Çerkin Ibishi – Monolog me Isa Boletinin

0
317
Çerkin Ibishi - Monolog me Isa Boletinin

Shkruan: Bedri Tahiri

Kolegu im, gazetari e veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare, z. Çerkin Ibishi, këto ditë na gëzoi me një dhuratë të pazëvendësueshme, me librin poetik “Monolog me Isa Boletinin”. Nga dëshira që unë ta kem në dorë sa më shpejt, nuk ka pritur që të takohemi, por, përmes një kolegu tjetër, timin dhe të vetin, z. Xhavit Çitaku, libri më mbërriti në shtëpi.

Dhe, kërshëria për t’i shijuar ato vargje margaritarë, më shtyri që fill t’i rrekëm leximit, me laps në dorë, siç i thonë një fjale. E po, dorën në zemër, që në nismë kuptova se ishte një libër që lexohej me një frymë dhe të linte pa frymë. Nuk të lëshonte më, duhej përpirë me një gllënjkë. Një libër me prurje të reja artistike në poezinë tonë bashkëkohore.

Vargjet brilante, të latuara mirë e kujdesshëm, me fjalë e shprehje të përzgjedhura, të fuqishme e mbresëlënëse, mbrujtur me motive të larmishme e me ngjyrime ylberore, me një strukturë të mirëfilltë konceptuale e përmbajtjesore, me një diskurs të thukët analitik e shumë konciz, të liruara nga shabllonet e klishetë konvencionale e nga rregullat e ngurta klasike metrikore, që në leximin e parë të bëjnë për vete, të mbërthejnë fuqishëm e të marrin në krahët e suferinës për të të shpjerë në majat kulmore të katarsisit aristotelian…

Autori i vëmendshëm, me një gërshetim të natyrshëm të dijeve historike e të imagjinatës së bujshme, narracionin e tij e nis nga thellësitë e galerive të rrënjëve tona hyjnore ilire- dardane, ku zë fill edhe vetë qytetërimi evropian:

…u ngritë qytetërimi në Evropë
me kulturën trojane,
iliro dardane

eci Evropa, u këndell perëndimi
me gjak e kulturë iliriane…
(Rrënjë ilire, f. 9)

Poeti, duke ndjekur Penin e Arianës, del nga labirinti i mugëtirës dhe rrënjët e këtij qytetërimi të lashtë, i has kudo nëpër trojet e veta, veçan në Kalanë ilire në Shalë:

…Fortesë strategjike e ngritur në lashtësi
Në epokën e famshme të Ilirisë
Është dëshmi kohe e qëndresës dardane
E popullit të famshëm në fortesë evropiane…

(Gjyteti, f. 11)

Nënshtresimet tekstuale shumëkuptimore të kodit poetik ndërlidhen me vetë bërësit e historisë, me kreshnikun Isa Boletini, me Azem e Shotë Galicën, me Dan Derovcin e Ahmet Selacin, me Ukshin Kovaçicën e Kadri Bistricën, me Ajvaz Çabrën e Abit Bellën, me Shaban Polluzhën e Aqif Blytën, për të kulmuar me komandantin legjendar, Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…
Mirëpo, sipas poetit, synimi ynë shekullore ende larg realizimit, ngase:

Evropa as në vitin cub 2013
pas 100 vjetësh të copëtimit
as tash
s’i humbi gërshërët
copëton lëkuërhartën etnike

(Monolog me Isa Boletinin, f. 15)

Vokacioni poetik shpërthen e nxjerr xixa drithëruese për heroin e parë të Drenicës, që me hanxharë theri mbretin nënshtrues, të cilin mëtuan të na përvetësojnë serbët, për trimat e Shalës kreshnike, për vocët trima me fletë, që në Sumë thuren lavdinë dhe fituan përjetësinë, për Jasharët e pavdekshëm që ndryshuan rrjedhat e historisë, për guerilasin urban Artim Jashari etj., të cilët me gjak mbëltuan lirinë, andaj poeti me të drejtë këlthet: Sa e ngrohtë jeta në Liri!

Ndjenjat lirike që përherë hepohen midis reales e imagjinares, madje edhe kur vargjet i përkasin botës meditative, nuk i përvijohen dot lajtmotivit kryesor: atdhedashurisë! Heroi lirik, përherë qëndron i ngulitur fort në truallin e Etnisë sonë, me dhimbjen dhe me krenarinë, me vuajtjet dhe me lumturinë, me qëndresën e me mbijetesën, me lindjet dhe me vdekjet, me varfërinë e me bujarinë, me fatkobet e me shpresën…

Kështu, duke përshkruar jetën e babait minator, pasqyrohet një epokë e ter e heronjve të nëntokës sonë me begati përrallore…

Poema “Një ndodhi për mrekulli” është perlë poetike e llojit të vet. Zbërthimi mjeshtëror i një legjende të lashtë (të tilla kemi mjaft në trojet tona të stërlashta), në plane shumëdimensionale, me mjete të duhura stilistike, lexuesin e mban pezull në magjinë e fjalës, përplot drithërime për fatit të trimit Jon dhe Bukurushës mbyllur në shpellë, larg syve të botës e të njerëzisë…

Në fund të fundit, e veçanta e këtyre lirikave është origjinaliteti. Toponimia e pasur dhe e pastër shqipe, u jep atyre shkëlqim dhe ngjyrim autokton, i bën të kapshme e joshëse për lexuesit e të gjitha moshave dhe të gjitha shtresave shoqërore.
Urime e suksese, Çerkin Ibishi!

Lexim të këndshëm!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.