23.2 C
Tirana
E hënë, 27 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Krijime nga Rexhep Çullhaj

Krijime nga Rexhep Çullhaj

0
Rexhep Çullhaj

Një dëshmi tronditëse e ferrit komunist

Mbi librin e inxhinierit elektronik Sajmir Maloku “Si mbijetova në ferrin komunist” Ka libra që lexohen për kënaqësi, libra që të pasurojnë me njohuri, por ka edhe libra që të tronditin, të bëjnë të reflektosh dhe të mbeten gjatë në kujtesë. I tillë është libri “Si mbijetova në ferrin komunist” i inxhinierit elektronik Sajmir Maloku, një vepër autobiografike me vlera të mëdha historike, dokumentare dhe njerëzore. Sapo e përfundova së lexuari këtë libër dhe ndjeva detyrimin moral të ndaj me lexuesin përshtypjet e mia. Nuk është thjesht historia e jetës së një njeriu, por historia e një brezi të tërë shqiptarësh që u përballën me dhunën, padrejtësinë dhe terrorin e diktaturës komuniste. Autori e ndërton rrëfimin me një stil të natyrshëm, të sinqertë dhe rrjedhshëm. Ai flet në vetën e parë, pa mllef e pa retorikë të panevojshme, duke i lënë faktet të flasin vetë.

Kjo e bën librin edhe më bindës dhe më të fuqishëm. Sajmir Maloku u rrit në një familje intelektuale tiranase, me tradita patriotike dhe qytetare. Babai i tij, Reshit Maloku, ishte një personalitet i njohur i sportit shqiptar, “Mjeshtër Sporti” në qitje, trajner i ekipit kombëtar, i diplomuar në shkollën “Harry Fultz” dhe specialist inxhinier topograf. Familja gëzonte respekt të madh në Tiranë dhe jetonte në një mjedis ku arsimi, kultura dhe dashuria për atdheun ishin vlera të patjetërsueshme. Që në rini, Sajmiri spikati për inteligjencën dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm. Pas studimeve në shkollat ushtarake, fitoi Olimpiadën e Matematikës dhe u pranua në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e Tiranës. Edhe aty ishte ndër studentët më të shkëlqyer.

Profesorët më të njohur të kohës e vlerësonin si një talent të rrallë; madje profesori Turdiu e quante “Gausi i Shqipërisë”. Në vitin 1974 ai u diplomua me Medalje të Artë, një sukses që do të duhej t’i hapte rrugën një karriere të ndritur. Por regjimet totalitare nuk i druhen mediokritetit; ato i druhen inteligjencës dhe njerëzve të lirë. Kontaktet e familjes me turistë të huaj, njohja e gjuhës angleze, leximi i literaturës perëndimore dhe dëgjimi i muzikës së huaj mjaftuan që Sigurimi i Shtetit ta shpallte armik. Dosja e tij u mbush me shpifje, survejime dhe raporte të fabrikuara. Në vitin 1976 u arrestua publikisht dhe filloi kalvari i vuajtjeve. Mbi 200 ditë hetuesi çnjerëzore, tortura fizike e psikologjike, izolim, uri, të ftohtë, sëmundje dhe poshtërime. U akuzua si agjent britanik dhe amerikan, akuza që nuk u provua kurrë. Megjithatë, regjimi kishte nevojë për viktima dhe jo për drejtësi.

