37.8 C
Tirana
E martë, 21 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Këpuca e armikut

Këpuca e armikut

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

  • tregim

Nata ishte e qetë dhe qielli i kthjellët, pa asnjë re. Yjet shpërndaheshin në hapësirën pa fund, dëshmitarë të vetëm që ndiqnin në heshtje gjithçka. Hëna kishte nisur të dilte pas horizontit të maleve, dhe rrezet e saj të zbehta derdheshin mbi liqen.

Në urën e vetme që kalonte mbi lumin që lindte prej liqenit e derdhej në det, kaloi një makinë me dritat e fikura; edhe pse ishte mesnatë, ajo mori rrugën drejt zonave matanë brigjeve, buzë kufirit. Kryet e liqenit, ashtu si edhe grykëderdhja e lumit që buronte prej tij, mbeteshin jashtë kufirit, ndërsa gjysma tjetër e liqenit dhe pothuajse i gjithë lumi gjendeshin në anën tonë; në breg të liqenit ngrihej njëri prej qyteteve më të mëdha e më të rëndësishme të vendit.

Në atë qytet verior ishin vënë në lëvizje, që nga strukturat më të larta të shtetit e deri te qentë e ndjekjes, të gjithë, pa asnjë rezultat. Në vijën kufitare ishin shtuar përforcime të reja dhe ishte kaluar në gadishmërinë numër një.

Pranë piramidës numër 13, vetëm katër net më parë, kishte ndodhur një ngjarje e papritur dhe e rëndë, dhe të gjithë ishin rendur drejt saj me shpresën për ta kapur armikun.

Kishte qenë një natë e vranët e e freskët. Përgjegjësi i turnit i kishte shpërndarë ushtarët nëpër të gjitha pikat e vëzhgimit dhe ishte kthyer në vendrojë; nuk kishte kaluar as gjysmë ore, kur alarmi kishte pushtuar terrenin dhe në repart kishte buçitur boria. Tri krisma, njëra pas tjetrës, kishin thyer heshtjen e natës, e pastaj një breshëri automatiku ishte zbrazur me shpejtësi pranë piramidës trembëdhjetë, një nga pikat që kërkonte kujdes të veçantë. Makinat ishin nisur nga qyteti drejt kufirit, ku dikush kishte prekur telat e paprekshëm të vendit. Fjalët pëshpëriteshin nën zë, ndërsa vraponin të ziheshin pozicionet, rrugëdaljet, udhëkalimet, udhëkryqet.

Në piramidën trembëdhjetë, një ushtar symprehtë kishte mbërritur i pari, ballë për ballë me armiqtë që të tjerëve nuk u ishin dorëzuar. Ai i kishte mundur, i kishte paralizuar e më pas i kishte asgjësuar. Tashmë duhej siguruar jeta e tij; duheshin dërguar urgjentisht përforcime. Ndoshta armiku kishte planifikuar ta vriste, ndoshta kishte edhe plane të tjera, ndoshta kishte piketuar ndonjë udhëheqës për ta zhdukur, ndoshta punonte për ndonjë agjenturë të huaj – kush e dinte?

Çapajevi, Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, një mesoburrë i njohur për prepotencën, ashpërsinë dhe padijen e tij, por edhe si besnik i Partisë, ishte zhveshur i tëri dhe ishte futur në krevat pranë së shoqes.

Në atë çast ra telefoni; ai mori receptorin dhe, pas një bisede të shkurtër, u hodh në këmbë. E shoqja e vështroi, në dritën e zbehtë që hynte mes perdeve prej dritave të rrugës, trupin e tij të deformuar, dhe ndjeu një lloj neverie. Deshi të thoshte diçka, por ai e kishte porositur të mos e pyeste kurrë për punët e veta.

Një makinë kishte ndaluar para hyrjes së pallatit. Kryetari u vesh me nxitim dhe doli me vrap; sapo u fut brenda, mori rrugën nëpër rrugicë drejt liqenit. Donte të ishte i pari që të gjendej aty, para atij armiku që kishte guxuar t’i prishte qetësinë dhe kënaqësinë e asaj nate.

Armëmbajtësit e zonës kishin rrëmbyer armët dhe ishin drejtuar te pikat e caktuara, duke pritur urdhrat. Disa makina me ushtarë morën rrugën drejt brigjeve të liqenit dhe rrjedhës së poshtme të lumit që buronte prej tij.

