Nga Rexhep Çullhaj
Në një kohë kur teknologjia po ndryshon mënyrën se si informohemi, argëtohemi dhe komunikojmë, libraria vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të shoqërisë. Shpesh thuhet se libraritë shesin libra, por në të vërtetë ato shesin shumë më tepër se kaq. Ato shpërndajnë dije, kulturë, qytetari dhe mendim kritik. Çdo libër që kalon nga rafti në duart e një lexuesi përfaqëson një investim në zhvillimin intelektual të individit dhe të shoqërisë. Prej dekadash që merrem me librin, një pyetje më ka shoqëruar vazhdimisht: a lexojnë shqiptarët? Kjo është një pyetje që nuk ka një përgjigje të vetme. Ka njerëz që lexojnë shumë, të tjerë më pak dhe një pjesë që e kanë humbur kontaktin me librin. Megjithatë, ajo që bie në sy është se leximi nuk ka më vendin që kishte dikur në jetën e përditshme të njerëzve. Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të studiohen me kujdes shkaqet.
A ka rënë numri i lexuesve për shkak të teknologjisë? A ndikon emigracioni dhe zvogëlimi i popullsisë? A ka ndryshuar mënyra e jetesës? Apo ndoshta libri nuk promovohet sa duhet? Këto janë pyetje që kërkojnë analiza serioze dhe statistika të sakta. Libraritë janë vendet ku mund të gjendet një pjesë e mirë e përgjigjeve. Librari është personi që e njeh më mirë tregun e librit. Ai di se cilët autorë kërkohen, cilat zhanre pëlqehen dhe cilët libra mbeten për muaj të tërë në rafte. Për këtë arsye, mendimi i librarëve duhet të dëgjohet më shumë nga botuesit, institucionet kulturore dhe studiuesit e tregut të librit. Në Shqipëri flitet shpesh për autorët, botuesit dhe panairet e librit, por shumë rrallë flitet për librarët. Megjithatë, ata janë hallka e fundit dhe më e rëndësishme e zinxhirit që lidh autorin me lexuesin. Pa librarinë dhe pa librarin, edhe libri më i mirë mund të mbetet i panjohur.
Një librar i mirë nuk është thjesht shitës. Ai është këshilltar, orientues dhe promovues i kulturës. Ai e di se ku duhet vendosur një botim i ri, cilët libra duhet të ekspozohen në hyrje dhe cilat tema tërheqin më shumë vëmendjen e publikut. Shpesh një rekomandim i sinqertë nga librari vlen më shumë sesa një reklamë e kushtueshme. Një problem i vazhdueshëm mbetet mungesa e informacionit të plotë mbi tregun e librit. Do të ishte e nevojshme që institucionet përgjegjëse të publikonin rregullisht të dhëna mbi numrin e librarive, nivelin e leximit, librat më të shitur dhe prirjet e lexuesve. Këto statistika do të ndihmonin jo vetëm botuesit dhe autorët, por edhe politikëbërësit në hartimin e strategjive për nxitjen e leximit. Një çështje tjetër lidhet me shpërndarjen e librit. Shpesh autorët dhe botuesit nuk kanë informacion të qartë nëse një libër i shpërndarë është shitur apo jo. Në këtë pikë, libraritë janë burimi më i besueshëm i informacionit. Ato shohin drejtpërdrejt reagimin e lexuesve dhe mund të japin një pasqyrë reale të suksesit ose dështimit të një botimi. Panairet e librit janë aktivitete të rëndësishme kulturore.
Aty ndahen çmime për autorët, përkthyesit dhe botimet më të mira. Por a nuk do të ishte e drejtë që të kishte edhe çmime për libraritë më të mira? Një çmim për librarinë më të mirë të vitit, për shërbimin më cilësor ndaj lexuesit ose për promovimin më të mirë të librit do të ishte një vlerësim i merituar për këtë profesion. Në fund të fundit, libraria është vendi ku libri merr jetën e tij të dytë. Pas punës së autorit, redaktorit dhe botuesit, është librari ai që e prezanton librin para publikut. Kujdesi me të cilin sistemohen raftet, pastrohen librat dhe organizohen ekspozimet është pjesë e një pune të rëndësishme kulturore. Sa u përket autorëve më të kërkuar, lexuesit shqiptarë vazhdojnë të tregojnë interes për emra të njohur të letërsisë botërore si Charles Bukowski, Anton Çehov, Paulo Coelho, Viktor E. Frankl dhe Paullina Simons. Nga autorët shqiptarë vazhdojnë të lexohen Petro Marko, Migjeni, Frederik Rreshpja, Flutura Açka, Adelina Mamaqi, Fabulat e Fablerit r/ç. dhe shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë.
Libri nuk ndikon vetëm në kulturë. Ai ndikon edhe në ekonomi. Një shoqëri më e arsimuar dhe më e informuar është më produktive dhe më e aftë për të përballuar sfidat e zhvillimit. Leximi zhvillon aftësinë për të menduar, për të analizuar dhe për të marrë vendime më të mira. Në këtë kuptim, çdo libër i lexuar është një investim në kapitalin njerëzor. Një shqetësim mbetet edhe trajtimi jo i denjë i librit në disa raste. Shpesh shohim libra të ekspozuar në trotuare, pranë rrugëve ose në ambiente të papërshtatshme, të dëmtuar nga pluhuri, lagështia dhe kushtet atmosferike. Libri meriton respekt, sepse ai është mbartës i dijes dhe i kulturës. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, shumë librari vazhdojnë të mbijetojnë falë pasionit të njerëzve që i drejtojnë. Shumë prej tyre nuk sigurojnë fitime të mëdha, por mbeten të hapura sepse pronarët dhe punonjësit e tyre e duan librin.
Ata e shohin librarinë jo vetëm si biznes, por si mision kulturor. Nga përvoja ime kam kuptuar se njerëzit që merren me librin zotërojnë një pasuri të veçantë. Ata mund të mos jenë gjithmonë të pasur financiarisht, por janë të pasur në kulturë, dije dhe përvojë njerëzore. Të punosh mes librave do të thotë të kalosh ditët mes ideve, historive dhe mendimeve që kanë formësuar qytetërimin njerëzor. Prandaj, kur flasim për librin, nuk duhet të harrojmë libraritë dhe librarët. Ata janë rojet e heshtura të kulturës së leximit. Në duart e tyre kalojnë mijëra libra dhe qindra mijëra histori. Ata ndihmojnë që dija të mos mbetet e mbyllur në faqe, por të udhëtojë nga një mendje tek tjetra. Një komb që lexon është një komb që mendon. Një komb që mendon është një komb që përparon. Për këtë arsye, mbështetja e librarive, e librarëve dhe e kulturës së leximit duhet të jetë një nga prioritetet e çdo shoqërie që synon zhvillimin dhe përparimin e saj.











