20.4 C
Tirana
E premte, 25 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NJË HISTORI MESUESI QË TË BËN PËR VETE

NJË HISTORI MESUESI QË TË BËN PËR VETE

2
Rexhep Selim Ejupi

Kur një njeri lind, biografia e tij është krejt bosh. Drejtimi që ai do të marrë gjatë jetës varet nga familja dhe shoqëria në të cilën edukohet dhe formohet.

Rexhep Selim Ejupi kishte fatin që të rritej në një ambient të shëndoshë familjar. Mirëpo, në kohën kur ai lindi në komunën e Podujevës, shkollat shqipe nuk ekzistonin.

Në vitin 1921, e ashtuquajtura Mbretëri Serbo-Kroate-Sllovene kishte ndërtuar shkolla, por ato ishin të destinuara vetëm për fëmijët e kolonëve serbë dhe malazezë. Shqiptarët autoktonë ishin të diskriminuar dhe të trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Dhuna mbi ta ishte e egër dhe çnjerëzore. Më 11 janar 1921, në fshatrat e Llapit dhe Gallapit, njësitet çetnike të udhëhequra nga Kosta Peçanac kryen krime të rënda, duke lënë pas plagë të thella në kujtesën kolektive, si masakrat e Prapashticës dhe Keçekollës.

Deri në ardhjen e gjermanëve, shkollat e ndërtuara në Podujevë dhe Sibovc të Epërm më 1921 shfrytëzoheshin vetëm nga serbët dhe malazezët. Shkolla në Podujevë mbante emrin “Kosta Vojinoviq”, një simbol që jo vetëm impononte pushtetin, por edhe provokonte ndjenjën e padrejtësisë te vendasit.

Gjatë viteve 1941–1944, në rrethana të ndërlikuara historike, u hapën për herë të parë 15 shkolla shqipe në komunën e Podujevës. Në mungesë të mësuesve të kualifikuar, rolin e mësuesit e morën mbi supe hoxhallarë përparimtarë, të cilët u mësuan fëmijëve alfabetin shqip, duke ndezur shkëndijat e para të arsimit kombëtar.

Ndër ta dalloheshin: Shaqir Halil Visoka, Hamit Sejdiu, Sylejman Hysë Popova, Hashim Kuleta, Ramë Shajkovci, Sabit Haliti, Maliq Mahmuti-Sekiraqa, Halit Majkovci, Hajriz Bllaca, Qazim Stublla, Hashim Syla-Obrazhda, Ramadan Jakupi-Dedaj, Bahtir Azemi, Ramë Govori etj.

Në këtë periudhë të trazuar shquhet veçmas Jahja Fusha, i diplomuar në Normalen e Shkupit, i cili më 16 shtator 1943 u zgjodh delegat i Kongresit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Por kjo veprimtari patriotike pati si çmim jetën. Më 2 dhjetor 1944 u ekzekutua bashkëshortja e tij shtatzënë, Lucia Geo-Fusha, ndërsa dy javë më vonë u ekzekutua edhe ai vetë. Edhe sot ata mbeten pa varre – një dëshmi e dhimbshme e kohës.

Në këtë realitet të ashpër u rrit Rexhep Selim Ejupi. Ai, së bashku me vëllain e tij Ademin, ndoqi mësimet në shkollën “Skënderbeg” në Podujevë, e cila më vonë, nga komunistët jugosllavë, u riemërtua “Bratstvo-Jedinstvo”.

Në këtë shkollë punuan si mësues: Ismail Zymeri, Rashit Hasani, Hasan Bilalli, Sylejman Hysë Popova, Adem Guta dhe Sylejman Llapashtica, ndërsa në Bajçinë, në shkollën “Bashkimi”, që ishte paralele e ndarë, mësues ishte Sylejman Bajrami.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shpresat për bashkim me Shqipërinë u shuan. Kosova mbeti nën Jugosllavinë e Titos dhe shqiptarët vazhduan të jetonin nën trysni, dhunë dhe padrejtësi. Vetëm në vitin 1945, në emër të luftës kundër “reaksionit”, u vranë rreth 50 mijë shqiptarë.

