Ai kapili i Ukës pe majke topin veç n’krye e n’kâmë!

0
194
Imer Seferi

Gjyshi, Imer Seferi (ka vdekur më 1983 në Turjakë)

Pjesë nga libri për Turjakën (17 mahi e hajgare)

  1. Apângat e hekrit

Baca Cufë âsht djali i dytë i Brahim Agës nga Turjaka. Djali e madh âsht Xhemjlia.

Baca Cufë i ka pas dy gra. Me to ka pas 6 djem e 5 qika. Me gruen e parë, Bahtishahin, bijë Mllanaviqi: Asmanin, Ramadanin dhe Sylymanin dhe qikat, Zaden, Temën e Hatmanin. Me gruen e dytë, Nurën, bijë e Dragabilit, baca Cufë ka pas Nezirin, Alinë dhe Muslinë dhe qikën, Hajrinë.

Baca Cufë ka qenë shumë puntor i madh dhe ekonomist e kursimtar (koprrac*)

Ni ballânë*) ish pas rrxue në livadhe në mes të Bublit, Damanekit dhe Turjakës e baca Cufë ish shku e i kish marrë do teneqe të ballanës. Me ato teneqe iu kish marue djemve apânga, për me iu qinru ma shumë, e mos me iu shky.

  1. Kaftorrin me xhama

Baca Cufë e kish pas marue 1 kaftorr t`mirë me teneqe t`ballanës por për mas me ble gaz*), e me bâ dritë, bakaftorrit ia kish ngjit në dy anët ka ni copë t`xhamit. Kur e dhez kaftorrin, xhamat i kërsasin*) e thehen.

  1. 1 kashore bukë me hânger me 1 dud e gjysë

Verës kur dilte buka e nxetë nga çerepi *), baca Cufë ungjej nën hijen e dudit dhe hante bukën me duda. 1 kashore bukë me 1 dudë i dokej pakë, 1 kashore bukë me 2 duda, i dokej shumë, prandaj thonte ai:

-1 kashore bukë, me hânger me 1 dudë e gjysë âsht taman.

*) çerep, enë balte, ku piqeshin bukët, si tepsi e piteve

  1. Ti 1 cigare duhan e unë e ha 1 kokerr shiqer

Baca Xhemajli e Baca Cufë janë kânë dy vllazën. Baca Xhemajli a kânë me i madh dhe i ka pas 2 djem, bacën Metë e bacën Salih dhe ish kânë shumë i meçum kurse baca Cufë, ish kânë puntor i mirë. Baca Xhemajli e kish pas pi duhanin e baca Cufë, jo. Kur e maronte baca Xhemajli cigarën e duhanit nga kutia e donte me pi, baca Cufë i thonte:

-Ti 1 cigare duhan kur ta pin, unë kam me hângër nga 1 kokërr shiqer. Sa cigare duhan ti pin ti, qaq kokrra shiqer kam mi hângër unë.

  1. S’ka me ujë të Gërrjâqes

Baca Cufë ish pas smu *) e iu thotë djemve:

-Shkoni e merrne do ujë në Gerrjaqë se kur ta pi ujin e Gërrjaqës, bâj ma mirë.  

Ishte dimën. Kishte ra borë e madhe. Njani nga djemtë e bacës Cufë, Neziri vjen n`odën tonë pa nxehet e po kallxon se ka me shku me marrë ujë.

– M’ka thânë baba Cufë se kur ta pi ujin e Gërrjaqës*), shnoshna.

Plaki Shaban Ramadani i Turjakës

Baba Imer i thotë:

– Po ku pa do me shku n`kit kjamet*), rri k`tu nja dy sahat e masanej mushe gërqakin me ujë n`bunar tonë e qoja Cufës e mas i kallxo qi e ki marrë te na! Ai e ngon babën Imer dhe mas nja dy sahatëve e merr ujin qysh i ka thânë baba Imer e ia qon bacës Cufë. Kur e sheh baca Cufë, g`zohet dhe e pin ujin:

– Ah si ujë i Gërrjaqës s`ka ….

