38 C
Tirana
E shtunë, 18 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Arka e nënës

Arka e nënës

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

  • tregim

Atë vit që mbaroi universitetin, Mark Pali u nis në një specializim jashtë vendit. E ëma me të atin e përcollën deri në fundin e arës së madhe, aty ku e priste një makinë e vogël, në të cilën ndodhej vëllai i tij i madh, që do ta çonte deri në aeroportin e vendit. E ëma u përlot kur ai i humbi nga sytë. I ati s’e fshihte dot krenarinë për të birin që kishte mbërritur në këtë ditë.

–         Hajde, grua, – i tha së shoqes, – kur të kthehet, gjithçka do të jetë më mirë.

Ajo heshti disa çaste, pastaj mërmëriti:

–          Po na gjeti të gjallë.

Ashtu, mbështetur tek njëri-tjetri, u futën në kullën e madhe tre-katëshe, maje kodrës, e cila tashmë kishte mbetur vetëm e tyre.

Gjini, djali i madh, po atë vit kishte marrë familjen e tij dhe ishte vendosur në afërsi të kryeqytetit, ku jeta ishte ndryshe, sipas tij. Plot familje të atij fshati e kishin marrë udhën drejt bregdetit ose drejt qendrave urbane, e mjaft kulla kishin mbetur bosh.

Plaku u ngjit në katin e sipërm të kullës së tij, atje në dhomën e miqve, dhe u ul buzë oxhakut e shpuziti zjarrin. Pastaj e mbështeti kryet mes dy duarve dhe u mendua disa çaste.

– Ej, moj ti! – i thirri së shoqes, por ajo s’e ndjeu, kushedi ku gjendej në gjithë atë kullë bosh, e nuk po e dëgjonte zërin e tij.

Një e therur e fortë, si të ishte teh thike, iu ngul në shpatull. E zgjati dorën dhe mbi rrasën e oxhakut mori kutinë e mademtë të duhanit. E mbushi çibukun dhe e ngjeshi mirë me gishtin e madh, pastaj me mashë mori një gaca dhe ndezi duhanin.

Duke pirë duhan, mendjen e hodhi te ajo dorë e artë që kishte gdhendur rrasën e gurtë të oxhakut, me ato ornamente të veçanta e me shqiponjën dykrenëshe në mes.

–          Ej, moj ti! – i thirri sërish së shoqes, por ajo përsëri nuk iu përgjigj.

Ajo, atje në dhomën e të birit, qante me dënesë dhe mblidhte një nga një rrobat e tij, të lëna disi shkujdesshëm. Nga komodina e vogël pranë kokës së krevatit mori dy librat që ai i kishte lënë hapur, dhe i vendosi në raftin e librave në fund të dhomës.

–          Babë, – i ishte lutur ai të atit, – a më ban një raft për librat?

I ati kishte heshtur…

–          Një raft të hapur, të thjeshtë.

Të nesërmen, kur ai ishte nisur për në qytetin “Studenti”, i ati ishte ulur dhe, ngadalë, kishte gdhendur e strukturuar, njëra pas tjetrës, elementët e bibliotekës së tij të mëvonshme.

Kur Mark Pali kishte ardhur për pushime, e kishte gjetur bibliotekën e mbaruar, të vendosur në fund të odës së vet. I ishte hedhur në qafë të atit dhe e kishte falënderuar shumë.

Pasi kishin ngrënë darkë, ai ishte ngjitur në dhomën e tij, atje në katin e dytë të kullës, dhe gjithë natën kishte sistemuar librat e vet. Aq sa në mëngjes, kur i ëma kishte ardhur t’i sillte kafenë, e kishte vënë re se ai akoma s’kishte fjetur.

Tani nënë Mara nuk dinte ku t’i vinte ato dy libra që ai i kishte lënë mbi komodinën e tij. Për të, gjithçka tjetër ishte më pak e rëndësishme.

–          Ej, moj ti! – dëgjoi zërin e plakut nga kati i tretë. Kështu që i vuri drynin derës së të birit dhe u ngjit me vrik për atje. Duke ngjitur shkallët, i fshiu mirë lotët, se nuk donte ta ligështonte të shoqin.

–          A më thirre?!

–          Po, besa, të thirra të pimë nga një kafe të dy bashkë, se tash kjo kullë po më duket se…

–          Jo, more burrë, ne djemtë i kemi si askush tjetër: sot ikin e nesër vijnë.

–          Nuk e di, moj grua, po më ka therë këtu, në shpatullën e majtë, dy a tri herë, e s’e di a do të më gjejnë gjallë.

Heshtja ra disa sekonda, dhe dëgjohej vetëm tringëllima e takëmeve të kafesë, që ajo po ua binte për t’i pjekur kafet e të shoqit.

Kështu nisi një tjetër jetë në kullën në majë të kodrës, që prej vitesh e kishte pasur zili krejt bajraku, por tashmë kishte mbetur – si shumë kulla të këtyre anëve – djemtë e së cilës shpesh kishin zbritur ndër ish-kenetat, në kërkim të qytetërimit të ri.

Por nuk zgjati shumë, dhe punët morën për ters: pa u mbushur viti, i zoti i shtëpisë, pra i ati i Mark Palit, ndërroi jetë.

