Novelë:
I. FAREONI DHE PESHA E TRASHËGIMISË GJATË PUSHTETIT TË PËRJETSHËM!
Nga Safet SADIKU
Profesori e nisi ligjëratën pa hapur librin. E vendosi dorën mbi tavolinë dhe tha se historia nuk ecën gjithmonë mbi këmbët e saj! Ndonjëherë ajo mbahet mbi shpinën e iluzioneve. “Ruajuni,” tha ai, “atyre që besojnë se koha është shërbëtorja e pushtetit.” Ato fjalë më ndoqën për vite të tëra. Një mbrëmje i dëgjova përsëri, jo në auditor, por në bregun e detit shqiptar. Valët godisnin shkëmbinjtë me një ritëm të lashtë, sikur recitonin emrat e mbretërive të rëna. Dielli zbriste ngadalë mbi ujë dhe rrezet e tij copëtoheshin në mijëra pasqyra të vogla. Flamingot, të mbledhura në lagunë, ngrinin kokat drejt horizontit, sikur prisnin një lajm që vinte prej detit. Deti nuk fliste me fjalë. Ai fliste me zhurmën e valëve. Këtu është Shqipëria, dukej se thoshte çdo dallgë. Këtu është deti.
Askush nuk është më i madh se bregu që e pret dhe as më i gjatë se koha që e gërryen. …Në demokracitë moderne, referendumi është çasti kur zëri i qytetarit ngrihet mbi zërin e pushtetit. Ai nuk është thjesht një votim, por kujtesa se sovrani nuk banon në pallate, as në zyra të blinduara, por në ndërgjegjen e lirë të popullit. Profesori ynë i filozofisë politike na përsëriste se çdo regjim që i trembet fjalës së qytetarit, në të vërtetë i trembet kohës. Historia njeh shumë sundimtarë që ngritën monumente për veten, por shumë pak që pranuan t’ia linin vendimin popullit. Pikërisht aty fillon rrëfimi i Fareonit: në çastin kur pushteti kërkon të zëvendësojë vullnetin e qytetarëve me hijen e vet, duke harruar se edhe piramidat më të larta nuk arrijnë të mbulojnë horizontin e lirisë.
…Në një çast m’u kujtua profesori. “Në çdo epokë,” kishte thënë ai, “lind një Fareon. Jo domosdoshmërisht me kurorë. Ndonjëherë me kostum, me podium, me kamera e duartrokitje. Ai nuk ndërton vetëm pallate. Ndërton bindjen se pa të nuk mund të lindë mëngjesi.” Atëherë kuptova se fareonët nuk jetojnë në shkretëtira. Ata mund të lindin edhe pranë detit, aty ku era mban ende aromën e kripës dhe të lirisë. Deti nuk u përkul para perandorëve, as para mbretërve, as para sekretarëve të partive dhe as para kryeministrave. Valët e tij kanë parë anije ilire, galera romake, flotat osmane dhe vaporët modernë. Të gjitha kanë kaluar. Vetëm zhurma e ujit ka mbetur e njëjtë. Flamingot ngritën fluturim. Për një çast dukej sikur qielli po shkruante me pendë rozë një fjali që askush nuk mund ta fshinte: “Njeriu është kalimtar. Shteti duhet të mbetet.” E pikërisht këtu fillon historia e Fareonit. Ai nuk është një emër. Është një sëmundje e pushtetit.

Është çasti kur shërbimi kthehet në pronësi, kur institucioni bëhet dekor dhe ligji pret lejen e sundimtarit për të folur. Atëherë lind ajo që e kam quajtur, piramida e re: jo prej gurësh, por prej propagande, heshtjeje dhe frike. Por deti nuk njeh piramida. Ai i lag të gjithë gurët njësoj. Ai ua fshin emrat atyre që besuan se mund ta burgosnin kohën. Dhe çdo mbrëmje, kur dielli bie mbi Adriatik e Jon, valët vazhdojnë të përsërisin të njëjtën dëshmi para flamingove, para qyteteve dhe para fareonëve të politikës: “Këtu është deti i Shqipërisë. Ai nuk njeh pushtet të përjetshëm.”
