IDRIZ ZEQIRAJ
Ishte fatkeqësi e madhe se disa eksponentë të LPK-së ishin rekrutuar nga UDB-a, për të përcjellur emigracionin shqiptar të Kosovës në botë.
Shërbimi Informativ francez i lidhur fort me Shërbimin serb BIA, dërgoi agjentin e saj Arnaud Danjear, dhëndër i Serbisë, kinse, për të mësuar gjuhën gjermane në Zyrih të Zvicrës. Për çudë, rastisi të ishte në një kurs mësimor me Hashimin tonë! “Rekruti i ri mjafton ta dijë se ka një dosje për atë”, – rrëfen shefi i Shërbimit Qendror francez, në TV Canal+, Pierre Siramy. (Shih në You Tube).
Sigurimi Shqiptar, me diplomatët-Sigurimsa të monizmit enverist, i nxiti hafijet e tij nga LPK-ja, të përçajnë Mërgatën e Kosovës. Nga Tirana dërguan gazetarë profesionistë, kuadro partiakë, deri sekretarë partie të rrethit.
Tirana zyrtare social-komuniste, nxiti hafijet e saj të rinj, për të shkarkuar Kryesinë e vjetër të LPK-së, e cila, me gjithë fajet që kishte, të paktën, ishte për bashkimin e faktorit ushtarak të Kosovës. Zyrtarët e lartë social-komunistë të Shqipërisë, kushtëzuan Kryesinë e re puçiste të LPK-së më këto kushte: marrja në dorëzim të LPK-së në Diasporë dhe Kosovë, nga Kryesia puçiste, me kryetar nga Shqipëria; marrja e fletushkës “Zëri i Kosovës”; marrja e dhunshme e Fondit “Vendlindja thërret” kudo në botë.
Kryesinë e vjetër të LPK-së e akuzuan për tradhti. Disa nga Kryesia e vjetër tradhtuan shokët dhe iu bashkuan Kryesisë së re, bandë puçiste, si: Xhasvit Haliti, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Adem Grabovci dhe disa të tjerë. Më vonë ky numër u shtua, disa vullnetarë dhe ca të tjerë me shantazh.
“Pushteti merret me grykën e pushkës”, – ishte sllogani i agjentit jugosllav Enver Hoxha, i zgjedhur shef i PKSH, nga kolonët serbë dhe malazezë, në Vitomiricë të Pejës! Kushtrimi ishte luftë të hapur nacionalistëve, atdhetarëve shqiptarë anti-komunistë. Historia dëshmon se ushtria e Enver Hoxhës nuk ka bërë asnjë betejë kundër pushtuesëve italianë dhe gjermanë. Ndërsa janë dhjetëra-beteja të partizanëve të Enver Hoxhës kundër Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit.
Një seminar i organizuar në Durrës, nga historiani amerikano-kanadez, doktoruar me temën e LDB, kryesisht, në Shqipëri, Roberts, me pjesëmarrjen e të gjithë studiuesve të historisë për këtë luftë, me të vetmen temë: “A bëri Shqipëria luftë çlirimtare apo civile, qytetare?”. Pas shumë debatesh dy ditore profesionale, pro dhe kundra, organizatori i seminarit, bëri pyetjen shtesë: “Ju lutem, ma dëshmoni, qoftë edhe një betejë të bërë nga partizanët e Enver Hoxhës, kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë?” Pason heshtja! Dhe as Paskal dallaverja (Milo), nuk bindi njëri.
Historiani Roberts theu heshtjen: “Atëherë dëgjoni, unë jua numëroj shumë dhjetëra beteja të partizanëve të Enver Hoxhës, të bëra kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Andaj rezulton se Shqipëria nuk bëri luftë çlirimtare, por e konvertoi në luftë civile. Dhe, për këtë arsye është i vetmi shtet, nga Aleanca fitimtare e LDB, i cili nuk gëzoi reparacionet, dëmshpërblimin nga lufta”!
Enver Hoxha filloi ekzekutimet e kundërshtarëve politikë, kryesisht, nacionalistë, por, edhe brenda llojit, pra, komunistë, të cilët i konsideronte si rivalë të mundshëm pas çlirimit. Në “liri” filloi me gjyqe ekzekutive-vrastare, tipike staliniste-fashiste, duke filluar nga grupi i deputetëve demokratë, të ushtarakëve mbretërorë dhe të atdhetarëve të dëshmuar shqiptarë.
