TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 47 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

TRAKTI I ILEGALES EDHE NË FAQET E GAZETËS “ZËRI I KOSOVËS”

Gjatë një procesi të kujdesshëm kërkimi dhe shqyrtimi të shtypit të ilegales shqiptare, hasa në një burim me vlerë të veçantë dokumentare dhe historike: në një numër të gazetës “Zëri i Kosovës”, konkretisht në vitin e nëntë të botimit të saj, nr. 6-7, qershor-korrik 1990, botuar në Cyrih të Zvicrës. Në këtë numër, vëmendjen time e tërhoqi menjëherë faqja e parë, ku ishte publikuar një trakt që, për nga përmbajtja, toni dhe mesazhi i drejtpërdrejtë, shfaqte qartë frymën e kohës, sfidat e rezistencës dhe ndërgjegjësimin e lartë politik të autorëve të saj. Ky material jo vetëm që pasqyron kontekstin historik të lëvizjes ilegale shqiptare në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, por gjithashtu përfaqëson një dëshmi të gjallë të përpjekjeve për të artikuluar dhe shpërndarë zërin e kundërshtimit në rrethana të ashpra represioni politik.

Trakti në fjalë, i cili zinte vendin qendror në faqen e parë të gazetës “Zëri i Kosovës”, ishte lëshuar nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), një organizatë kyçe e rezistencës politike dhe kombëtare gjatë viteve të fundit të Jugosllavisë. Ky dokument politik, i formuluar me një ton të fortë mobilizues dhe ndërgjegjësues, synonte të zgjonte ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, si brenda trojeve etnike, ashtu edhe në diasporë.

Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës

lëshon

TRAKT

Popull shqiptar,

Deri sa “Tanjugu” zëdhënës i politikës serbomadhe, gënjen botën për gjoja heqjen e masave të jashtëzakonshme, në Kosovë ende qarkullojnë autoblindat dhe helikopterët vdekjeprurës. Repartet çetnike të maskuara me uniforma të milicisë terrorizojnë popullin tonë liridashës. Në fakt, Kosova hallemadhe vazhdon të merr frymë me vështirësi nga helmet ushtarake që gjerë më sot sakatosën rreth 5.000 të rinj e të reja shqiptare, vazhdon të jehojë e zemëruar në kulm ndaj masave të “zakonshme” të vendosura nga kolonizatorët serbomëdhenjtë.

Populli i ynë gjatë manifestimeve të pandërprera  ofroi zgjidhjen e pranueshme për statusin e Kosovës në Federatën Jugosllave, ndërsa krerët serbomëdhenjtë tok me llumin e kombit u përgjigjën me zjarr e hekur, vrasje e plagosje, helmime masovike e kolonizim me dhunë.

Mirëpo edhe pse antishqiptaret e përbetuar u përpoqën që luftën tonë të drejtë ta kualifikojnë si shkatërruese të Jugosllavisë, bota nuk besoi, dhe tashmë jemi dëshmitar se në fund fituam përkrahjen e opinionit përparimtar ndërkombëtar.

Për shkak se Jugosllavia po tregohet e paaftë të zgjidhë drejt çështjen tonë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës

THËRRET

Popullin shqiptar kudo që është që gjatë manifestimeve ghithëpopullore të kërkoi zgjidhjen e çështje sonë përmes OKB-së (anëtare e së cilës është edhe Jugosllavia) si dhe njohjen e statusit të Republikës së Kosovës

Lufta jonë është e drejt dhe patjetër do të triumfojë!
Lavdi të rënëve për liri!
Kosova Republikë!
Prishtinë , më 17.5.1990

LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

Duke iu drejtuar me thirrjen “populli shqiptar”, trakti i ftonte të gjithë shqiptarët, e në veçanti mërgatën — e cila në atë periudhë luante një rol të rëndësishëm ekonomik dhe politik — që të angazhoheshin aktivisht në manifestimet gjithë popullore. Qëllimi i kësaj fushate mobilizuese ishte kërkimi i një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes së Kosovës në një forum ndërkombëtar legjitim dhe me autoritet global, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), ku edhe vetë Jugosllavia gëzonte statusin e anëtares.

Një ndër kërkesat thelbësore që dilte nga ky trakt ishte njohja e statusit të Republikës së Kosovës, si një entitet politik mëvetësues dhe përfaqësues i vullnetit të popullit shqiptar në Kosovë. Ky tekst paraqet një dëshmi të rëndësishme të përpjekjeve të Lëvizjes për ta ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe për të ndërtuar një diskurs

politik që e zhvendoste çështjen nga suaza e brendshme e federatës jugosllave në arenën globale. Trakti reflekton qartë strategjinë e LPRK-së për të krijuar presion diplomatik dhe politik përmes mërgatës, për të rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar rreth padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar në Kosovë.

