25.5 C
Tirana
E mërkurë, 2 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RRUGA DREJT DRITËS, E LËNË NË ERRËSIRË

RRUGA DREJT DRITËS, E LËNË NË ERRËSIRË

0
Aksi Fushë-Arrëz - Fierzë

** Aksi kombëtar Fushë Arrëz–Fierzë, që dikur përballonte automjetet e rënda me turbinat e hidrocentralit, sot është kthyer në rrezik edhe për veturat

** Vëzhgim-investigim dhe thirrje publike për ndërhyrje të menjëhershme

Ramiz Lushaj

Në rrugën Fushë Arrëz-Fierzë e kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime. E njoh në çdo kthesë, në çdo urë, në çdo shpat mali dhe në çdo pikë, ku udhëtari sot duhet të ulë shpejtësinë e të presë me ankth se çfarë automjeti mund t’i dalë përballas.

Sipas kujtesës sime dhe dëshmive të banorëve të zonave për rreth saj, etj. dikur nëpër këtë rrugë kalonin automjetet e rënda që transportonin pajisjet dhe turbinat e Hidrocentralit të Fierzës. Dy mjete të rënda, madje edhe me rimorkio, mund të këmbeheshin pa u ndalur. Rruga kishte gjerësi më të mirë funksionale dhe vijë ndarëse në mes (vija të bardha).

Sot, në segmente të caktuara, rrezikojnë të këmbehen ndërveti edhe dy vetura të vogla. Rruga, tashma: është ngushtuar, anët e saj janë dëmtuar, barrierat mbrojtëse mungojnë në vende të rrezikshme, veprat e kullimit dhe muret mbajtëse janë amortizuar, ndërsa asfalti i saj po pret prej dekadash kohe një rehabilitim të plotë. (Ruaja, o Zot! Ku je, o Shtet?!)

Ky kontrast nuk është vetëm tronditës, është skandal, është i papranueshëm, është i ndëshkueshëm. Është i prejardhun gangrenor nëpër të gjitha vitet e Tranzicionit deri në ditën e sodit. Ai është akt-akuza më e rëndë ndaj braktisjes së një rruge nacionale që lidhet drejtpërdrejt me veprën energjetike më të rëndësishme të Shqipërisë në të gjithë historinë e saj, Fierzen e dritës, një nga rrugët ma strategjike të kombit në kushtet e sotme të pasigurisë globale.

Dikur kjo rrugë mbante peshën e turbinave të Fierzës.
Sot mezi po e mban vetëveten.

NJË RRUGË STRATEGJIKE,
JO NJË RRUGË PERIFERIKE

Në dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar segmenti emërtohet “Qafë Mali-Fierzë” dhe ka një gjatësi prej 57.3 kilometrash. Në komunikimin e përditshëm, identifikohet si pjesa kryesore e rrugës Fushë Arrëz-Fierzë, që vazhdon lidhjen drejt Bajram Currit dhe Tropojës.

Vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar e përshkruan këtë segment si pjesë të aksit që lidh Pukën, Fushë-Arrëzin, Fierzën dhe Bajram Currin.

Përndryshe, vetështojmë: se kjo rrugë kaherit nacionale, të lidhë me Luginën e Valbonës (e deri në krahinën Plavë-Guci në Malin e Zi, me rrugën e re të Çeremit), Nikaj-Mërturin (deri në Dukagjin) dhe, ma andej: Gjakovën e, nepërmjet saj, me krejt Republikën e Kosovës. Kjo rrugë të lidh me dy nga liqenet artificiale më të mëdha në tokën e kohërat shqiptare: Liqenet e Fierzës dhe të Komanit.

Pra, sipas dokumentacionit teknik, kjo rrugë (keq)klasifikohet si rrugë interurbane dytësore, me një karrexhatë, dy korsi dhe me gjerësi mesatare të pjesës kaluese vetëm 4.5 metra. I gjithë segmenti kalon në terren të theksuar malor dhe përfshihet në mirëmbajtjen dimërore.