Pak metra larg piramidës 13, makina e Kryetarit ndaloi; ai zbriti dhe u drejtua nga vendi ku i thanë se kishte ndodhur vrasja e shkelësit të kufirit. Do ta propozoj për dekorim atë ushtar syshqiponjë, mendoi me vete, ndërsa mendja i shkonte tashmë te mbledhja e ardhshme në ministri, ku do të mbante ligjëratën për vigjilencën e treguar. Ai ushtar ka bërë një akt të mrekullueshëm trimërie – një besnik i vërtetë i Partisë.

– Ku është kërma? – pyeti ashpër dhe shkurt.
– Atje poshtë, në brinjë, ka rënë trupi; s’është dëgjuar më asnjë lëvizje.

Ishte pikërisht ora kur nata dhe dita ndajnë kufijtë mes tyre, dhe gjithçka dukej ende në një dritë të zbehtë. Ai zbriti teposhtë, ndërsa një togë ushtarësh, me armët drejtuar nga ferrishtja, ecte para tij. – Kujdes, shef, mos qoftë vetëm i plagosur… – Disa prozhektorë të fuqishëm ndriçonin udhën drejt një brinje, në fund të së cilës gjendej një grumbull ferrash.

Ora kishte afruar katër të mëngjesit, kur ai u gjend përballë trupit të një gomari fatzi, që kishte guxuar të kruante kurrizin pas telave të kufirit, e mbi të ishte zbrazur pastaj një karikator i tërë, duke ia bërë trupin shoshë; i rrëzuar nëpër brinjë, gomari kishte mbetur me katër këmbët përpjetë, në një kanal të ngushtë buzë ferrishtes, ndërsa gjaku i tij, i tharë tashmë, kishte njollosur tokën në një pellg të vogël.

Vështrimi i Kryetarit u ndal te operativi i zonës, një djalë i ri, i pashëm dhe i mprehtë, që buzëqeshi gjithë ironi. Ishte i shkurtër, bjond, me sy të kaltër, i afrueshëm, mjaft i lidhur me banorët e zonës, me të cilët sillej si me familjen e vet. Kishte fituar besimin e tyre. Kryetari deshi t’i sulej, por u përmbajt. Ai ushtar i ri gjithnjë sikur talljej me të, i jepte gjithmonë përgjigje nënçmuese, e tani që para tij kishte vetëm një gomar dhe jo një armik, buzëqeshte edhe më shumë. Kryetarit iu duk vetja qesharak, sikur gjithçka ishte një tallje me dinjitetin dhe personalitetin e tij. Në heshtje mallkoi atë ushtar trutharë që kishte lënë përdhe atë kafshë të gjorë.

Pa thënë asnjë fjalë, u kthye e u largua, por, pa bërë as dhjetë hapa, u rrotullua papritur dhe iu drejtua operativit të zonës:

– Paraqituni në zyrën time!

Operativi hodhi një vështrim të hutuar drejt tij, me buzëqeshjen edhe më ironike.

– Në orën 7 të jeni në zyrë, – urdhëroi shkurt Kryetari.

Tjetri, me mendjen te ajo natë e gjatë pa gjumë, mallkoi me vete: Gjithë kjo idiotësi për një ushtar që vret një gomar fatkeq, mendoi, duke lënë fshatarin e shkretë pa kafshën e tij. E ky idiot më kërkon në zyrë, pas kësaj nate pa gjumë, të rendur nëpër këto brinja.

Ai kishte qenë në dhomën e tij, në zonë, duke pikturuar një nudo, kur kishte rënë telefoni. Për disa çaste kishte ngurruar t’i largohej pikturës, të pambaruar në disa vija, por s’kishte pasur zgjidhje tjetër. Mendja i shkonte te e dashura, studente në vitin e fundit, që ishte në ekspeditë mësimore në jug dhe do të kthehej pas disa ditësh. Ai shoqërohej shpesh me artistë të fushave të ndryshme, sidomos me piktorë. Një muaj më parë kishte hapur në galerinë e arteve një ekspozitë të tijën, ku ishte përgëzuar nga shumë artistë. Aty kishte marrë pjesë edhe shefi i tij në ministri, që, pas gjithë atyre fjalëve lavdëruese, nuk kishte hezituar t’i kërkonte një pikturë – shoferi e kishte marrë me kujdes dhe e kishte futur në makinë.

