Hysen S. Dizdari
Studiues i historisë dhe filatelisë
Në muaj shkurt të këtij viti u botua në italisht nga shtëpia botuese italiane “Edizione Pergamena” një vepër e re me rëndësi historike për kombin shqiptar me titull: “Skënderbeu, Shqipja që frenoi Perandorinë Otomane “.
Kjo vepër është shkruar nga dy autorë të shquar italianë: Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá. Ajo që të bie në sy që në fillim të kësaj vepre është puna e madhe kërkimore e shkencore e dy autorëve nëpër arkivat e bibliotekat italiane dhe evropiane si në Romë, Napoli, Firence, Bari, Venecia, Vjenë, Berlin, Paris etj.
Kjo vepër e tyre është mbështetur në burime të rëndësishme arkivore, dokumentare e historike, por edhe në një bibliografi të pasur me veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj kushtuar Skënderbeut si: Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Gjon Muzaka, Fan Noli, Kristo Frashëri, Giammaria Biemi, Franz Babinger etj.
Autorët e shquar, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, sjellin para publikut italian, shqiptar e evropian një vepër të re, të shkruar me dashuri dhe me dije, një histori të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ndryshe nga autorët e tjerë italianë e të huaj, duke e parë Skënderbeun jo vetëm si hero i kombit shqiptar, por edhe si hero të kombit italian dhe si hero edhe të kombeve të Evropës. Pësmes luftës së tij 25 vjeçare, Skënderbeu e mbrojti jo vetën vendin e tij, Shqipërinë, nga pushtimi i ushtrisë otomane, por edhe vendet fqinje, midis tyre edhe Italinë, po dhe Evropën. Me të drejtë dy autorët theksojnë se Skënderbeu është hero i kombeve të Evropës.
Ja me sa përkushtim, dashamirësi e fisnikëri shkruhet në hyrjen e librit: “Skanderbeg shqipja që frenoi Perandorinë Ottomane” (faqe -3), në formë “dedikimi”:
“Juve o popull shqiptar që jeni mbartës të emrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, jo vetëm në librat e historisë, por në gjak dhe në shpirt. Ju jeni mbrojtësit e flakës së tij. Nuk keni pasur nevojë as për këtë libër, as për ndonjë tjetër, për të njohur madhështinë e heroit tuaj. E keni mbajtur në jetë gjatë shumë shekujve heshtjeje, duke murmuritur gjestet e tij në këngët e baballarëve tuaj dhe të gjyshërve tuaj. E keni sjellë me vete nëpërmjet Adriatikut, duke e bërë zemrën dhe shpirtin e komunitetit tuaj në mërgim. E keni bërë tuajën kurajën e tij, Shqiponjën e tij e bëtë simbol të qëndrueshmërisë suaj të paepur. Juve, që jeni trashëgimtarët e gjallë të tij, jua dedikoj këtë vepër jo si një leksion, por si një homazh të përulur dhe të thellë të një miku italian, që duke parë përtej detit tonë të përbashkët, ka parë dritën e një gjiganti, dhe ka mbetur i mrekulluar.
Edhe gjithë atyre që, në Itali e në Shqipëri, e takojnë për herë të parë këtë emër nëpërmjet faqeve të këtij libri.
Ky libër nuk është vetëm një tregim i betejave të kohëve të vjetra. Është një ftesë për një udhëtim për zbulimin e një prej figurave më të jashtëzakonshme që Kontinenti ynë ka dhënë. Ju uroj që të zbuloni, ashtu siç kam zbuluar unë, që historia e Skënderbeut nuk është vetëm kronikë e një luftëtari, por mishërim i idealeve që nuk njohin kufij si lufta për liri, mbrojtja e shtëpisë së vet, dinjiteti i një populli që refuzoi të dorëzohet.
Shpresoj që në përfundim të këtij udhëtimi, do të keni mundësinë që ta dashuroni dhe respektoni atë, jo vetëm si hero i një kombi, por si një simbol universal i gjithë atyre gjërave që shpirti njerëzor mund të kryej përballë mundësive të pamundura.
Si italian e shkrova këtë libër i shtyrë nga ndjenja e detyrës dhe admirimit. Detyrës që të kontribuoj në vendosjen e një heroi kaq madhështor në vendin që i takon në pantheonin evropian.
