110-VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Shënimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë të shqiptarët në Mal të Zi ka filluar nga viti 1991, nga partitë politike dhe shoqëria civile ndërsa nga viti 2008 organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, duke mbetur festa që i bashkon shqiptarët si në vend dhe në diasporë, duke përkujtuar me pietet e nderim të gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar
Zonja dhe zotërinjë,
Të nderuar pjesëmarrës!
Te rrallë janë ata popuj që kanë një datë ne historinë e tyre kombëtare siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare. Kujtesa historike na shpie ne Krujën legjendare, na kujton 28 nëntorin e vitit 1443 dhe na ngjallë fuqishëm epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian. Prandaj, heroi ynë kombëtar me kohë i ka kaluar përmasat e historisë kombëtare dhe është bërë pjesë e historisë botërore.
Por, pas kësaj periudhe të lavdishme shqiptarët përjetuan plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje por arritën për të ruajtur identitetin kombëtar. Ne këto kohëra te robërisë dhe te mbijetesës edhe flamurin kombëtar e rrembeu vala shkatërrimtare. Kur armiqët tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarza në zemrat tona. Patrioti, Faik Konica duke hulumtuar në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitësh, sërish valoi Flamuri i Skënderbeut.
Pas Nëntorit të Parë, përkulemi me respekt të thellë para emrit dhe veprës së plakut të mençur të Vlorës, Ismail Qemalit i cili me 28 nëntor 1912, ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, që ne histori njihet si Nëntori i Dytë.
Festën e Flamurit, që është dita më e rëndësishme e historisë kombëtare, mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse ne saje të vendimëve të padrejta në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), jashtë shtetit te sapoformuar shqiptarë mbeten më së gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.
Edhe pse për këto 110-vite ne periudha te ndryshme shqiptarët jashtë kufinjëve politikë te shtetit amë përjetuan vuajtjet, persekutimet, diskriminimin dhe ekzodet biblike, ata megjithë reduktimin e vazhdueshem te numrit dhe te territorit të tyre mbijetuan, duke u përpjekur vazhdimisht te konsolidohen dhe te avancojnë te drejtat kombëtare.
Kosova nga viti 2008 është shtet i pavarur, por ende pa konsilodim të pushtetit në terë territorin e vet.
Shqiptarët ne Maqedoni dhe ne Luginën e Preshevës, pas luftës së tyre për barazi kombëtare, janë ne pritje te realizimit praktik të barazisë kombëtare.
Shqiptarët në Mal të Zi angazhohen për avancim te statusit të tyre politik si dhe integrimin e tyre me identitet kombëtarë.
Shqiptarët në Çamëri janë pothuaj të harruar, por ne kërkim të vazhdueshem për njohjen e ligjshme të tyre mbi pronat dhe trojet e veta kombëtare.
Ndërsa diaspora shqiptare e shpërndarë anë e kend botës paraqet ndërgjegjën tonë kombëtare e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke e ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare e sidomos ne vitet 1991-1999, andaj meriton nderim te vazhdueshem.
Shqiptarët kur kremtojnë Ditën e Flamurit 28 Nëntorin, përkatësisht Pavarësinë e Shqipërisë, paraqiten të bashkuar por të tillë duhet të jenë vazhdimisht sepse çështja kombëtare nuk është çështje private, partiake apo e klanëve të ndryshme, sepse kombi, gjuha e flamuri kombëtar shqiptar mbetën mision i përjetshëm i botës shqiptare.
Të ndëruar pjesëmarrës,
Janë të rrallë ata individ që mund ta kenë ditëlindjen e tyre me datat madhore të historisë së kombit, por më këtë rast kemi një përjashtim sepse Dita e Flamurit-28 Nëntori përkon me ditëlindjen e Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai me aktin madhor të flijimit të tij dhe të tërë familjes, vulosi fitoren e shqiptarëve me ç’ rast nisi një erë e re për shqiptarët duke i dhënë kuptim ardhmërisë së lirë të qytetarëve të Kosovës.
Dita e Flamurit-28 Nëntori, është datë historike dhe emblemë e fuqishme e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë, andaj si e tillë është festa e të gjithë shqiptarëve.
Ne këtë ditë të shenuar, shqiptarët si ne trojet e tyre etnike dhe ne diasporë, kujtojnë me pietet dhe nderim të thellë të gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar.
Eshtë kjo festa e shenjtë kombëtare qe i bashkon shqiptarët, rreth Flamurit të përbashkuar, si në Himnin Kombëtar.
Ju faleminderit dhe gëzuar festën!
Dr. Nail Draga
(Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit në Ulqin me 28 nëntor 2022)