Kushedi ç’idiotësi tjetër do të nxjerrë kryetari, mendoi, dhe u nis drejt një kafeneje buzë lumit, të ngritur në majë të një kodre të vogël. Punëtorët futeshin brenda e përshëndeteshin me përzemërsi; njëri i thoshte tjetrit se atë natë kishte pasur telashe në kufi, pastaj pinin kafenë e shpejtonin drejt fabrikës së çimentos. Sa banale, mendoi, ka arritur që edhe një gomar t’i alarmojë të gjitha strukturat e shtetit e mendjet e njerëzve. Por mendja i mbeti te nudoja në dhomën e tij, në katin e dytë, ende mbi kavalet.

Ishte ora shtatë, kur ai trokiti në zyrën e Kryetarit dhe, pa pritur përgjigje, hyri brenda.

– Si…? Kur…? Të dokumentohet e të ekspertohet vendi dhe zona menjëherë… – dëgjoi Kryetarin duke urdhëruar dikë në telefon.

– Ti, – iu drejtua djaloshit, – ke ndërmend të punosh, apo jo?
– Unë jam në punë, shoku kryetar.

– Po gjithë ai rrëmujë e mbrëmshme? – i kishte rrëshqitur pa dashje një fjali kryetarit, dhe menjëherë kishte marrë njërën nga ato përgjigjet ironike të operativit:

– Unë jam për njerëzit, jo për gomarët e fshatarëve, “shoku kryetar”.

Kryetari u ngrit në këmbë dhe i mëshoi grushtit tavolinës.

– Shko, gjeje shkelësin që ia gjetën këpucën sot. Ta ka lënë dhuratë. Gjej ku ka shkuar, ose gjej vrimë ku të futesh vetë… Tani jashtë!

Operativi i ri u hutua, pa kuptuar asgjë. Doli menjëherë, u drejtua te zyra e shefit të seksionit për të marrë një informacion më të saktë, dhe pastaj u nis drejt zonës së tij, ku tashmë duhej zgjidhur enigma e këpucës.

Ndërsa largonin nga zona kufitare kufomën e gomarit, njëri prej oficerëve të kufirit kishte vënë re një këpucë të pazakontë, që dukej si këpucë tipike e ndonjë borgjezi. Menjëherë ajo këpucë kishte rialarmuar të gjitha instancat, nga qendra në bazë e anasjelltas. Ishte pikërisht operativi i zonës ai që duhej ta niste, atë ditë, pas një nate të gjatë pa gjumë, një operacion krejt të ri.

Po sikur vërtet të ketë qenë një shkelës, që ka arritur të largohet, ndërsa fatin e keq e ka pësuar gomari? – mendoi Kryetari, në zyrën e tij. Atëherë ai operativ mendjemadh do të përfundonte në burg, e karrierën e tij do ta merrte lumi…

Vendngjarja e këpucës u ekzaminua nga ekspertët më të mirë të rrethit, e pastaj u riekzaminua edhe nga specialistët e ardhur nga kryeqyteti. E kishin tashmë në laborator; fotografia e këpucës kalonte nga një laborator në tjetrin. Gjithsesi, asnjë rezultat konkret. Kryetari i Degës, një burrë i gjatë, pak i hollë, ishte zhytur në mendime; nuk i qeshte fytyra për asnjë çast. Në zyrën e tij hynin e dilnin vazhdimisht ekspertët e tij të preferuar; ishte bërë e vështirë ta takoje. Herë pas here hynte e dilte një sekretar që thërriste ndonjë operativ – ata rrinin fare pak dhe dilnin të ngarkuar me detyra të reja.

Armiku kishte kohë që bridhte i lirë. Kushedi, ndoshta ishte tashmë në kryeqytet dhe po përgatiste një atentat kundër ndonjë udhëheqësi. Kishte pasur kohë të krijonte lidhje. Vetëm katër-pesë vjet më parë, ish-kryeministri i vendit kishte vrarë veten, dhe kjo vetëvrasje ishte interpretuar si pasojë e zbulimit të lidhjeve të tij të fshehta me shërbimet e huaja. Armiku nuk fle. Kishte depërtuar thellë, dhe gjetja e tij bëhej gjithnjë e më e vështirë. Kryetari e mbështeti kokën mbi duart e shtrënguara, me tëmthat e ngrirë. Telashe me kolegët, telashe me eprorët – me kolegët tepër i ashpër, me eprorët tepër dhembshëm. Këtë herë puna ishte serioze; as vetë nuk i gjente kollaj përgjigjet.

