VEPËR ME PËRMASA MBARËKOMBËTARE

0
Vlash Prendi - Shtigjeve të traditës

Nga: Isak A H M E T I

I. Fjala në fillim

Pas takimit tim të parë në Lezhë me Vlash Prendin, studiues tashmë i njohur në letrat shqipe, kam mbajtur dhe ruajtur kujtime dhe mbresa të pashlyeshme dhe të veçanta edhe për faktin se ai ishte jo vetëm studiues tepër i ditur por edhe njeri shumë i këndshëm dhe mbresëlënës gjatë bisedës. Vlen të theksohet këtu se gjatë takimit tim të parë më Vlashin, kam marrë si dhuratë prej tij disa vepra, madje me dedikim të veçantë edhe veprën e permasave mbarëkombëtare:

1. SHTIGJEVE TË TRADITËS DHE KULTURËS SONË, dhe
2. SHTEGËTIME FOLKLORIKE,
për çka e falënderoj nga zemra!

Pas kthimit tim nga Shqipëria, ku kam jetuar me vite të tëra e ku kam kontaktuar me dhjetra e dhjetra shkrimtarë e personalitete të njohura të kulturës dhe letësisë sonë bashkëkihëse, menjëherë kam filluar leximin e librit studimor: Shtigjeve… por edhe veprave të tjera të këtij autori për të cilin kam një konsideratë të veçantë sikundër edhe për shumë autorë të tjerë jo vetëm mirditorë për të cilët kam shkruar herë pas here me shumë dashuri e përkushtim edhe për faktin se ata ,siç dihet tashmë, i kanë dhuruar vlera të padiskutueshme kulturës sonë mbarëkombëtare.

Njëri ndër ta është, pa dyshim, edhe Vlash Prendi, fugurë e njohur në letrat shqipe, penë autoritare. Ç’është e vërteta, për jetën dhe veprën e këtij studiuesi me të drejtë kanë shkruar shumë autorë të njohur siç janë: Prof. dr. Mark Tirta – etnograf, Prof. Engjëll Sedaj-studiues, Prend Buzhala – shkrimtar dhe studiues, Ndue Dedaj-studiues, Gjon Marku-shkrimtar dhe studiues, Isak Ahmeti – shkrimtar dhe studiues, Don Nikë Ukgjini-studiues, Viktor Gjolaj-poet, Çezar Rica-poet, Fran Gjoka-gazetar, Martin Dedaj-gazetar, Zef Përgega-shkrimtar, Jak Rozhani-gazetar, etj. (Krhs: Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë, Lezhë, 2011, fq. 329).

II. Pak biografi për autorin

Vlash Prendi ka lindur me 1956, në fshatin Skuraj të rrethit të Kurbinit. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare në vendlindje, ka vijuar mësimet në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Ka diplomuar në Universitetin “Luigj Gueakuqi” në Shkodër, në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Ka publikuar shumë artkuj studimorë në organet e shtypit periodik që nga viti 1975…
Është bashkëpunëtor aktiv i organeve të shtypit si “Albania”, “Mësuesi”, “Drita”, “Flaka e vllaznimit” të Shkupit, “Ballkan”, “55”, “Sot”, “Telegraf”, etj. Në vitet 1994-1997 ka qenë kryeredaktor i gazetës “Kurbini” dhe bashkëpunëtor i revistës “Dardania Sacra” -Prishtinë, “Spektri”, “Shkrimtari”, “Kuvendi Michigan”, “Kuq e Zi”, Bruksel, etj.

Ka qenë kryetar dhe është anëtar i jurisë së çmimit kombëtar – letrar “Serembe”. Është kryetar i Shoqatës patriotike – kulturore “Gjin Pjetri” në Kurbin dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Kulturës Popullore.

Ka botuar një varg librash me studime siç janë:
– “Kurbini, tradita – Kultura”, Vol. I-1996,
– “Kurbini, tradita – Kultura”, Vol. II-2003,
– “Don Shtjefën Kurti-Kronikë.e një jete në amshim “,Vol.II-2004,
– “Kurbini, Vendlindja ime”, tekst mësimor për klasat e pesta të shkollës 9-vjeçare, 2008,
– “Gjurmëve të.melosit popullor” – Kënga popullore e Kurbinit, 2009,
– “Vjeshta e hidhur e një rezistence”, monografi, Lezhë, 2010,

Shtegëtime folklorike, Lezhë, 2013, “Tinguj heroizmi”, monografi, Lezhë, 2011, etj.
Është laureat i mirënjohjeve dhe çmimeve të shumta.
Është anëtar i LShSh.
Ka vepra në dsh.

Studiuesi Vlash Prendi është i palodhshëm në rrugëtimin e gjatë të krijimrarisë. Ai vazhdon të hulumtojë, të studiojë, të sistemojë e të shkruajë për të na dhuruar edhe në të ardhmen vepra të bukura e me vlerë shkencore siç janë psh edhe dy veprat e tij studimore të cilat po i marrim në shqyrtim kësaj radhe e që janë:
1. Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë dhe
2. Shtegëtime folklorike.

III. SHTIGJEVE TË TRADITËS DHE KULTURËS SONË – Studime – Lezhë, 2011, fq. 338.

Kjo vepër të cilën e kam lexuar me shumë kënaqësi, siç shihet edhe nga pasqyra e lëndës që është shtjelluar aty, me shumë elegancë gjuhe dhe stili, ka vlera shumështrsore. Madje lirisht mund të thuhet se është vepër e përmasave kombëtare. Aty janë trajtuar shumë tema dhe problematika të një rëndësie të veçantë. Studiuesi dhe hulumtuesi i pasionuar, siç ka vlerësuar më të drejtë edhe Aleksander Noka (Pasthënie, fq. 326), ka shtegtuar me penë në dorë nga Shqipëria në Romë, në Kosovë, Maqedoni e gjetkë duke kërkuar dhe hulumtuar ato forca krijuese që, siç dihet tashmë, i kanë dhënë shumë Atdheut me penën e tyre e që për një arsye ose tjetër ishin lënë shpesh në harresë.