Megjithatë, Rexhepi nuk u dorëzua. Pas përfundimit të progjimnazit, ai kreu kurset pedagogjike në Prishtinë dhe në Gjakovë, të cilat ishin burimi kryesor i kuadrove të ardhshme arsimore të asaj kohe. Ai herët e kuptoi se arma më e fortë kundër padrejtësisë ishte arsimi. Shqiptarët vetëm të arsimuar mund të çliroheshin nga sllavizmi dhe prangat e robërisë.

Familja e tij ishte e njohur për fisnikëri e mikpritje. Kishte mbi 13 hektarë tokë të klasit të parë dhe jetë të rregullt. Ishte një familje ku miku nderohej me zemër, pleqtë dëgjoheshin me respekt dhe fjala e tyre kishte peshë.

Por realiteti përreth ishte i zymtë. Shumë familje jetonin në skamje. Në kohët e “zisë së bukës” kishte edhe raste vdekjeje nga uria. Reforma agrare kishte lënë shumë shqiptarë pa tokë, ndërsa në Gllamnik ishin vendosur 43 familje kolonësh serbë e malazezë.

Kjo “reformë” i kishte lënë pa tokë edhe vëllezërit Sherif dhe Hajdar Hajdari, të cilët u strehuan përkohësisht në pronën e Abdyl Mustafës-Lalës dhe Abdyl Mehmet Ejupit.

Përveç uzurpimit të tokës, xhandarmëria serbe kishte keqtrajtuar rëndë Sherif Hajdarin dhe kushëririn e tij, Islam Rama.
Pjesë e këtij sfondi të errët mbeten edhe rrëfimet rrëqethëse të Hanife Vokrri-Ejupit. Ajo, me lot në sy, tregonte se si ngrohte gurë në oxhak për t’ua mbajtur fëmijëve këmbët të ngrohta gjatë dimrit. Si grua e ve, me 7 fëmijë të vegjël, ajo luftonte me tërë qenien për të siguruar bukën e gojës.

Këto përjetime të bashkëfshatarëve e formësuan Rexhepin dhe ia ngritën në zenit dëshirën për profesionin e mësuesit. Ai sikur u betua se puna e mësuesit do të ishte misioni i tij jetësor, kurse lufta kundër çrrënjosjes së analfabetizmit u bë betimi i tij.

Ai punoi në kushte tepër të vështira në shkollën “Danilo Vukiçeviq” në Sveçël (sot “Ali Ajeti”) dhe në paralelet e saj në Dumosh. Në fillim të viteve ’60, vazhdoi punën në shkollën “Ganimete Tërbeshi” në Gllamnik, ku drejtor ishte Hilmi Blakçori nga Letanci i Podujevës.

Ish-nxënësit e tij – Hamdi Mustafa-Lala, Nimon Bahtiri, Ramadan Selatin Mustafa, Gjylie Aziz Ejupi, Shemsije Hasan Ejupi, Gjezide Mustafa-Lala, Fexhrije Mustafa-Lala, Jusuf Murat Ejupi, Abdylkadri Selim Ejupi, Remzije Selim Ejupi, Abdyrrahman Adem Ejupi, Sefë Ejupi-Zijaça, Hajdar Ejupi-Zijaça etj. – edhe pse kanë kaluar mbi gjashtë dekada, e kujtojnë me respekt dhe mall të pashuar atë periudhë.

Rexhepi, së bashku me mësues të tjerë si Bahtir Azemi, Ajet S. Hoti, Jetish Rekaliu, Faik Ahmeti-Latifi, Bajram Dema, Sabit Sadiku-Piraci, Shaban Imeri-Zebica, Bajram Shala, Fahri Sejdiu, Fazli Llugaliu, Adem Bejta, Xhafer Ilaz Ejupi, Idriz Gashi, vëllezërit Rexhep e Ruzhdi Rexhepi-Oraca, Halil Osman Breznica, Shemsi Gërguri, Ismail Hoti, Hamit Kajtazi etj., konsiderohet ndër themelvënësit e kësaj shkolle.

