Besnik Fishta
Në një epokë të karakterizuar nga zhvillimi i vrullshëm teknologjik, globalizimi dhe transformimi i metodave të të nxënit, sistemi arsimor përballet me sfidën për të gjetur forma të reja që e bëjnë mësimin më aktiv, më kërkimor dhe më tërheqës për nxënësit. Krahas teknologjive digjitale, ekzistojnë edhe mjete tradicionale, të cilat, të ripërshtatura sipas kërkesave të kohës, mund të ofrojnë një vlerë të jashtëzakonshme pedagogjike. Një prej tyre është filatelia.
Filatelia nuk është thjesht koleksionimi i pullave postare. Ajo përfaqëson një disiplinë kulturore, historike dhe edukative, e cila ndërthur njohuritë e shumë fushave dhe i nxit nxënësit të vëzhgojnë, të analizojnë, të kërkojnë dhe të ndërtojnë lidhje ndërmjet ngjarjeve, vendeve, personaliteteve dhe fenomeneve natyrore. Kjo ngre një pyetje thelbësore: përse një mjet me kaq potencial edukativ ka mbetur pothuajse jashtë shkollës së shekullit XXI, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë?
Çdo pullë postare është një dokument i vogël kulturor. Brenda pak centimetrash katrorë ajo mund të pasqyrojë historinë e një kombi, një ngjarje të rëndësishme, një figurë të shquar, një specie të rrallë, një monument kulture apo një arritje shkencore. Në lëndën e historisë, pullat ndihmojnë nxënësit të njohin periudha, personalitete dhe ngjarje historike në mënyrë konkrete. Në gjeografi ato prezantojnë shtete, qytete, peizazhe dhe monumente natyrore.
Në biologji paraqesin biodiversitetin, florën dhe faunën, duke forcuar ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit. Në art, ato ofrojnë modele të dizajnit grafik, kompozimit dhe simbolikës, ndërsa në edukimin qytetar nxisin respektin për identitetin kombëtar, trashëgiminë kulturore dhe vlerat universale. Filatelia zhvillon gjithashtu aftësi kërkimore. Një nxënës që studion një pullë nuk mjaftohet vetëm me pamjen e saj, por kërkon të kuptojë historinë, autorin, kohën e emetimit dhe mesazhin që ajo përcjell. Në këtë mënyrë zhvillohen mendimi kritik, analiza, krahasimi dhe puna me burime të ndryshme informacioni.
Arsimi bashkëkohor synon të zhvillojë kompetenca dhe jo vetëm të transmetojë njohuri. Në këtë këndvështrim, filatelia është një mjet që i përgjigjet natyrshëm këtij objektivi. Punët kërkimore mbi pullat postare nxisin komunikimin, bashkëpunimin në grup, aftësinë për të prezantuar rezultate, kreativitetin në përgatitjen e ekspozitave dhe përdorimin e teknologjisë për kërkimin e informacionit. Kështu, filatelia ndërthur mësimin tradicional me mjetet digjitale dhe krijon një proces mësimor aktiv, ku nxënësi është pjesëmarrës dhe jo vetëm dëgjues. Njëkohësisht, ajo kultivon durimin, përpikërinë, organizimin dhe përgjegjësinë, cilësi që mbeten të rëndësishme në çdo etapë të jetës.

Megjithëse potenciali edukativ i filatelisë është i njohur në shumë vende, ajo ka humbur terren në sistemet arsimore moderne. Një nga arsyet është përparësia që i është dhënë teknologjisë digjitale, ndërsa materialet tradicionale janë konsideruar të vjetruara. Një tjetër arsye lidhet me ndryshimin e prioriteteve të politikave arsimore, të cilat janë përqendruar kryesisht në teknologjitë e informacionit, duke lënë në plan të dytë mjetet alternative të edukimit. Po aq i rëndësishëm është edhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, administratave postare dhe klubeve filatelike. Në mungesë të projekteve të përbashkëta, filatelia ka mbetur kryesisht aktivitet individual ose hobi i koleksionistëve, pa u shndërruar në një instrument të organizuar mësimor.
Në Shqipëri dhe Kosovë ekziston një trashëgimi e pasur filatelike që pasqyron historinë kombëtare, kulturën, natyrën dhe personalitetet më të rëndësishme. Megjithatë, kjo pasuri përdoret shumë pak në procesin mësimor. Programet shkollore nuk e trajtojnë filatelinë si burim didaktik. Tekstet mësimore pothuajse nuk e përmendin atë, ndërsa mësuesit nuk disponojnë materiale metodike që të ndihmojnë përdorimin e saj në klasë. Nga ana tjetër, mungojnë partneritetet afatgjata ndërmjet ministrive të arsimit, Postës së Shqipërisë, Postës së Kosovës dhe klubeve filatelike. Për pasojë organizohen shumë pak konkurse, ekspozita apo veprimtari edukative që t’i afronin nxënësit me këtë botë të pasur kulturore. Kjo situatë përfaqëson një mundësi të humbur. Një pjesë e rëndësishme e historisë, identitetit dhe kujtesës kombëtare mbetet jashtë procesit edukativ, ndonëse mund të shfrytëzohej me kosto të ulët dhe me ndikim të madh në formimin e brezave të rinj.

Në shumë vende të botës filatelia vazhdon të jetë pjesë e projekteve edukative. Administratat postare organizojnë konkurse për nxënësit, botojnë materiale didaktike dhe bashkëpunojnë me shkollat për ekspozita tematike. Muzetë postarë ofrojnë programe edukative për fëmijët, ndërsa klubet filatelike zhvillojnë aktivitete që ndërthurin historinë, gjeografinë, shkencën dhe artin. Këto praktika tregojnë se filatelia nuk është një pasion i së kaluarës, por një mjet bashkëkohor që mund të përshtatet lehtësisht me kërkesat e arsimit modern.
Për ta rikthyer filatelinë në shkollë nuk nevojiten investime të mëdha, por një vizion i ri bashkëpunimi. Së pari, mund të krijohen klube filatelike në shkolla, ku nxënësit të zhvillojnë veprimtari kërkimore dhe koleksionuese. Së dyti, organizimi i kuizeve, konkurseve dhe ekspozitave filatelike do ta bënte mësimin më motivues dhe më praktik. Së treti, pullat postare mund të përdoren si materiale ndihmëse në histori, gjeografi, biologji, art dhe edukim qytetar. Po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi institucional ndërmjet ministrive të arsimit, Postës së Shqipërisë, Postës së Kosovës, muzeve dhe klubeve filatelike për hartimin e materialeve didaktike dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Ne perfundim shprehemi qe filatelia nuk duhet të shihet si një nostalgji e brezave të kaluar. Ajo është një burim i pasur njohurish, një mjet ndërdisiplinor dhe një urë lidhëse ndërmjet historisë, kulturës, shkencës dhe qytetarisë. Nëse arsimi i shekullit XXI synon të formojë qytetarë kërkues, kritikë dhe të vetëdijshëm për trashëgiminë e tyre, atëherë filatelia meriton të rikthehet në klasë. Shqipëria dhe Kosova disponojnë një pasuri filatelike të konsiderueshme, e cila pret të shndërrohet nga një koleksion i heshtur në një laborator të gjallë të dijes. Integrimi i saj në sistemin arsimor nuk do të ishte një kthim pas, por një hap përpara drejt një edukimi më kreativ, më gjithëpërfshirës dhe më të lidhur me historinë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.