Gjerësia mesatare prej 4.5 metrash do të thotë, po të ndahet në mënyrë të barabartë, rreth 2.25 metra për secilin drejtim. Ky ngushtim rruge i kohëve të fundit e shpjegon vështirësinë e këmbimit të automjeteve dhe rrezikun që krijohet përballë kamionëve, autobusëve dhe mjeteve të emergjencës.

Këto të dhëna, që po i publikojmë, nuk janë hamendësime, por janë pjesë e relacionit teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Rëndësia e kësaj rruge shumëfishohet nga lidhja me Hidrocentralin e Fierzës. Sipas KESH-it, Fierza është hidrocentrali i sipërm i kaskadës së Drinit, ka fuqi të instaluar 500 MW dhe luan rol kyç për prodhimin, rregullimin dhe sigurinë e gjithë kaskadës. Ndërtimi i tij u zhvillua në periudhën 1971-1980 dhe centrali arriti kapacitetin e plotë në vitin 1980. Të dhënat zyrtare të KESH-it e bëjnë të qartë se nuk flasim për një objekt lokal, por për një shtyllë të sigurisë energjetike kombëtare.

Prandaj, para së gjithash e mbi të gjitha: Rruga që të çon drejt kësaj vepre nga ma të mëdhatë në kohërat shqiptare nuk mund të trajtohet si një rrugë e dorës së dytë.

Shteti shqiptar në të gjitha hallkat e hapat e tij duhet ta korrigjojnë vetveten ndaj këtij klasifikimi të Rrugës Nacionale Fushë Arrëz-Fierzë, që është rrugë e gjakut dhe djersës së aksionistëve nga e gjithë Shqipëria, rruga që e ndërtoi Fierzën e dritës dhe i ngriti liqenet e saj, rrugës që dikur përkrah saj kalonte rruga kombëtare ilire e ardianëve e dardanëve, rruga e masivit ma të madh të pyjeve në Shqipëri, etj.

Shteti shqiptar të mos harrojnë edhe diçka tjetër: kjo është rrugë strategjike për kombin tonë në kushtet e pasigurisë botërore!

SHTETI E KA PRANUAR ME SHKRIM RREZIKUN

Dokumenti më i rëndë nuk është një status në rrjetet sociale dhe as një denoncim politik. Është relacioni teknik i vetë Autoritetit Rrugor Shqiptar, i hartuar pas një inspektimi në terren më 3 prill 2024. (Shyqyr Zotit që i ranë kësaj rruge cep më cep dhe e përshkruan me problemtaikat nga kilometri në kilometër!).

Në këtë dokument zyrtar pranohet se ura, tombino, mure mbajtëse, shtresa asfaltike dhe barriera mbrojtëse janë shumë të amortizuara. Dokumenti paralajmëron se disa prej tyre rrezikojnë shembjen dhe vënë në rrezik jetën e udhëtarëve.

Relacioni evidenton konkretisht:

* Urën në kilometrin 5.500, mbi përroin e fshatit Flet, me dëmtime, plasaritje dhe gërryerje të themeleve, për të cilën kërkohej rikonstruksion rrënjësor.

* Urën në kilometrin 11.000, mbi përroin e fshatit Xath, ku ishte gërryer shtresa prej betoni deri në dy metra thellësi ndërmjet themeleve dhe rrezikohej qëndrueshmëria e urës.

* Urën në kilometrin 14.600, mbi përroin e fshatit Kulumri, të përshkruar në “gjendje tepër kritike”, me rrezik shembjeje “nga momenti në moment”.

* Mure mbajtëse të dëmtuara ose të shembura në kilometrat 2.750, 5.650, 11.000, 22.800, 40.100, 42.100, 47.900 dhe 49.550.

Këto janë disa pika të identifikuara me kilometrazh. Nuk ka nevojë të kërkohet rreziku në mënyrë abstrakte: ARRSH-ja e ka përcaktuar vetë vendndodhjen e tij.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga ky inspektim.
Prandaj, sot, pyetjet tona janë të  pashmangshme:

*A janë rindërtuar tri urat e përmendura? *A janë stabilizuar muret mbajtëse? *A janë vendosur barrierat? *A janë certifikuar punimet nga një inxhinier ose supervizor i pavarur? Nëse po, ku janë procesverbalet, fotografitë para dhe pas ndërhyrjeve, volumet dhe faturat? Nëse jo, përse rreziku i pranuar zyrtarisht vazhdon të lihet mbi kokën e udhëtarëve?

