Autore:
Elife LUZHA
21.09.2025
Të dashur miq,
Në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ky shkrim ofron informacion të shkurtër, por të dobishëm, mbi partitë që garojnë.
Zgjidh me mendje – e ardhmja është në dorën tënde!
Lexim të këndshëm!
Në çdo shoqëri të organizuar, politika shërben si instrument thelbësor për administrimin dhe koordinimin e interesave të përbashkëta. Në këtë kontekst, partitë politike luajnë një rol kyç, duke vepruar si mekanizma që mobilizojnë dhe strukturojnë pjesëmarrjen qytetare në politikë.
Edhe pse gjurmët e para të partive politike i gjejmë që në Republikën Romake, kuptimi i tyre i plotë u formësua vetëm me lindjen e demokracisë moderne. Siç thotë Max Weber, “ato janë fëmijët e demokracisë dhe të votimit të përgjithshëm”. Nga një këndvështrim tjetër, Daniel Seiler (2000) argumenton se partitë nuk janë domosdoshmërisht produkt i demokracisë, por rezultat i përfshirjes së shtresave të gjera shoqërore në jetën politike (f. 20).
Pavarësisht këtyre qasjeve teorike, partitë politike përbëjnë shtyllën kurrizore të çdo sistemi demokratik. Ato nuk janë thjesht mekanizma për të fituar pushtetin, por ura lidhëse mes qytetarit dhe shtetit, individit dhe shoqërisë, idealit dhe realitetit. Ato lindin aty ku njerëzit fillojnë të besojnë se fjala ka fuqi, se vota ka peshë dhe se zëri i tyre mund të dëgjohet.
Në kohët moderne, kur informacioni qarkullon më shpejtë se mendimi dhe emocionet shpërthejnë më parë se arsyetimi, partitë politike kanë nevojë për vizion të qartë dhe ide që frymëzojnë. Ato duhet të fitojnë dhe ruajnë besimin e qytetarëve, të cilët sot nuk kërkojnë vetëm të udhëhiqen, por edhe të dëgjohen, të përfshihen dhe të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes.
- Zhvillimi i sistemit shumëpartiak në Kosovë
Partitë e para politike në Kosovë u formuan në fillim të viteve 1990, duke shënuar kështu kalimin nga një sistemi njëpartiak në një sistem shumëpartiak. Deri në vitin 1996, ishin themeluar rreth 15 parti, ndonëse aktiviteti i tyre ishte i kufizuar për shkak të rrethanave pushtuese.
Sot, në Kosovë janë të regjistruara mbi 50 parti politike. Megjithatë, periudha ndërmjet viteve 2001–2008, u dominua kryesisht nga tre subjekte: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Pas vitit 2010, Lëvizja Vetëvendosje ndryshoi ndjeshëm ekuilibrat politikë, duke dalë si partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Por, qeveria e saj u rrëzua vetëm pas 15 ditësh, më 25 mars 2020, përmes një mocioni mosbesimi të iniciuar nga LDK-ja, atëkohë partnere në koalicionit.
Fillimisht, partitë në Kosovë nuk kishin një profil të qartë ideologjik dhe ndaheshin kryesisht sipas lidhjes së tyre me “krahun e luftës” apo “krahun e paqes”. Edhe sot, mungesa e një identiteti të qartë ideologjik mbetet sfidë. Sipas Adem Behës përjashto Vetëvendosjen, shumica e partive në Kosovë vuajnë nga mungesa e koherencës ideologjike, dominimi i liderëve dhe struktura patrimoniale.
- Tipologjia ideologjike dhe organizative e partive në Kosovë
Partitë politike lindin për arsye të ndryshme – ideologjike, fetare, apo si rezultat i karizmës së liderëve. Sipas kancelarit të parë të Republikës Federale të Gjermanisë, Konrad Adenauer, partitë që bazohen vetëm në kërkesat e momentit janë jetëshkurtra. Për të mbijetuar, ato duhet të ndërtohen mbi vlera dhe struktura afatgjata.
Partitë dallojnë për nga organizimi i brendshëm, orientimi politik, shtresat që përfaqësojnë dhe qëndrimi ndaj sistemit ekzistues. Ndarja më e zakonshme është ajo ndërmjet të majtës dhe të djathtës – ndarje që, sipas Daniel Seiler, mbetet e qëndrueshme. (f, 35-36). Përtej kësaj ndarjeje, partitë mund të klasifikohen si autoritare apo demokratike; masive, elektorale, popullore apo “catch–all” – që synojnë përfshirjen e një game të gjerë bindjesh dhe interesash.
- Partitë “Catch–All” dhe Partitë Kundër Sistemit: analizë krahasuese
Në historinë e tipologjisë së partive politike, termi “catch–all party” për herë të parë u përdor nga Otto Kirchheimer më 1966, për të përshkruar partitë që synojnë të përfshijnë shtresa të ndryshme të shoqërisë. Ai i quajti ato Allerweltspartei (në gjermanisht: “parti për gjithë”), të cilat karakterizohen nga mungesa e një ideologjie të qartë dhe dominimi i lidershipit.
Në anën tjetër, partitë kundër sistemit sfidojnë vetë bazat normative të rendit politik. Sipas Giovanni Sartori, këto parti nuk synojnë vetëm ndryshimin e qeverisë, por ndryshimin e mënyrës së të qeverisurit.
Në kontekstin kosovar, “PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja mund të klasifikohen si parti të tipit “catch–all”: me lidership dominues, përjashtim të anëtarësisë nga vendimmarrja dhe mungesë autonomie në degët lokale. Sipas Behës, këto parti janë më pak të prira për të zhvilluar demokraci të brendshme (2017, f.86).
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mund të shihet si një parti relativisht kundër sistemit – me strukturë më transparente, më të decentralizuar dhe me përfshirje më të madhe të anëtarësisë në proceset vendimmarrse. Ky klasifikimi mbështetet në qëndrimet e saj kritike ndaj Planit të Ahtisaarit dhe pasojave të tij (2017, f. 86).
━━━━━━━━━━━━
Partitë politike janë pasqyra më e qartë e gjendjes së një demokracie. Aftësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët, për të mbajtur besimin publik dhe për të ofruar alternativa reale politike përcakton cilësinë e sistemit demokratik.
Në Kosovë, ku demokracia është ende në proces ndërtimi, partitë duhet të shkojnë përtej logjikës së fitores elektorale. Ato duhet të investojnë në ndërtimin e një kulture politike demokratike, në përfshirjen aktive të qytetarëve dhe në forcimin e mekanizmave të llogaridhënies.
Fatkeqësisht, realiteti tregon se shumë parti janë larguar nga misioni përfaqësues, duke u shndërruar në struktura të mbyllura, të orientuara nga interesat e ngushta personale apo grupore. Kjo jo vetëm që e minon besimin qytetar, por edhe e dëmton funksionimin e shtetit.
Është koha që partitë politike në Kosovë të rikthehen në funksionin e tyre themelor: të jenë në shërbim të qytetarit. Ndërtimi i një sistemi demokratik funksional kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe presion dhe angazhim aktive nga vet qytetarët.
Të dashur lexues,
Për më shumë mbi partitë politike, ju ftoj të klikoni në linkun e librit tim, “Sfidat e ndërtimit të kulturës politike demokratike në Kosovë”, ku gjeni edhe referencat dhe burimet e përdorura për këtë shkrim.
Faleminderit për kohën dhe vëmendjen!