GAZETA SHQIP, 27 SHKURT 2022
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, nuk ngurron që në çdo dalje të saj televizive, të tregojë me krenari origjinën e saj shqiptare. Madje ajo shpeshherë promovon dhe reklamon bukuritë e territorit shqiptar.
Ylli i muzikës ka dhënë së fundmi një intervistë për prestigjiozen “Financial Times”, ku ka folur edhe për lidhjen e ngushtë që ka me Shqipërinë. Në momentin që Dua u pyet në lidhje me vendin që mezi pret që të kthehet ta vizitojë sërish, ajo menjëherë tha Shqipërinë.
“Një vend ku mezi pres të kthehem është Jugu i Shqipërisë. Isha për dy javë verën e kaluar dhe bukuria atje është e pakrahasueshme. Uji është i njëjtë me Greqinë, dhe ushqimi është i mahnitshëm. Po përpiqem të nxis sa më shumë njerëz të shkojnë në Shqipëri dhe Kosovë sepse dua të ndryshoj këndvështrimin e tyre për këto vende”, ka thënë këngëtarja e famshme.