Portret krijuesi
– Rreth veprimtarisë ktijuese e studimore të shkrimtarit Llesh Ndoj – portret i pa autorizuar –
Nga Ndue DRAGUSHA
Nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjali portretin e intelektualit dhe shkrimtarit te njohur Llesh Ndoj, poet, studjues, gazetar e shkrimtar tashmë i njohur në Lezhë e më tej, këto janë të parat gjëra që më vijnë ndërmend rreth punës së tij shumëdimensionale: i lirshëm në poezi, i thellë në studime, i guximshëm në publicistikë dhe një zë origjinal në jetë e në krijimtari. Këto fjalë – konkluzion rreth portretit të tij krijues e intelektual nuk është e lehtë t’i arrish nëse nuk e njeh në brendi atë çfarë ky njeri ka sjell si gjurmë në letrat shqipe, por edhe si njeri, karakteristikë e të cilit është ecja pa zhurmë e bujë në udhën e tij si intelektual e krijues, me synimin që të lej pas gjurmë që mund t’i qëndrojnë kohës e jo thjeshtë një tymtajë që kalon sapo koha të ndryshojë. Ky tipar i tij nuk ka lindur dje, por e ka shoqëruar personalitetin e tij që në rininë e hershme, ku edhe pse në kohë të vështira për të gjithë, ai ka ditur ta shënojë mjeshtërisht emrin e vet. I shkolluar aty ku i thanë, se e tillë ishte koha, ai arriti rezultate maksimale në mësime, të tilla që e projektuan për në katedër, por rryma e kohës e kërkoi të kontribuonte në Mirditën e tij.
Dhe Lleshi nuk u merakos aspak, përkundrazi, iu përvesh punës që të shënonte emrin e vet aty në vendlindjen e tij fort të dashur. Kur sapo i kishte mbushur të njëzet e gjashtat, koha e thërriti si drejtues të njërës nga ekonomitë bujqësore më të vështira në rrethin e Mirditës, dhe ai e shënoi me sukses emrin e tij, në mos me rezultate, të cilat ishin tepër të vështira për t’u arritur, me sjelljen e tij njerëzore dhe intelektuale. Ai me krenari e thotë se vendin ku punova, drejtova e jetova për disa vite në sistemin e kaluar, e konsideroj si vendlindjen time të dytë… Unë nuk kam qenë disident, të thotë Lleshi, kur e pyet për atë periudhë, por nuk kam munguar që organeve partiake e shtetërore të kohës t’ua bëj të qartë atë se çfarë çalonte në ekonominë e përbashkët, gjë që i ka sjellë edhe përplasje e ndëshkime prej tyre. Bile edhe më përpara kësaj, student në fakultet, shokët e tij tregojnë se ai ishte përplasur edhe më pedagogët më të “vështirë” të kohës, vetëm e vetëm për mësimdhënien, tekstet e mënyrën e kontrollit të dijeve.
I tillë mbeti edhe në demokraci, sepse për Lleshin nuk ka e nuk mund të ketë dy të vërteta. Edhe pse me dy fakultete e me rezultate të krahasueshme me pak si ai në shkallë vendi, Lleshi ka rreth 25 vite që merret me një punë të tij si i punësuar në sektorin privat, krejt i pavarur nga shteti, pasi ai mbetet gjithnjë kritik kur vjen fjala për punët e shtetit dhe nuk e njeh “përkuljen” para autoritetit të karriges, por vetëm para autoritetit të ligjit dhe rezultateve që flasin pa patur nevojë për altoporlante. Ai kurrë nuk aplikoi për një punë shteti, jo se të ardhurat që realizon në punën që ka janë më të larta, por se për të, pavarësia është ajo për të cilën meriton të paguhet çdo çmim.

E Lleshi, jo vetëm nuk duket i penduar për këtë, por ndjehet krenar edhe për faktin që, si e thotë ai, ky pozicion i detyruar nga rrethanat e kohës, ka vite që është bërë zgjedhja e tij, dhe kjo zgjedhje i ka dhënë gjithë lirinë e kërkuar të merret me letërsi, me studime e gazetari. Për këtë fakt atij nuk i dhimbsen as të njëzet vitet e shkollës e rezultatet e arritura në to, ndonëse s’kishin të bënin me fushën që ka zgjedhur të kontribuojë sot. I hodha një vështrim librit të tij më të fundit të botuar deri më tani, titulluar “Këndvështrime 3 – Publicistikë” (Marianistët, 2026) dhe lexova këtë shënim të tijin: “Në rini më pëlqeu politika, ngase e mendova atë si mjetin me të cilin mund ta afroja të ardhmen, sot merrem me të aq sa jam i detyruar të merrem me një mjet të prishur që më ka bllokuar udhën…”, shënim që më duket se e shpreh bukur edhe qëndrimin e tij.
