DY BOTË, NJË HISTORI: KONTRASTI MIDIS SË MIRËS DHE SË KEQES NË LETËRSI

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Dr. Nikollë LOKA

– Një analizë rreth romanit “Babë Ruta Burrnesha mirditore” të autorit Llesh Ndoj –

Romani “Babë Ruta Burrnesha mirditore” i Llesh Ndojit përbën një ndërthurje të fuqishme të dramës ekonomike, sociale dhe psikologjike, duke trajtuar tema të identitetit gjinor, nderit, hakmarrjes dhe transformimit të individit në rrethana të caktuara historike dhe familjare. Leximi i romanit u sjell lexuesve një përjetim të thellë emocional dhe reflektues. Fillimisht ndihet kuriozitet dhe ndjeshmëri për figurën e Rutës, ndërsa me zhvillimin e ngjarjeve vjen tensioni dhe ankthi që krijojnë situatat dramatike, si vrasja e Prendit dhe deformimet e sjelljeve të Kristit e largimi i tij nga familja. Gjatë leximit krijohet një lidhje e fortë emocionale me personazhet, sidomos me Rutën, për të cilën lexuesi ndjen dhembshuri dhe respekt. Konfliktet e brendshme të personazheve i bëjnë lexuesit të mendojnë për identitetin, rolin e shoqërisë dhe zgjedhjet jetësore. Romani dallohet për një stil të pasur figurativ dhe emocional, që shfaqet që në fillim me portretizimin e Rutës si fëmijë.

Autori përdor metafora të ndjeshme: “buzët si gonxhe trëndafili”, “sytë si puse plot jetë” dhe krijon një estetikë të butë poetike, dhe një kontrast estetik midis bukurisë natyrore të Rutës dhe varfërisë së saj (rrobat e grisura), që shpreh një simbolikë të fortë të jetës shqiptare, si dhe një ndërthurje të jetës reale me ëndrrën, që shkon deri te transformimi i saj në djalë, që paralajmëron edhe konfliktin identitar. Romani shtjellon tema realiste, të pasuruar me elemente simbolike, ku: “ylberi” dhe “vena” përfaqësojnë kufirin mes dëshirës dhe realitetit, ndërsa  “flutura” në fund simbolizon rilindjen shpirtërore dhe kthimin në identitet. Në tërësi, vepra ka një bukuri të përmbajtur, jo dekorative, por të lidhur ngushtë me dramën njerëzore.

         Ndërtimi i subjektit:

Subjekti është i ndërtuar në mënyrë lineare, por me shtresa dramatike në rritje. Fillimi paraqet Rutën dhe konfliktin i saj i brendshëm (vajzë që dëshiron të jetë djalë), duke sjellë në vëmendje temën e identitetit gjinor dhe rolit të tij në shoqëri.

        Zhvillimi i ngjarjeve:

Zhvillimi i ngjarjeve na çon në kontekstin historik të viteve ‘90, me trazirat dhe armët, si dhe me ngjarje kryesore vrasjet. Vrasja aksidentale e Sokolit nga Prendi prodhoi një zinxhir tragjedish, ndërsa vrasja e Prendit shënon pikën kulmore që detyron transformimin e Rutës në burrneshë.

Kulminacioni i romanit arrihet me vendimin e Rutës për t’u bërë burrneshë (Babë Ruta) si dhe përgjegjësitë që ajo merrte përsipër me këtë rast, kryesorja marrja e gjakut të vëllait, pastaj dhe mbajtja hapur e derës prindërore dhe rritja e nipit, Kristit të vogël. Zgjidhja në roman vjen përmes historisë së Kristit, identitetit të tij të lëkundur gjinor, emigrimit dhe rreziqeve që sjell ai, pastaj shkatërrimit të rrjetit kriminal; rikthimit në atdhe dhe rindërtimit të jetës në trojet e prinërve. Fundi simbolik është kthimi i Rutës në identitetin e saj femëror. Subjekti është ndërtuar natyrshëm, ku çdo ngjarje rrjedh si pasojë logjike e tjetrës.

             Realizimi i personazheve:

Babë Ruta (personazhi kryesor i romanit) paraqitet si një nga figurat më komplekse: fillon si vajzë me konflikt identitar; shndërrohet në burrneshë nga detyrimi, por mbetet thelbësisht femër në ndjenja.  Ajo përfaqëson sakrificën ekstreme, përplasjen mes natyrës dhe rolit shoqëror, si dhe forcën morale të gruas malsore shqiptare. Ndërsa i vëllai, Prendi, në një rol episodik vjen si viktimë e rrethanave historike dhe sociale, një figurë tragjike që e nxit të gjithë konfliktin. Nusja e tij, Dakja vjen si figurë e nënës dhe mbetet në suazat e rolit të saj me dhimbjen, qëndrueshmërinë dhe angazhimet familjare.

