Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi (SHSHASHS), mbështet fuqishëm protestat e studentëve shqiptarë në Shkup, të cilat janë organizuar kryesisht për të kërkuar të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Këto protesta përfaqësojnë një reagim të drejtpërdrejtë ndaj politikave aktuale që lidhen me përdorimin e gjuhës në sistemin arsimor dhe atë profesional në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
SHSHASHS dhe kryetari i saj z. Hysen Ibrahimi, është duke i përcjellë me vëmendje këto zhvillime, të cilat u intensifikuan gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026, duke reflektuar pakënaqësinë në rritje të studentëve ndaj vendimeve të institucioneve kompetente në fushën e arsimit dhe drejtësisë. Studentët, me të drejtë, kërkojnë trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të tyre themelore, veçanërisht në aspektin e përdorimit të gjuhës amtare.
SHSHASHS konsideron se një nga shqetësimet kryesore mbetet detyrimi që provimet profesionale, përfshirë provimin e jurisprudencës, të zhvillohen vetëm në gjuhën maqedonase. Shoqata vlerëson se studentët argumentojnë në mënyrë të qëndrueshme se, duke qenë se të gjithë ciklin e studimeve universitare e kanë përfunduar në gjuhën shqipe, një kërkesë e tillë është e padrejtë dhe përbën diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tyre dhe ndaj gjuhës së tyre amtare. Gjuha shqipe është pjesë përbërëse e identitetit historik, kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve në këto troje.
Lidhur me propozimin e zëvendëskryeministrit të parë, z. Bekim Sali, sipas të cilit pjesa teorike e provimit të jurisprudencës do të zhvillohej në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike do të mbetej në gjuhën maqedonase, SHSHASHS e konsideron këtë zgjidhje të papranueshme dhe diskriminuese për studentët shqiptarë. Shoqata mbështet qëndrimin e studentëve, sipas të cilit kjo zgjidhje e ndërmjetme nuk garanton barazi të plotë dhe nuk i plotëson kërkesat legjitime për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha fazat e provimit. Për studentët protestues, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me barazinë, dinjitetin dhe respektimin e të drejtave të tyre si qytetarë.
SHSHASHS bën thirrje që institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut të gjejnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me standardet demokratike dhe parimet e mosdiskriminimit. Gjithashtu, Shoqata shpreh gatishmërinë që shqetësimet e studentëve
shqiptarë t’ua paraqesë edhe institucioneve përkatëse në Suedi, me qëllim sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe arsimore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në emër të SHSHASHS
Violeta Hoxhaj
Sekretare e Përgjithshme.