Tani le të përqëndrohemi në portretin e tij si krijues. Lleshi, kur e pyet se kur ka nisur të merret me letërsi, nuk ka një datë të saktë të ta thotë, pasi gjuha shqipe dhe letërsia kanë qenë pjesë e tij që në vegjëlinë e hershme, por natyrisht që ai e ka një datë kur ka dalë para lexuesit me librin e parë, dhe kjo datë ka qenë relativisht e vonë e shënon vitin 2005. Por që nga ajo kohë ai nuk ka patur të ndalur, duke sjellë për lexuesit një numër të konsiderueshëm botimesh në poezi, në studime, por edhe në prozë të mirëfilltë letrare. Janë aktualisht të botuara 12 vëllime me poezi, dy me studime monografike, disa me studime për personalietet shoqërore e të fushës së letërsisë, një libër me humor dhe një roman, por ka në dorë e të gatshëm për botim, siç na e shpjegon ai, edhe dy libra të rinj me poezi, një hulumtim mbi pasuritë gjuhësore mirditase, një roman e plot projekte krijuese në të gjitha zhanrrat letrare.
“- Poezi është jeta, kur qanë e qesh!”. Kështu shkruante poeti i madh kosovar Azem Shkreli e ky motiv duket se është përvetësuar denjësisht në veprimtarinë krijuese poetike të autorit Llesh Ndoj. Po t’i hedhësh një sy faqes së tij në rrjetin social facebook, ai i përshëndet ndjekësit e tij të shumtë thuajse çdo ditë me nga një poezi të re, apo nga një e shprehur poetike, gjë që më bën të besoj se ai e krijon lirshëm poezinë. E ka konstatuar mjeshtërisht këtë fakt studjuesi, kritiku e krijuesi i përmasave kombëtare, prof.dr. Anton Nikë Berisha, në një seminar shkencorë që, nën kujdesin e tij, poetë, shkrimtarë e studjues të Kosovës mbajtën në Klinë kushtuar veprimtarisë krijuese të Llesh Ndojit.
Ja si e thekson ai thelbin e krijimtarisë poetike të Llesh Ndojit: “…sot e vështrojmë veprën e një poeti sa të natyrshëm, aq edhe të mëvetësishëm.”, për të vijuar me karakteristikat e poezisë së këtij autori, me “Çështja e parë që bindesh kur i lexon me vëmendje poezitë e botuara të Llesh Ndojit është se ato janë hartuar me lehtësi dhe me natyrshmëri.”, dhe rendit fakte e shembuj që e justifikojnë këtë përcaktim, për të vijuar me “Çështja e dytë që bie në sy në poezinë e Llesh Ndojit është se ai përligj mprehtësinë e mendjes me aftësinë e shtjellimit të tekstit poetik,…”, duke sjell në vëmendje të lexuesve shprehjen e shkencëtarit Ryder e konstatimin e tij se një mendje e mprehtë nuk është fenomen, por mpleksja e të dyjave, e dhuratës poetike dhe mendjes së mprehtë, takohet rrallë.
Besoj se sado të mundohesh e të gjeshë diçka më përfaqësuese rreth poezive të këtij autori, nuk mund të sjellësh më shumë se kaq e se, ngado që t’i biesh, në konkluzione të përafërta do të përfundosh, sepse si e thotë vetë autori Llesh Ndoj (“Poet i natyrshëm dhe i mëvetësishëm”, “Faik Konica” Prishtinë, 2025), “E vërteta është se më “vështirësi” ndjejë në një komunikim të zakonshëm me të tjerët…, se sa në një bashkëbisedim me vetveten në vargje poetike.”. Poezia për këtë autor ka motive jete nga përditshmëria. Vargjet e tij janë dhimbje e gëzim, e qeshur me shpirt e lot që të përvëlon, janë frymëzim e dashuri që nisin nga gjërat e thjeshta e tentojnë të ngrihen në vargje hyjnore, por kurrë ato nuk nisen nga motive urrejtje. Lleshi shkruan në të gjitha tipet e poezisë, shkruan poezi të strukturuara me numër rrokjesh e me metrikë të rregullt, por kryesisht shkruan në vargje të lira, dhe si e thotë vetë ai, në raportin mes ngrohtësisë së mesazhit të vargut me normat strikte të poezisë, ai anon nga e para.