  1. Cufa i ka 2 gra e djemt hallall po ia bin edhe 2 gra tjera

Kur e kish pas martue Lil (Halil) Derguti djalin, Demirin, masi qi punonte si nëpunës administrate në komunën e Malishevës, i kishin ardhur edhe 2 gra në dasëm, gra qi punonin në komunë, si nunpunse*). Me fjet i kish pas marrë Musli Cufa, djali i vogël i bacës Cufë që edhe ai punonte si traktorist në ish ndërmarrjen ”Përparimi” në Malishevë. Në sabah herët ishin que ato e dikush në oborr të bacës Nezir iu qitke me i la durt e sytë, me bakall. Oda e jonë, ishte në katin e dytë, 5 metra larg aborrit të tyne e prej pengjereve të odës shihej aborri i bacës Cufë si n`pllamë t`dorës. Kur i sheh baba Imer nga penxherja e odës gratë e huja në oborr të bacës Cufë mahitej:

-Djemve t`mi … jau bafsha …se vetëm burra m`bin mysafirë e Cufa i ka 2 gra e djemt hallall ia kanë pru edhe 2 gra tjera e te na vijnë burrat: Mulla Alia, Musli e Asman Maxharra …’

  1. O Imer Seferi po a me Hajdin Nurqin pa rrin a?

Baba, Ukë Imeri (1920-2002)

Niherë në Ulicën e Ali Agëve ish kânë ungj e pa rrin e pinë duhan baba Imer me Hajdinin, djalin e Beqë Nurqit, kusheri nga Turjaka. Nuk vanon shumë e vjen Halit Sakoli i Carravranës. Haliti e ka pas motrën e nipin, djalin e motrës, Latifin, djalin e Qazim Demirit nga Bubli.

Haliti shkonte shpesh te motra e nipat e kthehej edhe te na, kah shkonte ose kah vinte pi Bublit. Kur e sheh babën Imer me Hajdin Nurqin tuj nejt bashkë, pakë si n`hajgare i thotë:

– O Imer Seferi, po a me Hajdin Nurqin pa rrin a?
– Po gjâjma ti naja ma t`mirë i thotë baba Imer Halitit, se edhe unë kum me nejt me ta.

(Tregoi Imer Seferi)

  1. Hajt mara vlla shko niherë te shpia!

Terzitë e Gjakovës, dimnit vishin në Turjakë, në të gjitha mahallat, rrinin, hanin e flenin dhe iu kepnin tirq e gjyrdi, pantollë të zhgunit të gjithë djemve, burrave e pleqve të Turjakës, derisa i kryenin e pastaj këtheheshin në Gjakovë. Te na, kur iu kishin kep teshat e djemve të babës Imer, reni i shkonte te axha Ban për me i pre e kep teshat e zhgujta*).

Terzitë*) pe vesin axhën Ban:

– Shka do me pre pi teshave Shaban. Mstafë Lota e Njaz Zhavelli t`Gjakovës, terzi pe shohin se axha Ban nuk pa flet shka don me pre e kep për veti e për djalë, për Muharremin. Ish pshtet te dera e odës e pa ngon. Gjakovartë, janë shumë të meçum e kopila. Kur e shohin axhën Ban se po menon, M`staf Lota i thotë axhës Ban:

-Shaban, hajt mara vlla shko te shpia niherë!*)

Të tjerët burra qi ishin n`odë ia nisin me kesh, se e murrën vesh meselen e Mstafës.

9. Ky është më përdesuz

Niherë shkon axha Ban e Hamzë Hamidi, mocanik te Brahim Aga, me nejt, te plaki mâ i afërt me gjak, ma i meqëm e ma i pasun. Para se me hy mrèna Hamza i thotë axhës Ban:

– Shaban pa hi unë i pari e ti hajde mas meje!
– Ani bre Hamzë, hin!

Kur hinë mrena, baba Himë *)i vetë:

Cili jini ma i madh? Axha ban thotë:
– Unë jam ma i madh, baba Him!
– E pse hini Hamza para teje, pra?
– Po ky âsht ma përdesuz.

