Xhelal Zejneli
Akademitë e shkencave janë institucione më të larta shkencore dhe artistike kombëtare që i tubojnë intelektualët kryesorë. Detyra kryesore të tyre janë nxitja, organizimi dhe zbatimi i kërkimeve shkencore, nxitja e zhvillimit të arteve, kujdesi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe dhënia e këshillave strategjike organeve shtetërore.
Struktura dhe detyrat kryesore të akademive mund të përmblidhen në disa lëmenj kryesorë:
– Kërkime shkencore: Nëpërmjet instituteve dhe qendrave të tyre shkencore, kryejnë kërkime rrënjësore dhe të zbatueshme në disiplina të ndryshme shkencore.
– Krijimtari artistike: I tubojnë artistët e shquar dhe e nxisin zhvillimin dhe vlerësimin e artit muzikor, të artit figurativ, të letërsisë dhe artit të interpretimit.
– Rol këshillues: Hartojnë dokumente strategjike, analiza dhe mendime profesionale për nevojat e shtetit dhe të shoqërisë, sidomos në përkufizimin e politikave kombëtare dhe kulturore.
– Identiteti kombëtar: Kujdesen për standardizimin dhe për studimin e gjuhës kombëtare dhe të trashëgimisë historike dhe kulturore (p.sh. hartimi i fjalorëve, përcaktimi i drejtshkrimit dhe krijimi apo hartimi i enciklopedive).
– Bashkëpunimi ndërkombëtar: Bashkëpunojnë me akademitë dhe me universitetet e ngjashme të mbarë botës dhe shkëmbejnë përvoja shkencore dhe akademike.
– Botimi i veprave dhe i punimeve studimore si dhe afirmimi i tyre: Botojnë punime shkencore, libra, përmbledhje punimesh, revista dhe organizojnë tribuna publike, simpoziume dhe ekspozita.
Në rajon veprojnë disa institucione të tilla qendrore.
* * *
Në botën shqiptare kemi dy akademi: Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, të themeluar në vitin 1972 dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të themeluar në vitin 1975.
Ka të tillë që thonë: “Akademitë e shkencave të shqiptarëve nuk janë në krye të detyrës”. Ka të tillë që flasin edhe më zi se kaq.
Prej vitit 1991 Shqipëria është ballafaquar me probleme të shumta politike, ekonomike, sociale, morale, me kriza formash të ndryshme, me shpopullimin e vendit, me shpërnguljen masive të popullatës dhe të rinjve, me ikjen e trurit etj.
Akademia e shkencave është institucioni shkencor më i lartë i shtetit dhe i shoqërisë. Akademikët apo anëtarët e Akademisë janë njerëz të privilegjuar të shoqërisë. Përpos pagave mujore të rregullta, ata kanë edhe të hyra të tjera. Shpesh qëllon të jenë nëpër konferenca dhe simpoziume shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Për angazhimet e tilla shpërblehen me honorarë.
Akademikët e dy akademive shqiptare a i kanë kryer detyrimet e punës që ua imponon titulli dhe sa i kanë kryer ato?! Brenda periudhës së pluralizmit apo të tranzicionit a kanë bërë hulumtime, kërkime dhe gjurmime shkencore? Çfarë kërkimesh, hulumtimesh dhe gjurmimesh shkencore kanë bërë? A kanë shpikur diçka dhe a kanë zbuluar diçka? A kanë hyrë nëpër arkivat e vendeve të caktuara,? A kanë shkelur nëpër bibliotekat e vendeve të caktuara? A kanë hartuar ndonjë plan, program, platformë kombëtare? A kanë përpiluar ndonjë projekt apo elaborat kombëtar?
Prej vitit 1991 e deri më sot, asnjë akademik shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk ka dhënë dorëheqje nga detyra e akademikut! Dorëheqje në shenjë pakënaqësie me politikën e shtetarëve, të pushtetarëve dhe të qeveritarëve? Dorëheqje si akt moral në shenjë mospajtimi me qëndrimet dhe veprimet e politikanëve autoritarë, autokratë, despotë, tiranë dhe diktatorë?!
Prej vitit 1991 e deri më sot, në botën shqiptare nuk dha dorëheqje, qoftë edhe si akt moral, asnjë shtetar, asnjë pushtetar, asnjë qeveritar, asnjë ministër, asnjë zëvendësministër, asnjë deputet, asnjë kryetar komune, asnjë kryetar bashkie, asnjë drejtor i përgjithshëm.
Shteti vlon prej problemeve, dorëheqje s’jep askush! A thua shqiptarët janë kaq të etshëm dhe të unët për karrige, për kolltuk, për favore, për privilegje, për karrierë?