Vendosi të shkonte vetë në zonë, por më parë nxori nga kasaforta listën e të gjithë bashkëpunëtorëve. Vetes i qortohej pse s’kishte ende rezultat. Kjo këpucë i mbante fatin në dorë: mund të ngrihej në detyrë, ose mund të ulej, mund të merrte vendin e operativit të zonës e të përballej vetë me krimin. Tani çdo lëvizje ia dukte të errët. Ah, kjo këpucë – sikur të mos ishte gjetur kurrë! Por edhe sikur kështu të kishte ndodhur, po të kapej shkelësi i ardhur dhe të pranonte se kishte kaluar kufirin, prapë përgjegjësia do të kishte mbetur mbi supet e tij. Nuk i gjendej vend as vetes. Kush kishte shkuar matanë për vizitë? Kush kishte ardhur nga jashtë në atë zonë? Kush mbante kësi këpucësh?

Vendosi të thërriste urgjentisht një takim specialistësh. Qëllimi ishte një: të zbulohej kush kishte kaluar kufirin dhe sa i rrezikshëm ishte. Organet qendrore ishin në gjendje alarmi dhe jepnin vazhdimisht sinjale për mungesë profesionalizmi në atë zonë. I hodhi operativët dhe organet e specializuara në të gjitha fshatrat rreth e rrotull, për të gjetur këpucën binjake të asaj të gjetur. Hetimet nuk sollën asnjë rezultat. Në një nga analizat e fundit, Kryetari, si kurrë më parë, kishte klithur kundër operativit të zonës; tashmë kishte filluar të lindte tek ai një farë urrejtjeje. Heshtja dhe qëndrimi i operativit e tmerronin.

Kryetari e sillte vazhdimisht në mendje pyetjen se çfarë duhej bërë me të. A mos ka ndonjë dijeni dhe e fsheh? E kishte kërcënuar tashmë në mbledhje. Operativi nuk kishte reaguar, por kishte thënë vetëm se nuk duhej të nxirreshin përfundime nxituese, se nuk kishte nevojë për klithma e bërtitje, por për gjykim të matur dhe prova të vërtetuara – ai vetë nuk kishte asnjë të dhënë. Operativi kishte mbaruar shkollën e lartë të sigurimit dhe, edhe pse i ri, kishte qenë i shkëlqyer; kishte pasur rezultate, jepte mendime të pjekura e profesionale, dhe mbi të gjitha ishte gjithnjë i përmbajtur. Nuk nxitohej, nuk fyente, nuk etiketonte askënd. Kërkonte prova; nga faktet nxirrte deduksione të rëndësishme.

Në një nga mbledhjet e fundit, ishte pikërisht ai që i kishte quajtur të paaftë drejtuesit e Degës, mes tyre edhe vetë Kryetarin – gjë që e kishte prekur aq më shumë, sepse në atë mbledhje ishte pranishëm edhe Zëvendësministri. Menjëherë pas mbledhjes, Kryetari e kishte thirrur në zyrë dhe, krejt pa takt, i kishte kërkuar shpjegime për fjalinë e tij dhe për problemet e ngritura para Zëvendësministrit.

Operativi “pelivan”, siç e etiketonte Kryetari, u përgjigj se e kishte fjalën për të paaftët dhe të pashkolluarit. Këtu shfaqej sërish ironia e tij e hapur ndaj eprorit, i cili, pas shkollës së mesme, kishte mbaruar vetëm shkollën dyvjeçare të Partisë e pastaj kishte drejtuar rrethe të ndryshme. Kryetari e kuptonte mirë se, në sytë e operativit, nuk kishte për të as pikën më të vogël respekt.

Tani ishte momenti t’i ulej hunda atij grindaveci, që as veshjen s’e mbante si kuadrot e tjerë, por shumë fine – e blinte gjithnjë te dyqani i dollarit, në katin e parë të hotel “Turizmi”, dyqan që në fakt shërbente për të huajt. Tani operativi kishte rënë në kurth: në zonën e tij ishte gjetur ajo këpucë që shkelësi e kishte lënë pas si një bombë.

Mendja e Kryetarit shkonte te vizitorët që kishin ardhur këndej dhe te ata që kishin shkuar andej. Për të gjithë ata kishte firmosur operativi i zonës, dhe kjo do të rëndonte mbi të.

