Besnik Fishta
Pulla postare është shumë më tepër se një mjet pagese për shërbimin postar. Ajo është një dokument zyrtar i shtetit, një dëshmi historike dhe një ambasadore e identitetit kombëtar. Çdo pullë përfaqëson vendin që e emeton dhe, përmes figurës, tekstit dhe simbolikës së saj, përcjell kulturën, historinë dhe gjuhën e tij. Pikërisht për këtë arsye, çdo emërtim dhe çdo shënim në një pullë postare duhet të jetë në përputhje të plotë me normën e shqipes standarde. Një gabim gjuhësor, sado i vogël të duket, fiton karakter zyrtar dhe mbetet i dokumentuar për dekada, duke u bërë pjesë e historisë postare të vendit.
Një nga rastet më të shpeshta të shmangies nga norma është përdorimi i formës “Europe” në vend të “Evropë”. Ky fenomen është vërejtur në disa emisione filatelike shqiptare, sidomos në pullat kushtuar kampionateve evropiane sportive, por edhe në emërtime të tjera ku kontinenti përmendet në tekstin shqip. Sipas normës drejtshkrimore të shqipes, forma e saktë është Evropë, ndërsa mbiemri është evropian. Përdorimi i formës “Europe” në tekstin shqip përbën një largim nga standardi, pasi ajo i përket gjuhëve të tjera dhe nuk është pjesë e leksikut normativ të shqipes.
Këtu duhet bërë një dallim i domosdoshëm. Kur në pullë përdoret logoja zyrtare ndërkombëtare EUROPA, ajo duhet të ruhet e pandryshuar, sepse është emërtim zyrtar i programit të përbashkët të PostEurop-it. Por kur fjala përdoret në tekst shpjegues ose në përshkrime në gjuhën shqipe, forma e vetme e drejtë është Evropë. Ky dallim duhet të jetë i qartë për projektuesit dhe redaktorët e emisioneve postare.
Një rast tjetër, po aq domethënës, lidhet me përdorimin e saktë të leksikut. Në një emision filatelik me temën “Portat shqiptare”, ilustrimet paraqesin në të vërtetë dyert e banesave tradicionale shqiptare. Nga pikëpamja e shqipes standarde, dera dhe porta nuk janë sinonime dhe nuk mund të përdoren si të barasvlershme. Fjalori i Gjuhës Shqipe i dallon qartë këto dy njësi leksikore: dera është hyrja e një ndërtese ose e një dhome, ndërsa porta është hyrja e një oborri, kalaje ose e një hapësire të rrethuar. Për rrjedhojë, nëse pullat paraqesin dyer banesash, titulli “Portat shqiptare” nuk përputhet me objektin e ilustruar.
Ky nuk është thjesht një diskutim terminologjik. Ai lidhet me saktësinë e informacionit që një pullë postare është e detyruar të përcjellë. Filatelia nuk është vetëm art grafik; ajo është edhe dokumentim. Prandaj, emërtimi i një emisioni duhet të jetë në përputhje të plotë me figurën që paraqitet. Në këtë rast, një titull si “Dyert shqiptare” do të ishte terminologjikisht më i saktë dhe në përputhje me normën e shqipes standarde. Ky shembull tregon se hartuesit e emisioneve filatelike duhet të kenë kujdes jo vetëm për drejtshkrimin, por edhe për përdorimin e saktë të leksikut, duke shmangur njëjtësimin e fjalëve që nuk janë sinonime.
Emisioni i vitit 2025 Tema: “Portat shqiptare”
Fatkeqësisht, devijime të tilla nuk kufizohen vetëm te filatelia. Edhe në median shqiptare hasen shpesh forma si “Europe”, “Europa” ose “europian”, ndonëse norma standarde përcakton qartë format Evropë dhe evropian. Duke qenë se media ka një ndikim të madh në kulturën gjuhësore të shoqërisë, gazetarët dhe redaktorët duhet të jenë ndër mbrojtësit më të vendosur të standardit dhe jo përhapës të formave të pasakta.
1984 shkruar sakte
1992 shkruar sakte
2004 shkruar gabim
2018 shkruar gabim
2020 shkruar gabim
Përvoja tregon se çdo emision postar kalon nëpër disa faza: përzgjedhjen e temës, hartimin e projektit grafik, redaktimin, miratimin dhe botimin. Pikërisht në këtë proces duhet të përfshihet edhe kontrolli profesional i gjuhës. Një redaktim gjuhësor nga specialistë do të shmangte gabimet drejtshkrimore, terminologjike dhe leksikore, duke garantuar që çdo pullë të jetë po aq e saktë në përmbajtje sa edhe e realizuar në aspektin artistik.
Po kështu, vëmendje duhet t’u kushtohet edhe emrave historikë, toponimeve, emërtimeve shkencore të florës dhe faunës, si dhe përdorimit të saktë të terminologjisë kulturore e etnografike. Çdo pasaktësi në këto fusha dobëson vlerën dokumentare të pullës dhe krijon precedentë të panevojshëm në komunikimin zyrtar.
Në një kohë kur pulla postare përfaqëson Shqipërinë në qindra vende të botës dhe ruhet përgjithmonë në koleksione, muze e arkiva, ajo duhet të jetë model i saktësisë gjuhësore. Respektimi i normës së shqipes standarde nuk është një kërkesë formale, por një detyrim institucional dhe kulturor. Kujdesi për drejtshkrimin, për zgjedhjen e fjalës së duhur dhe për përdorimin korrekt të leksikut është po aq i rëndësishëm sa cilësia artistike e projektimit. Vetëm kështu pulla postare mund të përmbushë denjësisht misionin e saj si dokument zyrtar dhe si përfaqësuese e identitetit gjuhësor e kulturor të kombit shqiptar.











