23.8 C
Tirana
E hënë, 3 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Razijes, 90-vjetorin e lindjes së saj…

Razijes, 90-vjetorin e lindjes së saj…

0
Razija

Portret për njerëz të thjeshtë, por tepër të çmueshëm për ne…

Disa fjalë zemre për nënën tonë Razien në 90-vjetorin e lindjes së saj. Një emocion i veçantë përshkruan gjithë qenien time kur po mundohem të hedh disa rreshta të ndiera për nënën, gruan dhe zonjën e madhe të familjes sonë të zgjeruar, Razies.

Emocioni që kam është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Po hedh disa rreshta jo vetëm si fëmija i saj i parë, por mbi të gjitha si njeriu që ka jetuar më shumë pranë kësaj nëne të mirë, të ndjeshme, shumë të zgjuar, pranë kësaj gruaje të jashtëzakonshme që përmbush cilësitë dhe virtytet më të mira të të qenurit, njeri.

Sot ajo është e detyruar të dergjet në shtrat pasi ka mbi pesë vjet që është gjymtuar në këmbë dhe nuk lëviz fare. E megjithatë për moshën e thyer që ka, ajo gëzon shëndet të mirë dhe mbi të gjitha ka një memorje që është për tu patur zili. Asaj po i bëjnë një shërbim perfekt familja,si: Gëzimi, Lutfia, Eri dhe Tana, etj. Falë tyre ajo po e shtyn shumë mirë këtë kohë të jetës së saj…

E megjithatë mosha dhe sëmundjet bëjnë punën e tyre…

Kur e sheh për momentin në shtrat, kujtesa të çon më tej në kohë dhe kujtimet dhe mendimet për të, rrjedhin si ujët e kulluar të burimit të Gurrës, kujtohen dhe fiksohen si nëpër filmat me ekran të gjerë…

Të tilla janë nënat, perfekte në vlerat që mbart, e tillë është edhe nëna jonë e shtrenjtë, Razia…

Razia lindi në Bastar të Mesëm më 26.11. 1936. Qe fëmija i parë i Gani dhe Zelie Ballaxhit.

Prindërit e saj qenë të mrekullueshëm. Gania, një burrë shumë i zgjuar dhe me emër të mirë në Bastar dhe gjithë krahinën tonë. Zelia, ishte vajza e njeriut me zë për kohën, Beqir Totrit. Nëna e Razies, Zelia, qe një grua e veçantë, e urtë, e sjellshme, bujare e veçantë dhe me emër të mirë. Krahas Razies, prindërit e saj patën një djalë, Beqirin, dhe tre vajza të tjera; Meremen, Havanë dhe Zojën.

Në këtë ambient u lind, u rrit dhe u edukua, Razia. Ajo u përball shpejt me vështirësitë e kohës që ishin prezent në fshatin shqiptar të atyre viteve. Në këto kushte ajo arriti të bënte edhe kursin kundër analfabetizmit, në Bastarin e atyre viteve dhe mësoi shkrim e këndim.

Në kohën e saj Razia pati shumë kërkesa për martesë. U fejua që 7-vjeçe me shkuesi, me Zija Ibrahim Kabilin. Fati deshi Zijai qe jetim dhe jeta e tij kaloi në shumë sfida dhe peripeci. Atë e lindi nëna e tij, Sherife Hysa Kabili. Ajo vdiq shpejt duke e lënë djalin e saj, Zijain, një vjeç. Për rritjen, edukimin, martesën dhe kujdesin prindëror ndaj tij, me përkushtim u kujdes gjithë jetën e saj, Ishja. Megjithëse ajo qe njerka e Zijait, u bë nënë e kaluar nënës. Ajo gjithë jetën e saj nuk i ndau nga njëri-tjetri Zijain dhe Shefqetin (djalin biologjik të saj). Kjo grua burrëneshë, edhe sot e kësaj dite kur nuk jeton më, thirret me emrin e dashur, nënë. Ajo qe më shumë se nënë, për babain tonë Zijain, dhe do të mbetet e tillë edhe për ne shtatë fëmijët e Zijait dhe pasardhësit tanë…

Pasi u martua me Zijain, Razia qe një dritë e re për familjen me jetima. Ajo shkoi shumë mirë me vjerrën Ishen, dhe kunatin e saj, njeriun e mirë dhe të paarritshëm, Shefqetin. Të katër këta i vunë “krahët” shtëpisë, menaxhuan tokat e pasurinë dhe përmirësuan kushtet e jetesës së famljes.