ÇFARË PARASHIKON KONTRATA E MIRËMBAJTJES?

Më 13 dhjetor 2024, Drejtoria e Rajonit Verior Shkodër nënshkroi kontratën për mirëmbajtjen me performancë të aksit Qafë Mali-Fierzë.

Marrëveshja kuadër kishte fond limit katërvjeçar prej 194,446,467 lekësh, pa TVSH. Kontrata konkrete e publikuar, për periudhën 15 dhjetor 2024-14 prill 2027, ka vlerën 136,082,591 lekë, me TVSH. Kontraktor është bashkimi i operatorëve ekonomikë “MARÇELI” sh.p.k. dhe “PEPA GROUP” sh.p.k., e shënuar në disa dokumente të prokurimit si “PEPA GROUP GROUP”.

Dokumenti është firmosur nga Ervin Sadiku, në cilësinë e titullarit dhe drejtorit të autoritetit kontraktor rajonal. (Këto të dhëna gjenden në njoftimin zyrtar të kontratës së nënshkruar).

Proçedura është zhvilluar me vetëm një ofertues: pikërisht bashkimin “MARÇELI”-“PEPA GROUP”. Për këtë arsye, databaza “Open Procurement Albania” e ka shënuar procedurën me treguesin “mungesë konkurrence”.

Ky sinjalizim është një filtër analitik dhe jo provë korrupsioni ose vendim gjykate. Megjithatë, një tender me vetëm një konkurrent kërkon transparencë më të madhe, jo më të vogël.

Dosja e procedurës duhet të bëhet objekt i kontrollit publik dhe institucional.

JO VETËM KRIPË, PASTRIMIN E BORËS DHE VIJËZIME

Është e rëndësishme të sqarohet një çështje: Kontrata nuk duket se kufizohet vetëm në pastrimin e borës, hedhjen e kripës, pastrimin e kanaleve dhe vijëzimin e rrugës.

Relacioni teknik i tenderit parashikon edhe punime rehabilituese, ndër të cilat: * Skarifikim dhe asfaltim në 10,271 metra katrorë; * Shtresë binderi dhe asfaltobetoni në të njëjtën sipërfaqe; * Punime betoni dhe betonarmeje; * Ndërtim dhe riparim muresh mbajtëse e themelesh; * Gabione mbrojtëse; * Tombino dhe kanalizime; * 9,060 metra linearë vijëzime; * 984 metra linearë barriera metalike mbrojtëse; * Tabela, përvijues dhe pajisje të tjera të sigurisë rrugore.

Pra, kompanitë nuk mund të përgjigjen vetëm me listën e ditëve kur kanë hedhur kripë ose kanë pastruar borën. Dokumenti teknik përmban punime që lidhen drejtpërdrejt me urat, muret, asfaltin, kullimin dhe barrierat.

Megjithatë, relacioni dhe marrëveshja kuadër nuk provojnë vetvetiu se çdo punim është porositur, realizuar dhe paguar. Për këtë arsye duhen publikuar minikontratat, urdhrat e punës, preventivët, situacionet mujore, faturat, raportet e supervizimit dhe koordinatat e çdo ndërhyrjeje.

Pyetja nuk është vetëm: “Sa para janë kontraktuar?”
Pyetja vendimtare është: “Çfarë është ndërtuar realisht me këto para?!”

KOMPANITË DHE PRONARËT
DUHET TË JAPIN PËRGJIGJE PUBLIKE

Sipas regjistrave publikë të shoqërive: “MARÇELI” sh.p.k., me NIPT L39308301P, ka administrator dhe zotërues 100 për qind Tonin Prendin. “PEPA GROUP” sh.p.k., me NIPT L42215009L, ka administratore Violeta Pepajn. Ortakët e regjistruar janë Leorik Pepa, Urjola Pepa, Brian Pepa dhe Brixhilda Pepa, secili me nga 25 për qind të kapitalit. (Këto të dhëna mund të verifikohen në regjistrat publikë për “MARÇELI” sh.p.k. dhe “PEPA GROUP” sh.p.k.).