Ai, përveç që ishte mësues, ishte edhe misionar i progresit dhe i njerëzores. Me përkushtim të rrallë, hapte “dritare drite” në çdo shtëpi shqiptare. Nuk përhapte vetëm dije, por edhe mesazhe të vazhdueshme ndërgjegjeje, dashurie për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Ai ishte i përpiktë në punë. Ishte parimor, korrekt dhe shumë i dashur. Përveç mësimeve, nxënësve u mësonte respektin dhe solidarizimin me njëri-tjetrin.

Së bashku me Xhafer Ilaz Ejupin, trokiste derë më derë për të bindur prindërit se edhe vajzat duhet të shkolloheshin. Përpjekjet e tyre nuk mbetën vetëm fjalë. Rexhepi dhe Xhaferi dhanë shembullin duke regjistruar në shkollë motrat dhe vajzat e familjes së tyre.
Andaj, të gjithë ata që e njohën mësuesin Rexhep e kujtojnë si njeri të qetë dhe të edukuar.

Ai, deri më 5 shtator 1980, kur ndërroi jetë papritur nga një sulm në zemër, s’reshti së ndihmuari të tjerët, sidomos ata që kishin kushte të rënda ekonomike.

Me urtësi e mirësjellje la pas një emër të ndritur: mësues i përkushtuar, nëpunës i palodhshëm, njeri i besueshëm dhe baba shembullor.

Rexhep Selim Ejupi mbetet ndër mësuesit e parë llapjanë që s’kurseu asgjë për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të para të nxënësve në shkollat e fshatrave Sveçël, Dumosh dhe Gllamnik të Llapit.

ARIF EJUPI

2 KOMENTE

  1. Njerëzit e mirë duhet përkujtuar edhe humë vite pas vdekjës.
    ½
    Mësuesi Rexhep, paske jetuar vetëm 45 vjet, por paska dhënë shumë të mira atij vendi, atij populli dhe atyre nxënësve të cilët i paska bërë për veti dhe të cilët kanë si obligim ta përkujtojnë në përvjetorët e lindjës apo vdekjës.

    Ju z. Arif, keni bërë një shkrim me vlerë, ngasë edhe pas 46 vjiteve nga vdekja e përkujtoni mësuesin Rexhep Ejupi, anipse, sigurisht ju keni qenë i ri, apo i palindur, kur ai ka vdekur!?

    I lum ai popull, nga gjiri i të cilit lind e rritët një njeri, i cili, me veprat e tij mbetet në kujtesën e gjatë të atij populli, sepse populli e ka dashur.

    Respekt,
    Ismet M. Hasani, Suedi

  2. Zoti Hasani,

    Njerëzit krijues dhe ata që dinë ta çmojnë e ta vlerësojnë punën e të tjerëve i kam çmuar dhe do t’i çmoj deri në frymën e fundit. Duke e njohur mirësjelljen dhe respektin që tregoni vazhdimisht ndaj të gjithëve, e ndiej si obligim t’ju sqaroj edhe diçka lidhur me mësuesin Rexhep Ejupi.

    Me mësuesin Rexhep jemi të së njëjtës linjë gjaku. Gjatë viteve 1974–1978, kur isha nxënës në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, i adhuroja me gjithë shpirt klubet kosovare të futbollit. Baci Rexhë, asokohe nëpunës në Komunën e Podujevës, shpesh merrte nga dy numra të gazetës “Rilindja” dhe njërin ma jepte mua. Me një dozë humori më thoshte: “Lexoje krejt gazetën, e jo vetëm sportin!”

    Ai ishte njeri bamirës dhe dorëhapur. U ndihmonte pa kursim atyre që gjendeshin në vështirësi materiale dhe ishte i respektuar nga të gjithë ata që e njihnin.

    Kur vdiq, më 5 shtator 1980, unë isha student në Universitetin e Prishtinës. Lajmin për vdekjen e tij, jo vetëm unë, por të gjithë ne që e njihnim dhe e çmonim, e pritëm me dhembje dhe pikëllim të papërshkrueshëm.

    Prandaj, shkrimi im për të nuk buron vetëm nga dëshira për të përkujtuar një mësues të mirë, por edhe nga kujtimet e mia personale për një njeri të afërt, fisnik dhe bujar, të cilin pata fatin ta njoh nga afër.

    Ju falënderoj për fjalët e mira dhe për respektin që treguat ndaj kujtimit të tij.

    Me respekt,
    Arif Ejupi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.