  1. Ai kapili i Ukës pe majke topin vec n’krye e n’kâmë!

Niherë në Livadhet te Mullini i Brahim Agës, në Turjakë, Axha Ban ish kânë me lopë e unë nuk e kam pa se ai ish hi me ni hije. Unë luaja me ni top futbolli në livadhe që ishte gzimi ma i madh me pas top se baba Imer nuk na linte me lu me top. Na thonte:

– Mas ma shkilni barin se dhetë s’kanë shka me hânger dhe shkitë kanë lujtë me kry t’pejgamerit, si top.

Axha Ban më kish pas kqyr qysh lujsha unë me top. Topin e mbaja në krye, në gjyks, guj e kâmë. Kur ish shku n`shpi iu kish kallxu Rremës dhe tezës Zizë resë, qikës së Halil Hisenit.

  1. Baca Man, a ti qoj 3000 franga?

Avdi Hamidi, djali i Hamid Tushës nga Turjaka i ka pas 3 djem: Limanin, Halitin dhe Sylymanin. Haliti ka dekë i ri. Limani a kânë ma i madhi e Sylymani ma i vogli djalë. Me Sylën jemi kânë n`shkollën fillore bashkë.

Limani e Sylymani e kanë pas edhe 1 motër të martume, Fifën në Kramavik, te Shaban Azemi. Limani e Sylymani janë nipa të familjes së njoftun, Malokëve të Pllaqicës. Sylymani si i ri ka shku në Zvicërr ndërsa Limani, ma i madhi punonte e rrnonte qysh mujke në Turjakë. I kqyrte familjen e vetë e fëmijët e gruen e Sylymanit. Ai munohej në ato kushte jo të mira me i kqyrë qysh i ka hije familjen e fëmijët e gruen e vëllait që Syla, ja kishte lânë barrë e nuk i qonte asni metelik*) po Limani nuk ankohej. Ni ditë Limani shkon në Malishevë dhe e thrret në telefon Sylën në Zvicërr. I lutet që t`ja qoj 2000 franga se i ka punët shumë ngushtë e a lodh pi punëve, halleve, moshës e vjetëve.

– O Sylë, qomi bre nja 2000 franga se i kam punët shumë ngushtë.

Syla i thotë:

  • Baci Man, a ti qoj nja 3000 franga?

12. Daja Isuf t’marroftë Zoti!

Sylyman Avdija, kusheri dhe moshatar i jemi, kur ishte student n`Prishtinë, kish pas shkue në një të pame në Dragobil, me ni shok t`vetin të Kabashëve të Perzerenit. Të pamet zgatnin disa javë e odat musheshin me burra për çdo ditë. Isuf Kerragjisë i kish dek gruja. Kur hin Syla në odë, oda plot burra e Syla habitet kur i sheh gjithë ata burra:

– Daja Isuf, a t’diq gruja?
– Po Sylë, diq.
– Zoti t’marroftë o daja Isuf!
– O t’marrftë Zoti ty o Sylë!

  1. Liman Avdia e vjerr shtagen në lis e shkon te milicia serbe

Limani, âsht djali i madh i Avdi Hamidit, pi Turjake. Ai e ka edhe 1 motër, Fifën dhe 1 vlla mat vogël. Sylymanin (shkurt ”Sylën”).

Në pranverën e vitit 1999, policia e ushtria serbe, e përzânë*) popullsinë e Turjakës nga shpitë e tyne. Marrin nga ni boshqe tesha e ka ni copë bukë e ikin n`mal. Në rrugë për në bjeshkë, milicia e thirrin Limanin. Ai i shkreti nuk e dinte as ni fjalë serrbisht.

Baba më kallxonte kur shkova, në vitin 2000, 2001 e 2002 ”Kur na larguan nga katundi, milicia serbe, më 1999, ni milic e thirrë Limanin e Avdisë, kusheri. Limani nuk e dinte serbishten dhe iu thot shqip milicëve serbë se baca Ukë din me fol dhe mu afrue mue, e shtagën e vjerri në ni degë të lisit te Vakafet. Unë i thash Limanit:

– Liman, pse e la shtagën vjerrë n’lis e nuk e more?
– Baca Ukë, e lashë vetë shtagen se milicët kanë me m’rreh e bile me shtagë teme mos tum rrehin”.