Po sikur gjithë kjo histori të mos ishte veçse një alarm i rremë, një flluskë sapuni, e krijuar prej tij vetë? Ndërkohë operativi mbetej krejt i qetë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur; përpiqej madje t’i bindte eprorët se s’kishte asnjë problem shqetësues, se çështja e këpucës ishte fryrë tej mase. Vetë ai nuk kishte asnjë të dhënë për ndonjë të huaj që të kishte hyrë në territorin tonë, apo për ndonjë që të ishte larguar. E shihte çështjen me qetësi, i mbështetur në një detaj: këpuca ishte e vjetër, e përdorur, me tabanin gati të shkëputur.

Edhe atij i ishte dukur si e ardhur nga diku, por s’kishte dyshuar kurrë se autori mund të ishte shkelës kufiri. Dyshimi i tij i vetëm ishte: pse ishte hedhur pikërisht atje? Kishte shkuar disa herë ta shihte vendin dhe kishte peshuar mundësitë se si kishte mbërritur aty. Zona rreth e rrotull ishte ruajtur, me urdhër të Kryetarit, për disa ditë, derisa u bënë ekspertimet e riekspertimet. Kishin kaluar mbi dy muaj dhe ende s’po dilte gjurma e ndonjë agjenti të mundshëm. Ishte krijuar një rreth vicioz; dyshimet ishin shpërndarë në lloj-lloj versionesh.

Kryetari kërkonte fakte të reja, fakte që mungonin, dhe ishte gati ta akuzonte operativin si të paaftë e mendjemadh. Pasi i konsumoi të gjitha mundësitë, organizoi disa takime me Sekretarin e Parë, duke e njoftuar për çdo ditë që kalonte. Sekretari i Parë, njeri me prirje liberale, nuk e vlerësoi shumë; u kënaq vetëm me një porosi:

– Vigjilencë. Ju i dini detyrat tuaja. Më raportoni në çdo kohë.

Por Kryetari i Degës vazhdoi në të tijën.

Operativi i ri s’e kishte neglizhuar aspak çështjen e këpucës, edhe pse s’ishte i bindur se do të dilte gjë prej saj. Kishte shfrytëzuar të gjitha gjurmët e mundshme, kishte sjellë argumente bindëse se s’kishte pasur asnjë shkelje kufiri, se s’kishte problem serioz – por Kryetari vazhdoi të kërkojë mbledhjen e instancave të larta të Degës për ta rianalizuar çështjen e këpucës së pazbuluar.

– Nuk duhen krijuar alibi jo profesionale, – tha operativi në mbledhjen ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Parë.

Kryetari, gjithë arrogancë, nxori nga sirtari i tavolinës këpucën dhe iu drejtua kryeneçit:

– Atëherë, e kujt është kjo këpucë?

Operativi buzëqeshi me ironi:

– Këtë bëni mirë ta thoni ju, shoku kryetar. Kjo nuk është këpucë katundari, ndërsa në zonën time ka veçse katundarë.

Në sallë shpërtheu një e qeshur e papërmbajtur, dhe vetë Sekretari i Parë buzëqeshi para asaj përgjigjeje kaq të drejtpërdrejtë. Operativi shtoi, gjithnjë i qetë, se zona e tij ishte zonë fshati, ndërsa këpuca dukej se i përkiste një qytetari; nëse ndonjë qytetar ishte larguar, ishte detyrë e strukturave të qytetit të siguronin të dhënat. Sidoqoftë, sipas tij, çështja ishte pa peshë të veçantë. E rëndësishme ishte se s’kishte pasur asnjë cenim të kufirit, dhe se, në mënyrën më joprofesionale, një çështje që mund të hetohej me qetësi, ishte fryrë e kthyer në alarm. Nuk kishte nevojë t’i kushtohej më kohë, tha, sepse ishte i sigurt se do ta zbulonte të vërtetën – që, sipas tij, ishte thjesht një flluskë sapuni.

– Ti s’e ke mendjen te puna, por je thjesht një karagjoz që tallesh, – shpërtheu Kryetari, pa mundur ta përmbante veten.

