“Maria zgjohej sa herë unë lëshoja zëra nga goja të pakuptueshëm, të cilët ajo m’i shpjegonte. “A je mirë?”, – më pyeti. “Çfarë ndodhi?”, – i thashë. Më shtrëngoi shumë, dhe ishte një shtrëngim që ma kujtonte shtrëngimin e parë me të. E shikova në sy , vëreja një mërzi të papërshkruar, dhimbje sikur t’i kishte vdekur anëtari më i afërt i familjes. Më shikonte pa m’i ndarë sytë e saj të mëdhenj. Edhe unë e përqafova, ndieja aromën e lëkurës dhe të flokëve. Ishte kjo aromë që më eksitonte. Ajo ishte komplet në vaj. Vrapoja shpejt në banjo, villja e më pas flija prapë. Pastaj, gjumi më dilte në mes të natës, thyeja çdo gjë të vogël që kisha përpara. Marisë kjo gjë nuk i pëlqente, por ajo mundohej ta kuptonte gjendjen time. Në thelb unë bëhesha i trishtuar dhe i çmendur për tmerret që kisha parë dhe përjetuar. Fytyra të njerëzve të vrarë, sidomos fëmijë të vegjël të coptuar, sikur të ishin një copë mishi. Ato pamje çdo natë më përsëriteshin, dukeshin si fantazma, nganjëherë nuk mund t’ua vëreja pjesët e fytyrës, vetëm hijen e zezë te pjesët e syve, hundës dhe gojës. Ishin imazhe pa identitet…”
Fragment nga romani “Ti” i Ilir Muharremit.