Më merr malli për njerëzit dhe vendin tim…

0
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Ky është titulli i një mesazhi që më vjen nga Italia… Më saktë nga Spitali Careggi Firence, prej kolegut tim në arsim, zotit Nexhip Murraj. Kolegu Murraj ka rreth dy vite që kurohet në Itali dhe ja ka dalë me sukses. Kjo falë ndihmës së mirë e të specializuar të mjekëve italianë dhe kurajos së admirueshme dhe forcës së besimit të profesor Nexhipit…

Njerëzit e mirë, të urtë, të matur, rebel dhe mjaft të ditur lenë gjurmë tek shokët, miqtë, kolegët dhe gjeneratat e reja. I tillë per mendimin tim qe edhe kolegu jonë, mësuesi që dha anglisht në shkollën tone, profesor Nexhipi. Ai qëndroi pak kohë në këtë shkollë por falë cilësive që mbarte la mbresa tek nxënësit, mësuesit dhe komuniteti…

Njeriu vlerësohet jo për kohën që qëndron në një vend pune, por për punën që bën, për dijet dhe vlerat që përçon. Eshtë pothuajse e pamundur të shkruash për të gjithë. Nexhipi krahas mësimit është i përkushtuar edhe në drejtime të tjera, si në fushën e profesionit të tij të veterinarisë edhe të përkthimit në gjuhën shqipe, të shumë shkrimtarëve dhe poetëve të Letërsisë Botërore.

Më saktë ai ka përkthyer nga këto shkrimtar pjesët më të vlerësuara prej tij, nga poezitë apo prozat e tyre që datojnë nga shekulli i XV dhe në vijim… Dhe kur e ka bërë këtë? Pjesën dërmuese gjatë vitit 2021 kur ka qenë për kurim në spital… Kjo është e veçanta e Nexhipit ndaj mua mu krijua bindja absolute që Ai të ishte pjesë e këtyre shkrimeve… Kjo mua më nderon dhe më motivon për më tej…

Nexhipi ka lindur më 08 janar 1948 në fshatin Mërtinj, të Këlcyrës. Kaluan me Përmetin në vitet 1951-1952. Shkollën fillore e bëri në Mërtinj dhe doli me nota shumë të mira. Shtatvjeçaren e bëri në Bënjë, ishte nxënës i dalluar dhe doli me nota shumë të mira.
Më pas e përzgjodhën të vazhdoj Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Për këtë ai shton: “Në shtator të vitit 1961 më erdhi një “Zis” i shkollës dhe pas rreth 9-10 orësh, nëpër rrugë tërë pluhur, na çuan në Tiranë.

Atje rashë në një mjedis të ri me moshatarë të pa njohur, jo shumë të favorshëm, për ne që vinim nga fshatrat. Ata që vinin nga Tirana dhe qytete të tjera qëndronin “superjorë” ndaj nesh. Rashë në një mjedis të ashpër. Oficerat silleshin rreptë me ne. Kishte ca rregulla të pa llogjikshme dhe të pa pranueshme për këdo… Na çonin me hap rreshtor nja 300 e kthim. Unë fatkeqësisht rashë nga paralelet, nxora këmbën dhe u largova nga shkolla bashkë me 30-40 të tjerë.

Në shkollën “Skënderbej” bënim edhe mësimin e gjuhës Angleze. Më pëlqeu shumë dhe kur vajta në shkollën e lartë e kisha mësuar në shkallën e të menduarit atë gjuhë. Lexoja lirshëm letërsi nga autorët anglezë dhe u recitoja vjersha nga Bajroni. Shokët nuk më thërisnim më Nexhip, por “Bajron”. Edhe se u recitoja Anglisht edhe se isha çalaman si Bajroni, edhe se isha kaçurel po si Ai.

Unë letërsinë e kisha pasion qysh i vogël. Leximin e librave jashtë shkollorë e kam filluar që në klasë të pestë dhe pa ndërprerje edhe sot.

Në Fakultetin e Veterinarisë më shpunë me zor. Unë kërkova Gjuhë Angleze ose Gjuhë Letërsi. Në fakultet ju futa mësimit të gjuhës Gjermane. Kishte shumë vështirësi për fjalor, dhe metodika nuk kishte. U detyrova të përdorja metodika dhe fjalorë të botuara në Rusisht. Kur arrita në fazën e të menduarit në Gjermanisht mësova edhe Italishten. Kështu nga fakulteti u largova me katër gjuhë të huaja në xhep. Këto i përdora gjatë gjithë jetës për tu rritur profesionalisht dhe nga ana kulturore, dhe në shërbim të prodhimit.

Nga fakulteti kam shumë kujtime të bukura me profesorët. Duke e ditur që dija gjuhë më shikonin me dashamirësi. Në veçanti profesori Vasfi Samimi, pastë ndjesë, me Të ushtroja të folurin në Gjermanisht. Ai ishte një oqean dijesh. Ai më thoshte shpesh që bëra mirë që mësoja këtë gjuhë me kulturë të thellë. “Kultura Gjermane, kulturë e thellë” më thoshte shpesh Gjermanisht. Bisedat me të ishin gjithmonë një shkollë. Një njeri sa i ditur aq edhe me botë të madhe. Nga ai mësova shumë gjëra për frashëllinjtë që regjimi i quante “tabu.” Kujtime të bukura”.