Në gjyqin farsë, përpara një salle të mbushur me njerëz të mobilizuar nga propaganda, ai u dënua me 11 vjet burg për “agjitacion dhe propagandë”. Edhe pse akuza për agjenturë u rrëzua, dënimi ishte i paracaktuar. Përveç burgut, ai përjetoi edhe poshtërimin publik, sharjet, pështymat dhe dhunën e turmës së manipuluar. Megjithatë, regjimi nuk arriti ta mposhtte. Sajmir Maloku doli nga burgu me dinjitetin e papërkulur. Krijoi familje, rriti dy djem dhe pa me krenari njërin prej tyre të ndërtonte jetën në Londër, aty ku dikur ai vetëm mund ta ëndërronte lirinë. Me rënien e diktaturës, ai ishte ndër qytetarët që morën pjesë në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Ishte një çast simbolik, jo hakmarrjeje, por triumfi të lirisë mbi frikën. Në vitet e demokracisë iu ofruan poste të rëndësishme shtetërore, por ai zgjodhi të mbetej besnik profesionit të tij si inxhinier elektronik. Mori vlerësime të shumta për integritetin moral dhe u angazhua në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke dëshmuar se vuajtjet nuk e kishin bërë të humbte besimin te njeriu dhe te demokracia. Ky libër nuk është vetëm autobiografia e Sajmir Malokut.

Ai është një akt kujtese, një dokument historik dhe një akuzë e fortë ndaj një sistemi që shkatërroi mijëra jetë njerëzish. Çdo faqe e tij dëshmon se diktatura nuk burgoste vetëm trupin, por përpiqej të vriste edhe mendimin e lirë. Fatmirësisht, në rastin e autorit, nuk ia arriti. Në përfundim, mendoj se “Si mbijetova në ferrin komunist” duhet të jetë pjesë e bibliotekës së çdo familjeje shqiptare. Është një libër që duhet ta lexojnë veçanërisht të rinjtë, studentët dhe brezat që nuk e kanë jetuar diktaturën, në mënyrë që të kuptojnë çmimin e lirisë dhe të mos lejojnë kurrë rikthimin e së kaluarës. Ky nuk është vetëm rrëfimi i një njeriu që mbijetoi ferrin komunist. Është dëshmia e një shqiptari që ruajti dinjitetin, besimin dhe dashurinë për jetën edhe në ditët më të errëta të historisë sonë.

Poezi

Një shpresë

Me një shpresë të heshtur, unë jetoj mes jush,
duke besuar se çdo ditë sjell një mundësi të re për të ndryshuar.

Me shpresë se do të ecni përpara,
se do të krijoni dritë edhe aty ku ka errësirë,
dhe se do ta mbani gjallë atë
që është e bukur tek njeriu.

Ju dua fort, sepse dashuria nuk humbet kurrë;
ajo mbetet si një farë e mbjellë në zemër,
që lulëzon edhe pas shumë kohësh.

Kur të më kujtoni një ditë,
mos kërkoni fjalët e mia,
por ndjeni dashurinë që lashë pas.

Sepse me shpresë jetojmë,
me shpresë duam,
dhe me shpresë besojmë te njëri-tjetri.

27 korrik 2026

Plagjiaturat

Mastër, doktorë, profesorë… me lopatë i ka ky vend i vogël. Po kur i hap punimet, të duket sikur kanë bërë “Copy-Paste” me vulë akademike. Thonë se 90% janë plagjiaturë… Po këtë e dinë më mirë ata që i kanë firmosur vetë. Më tregoni një studim, një kërkim shkencor, një projekt që ka ndryshuar sadopak jetën e këtij vendi. Në letra janë mijëra, në praktikë flenë në dosje, duke mbledhur pluhur. Ndërsa autorët… japin leksione për etikë, për metodologji, për teori e moral shkencor.

Kanë zënë çdo cep të institucioneve, e ndonjëri mezi mban mend çfarë ka shkruar në “veprën” e vet. Parazitë të diplomuar, që ia thithën energjinë këtij vendi dhe e lanë pa frymë. Me gjithë këto grada shkencore të paguara, duhej të ishim bërë Japoni. Por ne vazhdojmë të eksportojmë të rinjtë dhe të importojmë tituj. Rrofshin gradat shkencore! Sepse, në fund, jo të ardhurat i sjell shkenca, por vetë grada… kur di kujt t’ia tregosh

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.