Admirimin për një njeri që nuk ishte vetëm Babai i Atdheut shqiptar, por edhe mbrojtës, që në një moment të errët të historisë, mbrojti pikërisht kufirin tonë bregdetar. Historia e tij i përket Shqipërisë, por trashëgimia e tij shpirtërore është pasuri e mbarë Evropës.
Urojmë që Shqiponja e tij të fluturojë gjithmonë lart në kujtesën e përbashkët, duke bashkuar brigjet tona me një përqafim e respekt vëllazëror.”
Vepra e dy autorëve italianë, Aldo Diomedes dhe Claudio Di Giá, e ndriçon në rrafshe të ndryshme dhe në mënyrë mjaft të plotë historinë e Skënderbeut, që nga marrja peng në oborrin e sulltanit, çlirimi i Krujës më 28 nëntor 1443, luftën e betejat e tij fitimtare mbi ushtrinë otomane, marrëdhëniet e tij me Mbretërinë e Napolit, Venedikun dhe Papët e Romës.
Në ketë vepër dy autorët kanë analizua mirëfilli dhe strategjinë që përdori Skënderbeu për t’i arritur fitoret në betejat kundër ushtrisë otomane shumëfish më të madhe, në forca dhe mjetet më moderne të shek. XV.
Vepra “Skënderbeu Shqiponja që ndaloi Perandorinë Otomane” përmban 15 kapitujt të cilët e shpalosin historinë e Skënderbeut në një varg të dhënash e faktesh:
Kapitulli -1:Shqipëria e princave. Familja Kastrioti dhe sistemi osman i vasalitetit.
Kapitulli -2: Peng në Edirne. Jeta e Gjergjit të vogël në oborrin e sulltanit.
Kapitulli- 3: Shkëndija e kthimit. Lidhja e pa ndërprerë me atdheun e tij..
Kapitulli -4: Çlirimi i Krujës. Rrëfimi pothuajse mitik kthimi i tij.
Kapitulli -5: Përkrenarja e Dragoit. Heqja dorë nga islami dhe kthimi në krishterim dhe përkrenarja ikonike.
Kapitulli -6 : Lidhja e Lezhës kryevepra diplomatike.
Kapitulli -7: Lufta në male. Një analizë e detajuar e taktikave të tij.
Kapitulli -8: Rrethimi pa fund. Rrethimi epik tri herë i Krujës.
Kapitulli -9: Përplasje titanësh.
Dueli i tij personal me gjeneralët e ushtrisë osmane.
Kapitulli -10: Ndihma nga Roma. Marrëdhënia me Papët.
Kapitulli -11: Miqtë dhe armiqtë. Marrëdhënia me Venedikun dhe ndihma e mbretërisë Napolit.
Kapitulli -12: Një Mbret pa kurorë. Roli i tij si udhëheqës i pa diskutueshëm.
Kapitulli -13 :Beteja e fundit. Vdekja e tij nga sëmundja.
Kapitulli -14: Pas Skënderbeut. Rënia e qëndresës dhe shtegtimi në Itali.
Kapitulli -15: Përse u “harrua “ ai. Një analizë përse figura e tij ra në margjinat e historiografisë evropiane.
Përfundim: SHQIPONJA ENDE FLUTURON!
Populli shqiptar në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Itali, e kudo në Evropë, në SHBA, në Kanada e në Australi u është shumë mirënjohës dy autorëve të shquar italianë të kësaj vepre: ALDO DIOMEDES dhe CLAUDIO DI GIÁ, për punën e tyre të çmueshme kërkimore dhe shkencore, për ta sjellë para publikut italian, shqiptar, evropian e botëror këtë vepër me vlerë, kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Më mban shpresa se brenda vitit 2026 kjo vepër do ta shohë dritën e botimit edhe në gjuhën e Atdheut të Skënderbeut, në gjuhën shqipe, dhe do studiohet e do të shfrytëzohet si burim i rëndësishëm për njohjen e mëtejshme të jetës dhe të veprimeve të Skënderbeut.
Fund, shkurt 2026