Nga martesa e Razies me Zijain lindën shtatë fëmijë: Ibrahimi, Sherifja, Nazmia, Zoja, Gëzimi, Shkëlqimi dhe Fatmira. Falë punës, përkushtimit dhe kujdesit të prindërve, të gjithë fëmijët janë shkolluar sipas mundësive, kanë krijuar familjet e tyre dhe vazhdojnë të ecin përpara sipas mësimeve dhe edukatës së marrë nga familja dhe prindërit… Ne si fëmijë kemi pasur një kujdes të shtuar nga ana e prindërve tanë. Falë edhe punës së tyre ne kemi arritur të krijojmë kushte më të mira jetese. Kushtet e jetesës ndryshojnë në kohra, por mbi të gjitha ne si fëmijë kemi marrë një edukatë të mirë familjare dhe për këtë krenohemi. Razia si nënë ka një meritë të veçantë.

Ajo është lodhur dhe sfilitur shumë në punë fizke pasi ishte nënë me shumë fëmijë. Ajo ka mbajtur një peshë të madhe në familje në punët e bujqësisë gjatë privatit të parë, pasi ishim famlje me pak krahë pune. Gjatë kohës së kolektivizimit ajo ka bërë punë të rënda në bujqësi dhe blegtori. Pas viteve ’90, ajo nuk i është ndarë asnjëherë punës deri sa doli në pension. Krahas punës fizike ajo gjatë gjithë jetës së saj ka qenë një amvisë e shkëlqyer. Shtëpia jonë ka pritur dhe përcjell shumë njerëz, shokë, miq dhe të afërm. Në këtë drejtim Razia ka kontributin e saj. Razia ka qenë dhe është e dhënë, edhe sot e kësaj dite në këtë moshë, pas traditave, veshjes tradicionale, këngëve dhe folklorit të zonës, etj.

Ky shkrim modest për të, është gjëja më e vogël në shenjë mirënjohjeje dhe respekti. Është një shkrim i bërë me zemër nga unë, me ndihmën e gjithë familjes sonë të madhe. Për këtë unë u jam mirënjohës atyre dhe i falenderoj shumë.

90 vite për Razien nuk janë vetëm një numër. Ato janë net pa gjumë, ditë të gjata pune, vite e vite përkujdesjeje ndaj fëmijëve dhe pjestarëve të tjerë të famljes, kanë qenë vendosmëri për të ecur përpara, kanë qenë punë, përkushtimin, ndershmëri, korrektësi dhe humanizëm i figurës saj.

Unë “nusen”, siç e kam thirrur dhe e thërras edhe tani në këtë moshë, e vlerësoj si një grua të ndershme, të shkathët për çdo punë, humaniste në shpirt, një grua e fortë në marrjen, dhënjen dhe zbatimin e detyrave në familje. Ajo ka mbajtur familjen me dashuri të madhe, respekt të pakufizuar dhe zemër të gjerë. Razia ka bërë shumë gjëra për të tjerët dhe nuk ka menduar aq sa duhet për veten…

Razie e dashur, faleminderit për 43 vitet e shërbimit. Faleminderit për forcën që ke treguar pa u ankuar kurrë. Faleminderit për dashurinë që ke dhënë pa kufi.

Ne si familje e madhe, pasardhësit e Qetit, dhe ne fëmijët e tu, jemi krenarë për ty! Ndaj të themi faleminderit për gjithçka dhe të urojmë edhe 100 vite jetë!

Ibrahim Kabili
Tiranë, më 02.08.2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.