E bëra këtë parantezë, ekspoze të historisë të errët shqiptare, nga më kriminalët e të gjitha kohërave ndër shqiptare, për të dëshmuar se krimi u bart nga Shqipëria në Kosovë.
Krejt e njëjta gjë ndodhi në Kosovën e pas luftës. Me të vetmin dallim, se prania e ndërkombëtarëve i pamundësonte gjyqet në sallat e gjykatave. “Komandantët” pa ushtarë, të strehuar në Hotel “Rogner” dhe në vilat e Bllokut të Zi” të Tiranës, të instruktuar me të njëjtat metoda komuniste-staliniste dhe fashiste-vrastare, pa gjyq të kundërshtarëve politikë. Qëllimi ishte i qartë: Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit përdhunshëm dhe përgjakshëm.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës u krijua nga zyrtarët e lartë social-komunistë të PSSH, me kryeministrin Hashim Thaçin, tashmë, agjentë të trefishtë: të Shqipërisë, Francës dhe Serbisë.
SHTAB-i i vetëquajtur të UÇK-së, me qendër në Tiranë, në koordinim me komandantët lokalë, hartonin listat vrastare dhe skuadrat ekzekutive shenjestronin ushtarakët luftëtarë të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK), të krijuara nga Dr. Ibrahim Rugova; kuadrot, veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së; gazetarët korrespondentë të luftës, kryesisht, të “Bota sot”; kryetarë ose kandidatë në perspektivë të komunave të Kosovës.
SHTAB-i i UÇK-së, më saktë, i LPK-së, i futi në listën vdektare edhe disa nga veprimtarët të LPK-së të kahershëm, tani luftëtarë, i ekzekutoi, duke ia faturuar vrasjet, falsifikueshëm, pushtuesit, për t`i humbur gjurmët e krimeve!
Rrjedhimisht, Kosova po përgjakej. Në garë pushtuesi dhe disa “komandantë” pa ushtarë, por me banda të bollshme. Kufomat e shqiptarëve “notonin” në Liqenin e Radoniqit, me qëllim të shantazhimit dhe të terrorizimit të popullit të Kosovës, për t`i nënshtruar. Pra, krejt njësoj, siç bënin komunistët-fashistë, përgjatë gjysmë shekulli në Shqipëri. Dhe po të mos ishin ndërkombëtarët, Kosova do të fashistizohej, njësoj si Shqipëria fashiste e monizmit hoxhist!
Vjosa dhe Donika u barrikaduan në mbrojtjen
e rugovizmit, andaj i përzuri klani nga partia
Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla nuk janë larguar vullnetarisht nga LDK-ja, por i përzuri klani i Isa Mustafës, bisht e patericë të PDK-së. Ato ishin barrikaduar në mbrojtjen e parimeve rugoviane. Ndalimi i debatit demokratik dhe i votës të fshehtë degraduan, deri në degjenerim jo vetëm LDK-në, por të gjithë klasën politike të Kosovës. Kujtoni bllokadën e zgjedhjes të kryetarit të Kuvendit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ku nuk u lejua votimi i fshehtë dhe vendi shkoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025!
Qe kur ka lindur votimi, bazë krijuese ka pasur pikërisht votimin e fshehtë, si prova më e mirë seleksionuese zgjedhore. Votimin e fshehtë e kanë shpërfillur dhe mohuar diktatorët kriminelë, sundues deri në cofje. Po të zbatohej votimi i fshehtë, shtetarët e dhunshëm dhe kriminelë: Stalin, Hitler, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soji i tyre kriminelë dhe rrugaçë, kurrë nuk do të sundonin një mandat të dytë. Ashtu siç nuk do të “zgjidheshin” për një mandat të dytë as të kriminalizuarit Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Isa Mustafa dhe zuzarë të tjerë.
Thonë se “çdo e keqe ka një të mirë!” Kështu ndodhi edhe me dy veprimtaret e shquara, njëherësh edhe drejtuese të suksesshme, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Shoqëria kosovare kutërbonte nga krimi dhe hajnia. Bandat vrastare dhe mafia hajnore e grabitçare, ua kishte gërditur Atdheun-Kosovë popullit të saj. Ndryshimi ishte jo vetëm i nevojshëm, por edhe i domosdoshëm. Këtë moment të parët e diktuan dhe e përqafuan dy veprimtaret unike, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla. Por, ndryshimi kërkon edhe forcë faktike, mbështetje masive morale. Këtë nevojë e përmbushi Albin Kurti me LVV tij numerike.