Në krye të muajit pas vdekjes së të shoqit, nënë Mara vendosi ta lërë të vetme kullën e saj, ku kishte jetuar plot pesëdhjetë e tetë vjet, dhe të shkonte të jetonte te djali i madh, atje në periferi të kryeqytetit. Ishte nata e fundit që ajo do të rrinte në atë kullë, kështu që të gjitha gjërat e veta i nxori nga arka e vet dhe i bëri gati për t’i marrë me vete. Do të shkonte në një lagje në periferi të kryeqytetit, atje ku, sipas të birit, ishte qytetërimi.

Ajo arkë ishte kujtimi më i shtrenjtë i jetës së saj. I shoqi e kishte gdhendur vetë, me dorën e tij, dhe ajo kishte qenë e para që kishte hapur kapakun e saj. Në atë kapak, ai kishte gdhendur dy portrete – një burri dhe një gruaje – e në mes tyre kishte vendosur një fëmijë, si një engjëll. Nga të gjitha anët, arka ishte gdhendur me kujdes prej tij.

Por ajo duhej ta linte aty, në odën e vet, në kullë, ku shpresonte të kthehej një ditë; e atje do të gjente një raft melamine me llustër, të bollshëm, ku rrobat e saj do të kishin mundësi të ajroseshin lehtë. Në fakt, e dinte mirë se nuk do të kishin erën e tyre të veçantë, atë të luleve të arkës.

Në shpirt ndjeu një trishtim të madh, e zemra desh t’i çahej më dysh, po nuk foli asnjë fjalë. Të nesërmen do të shkonte të jetonte me djalin e madh, atje në një lagje të Tiranës, ku ai kishte afro njëzet vjet që banonte.

“Eh, more bir” – ofshaniti me vete – “o shpirti im, po i lëmë të gjitha: edhe arkën time, edhe kullën e tyt eti, edhe tokat e të parëve, edhe varrin e shkretë të tyt eti.”

Hyri në dhomën e tij dhe pa raftin me libra, që askush s’i kishte prekur që nga dita kur ai i kishte sistemuar me kujdes, para se të ikte jashtë shtetit për studime. I vështroi gjatë.

“Si të bëj me to, biri im?” – mërmëriti me vete. – “Ti, të vetmen gjë që ke dashur me gjithë shpirt, kanë qenë ato dhe arka e gdhendur prej tyt eti. Tani ajo është bosh, si ditën kur unë erdha këtu nuse dhe gjeta brenda vetëm nagantin e tij. Tani ka brenda vetëm furkën, boshtin dhe gërhanët e vjetra, me të cilat unë kam tjerrur leshin, prej të cilit bëra shpërgenin me të cilin të lidha ty në djep.”

Iu afrua raftit të librave dhe i preku ngadalë, si t’i lëmonte flokët e të birit, mbështetur në prehrin e saj. I kishte mbuluar pluhuri. I nxori nga vendi i tyre dhe, ashtu ngadalë, i vendosi, të gjitha, në arkën e saj. Arka u mbush plot me librat e tij. Ai gjithnjë, kur vinte nga shkolla, apo edhe kur vinte nga jashtë, libra sillte – shumë prej të cilëve ajo s’ua lexonte dot as titullin.

E mbylli arkën dhe mbi të vuri djepin e tij, pastaj vendosi një mbulesë leshi, si dikur, kur atij i ftohej.

–          Hajde, nënë, se darka është gati, – dëgjoi zërin e së resë, që thirri nga kati i parë i kullës tre-katëshe.

Zbriti shkallët e kullës dhe u ul në sofër, po nuk mundi të hante asnjë kafshatë.

–          Ha, moj nënë, – i tha i biri.

Por ajo bëri sikur hëngri, pastaj u ngrit dhe vajti edhe një herë në dhomën e saj.

Të nesërmen, kur dielli filloi t’i ledhatonte bjeshkët me rrezet e tij, një makinë u ndal para kullës së tyre. Ajo hodhi vështrimin rreth e rrotull, dhe dy pika loti morën udhë e rrëshqitën nëpër faqet e saj. U kthye nga dera e kullës, se s’donte ta shihnin të përlotur, dhe i fshiu lotët.

Vështrimin e ndali te shqiponja e gdhendur në gur, mbi parmakun e derës. Dy këmbët e saj sikur mbërthenin kokat e dy gjarpërinjve, të vendosur anash, që dukej sikur ecnin drejt saj. Gurët e gdhendur të gjithë kullës iu dukën si të ishin pjesë e trupit të saj, që po mbetej aty.

U rrotullua me vrik dhe u fut në makinë, që, sapo u nis, e çoi drejt e atje, në periferi të kryeqytetit, ku dhoma e saj ishte e madhe, me pllaka të lëmuara e me rafte që dukeshin si prej xhami, por asaj i dukeshin të ftohta, të akullta.

Muajt ia lanë vendin njëri-tjetrit, e vitet ecnin e ecnin. Nënë Mara u kthye rrallë e më rrallë në kullën e vjetër, në male. Gjithnjë kur vinte tek kulla, sikur merrte frymë lehtë e bëhej më e gjallë. Kur kthehej atje, te i biri, në kryeqytet, sikur i zihej fryma, edhe pse të gjithë e respektonin dhe e donin.

Ishte pranverë kur ajo ndërroi jetë.
Në arkën e së ëmës, librat e tij flinin dhe e prisnin, si një amanet i pathënë…
Në çdo faqe të tyre, iu duk se shkruhej: T’i ruajta me gjithë shpirt, o bir…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.