Në një nga ligjëratat e filozofisë për kapitalizmin, na thoshte profesori se historia e njerëzimit ka njohur shumë sundimtarë që besuan se pushteti i tyre ishte më i fortë se koha. Ata ngritën pallate, ndërtuan monumente dhe urdhëruan që emri i tyre të gdhendej në gur, me shpresën se do të jetonin përgjithmonë. Fareoni është logjika më e fuqishme e këtij iluzioni: njeriu që e shikon veten si të pavdekshëm, ndërsa popullin si një mjet për ta ushqyer lavdinë e tij. Fareoni nuk është vetëm një figurë e Egjiptit të lashtë. Ai mund të lindë në çdo epokë, sa herë që pushteti shndërrohet në pronë personale dhe shteti identifikohet me një njeri të vetëm. Në atë çast, ligji humbet peshën e tij, institucionet bëhen dekor dhe qytetarët mësohen të heshtin. Frika bëhet gjuha zyrtare, ndërsa bindja paraqitet si virtyt. Pushteti i përjetshëm është një paradoks.
Sa më shumë përpiqet të zgjasë jetën e vet politike, aq më shumë shkurton lirinë e shoqërisë. Fareoni ndërton piramida simbolike: monumente të krenarisë së tij, propaganda që lartëson figurën e sundimtarit dhe një sistem që e paraqet ndryshimin si rrezik. Megjithatë, asnjë piramidë nuk mund ta ndalojë kohën. Historia ka treguar se çdo pushtet që e konsideron veten të përjetshëm mbart brenda vetes farën e rënies. Por, sot të gjitha qytetërimet, a kanë nevojë për fareonët e tillë? Sigurisht se jo! Populli ynë, në fillim, mund të mahnitej nga madhështia. Por me kalimin e viteve, ai filloi të shohë çmimin e vërtetë: mungesën e fjalës së lirë, drejtësinë selektive dhe shpresën e zbehur. Kur një shoqëri detyrohet të jetojë vetëm nën hijen e një njeriu, ajo humbet aftësinë për të ëndërruar të ardhmen. Forca e Fareonit na kujton se pushteti nuk është kurorë e përjetshme, por përgjegjësi e përkohshme.
Një udhëheqës matet jo nga koha që qëndron në fron, por nga forca e institucioneve që lë pas dhe nga liria që u garanton qytetarëve. Kur një sundimtar beson se është mbi ligjin dhe mbi kohën, ai nuk ndërton pavdekësi. Ai ndërton vetëm iluzionin e saj. Në fund, historia nuk mban mend vetëm madhështinë e piramidave, por edhe heshtjen e atyre që i ngritën. Dhe kjo është ironia më e madhe e Fareonit: ai kërkon të jetojë përgjithmonë në pushtet, por përfundon si një kujtesë se asnjë fron nuk është më i fortë se koha, e vërteta dhe dëshira e njerëzve për liri. Në parim, as deti nuk mban anë dhe as historia nuk jep privilegje të përjetshme.
Valët që godasin brigjet shqiptare nuk pyesin se kush ka qenë në pushtet, por ato matin vetëm sa e lirë ka qenë fryma e një kombi. Demokracitë e Bashkimit Evropian janë ndërtuar mbi parimin se ligji dhe institucionet duhet të jenë mbi individin, pavarësisht emrit, postit apo ndikimit të tij. Ky është standardi drejt të cilit synon edhe Shqipëria: një rend ku askush të mos jetë mbi Kushtetutën, ku trashëgimia e një qeverisjeje të matet me forcën e institucioneve dhe jo me gjatësinë e pushtetit, dhe ku edhe fareonët e politikës ta kuptojnë se demokracia nuk njeh frone të përjetshme, por vetëm qytetarë të lirë dhe përgjegjësi para ligjit. www.platforma-kombetare.com

II. ASNJË FAREON NUK MBIJETON MBI KOHËN DHE LIGJIN
Të gjitha shënimet historike nuk janë thjesht një muze i sundimtarëve, por ato qëndrojnë si një gjykatë e përhershme, ku koha, e vërteta dhe kujtesa e popujve japin dëshminë e tyre. Pikërisht falë kësaj përvoje argumentuese, emrat e pushtetarëve zbehen, ndërsa mësimet e historisë mbeten të pavdekshme. Çdo epokë ka njohur njerëz që kanë besuar se pushteti i tyre ishte më i fortë se ligji dhe më i gjatë se vetë koha. Ata kanë ngritur parajsë, kanë lartësuar emrin e tyre mbi institucionet dhe kanë menduar se heshtja e qytetarëve ishte shenja e pavdekësisë së tyre. Por historia ka dhënë gjithmonë të njëjtin vendim: asnjë fron nuk është më i lartë se ligji dhe asnjë sundimtar nuk mund ta ndalë rrjedhën e kohës. Fareoni është ëndrra e këtij iluzioni të përjetshëm, ndërsa demokracia është kujtesa se pushteti është një mandat i përkohshëm, i dhënë nga qytetarët dhe i kufizuar nga ligji.