Fytyra e operativit u ndryshua menjëherë; heshti pak, mori frymë thellë, dhe pa e humbur qetësinë, por me një ton të prerë, tha se s’kishte asnjë informacion tjetër për atë çështje dhe se s’kishte vend për hamendësime të kota. – Sa për fyerjet, mbani gojën: ju nuk jeni beu i Mezeqesë, por Kryetari i një institucioni të rëndësishëm, dhe unë nuk lejoj që dikush të më fyejë e të më ulërasë. Nëse pas kësaj fshihet ndonjë qëllim për të akuzuar apo për të nëpërkëmbur dikë, kjo është çështja juaj.

Sekretari i Parë u ngrit menjëherë në këmbë. Kryetarit i kishin rënë si plumb fjalët e operativit të ri.

– Organet e Partisë në strukturat tuaja t’i analizojnë thellë ngjarjet. Të nxirret një përfundim i qartë dhe të më njoftoni menjëherë, – iu drejtua operativit, – ju do të mbani përgjegjësi për vonesën në zbulimin dhe hetimin e së vërtetës.

– Kurse ju, – iu drejtua Kryetarit, – askush s’ju ka dhënë të drejtë të fyeni njeri. Sidoqoftë, ju pres të dy në zyrën time pas një ore.

Operativi u drejtua nga zyra e tij në komisariat, por, ende pa e hapur derën, dëgjoi zilen e telefonit dhe vrapoi ta kapte receptorin.

– Shef, – dëgjoi një zë që i erdhi nga larg, si nga nëntoka, – sot u gjet edhe këpuca tjetër, në arën e Zenelit. Thotë se është e të birit, student në Universitetin e Tiranës.

Operativi mori frymë thellë. – Do të jem atje pas dy orësh. Mos komunikoni me askënd.

Në zyrën e Sekretarit të Parë, debati kishte qenë i ashpër. Operativi nuk e kishte përmbajtur më veten dhe e kishte quajtur Kryetarin arrogant e prepotent, duke i kërkuar Sekretarit të Parë një qëndrim të prerë – ndryshe do t’u drejtohej vetë udhëheqësve të lartë të Partisë.

– Ti fsheh të vërtetën për këpucën? Mos je ndonjë gjarpër që bashkëpunon me…?

– Mbajeni gojën, shoku kryetar, – ia priti operativi i ri. – Ju keni bërë hetime paralele pa më njoftuar, madje keni akuzuar bashkëpunëtorë jashtë çdo ligji, pa u konsultuar as me bazën.

– Shoku Sekretar, kërkoj edhe dy ditë kohë dhe do t’ua vërtetoj se gjithë kjo histori s’është veçse një flluskë sapuni, që vjen nga paaftësia dhe…

– Partia ju ka besuar një detyrë, dhe ju s’mund të vendoseni mbi Parti duke i quajtur të paaftë eprorët, – iu drejtua Sekretari i Parë.

– Eprorët tanë jo vetëm s’na besojnë, po as s’na lënë të punojmë të qetë…

*
*      *

Nata kishte rënë dhe jashtë ishte errësirë e plotë. Ndërsa në zyrën e Sekretarit të Parë, Kryetari dhe operativi vazhdonin të akuzonin njëri-tjetrin, u dha sërish sinjali i alarmit. Nga pika vëzhguese në majë të kodrës, në breg të liqenit, ishin goditur me snajper dy shkelës kufiri. Zona u rrethua menjëherë dhe u kalua në gadishmërinë e kategorisë së parë.

– Fjalët i merr era, djalosh, – iu drejtua titullari i lartë operativit të ri, – armiqtë hyjnë e dalin sikur ky të ishte han pa porta. Urgjent në zonë! Forcat e kufirit lanë të vrarë jo një, po dy shkelës.

Makina u nis drejt anës tjetër të liqenit, ku dy trupa notonin mbi ujë. Në atë makinë udhëtonin bashkë, si dy armiq, Kryetari dhe operativi kryeneç. Pa mbërritur mbi urë, Kryetari i tha:

– Gjej vrimë ku të futesh.
– Mos fol para kohe; të mbërrijmë në vendngjarje e ta shohim vetë.

Kryetari mendoi se më në fund e kishte zënë në kurth operativin e ri, që dukej se e kishte humbur qetësinë – tashmë mund të tallej me shqetësimin e tij, madje ta poshtëronte e ta drejtonte vetë arrestimin, pasi të përgatiste një raport të hollësishëm për qendrën.

