30.5 C
Tirana
E premte, 29 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj STATUSI POLITIK DHE JURIDIK I SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

STATUSI POLITIK DHE JURIDIK I SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

0
Protesta për gjuhën shqipe në Shkup

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Shqiptarët në Maqedoni janë shumë, për t’u quajtur pakicë, nuk janë aq të organizuar, për t’u quajtur shtetformues.

Në komunat në të cilat shqiptarët janë shumicë, d.m.th. prej Struge deri në Likovë, nxënësit sllavo-maqedonas duhet ta mësojnë shqipen nëpër shkolla, duke filluar nga klasa e tretë fillore.

Një popull për të fituar liri, i nevojite dy gjëra:

– dituri, dhe
– idealizëm.

Një kastë politike që e ka mendjen në kolltukë, me qëllim pasurimi personal apo të grupit dhe të koniunkturës, e lë popullin e vet larg lirisë. Një popull që e voton partinë, qoftë edhe atë që vjedh, vetëm për një vend pune, ai popull është larg lirisë.

Sot e kësaj dite shumë shqiptarë nuk e dinë në janë shqiptarët në Maqedoni, popull shtetformues apo pakicë. Marrëveshja e Ohrit nuk është marrë me përcaktimin e statusit politik të shqiptarëve. Me të është bërë avancimi i të drejtave të caktuara të shqiptarëve, në krahasim me të drejtat e deriatëhershme.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryetaren e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanoska Davkova, të mbajtur në Shkup më 27 shkurt 2026, Kryetari i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi: “Shqiptarët që jetojnë në RMV janë një faktor i rëndësishëm dhe shtetformues”. Kohë pas kohe e vizitojnë Maqedoninë edhe ministra të qeverive të Shqipërisë. Disa prej tyre parapëlqejnë të deklarojnë: “Shqiptarët në Maqedoni janë popull shtetformues”.

Këta të ashtuquajtur ministra të Shqipërisë, as e kanë parë Marrëveshjen e Ohrit, as e kanë lexuar, as e kanë kuptuar.

Me rastin e shënimit të përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, BDI-ja ka organizuar edhe do konferenca shkencore. Asnjë nga kuazi-dijetarët që kanë marrë pjesë në ato farë konferenca “shkencore”, nuk e ka sqaruar drejt dhe saktë faktin në janë shqiptarët sipas Marrëveshjes së Ohrit, popull shtetformues apo janë qytetarë që përfshihen në grupin e pakicave, siç janë: turqit, romët, boshnjakët, vllehtë, serbët.

Askush s’e di saktë numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Shifrave që publikohen nga regjistrimi i popullsisë, shqiptarët nuk u besojnë. Shpesh është thënë se në Maqedoni jetojnë rreth 700 mijë shqiptarë. Për dallim nga pakicat e tjera në Maqedoni, shqiptarët në këtë vend paraqesin faktor demografik, social, ekonomik, mbrojtës, prodhues, riprodhues, arsimor, krijues, kreativ etj. Si të tillë, askush nuk mund t’i rendit ata në grupin e pakicave.

Këtu kemi një kontradiktë: me kushtetutën e këtij vendi, shqiptarët nuk e kanë statusin e popullit shtetformues, kurse në jetën praktike, nuk mund të konsiderohen minoritet. Atëherë rezulton që shqiptarët në Maqedoni të jenë diçka midis popullit shtetformues dhe pakicës.

*   *   *

Po të ishin shqiptarët me kushtetutë popull shtetformues, atëherë shqipja nuk do të përkufizohej si gjuhë që e flasin mbi 20% e popullsisë. Në qytetin rrëzë Sharrit me shumicë absolute shqiptare, organet komunale, që nga viti 1991 deri më sot, nuk janë në gjendje të ndërrojnë emërtimin e një shkolle, të një rruge apo të një institucioni me emrin e ndonjë personaliteti të historisë së popullit shqiptar. Prej shtatë shkollave të mesme në Tetovë, vetëm njëra sosh quhet “7 Marsi”, kurse të tjerat mbajnë emërtime të figurave sllave për të cilët nxënësit shqiptarë s’kanë dëgjuar fare.

Një shkollë e mesme mban emërtimi “Mosha Pijade”. Ky ka qenë bashkëpunëtor i Josip Brozit. Në Mbretërinë Jugosllave, Mosha Pijade ishte në burg, i dënuar si marksist. Gjatë vuajtjes së dënimit, e përktheu kapitalin e Marksit nga gjermanishtja në serbisht. Ka shkolla ku 100% e nxënësve janë shqiptarë. Një numër i vogël i nxënësve maqedonas mësojnë në ndërtesë tjetër.

Ismail Kadarenë me bashkëshorten e tij, Elenën i prita në oborrin e gjimnazit. Dolën prej veture. Sakaq, shkrimtari gjigant, princi i kombit i hodhi sytë në ballinën e ndërtesës shkollore. Aty lexoi emërtimin e shkollës. Shkolla mbante emrin e një figure sllave, për të cilin nxënësit shqiptarë kurrë s’kishin dëgjuar. Kadareja më tha: “Profesor, drejtori i Festivalit ‘Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu më tha se do vizitojë një shkollë shqipe. Ç’është ky emërtim sllav?!”

Para se të ndahej në dy pjesë, kjo shkollë numëronte rreth 3.000 nxënës. Rreth 90% e nxënësve ishin shqiptarë, shkolla ndërkaq mbante emërtim sllav. Ky emërtim trashëgohet nga periudha e komunizmit.

Ka qytetarë që thonë se me Kushtetutën e viti 1974 shqiptarët në Maqedoni dëftesat shkollore i kanë marrë në gjuhën shqipe. Sot, në komunat me shumicë absolute shqiptare, dokumentet lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase. Me fjalë të tjera, institucionet e pushtetit vendor, si dhe institucionet e njësive rajonale që i përkasin pushtetit qendror, me ndonjë përjashtim të rrallë, dokumentet i lëshojnë vetëm në gjuhën maqedonase.

Faktori politik shqiptar fare nuk çanë kokën për këtë. Për këtë s’brengosen fare as pseudo-intelektualët shqiptarë, shumica dërmuese e të cilëve nuk e flasin asnjë gjuhë të huaj. S’çajnë kokën as analistët mercenarë – shërbëtorë të partive politike, në pushtet dhe jashtë tij. Në këtë dance macabre bëjnë pjesë edhe mediumet e shitura dhe të blera katërcipërisht.

Një popull e fiton lirinë atëherë kur mëson ta shkruajë drejt gjuhën amtare.

Në Kosovë, 4% serbë gëzojnë të drejta sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian dhe përsëri nuk janë të kënaqur, kurse në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët që përbëjnë rreth 30% të popullsisë së këtij vendi, nëpërkëmben nga një popull me identitet të diskutueshëm.

Janë ose jo shqiptarët në Maqedoni popull shtetformues, këtë le ta studiojnë mirë ministrat e qeverive të Shqipërisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.