nga Rexhep Çullhaj
Delet
- fabulë
Ishte një tufë delesh që kulloste çdo ditë në një livadh të gjelbër. Java kalonte shtatë ditë fiks dhe delet rrinin gjithmonë bashkë. Tufa ishte e bardhë si bora, por mes tyre ndodheshin edhe dy dele të zeza. Edhe pse dukeshin ndryshe, ato jetonin qetë me tufën dhe kullosnin cep më cep pa i bërë keq askujt. Një ditë moti filloi të ftohej dhe pranë malit u pa një ujk i uritur. Ai sillej rrotull sikur sapo të kishte dalë nga burgu dhe kërkonte rastin për të sulmuar. Sapo e vunë re, delet u mblodhën top pranë njëra-tjetrës për t’u mbrojtur.
Vetëm dy delet e zeza mbetën pak më larg, sepse menduan se nuk u kanosej rrezik. Ujku përfitoi nga kjo ndarje dhe u hodh menjëherë mbi to. Kur çobani erdhi me vrap për të shpëtuar tufën, ishte vonë. Dy delet e zeza kishin rënë në gojën e ujkut. Pas kësaj, delet e tjera u mblodhën dhe bënë hesapin e asaj që ndodhi. Ato kuptuan se kur dikush ndahet nga grupi, bëhet më i dobët dhe më i rrezikuar. Morali: Bashkimi sjell siguri dhe forcë, ndërsa ndarja sjell humbje dhe rrezik.
Mushka xanxare
- fabulë
Në një fshat të vogël jetonte një mushkë shumë xanxare. Ishte e egër fare dhe askënd nuk e linte t’i afrohej. Sa herë dikush i vinte pranë për ta ledhatuar apo për t’i dhënë ushqim, ajo ngrinte shkelmin dhe godiste fort. Fëmijët kishin frikë prej saj, ndërsa kafshët e tjera e shmangnin. Një ditë, kali plak i tha: — Moj mushkë, pse sillesh kështu? Po vazhdove të godasësh këdo, do mbetesh vetëm. Por mushka qeshi me përbuzje. — Unë jam e fortë!
S’kam nevojë për askënd! Kaluan ditët dhe askush nuk iu afrua më. Kur erdhi dimri, mushka mbeti vetëm në stallë. Asnjë kafshë nuk i fliste dhe askush nuk donte ta ndihmonte. Atëherë ajo kuptoi se egërsia dhe sjellja e keqe largojnë miqtë. Që nga ajo ditë, mushka ndryshoi sjellje. U bë më e butë dhe më e dashur me të tjerët. Morali: Njeriu apo kafsha që sillet keq me të tjerët, një ditë mbetet vetëm. Mirësia dhe sjellja e mirë sjellin miqësi e respekt











