pushimi më shumë), të kalohet në hapa konkrete për vlerësimin e Diasporës Shqiptare duke nderuar kontributin që ata kanë dhënë për kombin e tyre e për ardhmërinë e mëtejshme të tij.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.