Përmendja e emrave të administratorëve dhe pronarëve nuk është akuzë penale. Është identifikim i personave juridikë dhe drejtuesve që administrojnë një kontratë të financuar nga buxheti i shtetit.

“MARÇELI” dhe “PEPA GROUP” duhet t’u përgjigjen publikisht këtyre pyetjeve:

– Cilat punime janë kryer nga 15 dhjetori 2024 deri më sot?

– Sa para të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë, janë faturuar dhe sa janë paguar për secilin zë?

– A është ndërhyrë në urat e kilometrave 5.500, 11.000 dhe 14.600?

– A janë rindërtuar muret mbajtëse të identifikuara në relacion?

– Ku janë vendosur 984 metrat e parashikuar të barrierave?

– Në cilat segmente janë realizuar 10,271 metrat katrorë të punimeve të asfaltimit?

– Kush i ka matur, mbikëqyrur dhe certifikuar punimet?

– A janë vendosur penalitete për mosrealizim ose vonesa?

– A ekziston një raport i sotëm për sigurinë strukturore të urave?

– Përse drejtuesit e automjeteve vazhdojnë të raportojnë mungesë barrierash, ngushtim të rrugës dhe rrezik gjatë këmbimit?

Këto përgjigje nuk janë nder që kompanitë i bëjnë publikut, po janë detyrim që buron nga përdorimi i fondeve publike.

EDHE KONTRATA E VITIT 2022 KËRKON KONTROLL

Po, po. Patjetër kërkon kontroll:

Në vitin 2022, ARRSH-ja zhvilloi një tjetër procedurë me objekt “Rehabilitimi i rrëshqitjes segmenti rrugor Qafë Mali-Fierzë”. Fondi limit ishte 99,168,047 lekë, pa TVSH, ndërsa oferta fituese ishte 97,676,553 lekë. Fitues u shpall bashkimi “PEPA GROUP”-“SELAMI”.

“Open Procurement Albania” e ka shënuar këtë procedurë me “flamur të kuq” për skualifikimin e operatorëve konkurrues, përfshirë ofertën me vlerë më të ulët. Edhe ky është tregues analitik rreziku dhe jo provë automatike e shkeljes penale. Megjithatë, ai përbën arsye të mjaftueshme që dokumentacioni i procedurës, zbatimi dhe rezultati fizik të auditohen. (Të dhënat e kontratës së vitit 2022 janë publike).

Duhet të sqarohet: * Çfarë rrëshqitjeje u rehabilitua? *Sa zgjati ndërhyrja? *A e ka përballuar vepra dimrin, reshjet dhe erozionin?* A ekziston garancia e punimeve? *A ka pasur defekte gjatë periudhës së garancisë? * A lidhen problematikat e sotme me zonën e rehabilituar në vitin 2022?

Alarmante: Një rrugë nuk mund të tenderohet vazhdimisht dhe njëkohësisht të vazhdojë të degradojë pa një analizë të plotë të rezultateve!

NJË ZHVILLIM I VITIT 2026,
QË KËRKON SQARIM INSTITUCIONAL

Më 15 prill 2026, SPAK-u njoftoi vendosjen e sekuestros preventive mbi një numër pasurish, përfshirë asetet e një shoqërie të shënuar në njoftim me inicialet “P… GROUP” dhe 33.30 për qind të kuotave të një shoqërie “HEC A…I”, me seli në Fierzë.

Ndërkohë, regjistri publik i shoqërive tregon se “PEPA GROUP” zotëron 33.3 për qind të HEC ARSTI në Fierzë. I njëjti regjistër tregon se edhe “MARÇELI” zotëron 33.3 për qind të HEC ARSTI. (Njoftimi zyrtar i SPAK-ut i ka anonimizuar emrat, ndërsa regjistri i HEC ARSTI paraqet strukturën e ortakërisë).

