Pesë vjet pa zërin tënd, pa buzëqeshjen tënde, pa praninë tënde që na mbushte shpirtin me ngrohtësi.
Pesë vjet mungesë, me heshtje të thellë dhe mall që nuk ka fjalë që e shpjegon. Pesë vjet dhimbje që nuk tretet asnjëherë.
Që nga çast i natës së kobshme të 13 gushtit 2020, kur lajmi i vdekjes tënde na erdhi si një shigjetë helmuese drejt zemrës asgjë për ne nuk është sikur dikur.
As ditët, as netët e as shpresat. Me Ty iku edhe një pjesë e shpirtit tonë.
Të kujtojmë çdo ditë si djalin me buzëqeshje të ngrohtë, me shpirt të butë dhe me zemër të madhe. Me shtat të lartë si lis e me përulësi që rrallë shihet.
Shokët, shoqet dhe miqtë e tu ndiheshin të bekuar që të kishin pranë si bashkudhëtar, apo si pjesë të jetës së tyre.
Në dhomën tënde, ende, qëndron fotografia e nënës sate të ndjerë, Milihates, si dëshmi e dashurisë së pastër të fëmijërisë që të rriti dhe të formësoi në shpirt.
Dhe ti, me aq mall e dashuri i ruajte kujtimet e saj si: trajsën me shqiponjën, rrobat, kapelën e punuar nga duart e saj magjike.
Si të mos lotojmë për Ty, kur nga ai fëmijë i vogël u rrite dhe u bëre një djalosh shembullor, me dije të thella, me gjuhë të huaja, me nota të shkëlqyera dhe me ëndrra të mëdha.
Dashurinë për motrën Flakën dhe për vëllain Donatin e kishe ngulitur thellë në zemrën tënde. Donati, ai vogëlushi që të donte me shpirt e pa kushte, ende e kujton dhuratën që ia solle nga Kosova: portretin e Skënderbeut të derdhur në bronz, për të cilin flisje me pasion dhe krenari.
Kishe fatin të rriteshe me një baba shembullor si Ganiu, që nuk iu nda kurrë dashurisë dhe kujdesit për ty, dhe me një njerkë të rrallë si Vjollca, e cila të trajtoi me përkushtim dhe dashuri të vërtetë më tepër se djalin e saj biologjik, Donatin.
Pesë vjet pa Ty janë plagë që ende kullojnë.
Janë lot që nuk thahen.
Janë mall dhe dhembje që përvëlojnë si vullkan.
Dhembja për Ty nuk njeh kufij. Ajo ndjehet në Llap, Gjakovë, Pejë, Burim, Tetovë, Durrës, Preshevë… dhe në çdo zemër shqiptari që e ndjeu ikjen tënde të papritur si humbje të vetes.
Të përkujtojmë me dashuri, e mall të pashuar dhe me nderim të thellë.
U prehsh në paqe, Guri i dashur!
E kujtimi për Ty qoftë i përjetshëm në zemrat tona!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 13 gusht 2025