Në këtë kuptim, vetëm “Platforma për Referendum Kombëtar” përfaqëson të kundërtën e sjelljeve fareonike në Shqipëri dhe kudo në vendbanimet shqiptare: ajo nuk kërkon të përqendrojë vullnetin në duart e një njeriu, por ta kthejë vendimmarrjen te populli, duke e bërë qytetarin jo spektator të pushtetit, por gjykatës të tij. Kjo dëshmi juridike është një udhëtim mes këtyre dy botëve: mes hijes së Fareonit që kërkon pavdekësinë dhe dritës së lirisë që i kujton çdo pushteti se mbi të qëndrojnë gjithmonë koha, ligji dhe ndërgjegjja e popullit. Në çdo shekull lind një Fareon. Ai nuk mban domosdoshmërisht kurorën e artë të Egjiptit dhe as nuk banon mes piramidave. Nganjëherë vishet me kostum, flet në emër të popullit dhe premton të ardhmen. Por, sapo pushteti i ngjitet në shpatulla, fillon ta besojë veten më të madh se koha. Fillimisht ndërton ura mes fjalëve dhe shpresës. Më pas ndërton mure mes vetes dhe njerëzve.
Çdo gur i vendosur mbi mur është një fjalë e ndaluar, një mendim i heshtur, një e vërtetë e burgosur. Kështu lind mbretëria e heshtjes, ku zëri i vetëm që dëgjohet është jehona e sundimtarit. Fareoni nuk e pranon kalendarin. Për të, vitet nuk kalojnë, por ato vetëm i shtohen fronit. Ai fillon të besojë se shteti është hija e tij dhe se historia nis me emrin e tij. Pasqyrat rreth tij nuk reflektojnë më fytyrën e njeriut, por figurën e mitit që oborri ia ka krijuar me lajka dhe frikë. Rreth tij ngrihen piramida të reja. Nuk janë prej guri, por prej propagandës, privilegjesh dhe bindjeje të detyruar.
Çdo tullë është një kompromis i ndërgjegjes. Çdo shkallë ngjitet mbi shpinën e atyre që nuk guxojnë të thonë “mjaft”. Nga larg, piramidat duken madhështore, dhe nga afër, ato mbajnë aromën e mundit dhe të heshtjes. Por koha nuk i përkulet askujt. Ajo është lumi që nuk ndalet para fronit, as para kurorës. Ajo gërryen gurin, shuan jehonën e brohoritjeve dhe ua heq pushtetarëve petkun e pavdekësisë. Atëherë Fareoni kupton se kishte sunduar njerëzit, por jo kohën, kishte pushtuar institucionet, por jo kujtesën. Tridhjetë e gjashtë vitet e tranzicionit shqiptar kanë kaluar nën drejtimin e disa kryeministrave me vizione, stile dhe rezultate të ndryshme. Secili ka pasur mbështetësit dhe kritikët e vet.
Megjithatë, një kritikë që dëgjohet shpesh është se politika shqiptare ka qenë e dominuar nga figura të forta individuale, ndërsa institucionet kanë mbetur më të dobëta sesa duhet. Kjo ka ushqyer perceptimin se pushteti përqendrohet te individi më shumë sesa te shteti. Protestat e zhvilluara në Tiranë janë shprehje e një pjese të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes, korrupsionit, zhvillimit urban dhe mënyrës së marrjes së vendimeve. Ato tregojnë se një pjesë e shoqërisë kërkon më shumë llogaridhënie dhe institucione më të forta, edhe pse motivet dhe qëllimet e protestuesve janë të ndryshme dhe debatohen publikisht.