Përputhja e inicialeve, vendndodhjes dhe përqindjes ngre një pyetje të ligjshme, por nuk përbën vetvetiu provë juridike për identitetin e subjektit. Sekuestroja preventive nuk është vendim fajësie dhe çdo person ose shoqëri gëzon prezumimin e pafajësisë.

Megjithatë, ARRSH-ja, Agjencia e Prokurimit Publik dhe shoqëria kontraktuese duhet të sqarojnë pa vonesë:

*A preket ndonjëri prej operatorëve të kontratës Qafë Mali–Fierzë nga masat e njoftuara? * A vazhdon administrimi dhe zbatimi normal i kontratës? * Kush ka të drejtë të nënshkruajë, faturojë dhe marrë pagesa publike? * A janë vendosur masa mbrojtëse për fondet e kontratës? * A është bërë verifikimi ligjor i gjendjes së operatorëve pas 15 prillit 2026?

Heshtja për këto pyetje do të ishte papërgjegjshmëri.

PËRGJEGJËSIA KA EMRA INSTITUCIONALË

Përgjegjësia administrative dhe politike nuk duhet të humbasin pas tabelave të zyrave të shtetit.

Ministri aktual i Infrastrukturës dhe Energjisë është Enea Karakaçi, në detyrë që prej marsit 2026. Atij i takon të kërkojë raport të plotë nga strukturat në varësi, të bëjë publik planin e ndërhyrjes dhe të sigurojë financimin e rehabilitimit të plotë. (Profili zyrtar i ministrit e konfirmon detyrën e tij)

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar është Ami Kozeli. ARRSH-ja është institucioni që ka përgjegjësinë teknike, kontraktuale dhe administrative mbi këtë segment. (Faqja zyrtare e ARRSH-së e identifikon drejtuesin aktual).

Ervin Sadiku, i cili figuron si titullar dhe firmëtar i kontratës së dhjetorit 2024 në Drejtorinë e Rajonit Verior, duhet të sqarojë mënyrën e lidhjes, objektivat dhe mekanizmin e kontrollit të kontratës.

Përgjegjësia nuk është automatikisht penale, por ajo është, së paku, administrative, profesionale, publike, morale.

Kur një dokument shtetëror paralajmëron rrezik shembjeje dhe qytetarët vazhdojnë të udhëtojnë në pasiguri, drejtuesit nuk mund të fshihen pas vartësve, kushdo qofshin ata, kudo qofshin ata.

KUVENDI DHE DEPUTETËT
NUK MUND TË HESHTIN

Deputetët, dihet botnisht, nuk ndërtojnë rrugë dhe nuk vendosin asfalt, por ata miratojnë buxhetin, kontrollojnë Qeverinë, kërkojnë interpelanca, thërrasin ministrat dhe drejtuesit në dëgjesa dhe përfaqësojnë zonat që u kanë dhënë mandatin.

Në Qarkun Shkodër, pas zëvendësimeve të mandateve, (me sa duket) deputetët janë: Luçiano Boçi, Kliti Hoti, Greta Bardeli, Ramadan Likaj, Bardh Spahia, Marjana Koçeku, Onid Bejleri, Xhenis Çela, Bujar Rexha, Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku. (Lista fillestare e të zgjedhurve është publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa KQZ-ja ka njoftuar veçmas dhënien e mandateve për Besnik Brahimin dhe Shkurt Laskun).

Në Qarkun Kukës, deputetët e zgjedhur janë Eduart Shalsi (tashi ka kaluar edhe në Qarkun Tiranë), Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj, (sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2025), ndërsa deputeti Ervin Malaj- i zgjedhur në Tiranë- është caktuar edhe  Kordinator Politik i Qarkut Kukës.

Për deputetët e sotëm e të djeshëm të Qarkut Kukës kemi një pyetje: Pse nuk kryet lobime dhe të ndërmerrni veprime reale për të ndryshuar gjendjen skandaloze në Rrugën Fushë Arrëz-Fierzë, sic vepruat me Rrugën Fushë Arrëz-Kukës, që është e asfaltuar, me vijat e bardha etj. Janë dy rrugë nacionale që çojnë në të njëjtin qark verior, por me gjendje të ndryshme…!

