
Lili Sula
Njëra anë është korrupsioni, që, po të mbledhësh disa të ashtuquajtuara projekte, ka shkuar në miliarda euro, ndërsa tjetra – me rëndësi edhe më thelbësore – është shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve.
Projekti Smart City është antiligjor dhe i papranueshëm pasi, çdo projekt që pretendon t’i mbrojë fëmijët, përpara së gjithash, duhet të provojë se respekton të drejtat e tyre.
Në emër “të sigurisë” së fëmijëvë, Smart City e shndërron shkollën në institucion të mbikëqyrjes teknologjike të fëmijëve, pa transparencë mbi shtrirjen e sistemit, kapacitetet teknologjike, identifikimin biometrik, përdorimin e inteligjencës artificiale, ruajtjen dhe shkëmbimin e të dhënave personale, pra në shkelje të plotë të të drejtave të tyre.
Projekti bie ndesh me misionin e shkollës si institucion i dijes, i mendimit të lirë, i zhvillimit të personalitetit dhe i formimit qytetar dhe jo si institucion, ku fëmijët rriten nën vëzhgimin e vazhdueshëm të algoritmeve.
Siç dihet, të drejtat e fëmijëve garantohen nga Kushtetuta, legjislacioni shqiptar, Konventa e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, projekti quhet SMART CITY – JO SMART SCHOOL, gjë që e zgjeron shtrirjen e tij.
Instalimi i teknologjive të monitorimit në shkolla është vetëm pikënisja e një sistemi të plotë mbikëqyrës – pikënisje që shërben për të kultivuar që në moshë të hershme bindjen, se të jetosh nën kontroll të vazhdueshëm është normale. Në këtë mënyrë, mbikëqyrja gradualisht normalizohet dhe shoqëria mësohet të pranojë si të zakonshme atë që në thelb përbën kufizim të privatësisë dhe cenim të lirive themelore.
M. Foucault, në analizën e tij mbi survejimin, (Discipline and Punish, The birth of the prison) sjell konceptin panoptik – një strukturë, ku individët e ndjejnë veten gjithmonë të vëzhguar, edhe kur nuk ka sy realë që i vrojtojnë.
Një ‘makineri të mrekullueshme’ e cilëson studiuesi panoptikonin, (justifikimi për siguri në shkollë, në rastin tonë), të cilin kushdo ta përdorë dhe çfarëdo rezultati të dojë të marrë, ai do të prodhojë efekte homogjene të pushtetit.
Panoptikoni është një mekanizëm përmes të cilit individët përjetojnë gjithmonë survejim dhe kontroll, ndërsa mbikëqyrësi mbetet i padukshëm. Kjo strukturë asimetrike midis survejuesit që është i padukshëm dhe të survejuarit, që është gjithmonë i dukshëm, përbën themelin e pushtetit disiplinor, që prodhon nënshtrim dhe vetëcensurë.
Ky mekanizëm synon një shtrirje sa më gjerë të kontrollit disiplinor – nga shkolla në qytet e gjithë shoqërinë – duke e bërë pushtetin të vazhdueshëm, të shpërndarë dhe të paindividualizuar, sepse individi e di që është gjithmonë i vëzhguar.
Ndjenja e të qenit nën vëzhgim, bën që njerëzit ta përvetësojnë kontrollin dhe ta bëjnë pjesë të sjelljes së tyre, të vetëdisiplinohen dhe ta rregullojnë atë sipas normave të pushtetit, pa pasur nevojë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë.
Një shoqëri që mësohet të jetojë nën mbikëqyrje, gradualisht humb jo vetëm privatësinë, por edhe lirinë për të menduar e vepruar pa frikë.
Shënim: Nuk ka asnjë shtet në BE, që e lejon një survejim të tillë, të pojesshëm apo të plotë, pa një referendum popullor.











