Autore:
Elife LUZHA
Pas miratimit të ligjit për Dhomat e Speciaizuara dhe zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka – Pula, duket se një kapitull i trazuar i jetës politike tek ne po merr fund.
Edhe një herë u dëshmua se gruaja shpesh detyrohet të marrë mbi supe përgjegjësinë për dështimet e të tjerëve ose të përballet me pasojat e veprimeve të tyre.
Dhe kjo nuk është hera e parë që gruaja shqiptare gjendet përballë përgjegjësive të tilla.
Mbretëresha Teutë, Nora e Kelmendit, Tringë Smajli, Shote Galica e shumë gra të tjera janë dëshmi e rrugëtimit të gruas shqiptare përgjatë historisë. Ato dëshmojnë se gruaja nuk ka qenë kurrë thjesht një figurë në sfondin e ngjarjeve, por pjesë e pandashme e qëndresës, sakrificës dhe përpjekjeve për të mbajtur familjen, shoqërinë dhe, në rrethana më të vështira, edhe vet shtetin.
Megjithatë, gruaja shqiptare, nuk duhet të shihet si zgjidhje e fundit për problemet e pazgjidhura të politikës, as si një alternativë që vihet në lëvizje kur përgjegjësitë politike dhe institucionale mbeten pezull.
Ajo duhet vlerësohet si një potencial i çmuar, profesional dhe udhëheqës, të cilin shoqëria jonë duhet ta njoh, ta respektoj dhe ta mbështesë. Prandaj, gruas duhet t’i garantohet hapësira, autoriteti dhe besimi i nevojshëm, në mënyrë që të kontribuoj në mënyrë të barabartë në drejtimin e vendit dhe në përcaktimin e së ardhmes së tij.
Sot, kur institucionet jo rrallë vihen në sprovë, ndërsa e ardhmja kërkon pjekuri, përgjegjësi e vendime të guximshme, zgjedhja e një gruaje në krye të Republikës duhet parë, ndër të tjera, edhe si një mundësi për të ndërtuar një kulturë te re politike, një kulturë në të cilën dialogu e zëvendëson përplasjen, kurse e mira e përbashkët vihet mbi interesin personal.
Sepse siç thoshte De Goli (Charles de Gaulle), politika është tepër serioze për t’u lënë vetëm në dorën e politikanëve.
Prandaj, nuk duhet të presim që burrat të dështojnë për t’ua besuar grave përgjegjësinë e udhëheqjes. Nuk duhet të presim kriza për të njohur aftësitë e tyre, as rrethana të jashtëzakonshme për t’u dhënë hapësirën që u takon.
Pjesëmarrja e grave në politikë duhet të jetë parim i qëndrueshëm i demokracisë dhe i qeverisjes së mirë. Ato duhet të jenë pjesëmarrëse të barabarta në ndërtimin e institucioneve, në përcaktimin e prioriteteve shoqërore dhe në hartimin e politikave që ndikojnë në jetët tona.
Sepse pa zërin, dijen dhe kontributin e grave, asnjë shoqëri nuk mund ta ndërtojë të ardhmen që meriton.