Për të mesazhi është i pari dhe ky mesazh duhet doemos të kaloje nga zemra e të përmbajë ngrohtësinë e saj, edhe nëse forma nuk i përmbush pltësisht normat e poezisë. Jo vetëm kaq, por në bindjen e tij artistike është formësuar tashmë mendimi se artit në përgjithësi dhe poezisë në veçanti “i rri ngushtë çdo kostum” i gatshëm dhe se nuk janë normat që e kushtëzojnë poezinë, por poezia që nxit evoluimin e normave. Tradita, gjuha shqipe dhe realiteti shqiptar janë pjesë e përkushtimit të autorit Llesh Ndoj. E konstaton këtë edhe prof.dr.Labinot Berisha kur thotë: “…vepra poetike dhe studimore e Llesh Ndojit shfaqet si një dëshmi e qartë e pasionit krijues, e mendimit të thellë dhe e përkushtimit përballë traditës, gjuhës dhe realitetit shqiptar.”, ndërsa poeti Prend Buzhala, potencon për autorin se “…shkruan për të tashmen me mallin e së kaluarës dhe shpresën e një të ardhmeje.”, pohim që gjenë miratimin e plotë të autorit kur thekson se “Gjithnjë e mendoj dhe mundohem edhe ta shpreh atë në të gjitha format që merr fjala, se në të sotmen gjenden njëkohësisht tri kohë: e djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja, ndaj mundohem që më të bukurën e të djeshmes ta qëmtoj në të sotmen e ta projektoj edhe në të nesërmen,…”.
Për poezinë e autorit Llesh Ndoj mund të shkruash sa të duash e prapë të rigjeshë motive për të shkruar se ajo është e gjerë në sasi, e shtrirë në tematika dhe e thellë në përmbajtje, por mendoj që në kuadër të këtij portreti, të ndalem me kaq, duke ju rekomanduar t’i lexoni titujt e shumtë të saj, i bindur se nuk do të zhgënjeheni. Po studimi i Llesh Ndojit, ç’tipare paraqet? Duke folur për studimin e tiparet e tij, paraprakisht më duhet të theksoj se edhe kjo është një fushë e gjerë, e krahasueshme me prurjet poetike të këtij autori. Mes titujve të shumtë studimorë-monografikë, do të veçoja librat e tij “Domgjoni – Në dokumente, gojëdhëna e histori” (botimi i parë viti 2019 dhe botimi i dytë i ripunuar, viti 2023) dhe librin “Fani e fanasit – Kështjellë e pamposhtur” (2021), të dyja këto botime kushtuar vendlidjes së tij. Janë pa asnjë dyshim punimet më të thella monografike rreth historisë së një zone mirditore nga më të shquarat për nga traditat, jeta në të cilat daton që përpara Krishtit, ku studimi i Llesh Ndojit paraqet tipare të thella hulumtuese e shkencore, gjuhë të pasur artistike në pasqyrimin e tyre, konkluzione e teza me vlerë të padiskutueshme, gjë që i bën ato unikë për nga forma dhe përmbajtja.
Thellësia e punës hulumtuese – studimore është tipar themelorë i punës së këtij autori. Në to nuk zë vend hamendësimi, por fakti, në formën e artefaktit, shkrimit, gojëdhënës apo historisë, analiza e thellë e tyre e konkluzioni i ftohtë e kurdoherë i hapur, jashtë megallomanisë së disa studjuesve që gjithçka e paraqesin si “shpikjen e tyre” e “fjalën e fundit”. Lleshi, jashtë këtyre tipareve, gjykon mbi ato që ka, pranon e citon mendimet e të tjerëve, por edhe len hapur shtigjet për zbulime edhe më të thella e të dokumentuara në të ardhmen. Nikollë Loka, doktor i shkencave, studjues e historian, duke qenë edhe redaktori i këtyre dy librave, ka shkruar disa herë rreth tyre. Por nuk është i vetëm ai. Ka shkruar edhe prof.dr. Anton Nikë Berisha, shkrimtari Hasan Hasani e plotë të tjerë, duke i veçuar ato si model në studimet e këtij karakteri.
