TRINOMI: LASHTËSI, ATDHEDASHURI, SAKRIFICË – LAJTMOTIV I POEZISË SË REFIK GËRBESHIT

0
155
Refik Gërbeshi - Mos shkelni mbi gjak

Zymer Mehani

Autori Refik Gërbeshi, në vëllimin poetik “Mos shkelni mbi gjak”, ka trajtuar temën e dëshmorëve me një thellësi dhe ndjenjë të veçantë. Në poezitë e tij, dëshmorët janë kryesisht heronj të luftës sonë çlirimtare, të brumosur denjësisht me atdhedashuri, që kanë sakrifikuar jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ata, nga pena e poetit Refik Gërbeshi janë portretizuar si figura të lavdishme, të guximshme dhe të pafajshme, që  frymëzojnë respektin dhe admirimin e lexuesit.

sepse:

Historia ngritet dhe ndërtohet
Mbi vlerat e luftës për liri
Mbi flijimin e dëshmorëve
Mbi sakrificën plot lavdi.

(Poezia THEMELET)

Pothuajse në të gjitha poezitë e vëllimit në fjalë, poeti Gërbeshi ka përshkruar heroizmin e vendosmërinë e dëshmorëve në betejat për liri dhe drejtësi. Ai, veç krenarisë për ta (disa prej të cilëve i pati bashkëluftëtarë), në vargjet e veta shpreh edhe trishtimin dhe dhimbjen për rënien e tyre, por pa rënë në pesimizëm, duke lavdëruar prore trimërinë dhe sakrificën e tyre.

Për poetin Refik Gërbeshi dëshmorët ishin dhe do të mbesin vetë ndërgjegjja e zgjuar e kombit, ngase:

Ata janë vullnetarët e lirisë
Si në dasmë shkojnë të gëzuar
Më të mirët e shoqërisë
Të zgjedhurit që toka i mban
Janë të përgatitur për kurban.

(Poezia KURBAN)

Shpirti i dëshmorëve është i përjetshëm në poezinë e poetit, dhe fizionomia e tyre mbetet gjallë në kujtesën kolektive të kombit, sepse ata:

Me dritën e besimit
Me dëshirën e çlirimit
Me dashurinë e shpirtit
Ishin luftëtarë të  fillimit.

(Poezia MOS E FIKNI DRITËN)

Ashtu sikurse edhe disa nga poetët më të njohur shqiptarë që kanë trajtuar temën e dëshmorëve në poezitë e tyre, siç janë Naim Frashëri, Migjeni, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Asdreni e ndonjë tjetër, edhe poeti Refik Gërbeshi në vargjet e tij shpreh respektin dhe admirimin për dëshmorët, ndërsa shkruan me ndjenjë dhe pasion për lirinë dhe idealin e tyre të përbashkët.

Prandaj, ai do të porosit:

Historinë e lavdishme
Kurrë mos ua  mohoni
As në emër të tyre
Mos tentoni të përfitoni.
(…)
Gjaku i pastër të ruhet
Sepse kurrë nuk shuhet.

ngase:

Ata ndriçuan rrugën
Për jetë me dashuri

(Poezia MOS E FIKNI DRITËN)

Përmbledhtazi, poezia e Gërbeshit ka trajtuar temën e dëshmorëve me një përkushtim të veçantë, duke i kushtuar vëmendje dhe lavdërim sakrificës dhe heroizmit të tyre. Kjo temë thekson vlerat e lirisë dhe pavarësisë, si dhe rëndësinë e respektit ndaj atyre që kanë dhënë jetën për to.

Trinomi i lashtësisë, i atdhedashurisë dhe i  sakrificës është një kombinim i thellë i ndjenjave dhe përvojave të autorit Refik Gërbeshi, nëpërmjet të të cilit autori shpreh lidhjen e thellë midis një personi dhe atdheut të tij, që fatkeqësisht është i ndarë në pesë-gjashtë pjesë padrejtësisht.

Nga një det në tjetrin det
Në këtë hapësirë isha mbret
(…)
Nga epoka në epokë
Autoktonë në këtë Evropë.

Jemi të trungut pellazgjik
Ndër më të vjetrit n’Ilirik
Gjerë e gjatë kishim kufirin
Fqinjë përreth patëm qafirin.

Iliria me fise ish njëherë
Por këtu erdhën dhe të tjerë
Sorollateshin n’oborret tona
Sikur në të vetat prona…

edhe pse ende jemi të ndarë:

N’pesë-gjatë copa e dy shtete

e që autorin e mban shpresa se:

Do t’vijë dita t’i bëjmë tok.

(Poezia JEMI NJË)

Atdhedashuria edhe në poezitë e vëllimit “Mos shkelni mbi gjak” të poetit Refik Gërbeshi, është një ndjenjë e thellë e dashurisë dhe devotshmërisë për vendin e lindjes, për kulturën dhe trashëgiminë e tij. Ajo është një ndjenjë që nxit zemrat tona të rrahin më fort, të ndjehemi të lidhur me këtë tokë dhe të dëshirojmë të kontribuojmë në zhvillimin e saj.

Sakrifica është një pjesë e thelbësore e trinomit që përmendëm më lart. Ajo përbën dhënien e diçkaje të çmuar, siç është edhe jeta e dëshmorëve, për të fituar lirinë. Kjo është e përcjellë nga një ndjenjë e thellë e përgjegjësisë dhe dëshirës për të bërë diçka të madhe për atdheun.

Shkurt dhe qartë, autori Gërbeshi nëpërmjet vargjeve të tij, duke folur me gjuhën e dëshmorit, profiterët, kombmohuesit dhe nihilistët e tjerë, që për ndonjë favor të pështirë apo privilegj janë vënë në shërbim të të huajit, i porosit:

Po ma shkelët gjakun tim
Do keni përherë shqetësim
Respektoni vlerat me zemër
Se liria jonë ka emër!…

(Poezia POROSIA E DËSHMORIT)

Kjo lidhje e thellë dhe e ndjeshme na bën të ndjehemi të privilegjuar dhe të përgjegjshëm për të kontribuar në zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë të lindjes, si në mënyra të vogla të përditshme, ashtu edhe në mënyra më të mëdha dhe të shquara.

Zymer Mehani, në Besianë, më 5 dhjetor 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.