Ndryshimi i shumëpritur u realizua paqësisht, me votën e fshehtë popullore. Populli i refuzoi, me neveri, për qeverisje subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, duke i larguar nga pushteti i përgjakur “komandantët” e vetëshpallur dhe kriminelë. Ndërsa LDK-ja, e cila ishte pushtuar nga një klan, shefin e të cilit e kishte katapultuar në krye të partisë Hashim Thaçi me SHIK-un e tij kriminal, frymoi lirshëm me Lidershipin e ri.
Pesëshja simpatike: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Mimoza Kusari, përtej 5 (pesë) viteve u bënë shpresa e shqiptarëve të kudondodhur. Binomi Vjosa-Albini funksionoi mrekullisht mirë. Shqiptarët prisnin ta vazhdonin bashkëpunimin e suksesshëm. Por, ndodhi e papritura. Kurti edhe pse i tha Vjosës se “Ti je Presidentja më e mirë e shekullit 21”, megjithatë, ai refuzoi njëanshëm mandatin e dytë presidencial të Vjosë Osmanit?! Ishte një premtim i dhënë Vjosës dhe fort i pritshëm nga shqiptarët. Por, Kurti e hëngri fjalën e dhënë, bëri kalkulime hiç të dinjitetshme, deri në besë-prerje, duke lënduar dhe zhgënjyer skajshëm shqiptarët. Dhe, mbi të gjitha, dëmtoi disa procese të pritshme, të cilat Vjosa do ta kishte parësinë për zgjidhje pozitive, madje në një të ardhme të afërt.
Klasa politike e Kosovës është mjaft e kontaminuar, e helmuar. Mundësitë për të zgjedhur partnerë ideal, është zëro. Të vetmet parti parlamentare të pakriminalizuara, janë LDK-ja dhe LVV. Andaj, duhet pasur vëmendjen porosinë e shkrimtarit Gorki: “Kurrë mos u prishni me fund me tjetrin, sepse një ditë mund të pajtoheni dhe të bëheni miq të mirë”. LVV ka ndryshuar, sepse është spastruar nga elementë individualë dhe gruporë ekstremë majtistë. Prurjet janë rinorë, pa asnjë ngarkesë ideologjike majtiste. Përkundër, janë properëndimorë. Prandaj, parësia e koalicionit LDK me LVV, është lehtësisht i pranueshëm, se sa partitë ekstreme të majta të PAN-it, por falsifikueshëm thirrën si të djathta.
Vjosë Osmani u akuzua si “nëna e vakive”!
Në zhbërjen e binomit Vjosa-Albini, fajësohet vetëm Albin Kurti. Tendenca e LVV, për ta spostuar fajin ke Vjosë Osmani, tashmë, janë të dështuara.
Brenda ditës, me shpifje e denigrime nga më të poshtrat, nga kriminalet, ajo, “Presidentja më e mirë e shekullit 21”, u bë më e keqja!
“Vjosa tradhtoi Albinin, u bë me Grenellin, me Ramen, Vuçiqin”, “Ajo në konspiracion me ata , kishte për qëllim të organizonte puç, për rrëzimin e Kurtit nga pushteti” dhe broçkulla të tjera. E gjithë kjo demantohet lehtësisht: Së fundi, Grenell akuzoi se “kryeminstri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë katastrofë”, sepse të dy janë kundër Vuçiqit.
Horrakë, zuzarë, maskarenj e rrugaçë shpifin ditë e natë, për ta denigruar personalitetin e padiskutueshëm të ish-presidentes Vjosë Osmani. Një takim i orgnizuar nga administrata amerikane, me liderë ballkanikë, të cilin e kryesonte Grenell, i ngarkuar për krizat. Dhe, pse aty qenka edhe Gjuriqi, thurën konspiracione nga më të ndyrat.
Edhe takimi me kryeministrin shqiptar Ramen, në prani të presidentit Trump, u përfol pse e lejoi Ramen të flasë në emër të Kosovës, sikur varet nga ajo kur duhet të flasin të tjerët.