Studjuesi dhe intelektuali Llesh Ndoj, thekson dr. Nikollë Loka, përmes këtyre librave monografikë, “…arrin të ndërtojë një diskurs shkencor serioz mbi një realitet lokal (siç janë Domgjoni dhe Fani), duke u dhënë atyre peshë në kuadër të historisë, kulturës dhe traditës kombëtare.”, ndërsa vetë autori thekson se “Sikur e gjithë vepra ime e shkruar të mbetej veç në këta dy libra, (…), unë do të ndjehesha i plotë, jo se ata janë të përkryer, por se përmes tyre mendoj se i kam kthyer asaj krahine një pjesë të “donacionit” që ajo më ka dhuruar pa kusht kthimi që unë të bëhem pikërisht ky që jam.”, duke na zbuluar kësisoj edhe një tjetër tipar të tij si njeri e si shkrimtarë: thjeshtësinë që e karakterizon në punë e në jetë.
Edhe në librat monografikë kushtuar figurave të tilla si shkrimtari kosovar me origjinë mirditore, Hasan Hasani, Ndue Frrok Prendi apo gazetari Gjon Gjoni (me bashkëautor), Lleshi shënon gjurmë krijimtarie, pasi zbërthimin e tipareve të personazheve të veta e bën nga brenda, jo nisur nga kornizat standarte biografike të kohës, duke depërtuar thellë në tiparet e personazhit që vendos në vëmendje të lexuesit. Jo vetëm në këta libra, por edhe në recensat e ndryshme, apo analizat e veprave letrare të shkrimtarëve të ndryshëm, qofshin ata të përmasave kombëtare apo lokale, kjo anë e zbërthimit të krijimtarisë së tyre përbën një veçanti lehtësisht të dallueshme.
Duke qenë edhe vetë një shkrimtarë lokal, ai jo vetëm nuk i nënvleftëson shkrimtarët e këtij niveli, por shkruan për ta dhe i vlerëson rregullisht me analizat e recensionet e tij, ashtu siç paraqitet edhe si pjesë e krijimtarisë së tyre, herë si recensent e herë si redaktor, apo herë tjetër si përgatitës për botim i veprës. Për autorin Llesh Ndoj nuk ka libër e shkrimtarë të këqinj, por lexues që nuk gjejnë atë që duhet me marrë nga vepra e tyre, sepse të dalësh me një libër është mund e sakrificë, por edhe guxim që mendimet tuaja t’i bësh publike e të ballafaqohesh me opinionin përmes tyre. Jeta shpalos të gjitha anët e saj, e në krijimtarinë e Lleshit s’kishte si të mungonte as humori. Ai e shfaq këtë përmasë edhe në poezi, edhe në prozë, edhe në publicistikë, ku humori i hollë e deri sarkazma, nuk mungojnë në librat e tij. Libri “T’bame e t’pa bame” (grimca humoristike, viti 2025), është i gjithi i kësaj gjinie letrare.
Duke folur rreth këtij libri, shkrimtari e regjizori Alket Bushpepa, do të shprehej se Lleshi ka “…krijimtari të pasur e të larmishme në zhanrre, të ngulitur thellë në identitetin kulturor shqiptar, sidomos në atë mirditor.”, ku ve në dukje se humori i pasqyruar prej tij në këtë libër është vjelë nga mençuria popullore, por nuk mungojnë në të as humori politik e ai erotik, të shprehura me një gjuhë lakonike dhe të pasur. Në romanin e tij të parë “Shtjellë fatesh” (2025) që po gjenë terren të kandshëm tek lexuesit, krahas traditës e kulturës popullore, gjenë vend bukur e natyrshëm edhe humori politik. Promovimi i këtij libri në Lezhë, përmes fjalës së Anton Nikë Berishës, Nikoll Lokës, Pashk Aliajt, Dod Pjetrit, Ded Rramanit, Martin Dedës, poetit Fran Laska, gazetarit Frrok Çupi, pedagogut Pjetër Ndreca, ushtarakut Ded Prenga e diskutantëve të tjerë, shpalosi vlerat reale të këtij libri e të autorit Llesh Ndoj, duke veçuar traditën e përcjelljen e saj si një nga anët më pozitive. Libri vazhdon të ndiqet me kërshëri e rreth tij vazhdon të ketë reagime pozitive në shtyp. Gazetari Frrok Çupi e quajti atë si prurje të guximshme dhe si vazhdim të librave monografikë Fani e Domgjoni, përmes një gjuhe ku arti i fjalës të lejon të shprehesh më tepër se sa një studim strikt monografik, siç janë ato.