  1. Hamidtë bâm, na bâm, bâm

Halla Xhjylë a kânë gruja (e dytë) e Shaqë Tushës nga Turjaka. Ajo me axhen Shaqë i ka pas dy qika, Zelfinë dhe Fatimen e dy djem, Fazlinë e Ganinë. Fazlia, e bleu ni çifte, pushkë gjuetie me dy gryka,

Halla Xhylë u gzue e iu thonte grave t`kajshive:

– Hamidt bâm, na bâm, bâm

  1. Tirrnum Aziz, jo Zizë!

Dada Zizë a kânë motra e Hamid dhe Shaqë Tushës nga Turjaka, burra t`mirë, Hamidi a kânë shejtar e rojtës, burrë i shtirë e Shaqa, i urtë. E qojke jetën me gajret e me hajgare. Edhe motra e tyne, dada Zizë ish kânë zjem*). Si qikë nëse dikush e thirrte Zizë, ajo i bërtitke dhe ia bânte me dije se nëse edhe niherë nodh, ajo ka me rreh:

– Tjetër herë m`thuj Aziz, e jo Zizë!

  1. Zizë, a ta prejmë 1 lopë për dimen, ti haje mishin e na çorbën!

Dada Zizë a kânë e martume, për Hasan Metën në Astrazub me shpi ngat dajëve të mi, hiç më larg se 40 metra, përfundi xhadesë për Rahovec. Hasani ishte ni burrë mesatar, i urtë i familjës së Pepiqëve të njoftun me Salih Agën i cili i ka pri ni grupi padrimçakësh kundër demonstruesve shqiptarë në kohën turke*).

Ai vritet në Prishtinë, e Turqia e shpall si dëshmor. I knohet edhe kânga Salih Agë Pepiqit që nën udhëheqjen e tij shtypën demonstruesit shqiptarë kundër sundimit e shtypjes osmane. Dada Zizë, edhe motrën e madhe, Habibën e ka pas t`martueme aty ngat. Ajo a kânë shumë e shtirë si qikë dhe si nuse e plakë, e ka majt pushtetin. Kur unë shkoja te dajtë, si fëmijë, tuj nga shkoja te dada Zizë. Ajo me jepte ftoj, rrush e ndonjë llokum sepse ajo ishte e zoja dhe ishte si zot shpie, edhe pse ishte grue. Shka thojke dada Zizë, ashtu edhe bâhej, n`at shpi.

Rrahimi, kunati i saj ni dimën e kish lut dadën Zizë:

– Zizë, a ta prejmë 1 lopë pasterrmë e ti haje krejt mishin e ne e hajmë çorbën *)

  1. Hasani pi mi lun kâmt

Dada Zizë e ka pas edhe një maqinë qi kepte tesha për nuse por kur u plak, mâ nuk mujke me punu me maqinë si përpara, mi kep teshat. Hasani, burri dades Zizë i nimonte, ia lujke kâmt e makinës kepse ndërsa dada Zizë vetëm i mante teshat drejtë dhe i kepte, pa u gërrmucë. Kur dikush e vetke:

– Zizë, a pa munesh me kep tesha?
– Vallahi, veç Hasani pi mi lun kâmt se mâ nuk po muj me kep.

Sqarim: në numrin e kaluar ”Kqyre ti shoq, ku t`gjân ma mirë shko e bânum zâ edhe mu!” ku flas për axhën Ban, më është përvjedhur një gabim, duhet të ishte:

“Axha Ban, âsht dasht me nejt n`odë edhe pse, ai ma me qef kish mi kqyr loptë ose me punua se me nejt e se me folë para n`odë para musafirëve, si I zoti shtëpisë, se ishte i ndrojtur. Kërkoj falje nga nipat dhe familja e axhës Ban.