Kosova nën represioni serb

Në një kontekst kritik dhe shqetësues të represionit shtetëror, deklarata e zëdhënëses zyrtare të agjencisë informative jugosllave “Tanjug”, e cila me një ton të paturpshëm përpiqej të paraqesë një realitet të shtrembëruar, bie ndesh me faktet e prekshme në terren. Sipas kësaj deklarate, forcat ushtarake dhe mjetet e dhunës shtetërore gjoja janë larguar kaherë nga Kosova, duke aluduar për një normalizim të gjendjes që në fakt nuk ekzistonte. Kjo formë e propagandës zyrtare nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të mashtruar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, duke fshehur krimet dhe dhunën sistematike që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare të Kosovës.

Realiteti në Kosovë ishte thellësisht ndryshe. Në rrugët dhe qytetet e saj ende qarkullonin autoblinda, ndërkohë që helikopterë ushtarakë, bartës të frikës dhe vdekjes, vazhdonin të përshkonin qiellin e trazuar të kësaj treve. Repartet paramilitare të njohura për brutalitetin e tyre, shpesh të maskuara nën petkun e uniformave të milicisë jugosllave, vazhdonin të jenë një instrument represioni dhe frike ndaj popullsisë shqiptare, duke ushtruar terror psikologjik dhe fizik mbi qytetarët e pafajshëm.

Kosova, e cila prej kohësh gjendej nën një regjim të rëndë shtypjeje, vijonte të jetonte një përditshmëri të përfshirë nga pasiguria, dhuna dhe represioni i organizuar. Ajo “merr frymë me vështirësi” – një metaforë që e përshkruan në mënyrë të ndjeshme gjendjen e rënduar shpirtërore, sociale dhe politike të kësaj pjese të popullit shqiptar. Helmimi i saj i përditshëm, jo vetëm fizik nga armët dhe dhuna, por edhe simbolik, përmes mohimit të së drejtës për vetëvendosje dhe ekzistencë dinjitoze, kishte lënë pasoja të rënda, veçanërisht mbi të rinjtë shqiptarë, nga të cilët mbi 5.000 ishin sakatuar, qoftë fizikisht, qoftë emocionalisht, si rezultat i masave të ashtuquajtura “të zakonshme”.

Ky realitet i zymtë dëshmonte se Kosova nuk ishte aspak jashtë gjendjes së jashtëzakonshme, përkundrazi – ajo gjendej në zemër të një politike të vazhdueshme koloniale, ku mekanizmat shtetërorë dhe paramilitarë të Beogradit funksiononin në mënyrë të sinkronizuar për të shtypur çdo aspiratë për liri dhe dinjitet njerëzor. Kështu, përderisa zëri zyrtar i Jugosllavisë përpiqej të heshtë të vërtetën përmes gjuhës së propagandës, populli i Kosovës, me një shpirt të pathyeshëm liridashës, vazhdonte të jehonte me zemërim dhe vendosmëri përballë padrejtësisë dhe tiranisë që i ishte imponuar.

Në vijim të narratives së trishtueshme që përshkruante realitetin e Kosovës nën regjimin shtypës jugosllav, trakti vërente me theks të veçantë përpjekjet paqësore dhe konstruktive të popullit shqiptar për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë brenda Federatës Jugosllave. Nëpërmjet një vargu manifestimesh të pandërprera – që ishin shprehje e vetëdijes politike, qytetare dhe kombëtare – shqiptarët e Kosovës artikuluan një propozim legjitim dhe të pranueshëm për rikonfigurimin e statusit të Kosovës në kuadër të federatës, duke kërkuar më shumë autonomi, barazi dhe njohje të dinjitetit kolektiv.

Ky akt përbënte një formë të avancuar të maturisë politike dhe përkushtimit ndaj zgjidhjeve demokratike, ku zëri i popullit artikulohej jo përmes dhunës, por përmes protestës paqësore, kërkesës institucionale dhe vetëdijes për të ardhmen. Megjithatë, përballë këtij vizioni të matur dhe legjitim, reagimi i pushtetit serbomadh dhe i elitës së tij nacionaliste ishte brutal dhe regresiv. Ata (serbet), të bashkuar me elementët më të errët dhe destruktivë të strukturës shtetërore dhe shoqërore të Kosovës– të cilët në trakt përshkruhen si “llum i kombit” – iu kundërpërgjigjën me dhunë sistematike, duke shfrytëzuar aparatin shtetëror për të shtypur me zjarr e hekur çdo zë opozitar.

Në vend të dialogut, autoritetet serbe zgjodhën vrasjen e qytetarëve të pafajshëm, plagosjen masive, helmimin e organizuar të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, dhe mbi të gjitha, një politikë të mirëmenduar të kolonizimit të dhunshëm. Kjo e fundit kishte për qëllim ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës dhe zbehjen e prezencës shumicë të shqiptarëve në këtë trevë historike.