Shfaqja e emrit të Lleshit në publicistikë daton më herët se në gjinitë e tjera. Emri i tij haset, ndonëse rrallë, që në gazetat e kohës “Studenti i Bujqësisë”, “Zëri i Rinisë”, apo “Zëri i Popullit” në kohën e diktaturës, por vitet e fundit ai është bërë përherë e më shumë i pranishëm në shtypin online dhe atë të printuar. Krahas tipareve më të mira që duhet të gëzojë një gazetar për të qenë i tillë, si mbështetja në fakte, paanshmëria, analiza e ftohtë e problemeve etj., tipar i tij në këtë zhanërr është guximi. Ai nuk ka komplekse, por i shpreh mendimet e analizat e tij hapur e drejt, duke dhënë edhe rekomandime të vlefshme. Studiuesi e gazetari Vlash Prendi e ka ndjekur në vijimësi kontributin e tij në këtë fushë, për të cilën është shprehur: “…ai është i natyrshëm në të gjitha zhanrret që paraqitet, krijon me lehtësi e përcjell kurdoherë mesazh për lexuesin.
Nga komunikimi i brendshëm me veten përcjell vargje të bukura poetike, ndjek zhvillimet shoqërore dhe ekonomike në vend dhe i analizon ato me gjakftohtësi e paanshmëri, duke prodhuar opinione e analiza që i shërbejnë shoqërisë,…”, kurse vetë Lleshi sikur e pohon këtë kur shprehet se “…, të marrurit me publicistikë lindi si nevojë e pjesmarrjes në komunikimin e hapur me shoqërinë për ngjarje e fenomene që na shqetësojnë, pa pretenduar të bëhem gazetar.”, por në fakt ai me këtë zhanërr paraqitet para lexuesit me tri vëllime publicistike të titulluara “Këndvështrime” (2022), “Këndvështrime 2” (2025) dhe “Këndvështrime 3” (2026), duke u renditur si kontribues i qënësishëm edhe në këtë fushë.
Në të gjitha fushat letrare që paraqitet, Llesh Ndoj vjen si një zë origjinal. Ai ka stilin e tij të të krijuarit, këndin e tij të të vështruarit, mënyrën e tij të shprehjes letrare ,e cila vjen kurdoherë e kandshme, e pasur në mjete shprehëse e gjithnjë origjinale. Lek Mrijaj, shkrimtar e studjues kosovar, duke folur rreth krijimtarisë së Lleshit, thekson se “Ai është një zë i veçantë në letërsinë tonë bashkëkohore – një krijues që ka ditur të ndërthurë fuqinë e fjalës me shpirtin e besimit, përkushtimit, atdhedashurisë.”, tipare për të cilat ndjekësit e vet, gjithnjë me dashamirësi, nuk kanë munguar t’i vejnë epitete si “fishtjan i ri”, “Agoll i zellshëm”, “Migjen i kohëve moderne”, apo një “Hasan Hasani në ardhje”, epitete që ai u është përgjigjur me dashamirësi e përultësi duke potencuar se “Fishta, Agolli e Hasan Hasani – Përkola, ndonëse i adhuroj, janë të papërsëritshëm. Mua më mjafton të jem zëri i mëvetësishëm i Llesh Ndojit.”
Lleshi dhe vepra e tij janë një vlerë e shtuar në letrat e letërsinë shqipe, dhe do të zënë vendin që meritojnë e do të pasqyrohen gjithnjë e më shumë në opinionet e analizat e kritikës letrare në vijimësi.