 

Fjalorth me fjalë e shprehje turjakase

(1) *) KOPRRAC m.

  1. Ai që kursen tej masës edhe për sendet e domosdoshme për jetesë; ai që ka para dhe nuk ndihmon tjetrin kur ky ka nevojë, njeri dorështrënguar. Koprrac i madh. Drekë (darkë) koprraci drekë (darkë) shumë e varfër, sa për të mbajtur shpirtin. As gurë s’të jep koprraci. fj. u.

*) Ballânë, avio, aeroplan

(2) *) Gaz, lëndë djegëse, vajguri, llampë vajguri

*) Kërsas, pëlqet, thehet etj.

(3) çerep, enë balte, ku piqeshin bukët, si tepsi e piteve.

(5) *) Smu, nga sëmurë, ndihet keq, i lodhur

*) Gërrjaqë, emër i bjeshkës në rrugë për në Rahavec, afro 40-50 min. larg Turjakës, këmbë.

*) n`kit kjamet, frymë, furtunë, kohë e keqe, tërmet

(6) *) Nunpunëse, nga nëpunëse, që bën punë administrative në zyrë

*) Pengjere, dritare

(8) *) Teshat e zhgujta, ZHGUN m.

Shajak i trashë, zakonisht i bardhë, i punuar me dy liq në vegjë e i dërstiluar, që përdoret për veshje të sipërme. Rroba (tirq) prej zhguni. Mbështjell me zhgun.

*) Terzi, rrobaqepës

*) Hajt mara vlla shko te shpia niherë!, shko pyete gruen

(9) *) Baba Himë, Brahim Aga

*) Përdesuz, nuk e kam gjetur, dhe nuk jam i sigurtë por ka kuptimin, llafazan, mendjemadh…

*) Avdullah Aga dhe Hamzë (Tusha) Aga (gjyshi i Shabanit dhe Hamzës, kanë qenë vëlla me Brahim Agën.

(10) *) Kuku ai kapili i Ukës qysh pa lujke, nuk pe like topin me ra n`toke, pe majke veç n`krye e kâmë.

*) Kapili i Ukës, kopili, ka kuptimin i zoti, i zgjuar

*) Shaban Seferi a kânë i martuar dy herë. Gruaja e parë, Zadja ishte nga Vll. Drenofci. Me të kishte vetëm një djalë, Muharremin.

Zadja i vdiq herët dhe Mixha im, Shaban Seferi u martua me Qamilen, qikën e Sejdi Godancit nga Gremniku, komuna e Klinës. Me Qamilen, e kish pas ni djalë por edhe ai i kish pas vdekur.

Sot, Shaban Seferi i ka 8 nipa e dy mbesa: Rrahmanin, Rrahimin, Milazimin, Sakolin, Milaimin, Beqirin, Jahirin dhe Bekimin dhe dy qika, Zaden e Bekrien. Të gjithë janë të martuar e të gjithë kanë fëmi. Janë ndër familjet më të njohura jo vetëm në Turjakë por edhe në Llapushë. Janë edhe ndër më të pasurit.

(11) *) Nuk i qonte asni metelik,

METELIK m. vjet.

Monedhë e vjetër turke prej metali, e barabartë me dhjetë pare.

(13) *) E përzânë, e larguan nga shtëpitë me dhunë.

(15) *) Ish kânë zjem, e shtirë, e sertë, i vrazhdë, i ashpër

(16) *) Demonstruesve shqiptarë në kohën turke. Shqiptarët ngriten kundër pushtetit turk e Salih Aga është kundër demonstrusve. Ai vritet në Prishtinë.

Familja e Salih Agë Pepiqit, shtëpinë e kanë pasur si burg. Kanë mundur me e falur njeriun që është dënua me vdekje

*) Çorbë, gjellë e lëngët, si supë e trashë që gatuhet zakonisht me oriz, me miell ose me makarona të holla dhe me të brendshmet e bagëtive.

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 23, 24 janar 2024
sinankastrati09@hotmaili.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.