33.3 C
Tirana
E martë, 11 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Shefqetit dhe bashkëshortes së tij, Rukijes…

Shefqetit dhe bashkëshortes së tij, Rukijes…

0
Shefqet Kabili

Portrete

Me rastin e 86-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Shefqetit, po radhis disa fjalë që dalin nga shpirti im për xhaxhain tonë unik të familjes sonë, Shefqetin. Të shkruash për të është emocion dhe privileg i madh për mua, si nip i tij.

Ndjenja e dashurisë për Qetin dhe figurën e tij sa vjen dhe shtohet, megjithëse vitet e ndarjes së tij nga jeta, vijnë dhe rriten… E tillë është jeta, ajo të “ngre” dhe të “përpin”, me të mirat dhe të këqiat e saj. Fatkeqësish, Shefqeti vdiq shpejt, vetëm 17 ditë pas nënës së tij, më 19.12.2016. Ikje e “shpejtë”, e tij, preku të gjithë familjarët e tij, dhe njerëzit që e njohën atë. Kjo ndjenjë prekëse përshkruan shpirtin tim, edhe sot pas 10-vitesh, kur po mundohem të hedh në letër këto rreshta të thjeshta dhe përmalluese. Shefqeti qe njeri korrekt, shumëvuajtur, i urtë, dashamirës dhe shumë mikpritës.

Kishte karakter dhe cilësi të veçanta njerëzore dhe shquhej për shakatë e tij. Shefqeti nuk bënte asgjë pa pyetur, nënën e tij, Ishen dhe vëllain e vet, Zijain. Këto si vëllezër qenë model për ne dhe duhet marrë shembull. Ne pasardhësit e tyre duhet ti ndjekim ata dhe të ndjekim modelin e tyre. Shefqeti qe i thjeshtë, të impononte respekt me sjelljen dhe përkushtimin e tij ndaj familjes dhe njerëzve të vet. Në shtëpi, së bashku me familjarët e tjerë, ka pritur e përcjellë shumë miq, shokë dhe njerëz të tjerë. Ai është përkujdesur maksimalisht për familjen dhe fëmijët e tij. Po kështu është kujdesur gjithashtu edhe për ne të gjithë, dhe veçanërisht për shkollimin dhe sistemimin tim në shkollën e mesme. Siç theksova, ai është njeri i mirë, i ndjeshëm, i zgjuar, i ndershëm, bamirës në shpirt, bashkëpunues me të tjerët, punëtor i gjallë, familjar shembullor. Ai kishte të gjitha cilësitë dhe virtytet e të qenurit njeri.

Këto cilësi dhe virtute të larta, ai, është munduar t’i “injektoi” në familje tek fëmijët e tij. Mendoj se i’a ka arritur qëllimit pasi ka katër fëmijë model së bashku me nipërit dhe mbesat e tij. Ai mund të merret nga ne si “shembuli” për tu ndjekur. Me vëllain e tij, Zijain, kanë kaluar shumë mirë. Për këtë ai, thontë: “Në moshën katër vjeçare më vdiq babai. Për ne u kujdes gjithë jetën nëna jonë, Ishja. Me vëllain, Zijain, nuk kemi bërë asnjë herë asnjë fjalë të keqe dhe e kemi kaluar shumë mirë”. – Faktet dhe bashkëkohësit e vërtetojnë plotësisht, këtë. “Vdekja e babit dhe e dy motrave të vogla, na tronditën shumë. Këtë moment të vështirë ne e kaluam falë kujdesit të nënës sonë, Ishes. Ajo neve na dha kurajo, ndërsa vete ajo kaloi një krizë nervore dhe u sëmurë me sëmundjen e tokës”. – Na thonte shpesh Shefqeti…

Shefqeti lindi në Bastar të Mesëm më 25.03.1940. Ishte fëmija i parë i Ibrahimit dhe i Ishe Kabili, Sula.
Babai i Shefqetit, Ibrahimi qe njeri i mirë, punëtor, serioz, por edhe i vrazhdët. Nëna e Shefqetit, Ishja, ishte e vuajtur dhe vinte nga një familje e madhe ku kishte tre motra dhe katër vëllezër. Ke familja e burrit fati e solli që ajo të bëhej shumë shpejt kryefamiljare pasi vdiq shpejt burri i saj, Ibrahimi. Ajo kaloi shumë pengesa dhe vështirësi dhe i rriti e vetme fëmijët e saj.
Shefqeti u angazhua në punë që fëmijë për ti ardhur në ndihmë familjes. Ai bëri vetëm katër klasë shkollë fillore në Bastar të Mesëm. Për arsye ekonomike nuk mundi të vazhdonte arsimin 8-vjeçar. Klasën e parë e mbaroi në vitin 1946, tek godina që ishte tek shtëpia e Zakut i Veliut, ndërsa tre klasat e tjera i mbaroi, tek godina e mejtepit të xhamisë. Të katër klasët e shkollës fillore, për koinçidencë, i ka mbaruar së bashku me, Rukije Totrin, bashkëshorten e tij.

