Kamer Zogaj, “Vite qëndrese dhe mbijetese” (Fletëza ditari) Botoi: Sh. B. “KOLIQI” Sh. P. K. Prishtinë, 2025
Ajete Zogaj
Qëndresa dhe sakrifica e popullit tonë gjatë viteve u bë frymëzim për shumë gjenerata, për t’i rrëfyer e për të mos i harruar kurrë, padrejtësitë historike dhe luftën e drejtë për liri. Ky rrugëtim i vështirë shpaloset edhe në faqet e librit të arsimtarit Kamer Zogaj, “Vite qëndrese e mbijetese : (fletëza ditari)”, për t’i sjellë lexuesit vitet e rënda të robërisë dhe luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës të viteve 1997-1999. Janë ngjarje, dhimbjeje e tortura, vrasje e dëbime, shkatërrime e tmerre që autori Kamer Zogaj, në formë ditari pothuajse të përditshëm, i shkruan ato vite të rënda, kur luftohej për jetë a vdekje.
Realiteti i atyre viteve është dhënë pa hijeshime e zbukurime, në një ambient ku jeton autori, në vargmalet e Berishës, të cilat me të drejtë mund të quhen malet e pathyeshme të rezistencës. Fletëzat e ditarit të Kamer Zogajt janë fletëza të sakrificës së shqiptarëve të Kosovës në luftën e pabarabartë me agresionin serb deri në fitoren e lirisë. Janë fletëza luftimesh e granatimesh në Prekaz, Abri, Reçak, Gllogjan, Pejë, Gjakovë, Podujevë, Grykë të Llapushnikut, Kleçkë, vargmale të Berishës… Në secilën faqe të këtij ditari ka ngjarje të cilat e kthejnë lexuesin në kohë dhe në secilën prej tyre frymon optimizmi se qëndresa dhe lufta e drejtë do ta sjellin lirinë.
Libri “Vite qëndrese dhe mbijetese : (fletëza ditari)”, me thjeshtësinë dhe modestinë e shtjellimit të ngjarjeve të atyre viteve, na sjell në rikujtesë, për të mos e harruar kurrë, atë që përjetuam si popull dhe si komb. Të nderojmë deri në përulje sakrificën e të gjithë atyre që vendosen gurthemelet e shtetit të Kosovës ndër vite. Lavdi dhe nderim të rënëve për liri! Ky libër është i një rëndësie të veçantë dhe mund të shërbejë në shumë fusha studimore për dokumentim të kujtesës historike të popullit.