Kurse Kristi paraqitet si personazh i brezit të ri, me krizë identiteti, i ekspozuar ndaj rreziqeve të emigracionit, por që në fund rikthehet në “normalitet” shoqëror. Personazhet dytësore (Kola, Gëzimi, Fluturimi, doktor Giannini,  Bardhi, etj.) përfaqësojnë anë të ndryshme të një realiteti kompleks. Kola del si përfaqësues i Kanunit, por autori nuk ngurron të zbulojë tek ai edhe dobësitë e tij njerëzore, si meraku për Rutën etj. Ndërsa Gëzimi, Fluturimi, Bardhi, doktori  etj, përfaqësojnë botën kriminale dhe korrupsionin që e shoqëron. Personazhet janë tipike, të individualizuara dhe njëkohësisht të besueshme e funksionale për idenë e romanit.

Në roman kemi disa lloje marrëdhëniesh rreth personzhit kryesor, që përbëjnë boshtin e tij. Marrëdhëniet Rutë – Dake paraqesin solidaritetin familjar dhe femëror, që nënkupton edhe sakrificën për hirë të së ardhmes. Marrëdhënia Rutë – Prend, si vëlla e motër, shndërrohet në mision jetësor për Rutën, e cila sipas traditës do të vazhdonte të mbante të gjallë trashëgiminë familjare, deri sa të rritej djali i Prendit.  Marrëdhënia Rutë – Kristi, përveçse si marrëdhënie  hallë nip, apo si dy trashëgimtarë të familjes, jepet edhe si sakrificë njerëzore, e detyruar për hir të së ardhmes. Marrëdhënia mjedisi shoqëror – Rutë nis me presion, por pastaj kalon në një pranueshmëri graduale.

Në tërësi këto marrëdhënie zhvillohen në mënyrë dinamike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e personazheve. “Babë Ruta Burrnesha mirditore” është një roman me strukturë të qëndrueshme narrative. Veçantia e tij qëndron në trajtimin e figurës së burrneshës jo si kuriozitet, por si dramë ekzistenciale, si dhe në ndërthurjen e historisë personale me atë krahinore e kombëtare, që përfundon me zgjidhjen simbolike që e rikthen njeriun te vetvetja. Një nga elementet më të spikatura është gjuha e pasur figurative. Autori Llesh Ndoj përdor krahasime dhe metafora të ndjera, me një stil të rrjedhshëm dhe emocional, që e bën rrëfimin të afërt me lexuesin, duke kombinuar gjuhën popullore me atë letrare, që i jep autenticitet mjedisit verior, ku zhvillohen ngjarjet.

Në roman, konflikti i Rutës midis gjinisë biologjike dhe rolit shoqëror, trajtohet me finesë. Transformimi i saj në burrneshë nuk paraqitet thjesht si akt social, por edhe si një dramë e brendshme. Autori dëshmon mjeshtëri në ndërlidhjen e ngjarjeve (asgjë nuk ndodh rastësisht) në krijimin e një zinxhiri shkak – pasojë (vrasja – hakmarrja – transformimi i Rutës); ruajtja e ritmit narrativ, ku tensioni rritet gradualisht dhe subjekti i romanit zhvillohet natyrshëm e mban vazhdimisht interesin e lexuesit. Nga ana tjetër, identiteti gjinor nuk paraqitet vetëm si një çështje e brendshme psikologjike, por edhe si një realitet i formësuar nga rrethanat shoqërore dhe tradita. Figura e Rutës tregon se ndryshimi i rolit gjinor nuk buron nga dëshira personale, por nga nevoja për të përmbushur detyrimet familjare dhe për të ruajtur nderin, sipas normave tradicionale. Kjo dëshmon se shoqëria patriarkale ushtron një presion të fortë mbi individin, duke e detyruar të sakrifikojë identitetin e vet natyror.

Në këtë kuptim, identiteti bëhet një konstrukt social, i diktuar nga rregullat e komunitetit dhe jo thjesht një ndjesi e brendshme. Edhe te Kristi, ndikimi i faktorëve të jashtëm si emigracioni dhe shfrytëzimi tregon se identiteti mund të deformohet nga realiteti social. Autori thekson se individi shpesh gjendet mes asaj që është dhe asaj që duhet të jetë. Kështu, romani nxjerr në pah se identiteti është rezultat i një ndërveprimi të ndërlikuar mes psikologjisë personale dhe presionit të fortë shoqëror. Autori ka arritur të balancojë traditën me modernitetin, duke ndërthurur traditën kanunore me realitetin modern (emigracioni, krimi, ligji) dhe paraqet me mjeshtëri konfliktin në mes të botës tradicionale dhe asaj bashkëkohore, duke mos mbajtur një qëndrim ekstrem dhe duke na dhënë një pasqyrim të ekuilibruar të zhvillimit të ngjarjeve. Mjeshtëria e Lleshit qëndron edhe në shmangien e zgjidhjeve artificiale dhe ndërtimin e një fundi që vjen si pasojë logjike e gjithë rrugëtimit jetësor.