Më tej profesori vijon: “Mbasi mbarova shkollën e lartë, pa marrë parasysh që isha ma nxjerje të ngofjes, i pa aftë për në terren, pa patur asnjë interes për katër gjuhët e mija, më dërguan në fshatin tim malor të punoja veteriner.Për laborator, ku ëndëroja të punoja dhe jepja maksimumin shoqërisë, dërguan një që edhe shqip nuk lexonte. Një alergji e çuditshme për ne që dinim gjuhë perëndimore. Atje më lanë deri në vitin 1991. Deshën të më trasferonin dy herë në Spaç; “për shfaqje të pikpamjeve borgjezo-revizioniste me dashje,” dhe për “sabotim,” por nuk mundën ta argumentonin.

Megjithatë nuk më lanë pa riedukuar. Më çuan dy herë nga një vit në prodhim. Sektori i blektorisë në kooperativën time e tejkalonte çdo vit planin e të ardhurave dhe në rendimente qëndronte e dyta ose treta nga 13 kooperativa që kish rrethi. Në dëmtime, nga 15% që ishte e lejuar, në kooperativën time zinte 4 deti 5%. “Drejtuesit e lartë” të rrethit në vend që të më vlerësonin për punën e dijet e fituara për të, thoshnin të kundërtën, sipas tyre blektoria në kooperativën e Mërtinjit shkonte “keq e më keq” dhe “unë” isha sipas tyre problemi. Kështu tek unë u forcua edhe më shumë rebelizmi. etj…”.

Më 2001 pasi erdhi në Tiranë me banim, u paraqit te Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë për punë në arsim me dipllomën e Anglishtes… Për këtë kujton: -“Shefi i kuadrit Petrit Ismaili më priti shumë mirë. Më ofroj Shkollën e Mesme të Bashkuar Zall-Bastar. Atje më pritën shumë mirë dhe u mundova të jap maksimimin tim në dhënjen e lëndës së anglishtes ku punova pak kohë. Unë ruaj përshtypjet më të mira për nxënësit, kolegët dhe komunitetin e zonës. Edhe sot, si emigrant i detyruar në Itali, mbaj marrdhënje me shumë kolegë dhe i kujtoj me respekt ato…”.

Nga 30 nëntori 2020 deri më 13 shkurt 2022 ka përkthyer disa poezi dhe në prozë nga këto shkrimtar:

1- Nga gjermanishtja:
● Friedrich Ruckert – si: Unë të dua ty, se duhet të dua; Ti je një hije gjatë ditës; Mbi tokë shkon; Unë banoj në gjirin e të dashurës time; E vërteta si drita e diellit; Mbi tokë shkon.
● Heinrich Hejne: Ah sikur të isha stol; Kënga e pranverës; Unë nuk besoj; Në valën e marrëzisë; Flutura; E dashur, a s’më thua?; Vera e nxehtë; Nëna bletëzës.
● Friedrich Holderin: Pranvera.
● J.W.Gothe: E qëmotmja e humbur.

2- Nga italishtja:
● Xhoni Rodari: Në hënë; E dashur Betana; Qielli i të gjithëve; Shpresa.
● Alda Merini: Për festën e Shën Valentinit; Poetët punojnë natën; Nuk kam nevojë për para.
● Bruno Tognolini: Libri.
● Segio Korrazzini: Vdekja.
● Lorenzo de’Medici: Ngadhnjimi i Bakut dhe i Arianës.
● Luçia Fedalto: Një libër për të fantazuar.
● Gino Mazella: Një buzëqeshje.
● Andrea Kamilleri: E dashura ime.
● Gabriele d’Anunzio: Drapri i hënës ngrënë.

3- Nga anglishtja:
● G.G.Bajron: Bestytni e ndyrë; Ku çjerret maska e idhujve, shenjëtorëve; Poemthi; Mbishkrim mbi varrin e një qeni; Eshtë ora; Florensës; Prap mashtrove dhe prap tradhëtove; Mbi të tridhjet e tretat e datëlindjes time; Kur ne u ndamë; Ajo shëtit me bukurinë; Kafka; Eshtë ora; Një zonjë më pyeti për arsyet e largimit në pranverë.
● Edgar Allan Poe: Anabel Li; Endërra; Nënës sime; Shën Maria.
● Oskar Uald: Përshtypje mëngjezore; Shtëpia e gjykimit; Dishepulli; Artisti.
● William Blake: Një pemë helmuese.
● William Wordsvorth: Narcistët; Dielli ka kohë që ka perënduar.
● Robert Bërns: Ti moj e bukura Elizë; Lamtumirë Elizë.
● Rudjard Kipling: Unë mbaj gjashtë të ndershëm; O moj nënë.
● Nikita Gill: Përbindëshat e vërtetë; E vërteta për përbindëshat
● William Butler Yeast: Ku shkojnë librat e mia?

Jam tërësisht jasht profilit për t’i vlerësuar këto përkthime dhe shkrimtarët e mësipërm. Nisur nga “kritika” e specialistëve, modestisht mund të them se këto përkthime mbartin vlera të mëdha për nxënësit, mësuesit e letërsisë, poetët e rinj, përkthyesit etj. Ato janë origjinale, kanë vlera bashkëkohore, janë shqipëruar me mjeshtëri në gjuhën shqipe nga autori, janë dinjitoze, mbartin vlera artistike dhe edukative…

Më konkretisht ato mund të lexohen në Facebook-un e tij… Kjo punë e madhe e tij, falë gjuhëve të huaja që Ai zotëron, është shumë fisnike dhe motivuese për brezat. E falenderoj shumë profesorin për punën e bërë. Ai ka përzgjedhur “si bleta nektarin” pjesë nga krijimtaria e shkrimtarëve dhe i ka sjell bukur në shqip.

I uroj shërim sa më të shpejtë Nexhipit! Dëshiroj dhe shpresoj që profesori do të arrij të bëjë botimin e përkthimeve të tij, dhe të vazhdoi punën për përkthime të reja…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 05.04.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.