Nëse e krahasojmë këtë me Gjermaninë, dallimi nuk qëndron vetëm te emrat e kancelarëve, por te kultura politike. Një kancelar gjerman largohet nga detyra duke lënë pas një pjesë të historisë së zhvillimit të vendit, por pa pretenduar se është vetë shteti. Helmut Kohl lidhet me ribashkimin e Gjermanisë dhe integrimin evropian. Gerhard Schröder me reformat ekonomike të njohura si Agenda 2010. Angela Merkel me menaxhimin e krizave dhe stabilitetin institucional. Olaf Scholz po gjykohet ende nga historia, sepse koha nuk e ka mbyllur ende faqen e mandatit të tij. Megjithatë, ai la të kuptohej se në demokraci kritika nuk është armik i pushtetit, por pasqyra e tij, dhe pranimi i kërkesave të arsyeshme është shenjë e pjekurisë politike. Trashëgimia e tyre vlerësohet përmes institucioneve, reformave dhe ndikimit afatgjatë, jo vetëm përmes monumenteve.
Në Shqipëri, debati shpesh nuk është se çfarë mbetet pas një mandati, por kush mbetet në pushtet. Kjo është arsyeja pse fenomeni i sjelljeve të Fareonit tingëllon ende aktuale. Fareoni kërkon që qytetarët të kujtojnë emrin e tij, demokracia kërkon që qytetarët të kujtojnë forcën e institucioneve. Një shtet nuk matet nga gjatësia e qeverisjes së një njeriu, por nga cilësia e trashëgimisë që ai lë. Kur një udhëheqës largohet dhe vendi vazhdon të funksionojë më mirë, atëherë ai ka ndërtuar institucione. Kur largohet dhe gjithçka duket se varet ende nga figura e tij, atëherë ka ndërtudar kultin e pushtetit. Fareoni ndërton piramida për veten. Demokrati ndërton ura për brezat që do të vijnë. Piramidat mbeten monumente të krenarisë dhe urat mbeten rrugë të zhvillimit. Historia i respekton të dyja, por vetëm njërat nga këto, që ka të bëjë me zhvillim do të vazhdojnë t’u shërbejnë njerëzve. Nga dorëshkrimet, sirtari 191
III. PIRAMIDAT E PUSHTETIT DHE ZËRI I DETIT KURRË NUK PËRPUTHEN!
Dilli në Shqipëri afron energji. Hijet janë të pakta. Kur populli zgjohet, nuk rrëzohen vetëm muret. Rrëzohen edhe iluzionet. Froni zbret në tokë dhe bëhet një copë dru, dhe kurora kthehet në metal, ndërsa emri i sundimtarit mbetet vetëm një shënim në faqet e historisë. Ajo që dukej e përjetshme, rezulton të ketë qenë vetëm një stinë e gjatë e frikës. Prandaj Fareoni është më shumë se një personazh. Ai është paralajmërim. Ai lind sa herë që pushteti harron se buron nga qytetari dhe jo nga vetvetja. Ai rritet sa herë që heshtja shpërblehet më shumë se e vërteta.
Dhe ai bie sa herë që një shoqëri kujton se liria nuk është dhuratë e sundimtarit, por e drejtë e patjetërsueshme. Ndonëse, shpesh historia nuk i ka bërë të pavdekshëm fareonët. Ajo i ka bërë të pavdekshme mësimet që lanë pas: se asnjë pushtet nuk është më i madh se koha, asnjë fron nuk është më i fortë se e vërteta dhe asnjë njeri nuk mund ta mbajë përgjithmonë diellin mbi kokën e vet. Fareoni nuk është një emër. Është një gjendje mendore. Është çasti kur pushteti pushon së qeni shërbim dhe fillon ta shohë veten si pronar të shtetit. Ai beson se vendi nuk mund të ecë pa të dhe se historia duhet të ndahet në dy pjesë: para tij dhe pas tij.