Secili prej këtyre deputetëve duhet të thotë publikisht, veçanërisht ata të Qarkut Shkodër, që e kanë këtë rrugë në territorin e tyre adminsitrativ elektoral e qarkor:

*A e ka vizituar aksin Qafë Mali-Fierzë? *A ka kërkuar dokumentacionin e kontratës? *A ka ngritur pyetje parlamentare? *A ka kërkuar fonde për rehabilitimin e plotë? *A ka kërkuar një audit teknik të urave dhe mureve?

* A është i gatshëm të votojë një financim të posaçëm për rindërtimin e këtij aksi?

Komisioni Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i drejtuar nga Milva Ekonomi, dhe Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, i drejtuar nga Anila Denaj, duhet të organizojnë një dëgjesë publike me ministrin përkatës të infrastrurës dhe energjitikës, ARRSH-në, kompanitë, kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e banorëve.

Një komision parlamentar që shqyrton miliarda lekë investime nuk mund të mos gjejë kohë për një rrugë ku vetë dokumentet shtetërore paralajmërojnë rrezik për jetën.

Bashkitë Fushë-Arrëz dhe Tropojë
duhet të dalin nga heshtja

Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz është Hil Curri, në territorin administrativ bashkiak të së cilës është Rruga Nacionale Fushë Arrëz-Fierzë. Kryetari duhej ta ngrinte zërin përmbi malin e Tërbunit e përtej valëve të Drinit, deri në institucionet ma të larta të shtetit shqiptar për gjendjen e kësaj rruge nacionale. Në se kryebashkiaku demokrat e ka ngritë këtë çështje lart dhe nuk ka ndryshuar gjendja e rrugës, atëherit kemi të bajmë me një diskriminim politik të Qeverisë së majtë ndaj kësaj bashkie ku ka fituar e djathta!

Kryetari i Bashkisë Tropojë është Rexhë Byberi dhe, kjo rrugë, nuk përfshihet në juridiksionin e bashkisë së tij alpine, por ka lidhjet e veta ma të afërta me Tropojën, sepse funksionaliteti i saj do të kishte ndikim të veçantë në jetën ekonomike të Tropojës Alpine, duke pasë ma shumë lëvizje në kilometrat e saj, duke siguruar ma shumë të ardhura në buxhetin bashkiak.

Është e vërtetë se rruga kombëtare nuk është në pronësi dhe administrim të bashkive. Prandaj nuk mund t’u kërkohet kryetarëve të bashkive të lidhin vetë kontrata asfaltimi për një aks të ARRSH-së.

Por atyre mund dhe duhet t’u kërkohet: * Të thërrasin mbledhje të këshillave bashkiakë; * Të miratojnë rezoluta për gjendjen e rrugës Fushë Arrëz-Fierzë e kudo tjetër; * Të publikojnë çdo shkresë të dërguar në ARRSH dhe ministri; * Të dokumentojnë pikat e rrezikut me fotografi dhe koordinata; * Të kërkojnë kufizim të përkohshëm të qarkullimit aty ku rreziku është kritik; * Të kërkojnë dëgjesë me ministrin dhe drejtorin e ARRSH-së; * Të informojnë qytetarët për masat e sigurisë.

Përfaqësimi vendor nuk është vetëm administrim i pastrimit dhe ndriçimit etj., por është edhe ngritje e zërit kur një infrastrukturë kombëtare rrezikon jetën dhe ekonominë e komunitetit të saj.

KLSH-ja duhet të auditojë;
SPAK-u të verifikojë kur ka indicie penale

Për këtë aks duhet të zhvillohet një audit i plotë teknik dhe financiar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Auditimi duhet të përfshijë: * Kontratën e rehabilitimit të rrëshqitjes të vitit 2022; * Kontratën e mëparshme të mirëmbajtjes me “MARÇELI” dhe “SHPRESA-AL”; * Marrëveshjen dhe kontratën aktuale me “MARÇELI” dhe “PEPA GROUP”; * Minikontratat dhe urdhrat e punës; * Punimet e faturuara dhe të paguara; * Kontrollin fizik të çdo sasie të deklaruar; * Cilësinë e asfaltit dhe betonit; * Punimet në ura, mure dhe tombino; * Barrierat dhe sinjalistikën; * Penalitetet dhe garancitë e kontratave.