Në këtë kontekst le të përmendim këtu studimin për aktivitetin e Papa Klementit të XI, Gjon Françesk Albanit një nga papët më të njohur të Vatikanit. Përmes një studimi të gjatë dhe argumenteve shumë bindëse dhe të pa kundërshtueshme, studiuesi Vlash Prendi ka konstatuar se Papa në fjalë ishte nga Kurbini fakt ky shumë domëthënës që i rrit vlerat historike jo veyëm trevës ku ka lindur ky Papë, por edhe mbarë Shqipërisë.

Në vazhdën e këtij studimi vjen përmes penës së tij të mpreht edhe portreti dhe aktiviteti i plotë i Ipeshkvit të Delbnishtit Imzot Prend Branki, bir i këtij fshati, që disa studiues e kishin identifikuar si prift italian. Është pikërisht ky ipeshkëv që bashkë me Imzot Nikollë Kaçorrin dhe Gjin Pjetrin u vunë në krye të levizjes për pavarësi në Kurbin.

Në optikën studimore të këtij autori të pasionuar janë trajtuar me shumë kompetencë dhe përkushtim edhe dy vende të shenjta, tepër të njohura në Shqipëri, siç janë Katedralja e Shën Mërisë në Zhejë dhe kisha e njohur e Pllanës. E para u bë e njohur sepse vizitohej shpesh nga kryetrimi Gjergj Kastrioti bashkë me të shoqen Donikën, ndërsa e dyta sepse në vitin 1638 u hap shkollë shqipe dhe më vonë shkollë e mesme, ndër të parat në trojet shqiptare.

Në këtë vepër me përmasa mbarëkombëtare, studiuesi në fjalë, Vlash Prendi, me shumë elegancë gjuhe dhe stili, ka skalitur në histori portrete të shquara të albanologjisë e të kulturës shqiptare siç janë: Engjëll Sedaj, Milan Shuflai, Ndue Bytyqi, Çezar Rica, Gjon Marku, etj.

Janë shumë interesante dhe me vlerë këndvështrimet studimore të Vlash Prendit për shkrimrarin dhe pajtimtarin Anton Çetta, për studiuesin e traditës akademik Mark Krasniqi, simbol i bashkimit, për Din Mehmetin, Prof. Fehmi Aganin, etj. etj.

IV. SHTEGËTIME FOLKLORIKE, Lezhë, 2013, fq. 484

Përveç veprës shkencore me përmasa kombëtare dhe mbarëkombëtare, në korpusin shkencor të Vlash Prendit bën pjesë edhe vepra volumimoze me titull:
Shtegëtime folklorike, që dëshmon për një autor serioz e të talentuar të dijes dhe shkencës, i dëshmuar edhe si një dishepull model i At Shtjefën Gjeçovit (Krhs. Çezar Rica: Parathënie, fq. 5).

Ky autor, i njohur jo vetëm në qarqet shkencore në gjithë Shqipërinë, është bërë i njohur edhe jashtë kufinjve të saj: në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e treva të tjera ku jetojnë shqiptarët. Bashkë me te edhe emri i Kurbinit dhe mbarë Shqipërisë, fizionomia e tij, kultura, rrënjët, historia, vlerat kulturore, historike dhe shpirtërore të tij.

Ç’është e vërteta, përmes këtij libri të këtij autori por edhe të autorëve të tjerë, si psh Gjon Marku e të tjerë autorë mirditorë, dëshmohet për një hershmëri mijëvjeçare të organizimit shoqëror, kanunor, të proceseve linguistike, rituale e vetëqeverisëse të kësaj treve aq të njohur.

Libri hapet me një Parathënie mjaft përmbajtësore dhe me peshë shkruar nga poeti Çezar Rica, që është edhe redaktor i librit. Më pas vjen studimi: KËNGA PATRIOTIKE (fq. 9-26), ku autori në mënyrë ekselente trajton pasurinë folklorike të trevës së Kurbinit, përkatësisht Kurbinin që është një trevë në trojet shqiptare e dalluar, siç konstaton studiuesi në fjalë (vep. e cit. fq. 9), për patriotizëm, kulturë, heroizëm, burrëri, besë, mikpritje etj., të cilat pasqyrohen gjallërisht në këngën patriotike të këasj treve, megjithëse dokumentet historike dhe krijimraria gojore pak gjendet e dokumentuar. Sidoqoftë ajo ka mbetur e pashlyer në kujtesën e bartësve të saj.

Pa hyrë në një analizë më të thellë të këtij libri shkencor, që është i rrallë në fushën e studimeve albanologjike – folklorike, studimi KËNGA PATRIOTIKE, i autorit Vlash Prendi, është shumë përmbajtësor dhe me vlerë dhe nuk është e tepërt të theksohet se shërben si një VADE MECUM jo vëtëm për lexuesin por edhe për studiuesin.

V. NË PËRMBYLLJE

Dhe krejt në fund të këtij shkrimi le të theksojmë në mënyrë shumë të veçantë se jo vetëm këto dy vepra që i i morem në shqyrtim por i gjithë korpusi letrar – publicistik dhe shkencor i Vlash Prendit është një kontribut i tej çmueshëm, me vlerë shumë dimensionale, në fushën e letrave shqipe. Dhe shi për këtë autorit i dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë me dëshirë që të na dhurojë edhe vepra të tjers të reja në vazhdimësi !

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.