Shkrimtari Llesh Ndoj në romanin “Babë Ruta Burrnesha mirditore” sjell një qasje të re dhe të guximshme në trajtimin e identitetit gjinor, duke e vendosur këtë temë brenda realitetit shqiptar tradicional. E reja që ai sjell në këtë debat qëndron në faktin se nuk e trajton këtë identitet thjesht si çështje biologjike apo individuale, por si një fenomen të ndikuar fuqishëm nga rrethanat shoqërore, zakonet dhe detyrimet familjare. Te figura e Rutës, identiteti gjinor nuk është zgjedhje e lirë, por një sakrificë e imponuar nga tradita dhe nevoja për të mbijetuar, duke treguar se shoqëria mund ta detyrojë individin të sakrifikohet. Ndërsa te Kristi, autori sjell një dimension tjetër: një krizë identiteti që lidhet më shumë me botën e brendshme dhe ndikimet e jashtme moderne, si emigracioni dhe shfrytëzimi. Kështu, përmes këtyre dy personazheve, Lleshi ndërton një kontrast të fortë mes identitetit si detyrim social dhe identitetit si përjetim personal, duke hapur një diskutim më të gjerë dhe më bashkëkohor. Ai nuk jep përgjigje të prerë, por e fton lexuesin të reflektojë, duke e zhvendosur debatin nga paragjykimi drejt kuptimit dhe empatisë njerëzore.

Në roman shfaqen dy botë paralele në kontrast të fortë: e krimit dhe ajo e njerëzve të mirë. Bota e krimit, e përfaqësuar nga Gëzimi, Fluturimi, doktori Giannini dhe Bardhi, karakterizohet nga shfrytëzimi, mashtrimi dhe mungesa e moralit, ku njeriu trajtohet si mjet për përfitim. Në anën tjetër qëndron bota e Agimit dhe Fiores, e ndërtuar mbi ndihmën, drejtësinë dhe humanizmin, ku mbizotëron dëshira për të shpëtuar dhe mbrojtur jetën. Këto dy realitete ndërthuren përmes fatit të Kristit, duke krijuar tension dhe përballje mes të keqes dhe të mirës. Pikërisht kjo përplasje nxjerr në pah vlerat e vërteta njerëzore dhe forcon idenë se e mira, megjithë vështirësitë, mund të triumfojë.

Ndërhyrja e personazheve pozitivë çon në zbulimin dhe ndëshkimin e rrjetit kriminal. Kështu, kontrasti mes dy botëve bëhet thelbësor për zhvillimin e subjektit dhe për arritjen e një zgjidhje të drejtë e të lumtur. Romani transmeton mesazhin se edhe në situata të vështira, deri në dukje pa rrugëdalje, jeta gjithmonë rezervon një shteg për ata që kërkojnë mirësinë. Lexuesi meson se mes jetës dhe vdekjes, zgjidhja e drejtë është të zgjedhësh jetën. Ruta heq dorë nga hakmarrja, ndërsa Kristi rikthehet te identiteti i tij i natyrshëm gjinor dhe detyrat si kryefamiljar. Nderimi për Prendin nuk arrihet përmes marrjes së gjakut, por përmes angazhimit, për sa më shumë arritje në jetë. Ky mesazh thekson fuqinë e faljes, vetëdijes dhe përkushtimit për të mirën.

Në romanin “Babë Ruta Burrnesha mirditore”, shkrimtari Llesh Ndoj arrin të ndërthurë tragjedinë, dashurinë dhe aventurën, pa e prishur ritmin e rrëfimit. Çdo skenë duket e lidhur me tjerën dhe ndihmon në zhvillimin e personazheve. Kjo qasje i jep veprës një strukturë të fortë artistike. Mjeshtëria e autorit qëndron në ekuilibrin midis zhvillimeve dramatike dhe reflektimit psikologjik, duke e bërë romanin të thellë dhe me mesazhe universale. Stilistikisht, përdorimi i figurave të gjalla dhe detajeve të imëta i jep romanit ritëm dhe muzikalitet, duke e bërë përjetimin të fuqishëm për lexuesin. Në përmbajtje dhe formë, romani “Babë Ruta Burrnesha mirditore” reflekton pjekuri letrare. Vepra nuk është vetëm rrëfim, por edhe një reflektim mbi jetën, identitetin dhe marrëdhëniet njerëzore, duke u bërë një referencë e rëndësishme letrare në krijimtarinë e sotme të letërsisë shqipe.

Tiranë, prill 2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit