Shkruan: Florim Zeqa, 31.07.2024
Dashuria e popullatës shqiptare për Ibrahim Rugovën ishte dëshmuar pas shkuarjes së tij në amshim, ku qytetarë nga e gjithë Kosova, trojet etnike dhe diaspora për disa ditë rresht i bën homazhe dhe moren pjesë masivisht në varrim, edhe përkundër temperaturave ekstremisht të ulëta (-20 ° C) për të nderuar personalitetin e tij.
Abuzimet serike me Rugoven
Nga shkuarja e liderit historik të LDK-së, kanë ndodhur abuzime të shumëta dhe të njëpasnjëshme me emrin e Ibrahim Rugoves. Abuzimet janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato më skandalozet për ambicie pushteti e deri tek më të ulëtat, të përfitimit material apo punësimit në institucione publike.
Përfitimet e “institucionalistëve” për ambicie pushteti dhe abuzimet me familjaret e veprimtarëve të vrarë të LDK-së janë ana më e errët e medaljes post-rugoviane!
Sa herë që vijnë fushatat zgjedhore, eksponent të caktuar të LDK-së i kthehen presidentit historik Ibrahim Rugova, dhe çdo herë përpara më dalin fjalët e kusherinit tim në përvjetorin e parë të shkuarjes në amshim të presidentit, po citoj; “Sikur të ishte kanë adet me ia lënë pak jasht “bilbilin” e Rugovës, sa herë që përulen do t’ia kishin puthur nga pak”!
Pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, para dhe gjatë fushatave zgjedhore na ka rënë shpesh t’i shohim oponentët e dikurshëm politik, t’i shkojnë të varri i presidentit me përulje duke u shndërruar në lepirësit më të mëdhenj të mermerit mbi varrin e tij.
Përuljet e pasinqerta të liderëve shtetëror e partiak, të pseudorugovianëve dhe mashtruesve, të tradhtarëve dhe hipokritëve janë sa të padinjitetshme, po aq edhe të pamoralshme dhe të pasinqerta.
Të papërballueshme për të ndjerin Rugovë janë fjalimet krejtësisht fallso e të pasinqerta nga ata, që nuk e kanë respektuar për së gjalli, e deri tek ata që i ka gëzuar vdekja e tij.
Në këtë aspekt, përpara më del thënja sa kuptimplote po aq edhe profetike e profesor Zekeria Cana, po i citoj; “Në dhimbje të vjen miku, në gëzime të njohurit, kurse në vdekjen tënde edhe armiqt. I vetmi ofendim, të cilin nuk mund ta ndëshkosh është fjalimi para varrit tënd”.
Nuk është aspak e drejt dhe e moralshme të përdhunohet për së vdekuri Rugova nga ata që e fyen, e shanë dhe i thanë tradhtarë për së gjalli, nga ata që e sabotuan projektin e tij për pavarësinë e Kosovës.
Nuk e kam as idenë më të vogël, se çfarë ndjejnë kundërshtarët e Rugovës në momentin e përuljes para varrit të tij, ndjejnë pendim apo kënaqësi deri në masturbim!
Përulja dhe lëpirja mërmerit mbi varrin e Rugovës kinse duke u betuar se do ta ndjekin “rrugën e Rugovës”, për më tepër se hipokrizi, janë abuzim dhe mashtrim që i bëjnë elektoratit rugovian.
Përderisa Ibrahim Rugovën e deshtën dhe e respektuan si engjëll qytetarët e vendit, politikanët janë ata që abuzuan më së shumti me emrin e presidentit dhe tre postulatet e tij profetike: Liri, Pavarësi, Demokraci.
Slloganet “Guxo”, “Lidhja e Re” dhe “Rruga e Re” nuk janë gjë tjetër veçse një tendencë për tjetërsim të shkronjave të arta-‘LDK’. Çdo anashkalim dhe çdo ikje nga tre shkronjat e arta paraqet largim nga rruga dhe filozofia politike rugoviane.
Ata që e kanë të vështirë t’i përmendin tre shkronkat e arta ‘LDK’ nuk janë lidhja e re, nuk janë rruga e re dhe nuk janë guximtar, por janë qyqar dhe karrierist që vrapojnë pas pushtetit duke mashtruar elektoratin në emër të vijimësisë rugoviane! Ngase ka vetëm një vijimësi rugoviane dhe ajo është LDK, të tjerat janë hipokrizi dhe mashtrim.