Hashim Thaçi ishte marrosur i tëri kur, duke qenë agjent i trefishtë, akuzonte heroin e mbijetuar të Koshares, Anton Qunin, për mercenarë, pse shteti i Kosovës ua paguante qiranë e banesave familjeve të oficerëve të Koshares, për pak muaj.
Kurse babain e Vjosës, Raif Osmanin, nëpunës komunal, e akuzonte për shërbim të pushtuesit! Ndërkohë që ai ishte i burgosuri politik, me grupin e ministrit të Mbrojtjes, FARK, Gjeneral Hajzer Hajzeraj!
Vjosë Osmani është mbesa e Kolonel Sylejman Vuçitërnës, i arratisur në Shqipëri, nga regjimi i Kralit të Serbisë. Mbaron Shkollën Normale në Elbasan. Mbreti Zog e burson për shkollimin në Akademinë Ushtarake në Itali. Emërohet kryetar i Asamblesë Ushtarake të Shqipërisë Mbretërore.
Në Luftën e Dytë Botërore, la bashkëshorten nga një familje fisnike, me 7 fëmijë, në Shqipëri, erdhi për çlirimin e Kosovës, iu bashkua tribunëve popullorë, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës me shokë, në mbrojtje të Kosovës dhe të Sanxhakut.
Qeveria komuniste jugosllave e dënoi me vdekje. Nga malet e Kosovës iku përsëri në Shqipëri. Regjimi i filo-sllavit Enver Hoxha, e dënoi me 30 vjet burg të rëndë, me punë të detyrueshme, “pse ka luftuar kundër vëllezërve komunistë jugosllavë!”
Enver Hoxha, veç mijëra të tjerëve, përfshirë edhe 6.000 intelektualë të vrarë dhe të lënë pa varr, të vetmin nga viktimat e tij, Kolonel Sylejman Vuçitërnën e varrosi të gjallë, në Kënetën e Maliqit.
Kam pasur fatin e zi të vuaj burgun e Burrelit, me bashkëvuajtësit e Sylejman Vuçitërnës, në mes tyre edhe Dr. Osman Kazazin dhe Sami Dangëllinë, gjatë LDB sekretarë të rinisë, përkatësisht, të Tiranës dhe të Korçës, të cilët vuajtën, përkatësisht, nga 43 dhe 44 vjet burg, rrëfenin për guximin, qendresën, krenarinë dhe dinjitetin e Kolonel Sylejman Vuçitërnës.
Urtësia na mëson, “një krua që ka rrjedhur gjithmonë, edhe nëse pushon së rrjedhuri, të paktën, do të pikojë”. Andaj, keni besim ke mbesa pinjolle e heroit Vuçitërna.
Në vizitën e parë që bëri Vjosë Osmani në Shqipëri, në cilësinë e Presidentes, kishte vënë në agjendë që bashkëpunëtorëve, djemve dhe nipërve të Enver Hoxhës dhe të bandës së tij byroiste komuniste dhe fashiste, t`u tregojë historinë vrastare të Gjyshit të saj dhe varrosjen për së gjalli. Deputetët e të djathtës, në Parlamentin shqiptar, e duartrokitën fort, ndërsa deputetët e të majtës, pothuaj se, heshtën. Rama qëllimshëm e bojkotoi fjalimin e presidentes Vjosë Osmani, duke mos qenë pjesëmarrës në sallën kuvendore!
Mediat e uzurpuara nga pushteti i Edvin Ramës, e sulmuan në kor, duke e konsideruar si provokim të qëllimshëm të Presidentes të Kosovës. Ndërsa mediat e djathta e mirëpritën denoncimin makaber të kriminelëve të monizmit komunist shqiptar.
Të njëjtën gjë e bëri e majta ekstreme e Kosovës, PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in kriminal.
Vendimi i LDK-së për fillimin e profilizimit të së djathtës të Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, megjithatë, fort i qëlluar. Personalisht, kohë më parë, pata shkruar dhe propozuar që në krye të bashkimit djathtist të vihet Dr. Vjosë Osmani, e cila është përfaqësuesja e denjë e mbrojtjes të parimeve shenjta të Presidentit urtak Ibrahim Rugova.






