20.5 C
Tirana
E enjte, 29 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi PROFIL – 10 vjet pa Gilman Bakallin, intelektuali “rebel” të cilin as...

PROFIL – 10 vjet pa Gilman Bakallin, intelektuali “rebel” të cilin as vdekja nuk e mposhti dot!

0
Gilman Bakalli - me familje

Gilman Bakalli – me familje

Abdi Përgjegja

Gilman Bakallit

E ftohtë e trishtë kjo mbrëmje
shumë gjethe u këputen nga dega.
Ndjej në shpirt boshllëk e dhembje
i zhveshur ndjehem krejt si pema…!

Kjo jetë qenka kaq e padrejtë,
thjeshtë një cikël, që askush s’e di.
Që t’mos jemi si një gjethe vjeshte,
sa rroni falni pa dhimbe dashni.

E trishtë erdh’ sonte kjo mbrëmje
një lajm i keq shumë befasi..
U shu një jetë, u shtu një dhembje
në mes u këputen dy dashuni..!

Miku Artit
Shkoder, 08.10.2016.


Shkruar nga Aranit MURAÇI

“Betejën më të madhe në jetë e ke me veten, Gilman!” – Kjo ishte motoja që Gilman Bakalli i zgjodhi vetes. Rreth një vit e gjysmë para se të ndërronte jetë, në një intervistë dhënë për mediat, sikur e parandjente fundin e tij. Tha se dëshironte një vdekje të shpejtë, “sa hap e mbyll sytë”.

Krahas shqetësimit që jep e tashmja dhe pasigurisë që jep e ardhmja, teksa i afrohesh të 50-ave, fillon të merresh edhe me të kaluarën, me gjurmët që ke lënë, me zgjedhjet që ke bërë në jetë. Kështu tha para se të ikte nga kjo botë Gilman Bakalli. Duke bërë bilancin e jetës dhe duke lënë pas, pa vullnetin e tij, çdo gjë në mes.

Gilman Bakalli (11 gusht 1967 – 8 tetor 2016), studiuesi, politikani, përkthyesi dhe publicist i shquar,  i dalluar për zërin e tij të mprehtë intelektual jokonformist, spikati për kontributin e çmuar si në peizazhin akademik ashtu edhe në diskursin publik në Shqipëri.

Në kulmin e karrierës kishte plane, projekte dhe shumë ide për të çuar para dhe këtu qëndron ironia e vetë jetës: fati tregohet ndonjëherë mizor. Si sot 10 vite më parë, ‘rebeli’ siç ende e kujtojnë sot shumë nga miqtë e tij, në fillim të tetorit 2016 u nda nga jeta në mënyrë të papritur.

PROFIL - 10 vjet pa Gilman Bakallin, intelektuali “rebel” tëGilman Bakalli

Aftësia për të vëzhguar dhe dëgjuar të tjerët ishin tipari që e dallonte Gilmanin nga të tjerët. Me fjalë të tjera, aftësia për të heshtur, çka e bënte më tërheqës në çdo bisedë. Vetë ai sa ishte në jetë pranoi se gjëja më e vështirë ishte të zbulonte password-et e botës së tij të brendshme.

U rrit në një familje të persekutuar; baba i tij një figurë e njohur për qëndresën e antikomuniste u dënua dhe u burgos për 12 vite nga regjimi komunist për shkak të pjesëmarrjes së tij në lëvizjet studentore antikomuniste gjatë viteve 1945–1953. Persekutimi komunist do të kishte ndikim të thellë në jetën, të menduarit, dhe formimin e tij intelektual.

Gilman Bakalli pati një kontribut 15 vjeçar në mësimdhënie. Ai u diplomua në Gjermanistikë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ndërsa vitet e fundit u angazhua si pedagog në Universitetin Europian të Tiranës. Një karrierë e gjatë e ndarë mes jetës akademike dhe politike, duke mbajtur për pak kohë edhe pozicionin e deputetit.

Posti i deputetit që e mbajti (2005-2009), duke përfaqësuar Partinë Demokratike në Shkodër, ndoshta zbuluan deri diku karakterin e Gilman Bakallit. Mendimet e tij të pavarura e çuan herë pas here në përplasje të brendshme brenda partisë. Karakteri i tij prej “rebeli” e larguan përfundimisht nga politika, duke iu rikthyer pasioneve të tij, akademisë, studimeve dhe aktiviteteve private.

Artikujt e tij kritikë e të dobishëm për progresin e munguar të shoqërisë sonë, publikuar në shtypin e përditshëm, prekën tematika dhe çështje të ndryshme sociale. Artikujt e Bakallit u përmblodhën pas vdekjes, në dy botime “Mendimi kritik i një qytetari” dhe “Alfabeti i tranzicionit”, botim i UET Press.

“Mendimi kritik i një qytetari”, përmbledhja e publicistikës së tij shërben si një “fotografi” e momenteve kyçe të politikës, moralit, fesë, etikës dhe mediave në Shqipëri, periudhë të cilën autori e quajti “tranzicion i përhershëm”.

Në librin “Alfabeti i tranzicionit”, ai kalon në çështje që kanë ndikuar shumë, në terma, semantikë dhe tregon sesa vite kemi kaluar dhe sa të trilluar apo hipokrite e kemi ngritur thuajse gjithçka që kemi krijuar.

Përveç punës së tij shkencore, ishte entuziast i zjarrtë i sporteve në natyrë, me një pasion të thellë për çiklizmin malor. Në kujtim të tij, në Shkodër mbahet një turne vjetor çiklizmi i quajtur “Trofeu Gilman Bakalli”.

Gilam Bakalli u largua për të mbetur përjetësisht rebel, kritik dhe i vërtetë. Miqve u tregonte se cilat janë ato të pavërteta me të cilat e kemi mbushur realitetin tonë. I qëndroi besnik virtytit që çmonte më shumë te një burrë; besnikërisë.

10 vjet pas ndarjes nga jeta boshllëku që la pas për familjarët e të afërmit, veçanërisht për bashkëshorten, Irena dhe dy vajzat e tij, mbetet i pazëvendësueshëm. Nga miqtë, dashamirësit dhe adhuruesit e shumtë ai kujtohet si intelektuali i rrallë rebel, të cilin as vdekja nuk e mposhti dot.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.