Në moshë 14-vjeçare punoi një vit në punë shteti në Bastar-Murrizë.
Më pas ai kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ushtrinë e kreu në Zëmblak të Korçes, në repartin ushtarak 1280, që ishte një repart zbulimi. Në ushtri ka qenë shembullor. Është vlerësuar me certifikata, fletë nderi dhe është shpërblyer me leje nga reparti.
Në viti 1963, Shefqeti, u martua me Rukije Haziz Totrin. Rukija vinte nga një familje e mirë dhe me tradita. Nga martesa e tyre erdhën në jetë katër fëmijë: Kujtimi, Linda, Petriti dhe Lulja. Të gjithë fëmijët janë arsimuar, kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë në kushte normale. Shefqeti punoi një jetë të tërë për të arritur kushte të mira jetese për fëmijët dhe familjen e tij. Me punë të ndershme ai arriti të mbajë familjen dhe fëmijët e tij.

Shefqeti ka filluar punë në NISH Tulla Nr. 2 që nga viti 1955. Ka punuar në këtë fabrikë deri në vitin 1990, vit kur ai doli në pension. Puna e tij në fabrikë ka qenë shumë e rëndë por ai nuk u ankua asnjëherë, madje qe punëtori më shembullor në fabrikën e Gresit. Ai është shpërblyer shumë herë nga ndërmarrja për tejkalim normash dhe është vlerësuar me certifikata dhe fletë nderi. Ai gëzonte respektin e shokëve dhe personelit drejtues të fabrikës.

Nuset e djemve, Dashuria dhe Valbona, shprehen me fjalët më të mira për vjerrin e tyre, Shefqetin. Sipas tyre: “Ai qe një njeri i mirë dhe shumë i veçantë. I tillë do mbetet në mendjen dhe kujtesën tonë sa të kemi jetë. E falenderojmë për gjithçka që ai bëri për ne dhe familjen e tij. I qoftë dheu i lehtë dhe u prehtë në paqë shpirti i mirë i tij”.

Pasi doli në pension kohën e lirë e kalonte me shokët. Pikë e dobët e tij qe vendlindja. Ai shpesh vinte në vendlindje, çmallej me njerëzit e tij dhe shokët e fëmijërisë.

Tre vitet e fundit gjendja e tij shëndetësore u rëndua shumë. Vdiq parakohe më 19.12.2016, nga tumori në mëlçi.
Vitet kalojnë dhe ai këtë vit bën 10-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Shkrimi im modest, është një homazh dhe mirënjohjeje, për të. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Duke përfunduar shkrimin për të ndjerin, Shefqetin, nuk mund të lë pa thënë dy fjalë edhe për bashkëshorten e tij, Rukijen. Ajo sot është në një moshë të thyer. Gëzon shëndet të mirë. Në bisedën që bëmë në familje, ajo, më tha fjalët më të mira, për burrin e saj, Shefqetin. Ndër të tjera, Rukija, shton: “Kam kaluar me Shefqetin rreth 60-vjet jetë bashkëshortore. Për mua, ai, nuk ka qenë vetëm bashkëshort i mirë, por një shok jete shumë i mirë. Ka qenë shumë komunikues me të gjithë. Kishte një sjellje shumbullore me mua, me fëmijët dhe dy nuset e shtëpisë. I pastë shkuar shpirti në Xhenet”.

Rukija, bashkëshortja e Shefqetit, sot është 83-vjeç. Ajo është pikë e “dobët” për familjen e zgjeruar të Shefqetit dhe pikë referuese e tyre. Ajo imponon respekt me modelin e saj të sjelljes. Është një grua e urtë, e sjellshme, e drejtpërdrejtë, fjalë pakët dhe nuk i ndihet kurrë. Ajo është vajza e Haziz Totrit, dhe e Zojes. Ajo kishte prindër model dhe shfaq shumë cilësi të tyre. Pas mbarimit të arsimit fillor ajo është aktivizuar në punët e familjes për ti ardhur në ndihmë asajs, pasi babai i saj ishte i sëmurë dhe vdiq shpejt.

Pasi u martua me Shefqetin, Rukija ka punuar fillimisht 7-vjet në kooperativë bujqësore. Nga viti 1971 deri në vitin 1992 ka punuar pa ndërprerje në NBSH “Gergj Dimitrov”, sektori Laprakë, Tiranë. Sjellja e saj në punë dhe shtëpi ka qenë shembullore. Edhe sot ajo gëzon respektin e familjes së saj dhe të shoqërisë. Megjithëse është në moshë të thyer ajo përsëri është aktive në shtëpi.

Rukija dhe Shefqeti kanë punuar shumë edhe për edukimin e fëmijëve të tyre. Me shembullin e tyre personal ato kanë “imponuar” modelin e mirë të sjelljes. Fëmijët e Shefqetit dhe familjet e tyre kanë një sjellje shumë të mirë dhe bëjnë diferencën në ambientin ku jetojnë. Kjo është një arritje e madhe. E pa asnjë dyshim, kjo është edhe një meritë e prindërve të tyre…

Rukijes i urojmë, edhe shumë vite të tjera jetë, pranë fëmijëve të saj të dashur, dhe suksese e mbarësi në familje!

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 10.08.2026

Dërgoi Gesi Kabili

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.