Establishmenti apo elita institucionale e qeverisjes, përkatësisht strukturat e pushtetit politik dhe shoqëror duhet të punojnë për pasurimin e vendit dhe jo të vetvetes. Akademikët shqiptarë duhet t’i dalën zot punës së tyre dhe t’i arsyetojnë rrogat, pagat, honorarët, udhëtimet nëpër vende të ndryshme. Sa akademikë në periudhën e pluralizmit kanë hyrë në arkivat apo në bibliotekat e qendrave politike historike, si: Vatikan, Vjenë, Berlin, Romë, Londër, Paris, Shën Petersburg (i njohur më parë si Petrograd, më vonë Leningrad), Selanik, Athinë, Stamboll, Kajro, Bukuresht, Budapest, Zagreb etj.?
Akademiku duhet të dijë gjuhë të huaj, si: greqishten e vjetër, latinishte, italishten, frëngjishten, anglishte, gjermanishten, ndonjë prej gjuhëve sllave, gjuhët orientale – turqishten, arabishten, persishten, etj. Akademiku që nuk lexon, që nuk shkruan, apo që nuk komunikon të paktën në dy a tri gjuhë të sipërthëna, s’e ka vendin në institucionin më të lartë të kombit.
Akademiku që bëhet i tillë me kritere partiake, s’e ka vendin në Akademi. Atij duhet t’i pushojë vendi i punës.
Akademikëve nuk u lejohet të jenë oportunistë, konformistë, puthadorë, demagogë. Ata duhet të jenë ndërgjegjja e kombit. Ata nuk duhet t’u nënshtrohen politikanëve, pushtetarëve, qeveritarëve. Ata nuk duhet të jenë në shërbim të partive politike. Ata duhet të jenë parimorë, t’i respektojnë parimet, nuk duhet të blihen dhe të shiten për interesa meskinë, për përfitime personale, nuk duhet të jenë mjete, vegla dhe instrumente të udhëheqësve politikë. Partitë politike shkojnë e vijnë, kurse populli mbetet. Udhëheqësit politikë ndërrohen, kurse populli mbetet. Historinë nuk e krijojnë ata që nënshtrohen, por ata që e mbrojnë të vërtetën.
Në sistemin diktatorial në Shqipëri ka pasur shumë kundërshtarë të regjimit. Kas pasur disidentë, si në asnjë vend të Evropës Lindore. Shumë prej tyre u ekzekutuan, të tjerë u dënuan me dënime drakonike, familjet e tyre u syrgjynosën. Është për t’u habitur se si sot, në demokracinë parlamentare, në botën shqiptare s’ka asnjë disident. Pothuajse të gjithë intelektualët e kanë mbyllur gojën. Heshtin “të shkolluarit”, përkundër faktit se pushteti nuk i arreston, as i dënon, nuk i dërgon në Burrel, në Spaç, në kampet e punës.
Megjithëkëtë, s’ka kundërshtarë të politikanëve arrogantë, megalomanë, mendjemëdhenj, ambiciozë, karrieristë, të etshëm për pushtet. Edhe politikanët në Kosovë dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni duhet ta dinë se nuk mund të jesh pafundësisht në krye të partisë, në pozitë të lartë politike dhe në pozitë të lartë shoqërore. Politikanët e botës shqiptare i përfshijnë në politikë fëmijët e vet, djemtë, vajzat, nipat, mbesat, u sigurojnë pozita, u mundësojnë pushtet të pamerituar, u mundësojnë privilegje, favore. Midis politikanë ka edhe të tillë të cilët deri dje kanë qenë pjatalarës dhe ngasës kamioni. Ta mbyllë gojën para tij një i shkolluar, është absurde.
* * *
Në vendet e prapambetura siç është Serbia, shumë akademikë e kanë fituar atë status, jo me kritere shkencore apo artistike, por me kritere joshkencore. “Intelektualët” serbë që mohonin kombin kroat, atë boshnjak, malazez dhe maqedonas, më lehtë bëheshin anëtarë të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Shumë historianë, gjeografë, shkrimtarë, poetë, etnografë dhe studiues lëmenjsh të tjerë u promovuan në akademikë me kritere nacionaliste serbomadhe. “Intelektualët” serbë që trumbetonin zëshëm se Kosova na qenkësh djep i Serbisë, Jerusalem serb, më lehtë avancoheshin në akademikë.
Një popull që ka akademi të politizuar, është i prapambetur. Duke qenë e prapambetur, Serbia në vitin 1991 i nisi luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Duke qenë e prapambetur, Serbia kreu gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Në qershor të vitit 1995, ushtria e Republikës Serbe (Republika Srpska) vrau në Srebrenicë të BH-së 8.372 boshnjakë (myslimanë).
Më 23 maj të vitit5 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutë me të cilën 11 korriku shpallet Ditë ndërkombëtare e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
* * *
Shqipëria do të bëhet! Po kështu edhe Kosova!