SPAK-u nuk duhet thirrur për të zëvendësuar inxhinierët, ARRSH-në ose KLSH-në. Por, nëse nga dokumentet dalin indicie për manipulim tenderësh, faturim punimesh të pakryera, mbivlerësim sasish, falsifikim procesverbalesh, korrupsion, konflikt interesi ose shpërdorim detyre, atëherë SPAK-u duhet të verifikojë kontratat, pagesat dhe përgjegjësitë individuale.

Nuk kërkohet dënim përmes këtij shkrimi apo nëpërmjet mediave, por kërkohet hetim ligjor aty ku faktet mund të përbëjnë vepër penale.

Prezumimi i pafajësisë duhet respektuar për të gjithë. Por prezumimi i pafajësisë nuk mund të përdoret si pretekst për të ndaluar transparencën, auditimin dhe verifikimin.

NJË RRUGË QË DËMTON EKONOMINË DHE USHQEN SHPOPULLIMIN

Një rrugë e pasigurt nuk dëmton vetëm automjetet.

Ajo rrit koston e transportit, zgjat kohën e udhëtimit, pengon bizneset, ul numrin e vizitorëve, vështirëson qarkullimin e mallrave, dëmton turizmin dhe ul sigurinë e ambulancave, zjarrfikësve dhe shërbimeve të tjera të emergjencës.

Ajo ndikon rdhe në vendimin e një familjeje nëse do të qëndrojë apo të largohet.

INSTAT, sipas Censit 2023, publikon se, popullsia e Qarkut Shkodër u zvogëlua me 28.3 për qind krahasuar me vitin 2011, ndërsa popullsia e Qarkut Kukës u zvogëlua me 27.3 për qind. Këto janë ndër rëniet më të mëdha demografike në vend.

Raporti i Censit 2023 nuk thotë se një rrugë e vetme është shkaku i shpopullimit. As ne nuk mund ta bëjmë këtë pohim.

Veçse izolimi infrastrukturor, pasiguria e transportit dhe mungesa e investimeve janë faktorë që e rëndojnë jetën dhe ekonominë e zonave. Kur shteti lejon degradimin e lidhjeve kryesore, ai nuk mund të habitet më vonë pse krahinat zbrazen.

A TRAJTOHET VERIU MË KEQ SE JUGU?

Gjendja e kësaj rruge e ushqen bindjen se Veriu i Shqipërisë është trajtuar për shumë vite si periferi buxhetore.

Por një rrugë e vetme, sado skandaloze të jetë gjendja e saj, nuk mjafton për të provuar statistikisht pabarazinë ndërmjet Veriut dhe Jugut.

Për ta kthyer këtë dyshim në një analizë të pakundërshtueshme, qeveria duhet të publikojë për periudhën 2011–2026: * Investimet rrugore sipas qarqeve; * Investimet për frymë; * Investimet për kilometër rrugë kombëtare; * Fondet e mirëmbajtjes dhe rehabilitimit; * Kilometrat e asfaltuar ose rindërtuar; * Fondet e investuara në ura, tunele dhe masa sigurie; * Kohën mesatare të reagimit pas konstatimit të një rreziku.

Nëse të dhënat tregojnë se Veriu ka marrë më pak, atëherë kemi përballë një pabarazi strukturore. Nëse Qeveria pretendon të kundërtën, le t’i publikojë shifrat.

Derisa kjo transparencë të mungojë, rruga Fushë-Arrëz-Fierzë mbetet dëshmi e dukshme e një Shqipërie që prodhon dritë në Veri, por nuk arrin të çojë investime deri te burimi i saj.

ÇFARË DUHET BËRË TANI?

Nuk mjafton një tjetër vizitë me kamera, një makinë asfalti për mbushjen e disa gropave dhe disa fotografi për rrjetet sociale.