Makina kaloi pranë shtëpisë së pushimit të pionierëve dhe u drejtua drejt një zone të pabanuar, ku ndodhej një pikë e vogël por e rëndësishme, ajo e Zogajve, në breg të liqenit.

Zona ishte rrethuar me ushtarë të shumtë. Një varkë u afrua në breg; në të u ngjitën Kryetari, operativi i ri, dy ushtarë të armatosur dhe dy oficerë kufiri, dhe filloi të lundronte mbi ujë. Disa varka të tjera e ndoqën pas, ndërsa prozhektorët nga bregu ndriçonin territorin vetëm disa metra para, duke lënë pjesën tjetër në errësirë.

Kur arritën te trupat, panë se ishin dy derra të egër. Operativi i ri zgjati dorën, kapi njërin nga veshi dhe qeshi me gjithë zë:

– E bëmë punën, apo jo?!

Kryetari s’e njihte veten nga inati.

– Më ktheni urgjentisht në breg, – urdhëroi operativi i ri.
– Këtu urdhrat i jap unë, – tha Kryetari plot përbuzje, ndërsa varkat rrethonin dy derrat që notonin në ujin e përgjakur.

– Kërkoj urgjentisht të kthehem në breg, për çështje pune. Ndryshe, ju do të përgjigjeni para shtetit dhe drejtësisë. Duhet të jem në ujërrjedhën e lumit sa më parë; përgjegjësia për vonesën do të mbetet mbi ju.

Oficerët e kufirit, pa kuptuar asgjë, e vështronin operativin, që guxonte të kundërshtonte dikë që rrallëkush kundërshtonte.

– Në breg, – tha Kryetari me gjysmë zëri, e për një çast desh e kapi për fyti për ta hedhur në ujë. Ndjeu se po poshtërohej para syve të ushtarëve.

Sapo doli në breg, operativi i ri iu drejtua shoferit:

– Dua të jem sa më shpejt pranë piramidës trembëdhjetë.

Shoferi hodhi një shikim nënçmues nga ana e Kryetarit.

– Këtu, operacionin e drejtoni ju, – i tha operativi Kryetarit, – kështu ka urdhëruar Sekretari i Parë. Unë jam në krye të detyrës sime, pranë piramidës trembëdhjetë, për çështje tepër të rëndësishme, për të cilat do t’ju raportoj në zyrë.

Ç’dreqin di ky, mendoi Kryetari. Kushedi ç’ka kurdisur. Por nuk kishte më kurajë ta ndalte; ishte bërë vërtet si një bishë që askush nuk kishte më forcë ta frenonte. I bëri me dorë shoferit dhe dy ushtarëve ta shoqëronin.

Makina mori bregun e liqenit, pastaj rrjedhën e lumit, aty ku ngrihej ura e vetme, që hapej sa herë kalonin anijet drejt liqenit. Kaloi fabrika e çimentos, fshati i parë, i dyti, dhe tashmë po i afroheshin kufirit.

Po sikur ai të ikte, mendoi për një çast Kryetari, pas gjithë asaj sulmi që kishte bërë. Rrëmbeu telefonin dhe urdhëroi përforcime në jug të malit, përballë qytetit. Urdhëroi oficerët e kufirit të dërgonin përforcime serioze pranë piramidës trembëdhjetë. – Të hapet zjarr pa paralajmërim, për çdo lëvizje të dyshimtë, – urdhëroi Kryetari. Ah, sikur të mbetej i shtrirë prej ndonjë plumbi!

– Ndalo këtu, – i tha shoferit. – Ti, – i tha njërit prej ushtarëve, – vjen me mua, kurse ti rri me shoferin. Mund të vonohemi.

Kaluan pranë disa shtëpive të rrethuara nga pemë dhe u ndalën në oborrin e një shkolle, në cepin e së cilës ngrihej një ndërtesë e vogël, ku një dritë ndriçonte zbehtë.

Operativi u afrua te xhami dhe e goditi disa herë me njërin nga çelësat e tij. Roja u ngrit menjëherë dhe i ftoi të hynin brenda.

– Jo, – i tha, – ky ushtar do të rrijë këtu pak kohë. Unë dua atë porosinë time.

Roja largoi dyshekun mbi të cilin flinte dhe nxori prej andej një pako të mbështjellë me gazeta. Operativi e mori, u drejtua nëpër një rrugicë dhe humbi në errësirën e natës. Trokiti në derën e njërës prej shtëpive. I zoti i shtëpisë e ftoi brenda, por ai pyeti për djalin, të cilin donte ta takonte. Tjetri i bëri shenjë të hynte.

