14.9 C
Tirana
E hënë, 26 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Nga Qerbelaja e Naimit te Tirana e sotme

Nga Qerbelaja e Naimit te Tirana e sotme

0
Gruaja shtatzënë në protestë

Elife LuzhaAutore: Elife LUZHA

Qerbelaja e Naim Frashërit, është një vepër në të cilën lexuesi përballet me një nga tragjeditë më të dhimbshme të historisë, mesazhi i së cilës mund të interpretohet si në planin njerëzor, ashtu edhe në atë filozofik. Kjo tragjedi na nxit të reflektojmë mbi natyrën njerëzore, drejtësinë dhe çmimin e urrejtjes. Bëhet fjalë për një konflikt në të cilin njeriu vihet kundër njeriut, ndërsa etja për pushtet, fanatizmi dhe përplasja e bindjeve e çojnë shoqërinë drejt gjakderdhjes dhe shkatërrimit.

Sigurisht, Tirana e sotme nuk mund të barazohet me Qerbelanë e përgjakshme të shumë shekujve më parët. Megjithatë, ajo mund të na kujtojë se deri ku mund të na çojnë përçarja dhe urrejtja.

Qerbelaja na kujton se lufta për drejtësi e humb kuptimin e saj kur njeriu harron njerëzoren dhe braktisë mundësinë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.

Ajo na kujton se ekziston gjithmonë një kufi që nuk duhet kapërcyer, jo vetëm kur jemi të zemëruar, por edhe kur besojmë se po na bëhet padrejtësi.

Dhe ky kufi nuk nënkupton heshtjen, dorëzimin apo pranimin e padrejtësisë, por refuzimin për ta çnjerëzuar kundërshtarin. Asnjë mosmarrëveshje nuk duhet të na bëjë të harrojmë vlerën e jetës njerëzore dhe dinjitetin që i takon secilit prej nesh.

Duhet të kuptojmë se një shoqëri nuk dobësohet nga fakti që njerëzit kanë mendime të ndryshme, por atëherë kur këto dallimet shndërrohen në urrejtje, kur kundërshtari shihet si armik dhe kur dhuna fillon të justifikohet në emër të një kauze.

Një shoqëri mund të ketë konflikte politike dhe, megjithatë, të mbetet e bashkuar rreth vlerave të përbashkëta, për çfarë nevojitet përgjegjësi nga të gjithë: nga politikanët, për mënyrën se si flasin për kundërshtarët, nga mediat, për mënyrën se si i pasqyrojnë konfliktet, nga policia, për mënyrën se si e ushtron autoritetin dhe nga qytetarët për mënyrën se si reagojnë ndaj provokimeve.

Pamjet e protestave të fundit në Tiranë na shtyjnë të pyesim: Si është e mundur që shqiptari të ngrihet kundër shqiptarit deri në atë pikë sa të harrojë se përballë ka një njeri të gjakut dhe të vendit të vet?

Një protestues që kërkon drejtësi nuk duhet ta shohë policin si dikë që duhet shkatërruar. Po kështu, një polic nuk duhet ta shohë protestuesin si armik ndaj të cilin duhet të ushtrojë dhunë.

Uniforma nuk e justifikon dhunën e tepruar, por as pakënaqësia nuk e justifikon sulmin ndaj policit, sepse si protestuesit ashtu edhe policët janë bijë të këtij vendi.

Si mund të pretendojmë se duam të ndërtojmë një Shqipëri më të drejtë, nëse fillojmë ta shkatërrojmë njëri-tjetrin?
Si mund t’i shkaktojmë kaq shumë dhimbje e vuajtje njëri – tjetrit dhe, më e rënda, ta shohim vëllanë si armik?

Nëse nuk arrijmë ta kuptojmë këtë, mund të ndryshojnë qeveritë, partitë dhe emrat e njerëzve, por rreziku që shoqëria të përsërisë të njëjtën tragjedi do të mbetet.

Prandaj, vargjet e Naim Frashërit te Qerbelaja tingëllojnë edhe sot si një thirrje për vetpërmbajtje, vëllazëri dhe ruajtjen e njerëzores:

Ju mos u bëni të marrë
Mos u bini për të vrarë,
Po vetëm sa të mburoheni,
Se ndryshe do të pendoheni.

Mos i ndiqni,
Mos i goditni,
Janë vëllezërit tanë
A e vret vëllai vëllanë…?
(Pjesë nga Qerbelaja)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.