Kërkohen këto masa konkrete:

** Brenda 15 ditëve, një audit i pavarur teknik i të gjitha urave, mureve mbajtëse, skarpateve, tombinove dhe segmenteve të ngushtuara.

** Publikimi i raportit të auditimit me fotografi, koordinata dhe klasifikim të rrezikut.

** Vendosja e menjëhershme e barrierave, sinjalistikës dhe kufizimeve të përkohshme në pikat kritike.

** Publikimi nga ARRSH-ja i kontratave, minikontratave, preventivëve, situacioneve, faturave dhe pagesave.

** Publikimi nga kompanitë i punimeve të realizuara, me fotografi para dhe pas ndërhyrjeve.

** Kontroll fizik i 10,271 metrave katrorë të asfaltimit dhe 984 metrave të barrierave të parashikuara.

** Verifikim i veçantë i urave në kilometrat 5.500, 11.000 dhe 14.600.

** Hartimi i një projekti për rehabilitimin dhe asfaltimin e plotë të aksit, jo vetëm për arnime periodike.

** Rikthimi i një gjerësie të sigurt funksionale dhe i vijës ndarëse në të gjitha segmentet ku kushtet teknike e lejojnë.

**Dëgjesë parlamentare me ministrin Enea Karakaçi, drejtorin Ami Kozeli, firmëtarin e kontratës Ervin Sadiku, kompanitë, bashkitë dhe përfaqësuesit e banorëve.

** Audit financiar dhe teknik nga KLSH-ja.

** Referim në organet e drejtësisë nëse auditimi evidenton indicie penale.

**Një kalendar publik me afate, përgjegjës dhe burime financimi.

** Raportim mujor deri në eliminimin e rrezikut dhe përfundimin e rehabilitimit.

KJO ËSHTË NJË THIRRJE PËR TË SHPËTUAR JETË

Ky shkrim nuk synon hakmarrje politike. Nuk synon të dënojë pa prova kompani ose zyrtarë. Synon të bëjë atë që institucionet duhet ta kishin bërë prej kohësh: të vendosë faktet përpara publikut dhe të kërkojë përgjegjësi.

Faji nuk është vetëm i një ministri, një drejtori, një kompanie ose një mandati qeverisës. Degradimi i kësaj rruge është rezultat i neglizhencës së grumbulluar gjatë shumë viteve.

Realisht e faktikisht, përgjegjësia e sotme u takon atyre që sot e kanë pushtetin, kontratat dhe fondet në dorë.

Unë kam kaluar një  pjesë  të madhe të jetës në këtë rrugë. E kam njohur kur mbante automjetet e rënda dhe i shërbente ndërtimit të Fierzës. Sot më dhemb ta shoh të ngushtuar, të dëmtuar dhe të rrezikshme.

Don Zoti dhe shteti e ndreqin këtë rrugë. Por shteti nuk vepron vetëm me lutje. Shteti vepron kur dokumentet hapen, kur përgjegjësitë thirren me emër, kur fondet kontrollohen dhe kur qytetarët nuk pranojnë më të heshtin.

Fierza i dha dritë Shqipërisë, prandaj Shqipëria i detyrohet Fierzës, Fushë-Arrëzit, Tropojës dhe gjithë Veriut jo një lavdërim ceremonial, por një rrugë të sigurtë, të gjerë dhe të denjë.

Rruga që dikur çoi turbinat e Fierzës nuk duhet të kthehet në rrugën që çon njerëzit drejt aksidentit, drejt vdekjes.

Duhet ndërhyrë sot – para se një tragjedi të na detyrojë të pyesim pse nuk vepruam dje, pse nuk po veprojmë as sot, pse lihet në këtë gjendje skandaloze Rruga Nacionale Fushë Arrëz – Fierzë.


Shënim redaksional: Të dhënat për kontratat, kompanitë dhe funksionarët publikë janë verifikuar deri më 1 shtator 2026. Përmendja e emrave bëhet për shkak të detyrave publike, roleve kontraktuale ose të dhënave në regjistrat publikë. Asnjë pjesë e këtij shkrimi nuk duhet të interpretohet si deklarim fajësie penale. Çdo person dhe subjekt gëzon prezumimin e pafajësisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.