… Por një zë që buronte nga thellësia valëve të detit në Sazan, të nesërmen në mëngjes më tha se në Universitetin e Padovës, gjatë një provimi të së Drejtës Romake, një profesor italian, pasi kishte mbaruar pyetjet mbi ligjet e lashta, iu drejtua një studenti shqiptar me një pyetje që dukej se nuk i përkiste më kodeve romake, por vetë fatit të kombeve: Më thuaj, si e kupton ti klasën politike në Shqipëri? Studenti heshti për një çast. Nuk nxori asnjë libër, nuk citoi asnjë nen dhe asnjë filozof. Hodhi sytë nga dritarja, sikur kërkonte Adriatikun që ndante Italinë nga atdheu i tij.
Pastaj buzëqeshi lehtë dhe tha: Profesor, piramidat e pushtetit dhe zëri i detit kurrë nuk përputhen. Profesori uli stilolapsin. Pse?, e pyeti. Studenti vazhdoi: Sepse piramidat ndërtohen për të ngritur lart emrin e një njeriu, ndërsa deti flet me zërin e të gjithëve. Piramida kërkon heshtje për të qëndruar në këmbë, ndërkaq deti jeton vetëm nga zhurma e valëve. Piramida lufton edhe me kohën, ndërsa deti i kujton çdo pushteti se koha nuk i përket askujt. Valët nuk njohin fareonë. Ato njohin vetëm brigje, liri dhe kthimin e përjetshëm të së vërtetës.
…Në sallë ra heshtje. Profesori e mbylli dosjen e provimit dhe tha me një zë të ulët: Sot nuk më fole vetëm për të drejtën romake. Më fole për kufirin që ndan ligjin nga pushteti. Studenti nuk shtoi asgjë. Ai e dinte se përgjigjja nuk ishte vetëm për Shqipërinë. Ishte për çdo vend ku pushteti ngre piramida për veten dhe harron se, herët a vonë, mbi gurët e tyre do të dëgjohet zëri i detit, ai zë që nuk njeh frikë, nuk njeh lavdi të përjetshme dhe nuk përkulet para asnjë fareoni. Në parim, piramidat mbeten aty ku janë ngritur, ndërsa deti vazhdon udhëtimin e tij të përjetshëm. Gurët mund të mbajnë emrat e sundimtarëve, por dallgët mbajnë kujtesën e popujve. Dhe në detin Jon shkruan fjalën e bekuar: Shqipëria! Ujërat e Jonit, që përkëdhelin brigjet e Zvërnecit dhe Sazanit, nuk u përkasin fareonëve të politikës. Ato janë pasuri e natyrës shqiptare, e historisë dhe e brezave që do të vijnë. Kush hyn në atë det për t’u çlodhur, kërkon shërimin e trupit dhe qetësinë e shpirtit! Ndërkaq, askush tjetër nuk mund ta marrë me vete detin, ta mbyllë në një dekret apo ta vulosë me një firmë.
Deti nuk njeh pronarë artificialë, përballë pronarit natyror, i cili ka një emër: Shqipëria, që sado të pasur që mund të jenë ata, por edhe ai e di se në këtë dhunti të natyrës ka vetëm kujdestarë të përkohshëm. Ndoshta kjo është arsyeja pse zëri i detit dhe piramidat e pushtetit kurrë nuk përputhen. Sa herë që një fareon përpiqet ta shesë atë që nuk i përket, historia i rëndon dorën dhe ndërgjegjja ia bën gishtat të ngrirë para nënshkrimit. Era që fryn nga Joni nuk është vetëm frymë e natyrës, por ajo është fryma e lirisë, që u kujton pushtetarëve se ka kufij që nuk i vendos ligji i njeriut, por ligji i historisë, i kombit dhe i kujtesës. Prandaj deti mbetet gjithmonë më i madh se çdo fron: ai nuk mund të vidhet, nuk mund të shitet dhe nuk mund të pushtohet, sepse mbi të nuk sundon asnjë fareon, por vetëm koha, natyra dhe dinjiteti i një populli, që jeton nën ombrellën e atdheut tonë – Shqipëria!
(Nga dorëshkrimet, sirtari 191)