– Ka ardhur, është zgjuar, po studion.

U fut në dhomën e ndenjes, ku pas pak u shfaq djaloshi, student në vitin e fundit në Universitetin e Tiranës. Plaku doli nga dhoma, ndërsa operativi hapi menjëherë pakon dhe e pyeti djalin për këpucën. Ky qeshi dhe u kthye nga ai:

– Po pse e ruani kaq shumë këpucën time?

– A je i sigurt që kjo këpucë është e jotja? – pyeti operativi.

– Si buka që ha! Këto këpucë m’i kanë bërë me porosi në Tiranë, pranë ëmbëltores “Flora”. Të tilla kanë ende shokët e mi në fakultet.

– Nesër do të shkosh në Tiranë? – pyeti operativi.
– Po, do të udhëtoj me trenin që niset në drekë.
– Atëherë vjen me mua, me makinë? Kam ditëlindjen e vëllait tim, student edhe ai, dhe dua t’i porosis një palë të tilla.
– Sigurisht, me kënaqësi. Të vij unë të të marr; në orën 11 të jesh gati.

Dera e dhomës u hap dhe plaku hyri brenda me një shishe raki dhe një pjatë meze.

– Sa mirë, se plasa ta pi një gotë, – tha, plot entuziazëm, operativi i ri.
– Pse vetëm një? – ia ktheu plaku. – Gjithë shishen do ta pimë sonte!
– Jo, s’kam kohë; nesër shkoj në Tiranë, për ditëlindjen e vëllait, dhe djali yt do të më bëjë edhe një shërbim të vogël.

E kapi gotën dhe e piu menjëherë. I zoti i shtëpisë ia mbushi sërish, por ai e kundërshtoi.

– Prit, – tha plaku dhe doli nga dhoma; pas pak u kthye me një letër, ku mbështillte disa “putarka” (kështu i quante vezët e thara të peshkut). – Janë të mira për pije. Merri, bir!

Operativi i mbështolli në dorë dhe u nis të largohej. U ndal te shkolla, ku kishte një prej zyrave të tij, futi këpucën në kasafortë, u drejtua nga vendroja dhe, pasi mori ushtarin e armatosur, u nis drejt makinës.

Gjatë rrugës, plot humor, hidhte batuta e tregonte histori gazmore, por shoferi rrinte i heshtur; nuk arrinte ta kuptonte se si i kishte ndryshuar ai njeriu.

Një autokolonë makinash u shfaq përballë tyre. Operativi ndaloi dhe zbriti; disa oficerë me prozhektorë në dorë ia ndriçuan fytyrën.

– Çfarë ka ndodhur? – pyeti ai, pa kuptuar asgjë.
– Ja, erdhëm të të ndihmojmë, meqë kishe problem të madh pranë piramidës trembëdhjetë.
– Unë s’kam thënë asnjëherë se kisha problem të madh pranë piramidës trembëdhjetë, por se, për çështje pune, duhej të isha pranë saj.

Tjetri e pyeti ashpër:

– Pse u largove ashtu nga operacioni?
– Po operacionin e drejtoni ju, nëse quhet operacion, – u përgjigj operativi.

Makina, me shoferin, Kryetarin dhe operativin brenda, u nis drejt qytetit.

– Nesër do të jem në Tiranë, për ditëlindjen e vëllait.
– Nesër do të jesh në zyrën time, të japësh llogari për gjithë ç’ke bërë.
– Nesër do të jem në zyrën tënde vetëm sa të njoftoj zyrtarisht se do të shkoj në Tiranë.

Kështu, operativi i ri shkoi në Tiranë pa lejen e Kryetarit, ndërsa ky i fundit përgatiste shkarkimin e tij zyrtar. Ndërkohë, operativi kreu të gjitha hetimet e nevojshme dhe përpiloi një raport të hollësishëm. Të gjithë mbetën të shtangur kur ai nxori në dritë të vërtetën: një këpucë e vjetër, dhe asnjë shkelës kufiri.

…Shpejt kohët ndryshuan, dhe ajo periudhë mbylli kapitullin e vet. Operativi emigroi, u shkollua në një akademi artesh dhe u bë piktor, ndërsa Kryetari përfundoi në burg.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.