Ky konfrontim dramatik ndërmjet një populli që kërkon zgjidhje paqësore dhe një regjimi që përgjigjet me terror institucional, përfaqëson një nga përplasjet më të dhimbshme të historisë moderne të Kosovës. Ai hedhte dritë mbi paradoksin tragjik të një federate që pretendonte barazi mes kombeve, por që në praktikë zhvilloi politika diskriminuese, represive dhe kolonialiste ndaj një pjese të rëndësishme të saj. Kështu, historia e kësaj periudhe mbetet një dëshmi e fortë e pabarazisë strukturore, e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve dhe e guximit të tyre për të kërkuar drejtësi, edhe në kohët më të errëta.

Në vijim të argumentit të ndërtuar me kujdes në traktin politik, theksohet një dimension tjetër i rëndësishëm i përballjes së popullit shqiptar të Kosovës me sistemin represiv jugosllav – ai i luftës për të vërtetën në sferën ndërkombëtare dhe të përpjekjes për të legjitimuar rezistencën kombëtare në arenën globale. Autori i traktit nënvizon me saktësi se, pavarësisht përpjekjeve të ethshme të qarqeve antishqiptare për ta paraqitur luftën e drejtë të shqiptarëve si një akt destruktiv ndaj unitetit të Federatës Jugosllave, përpjekjet e tilla nuk arritën të fitojnë besimin e opinionit ndërkombëtar.

Rezistenca paqësore e popullit shqiptarë

Propaganda e nacionalizmit serbomadh, e cila synonte ta etiketonte rezistencën e popullit shqiptar si separatiste dhe destabilizuese, u ndërtua mbi një strukturë narrative të mbushur me keqinformim dhe stereotipa etnikë, me qëllim që të delegjitimonte kërkesat legjitime të një populli që kërkonte barazi dhe të drejta themelore brenda një shteti që vetë e shpallte veten federativ dhe multietnik. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar – veçanërisht ai përparimtar dhe i ndjeshëm ndaj vlerave të të drejtave të njeriut dhe vetëvendosjes së kombeve – nuk ra pre e kësaj propagande të shpifur.

Në rrafshin politik dhe moral, ajo që dikur etiketohej padrejtësisht si kërcënim për stabilitetin e Jugosllavisë, u kuptua me kalimin e kohës si një përpjekje legjitime për çlirim dhe dinjitet njerëzor. Kjo kthesë në perceptimin ndërkombëtar nuk ndodhi rastësisht, por ishte rezultat i durimit strategjik, qëndrueshmërisë në kërkesat për drejtësi dhe vendosmërisë për të mbrojtur kauzën shqiptare përmes mjeteve politike, diplomatike dhe mediatike.

Rrjedhimisht, trakti thekson triumfin e së vërtetës mbi manipulimin. Populli shqiptar i Kosovës, ndonëse për një kohë të gjatë u ballafaqua me mohimin dhe margjinalizimin, arriti në fund të fitojë simpatinë dhe përkrahjen e opinionit publik ndërkombëtar, posaçërisht të atyre qarqeve që promovojnë barazinë, drejtësinë dhe lirinë e popujve të shtypur. Kjo përkrahje përfaqësonte jo vetëm një sukses diplomatik, por edhe një njohje morale dhe historike të sakrificave të një populli që, në kushtet më të vështira, zgjodhi rrugën e drejtë përballë tiranisë.

Në pjesën përmbyllëse të traktit, autorët artikulojnë një thirrje të qartë dhe të artikuluar politikisht, e cila shënon një kthesë të rëndësishme strategjike në kuadrin e përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke theksuar paaftësinë e shtetit jugosllav për të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë kërkesat legjitime të popullit shqiptar në Kosovë, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës shfaqet si një zë përfaqësues dhe një forcë mobilizuese, që fton shqiptarët kudo që janë për t’u bashkuar rreth një kërkese të përbashkët dhe të drejtë.

Ky fragment përfaqësonte një zhvendosje të qartë nga kërkesat e brendshme drejt institucioneve ndërkombëtare – një sinjal se shpresa për drejtësi nga brenda strukturave të Federatës Jugosllave ishte shuar. Në këtë kontekst, Lëvizja e konsideronte të domosdoshme ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke identifikuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) si instancën më të përshtatshme për të ndërmjetësuar dhe garantuar një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Kjo qasje jo vetëm që rikonfirmon natyrën paqësore dhe institucionale të aspiratave shqiptare në Kosovë, por gjithashtu i vë në dukje standardet ndërkombëtare për të drejtat e popujve për vetëvendosje dhe barazi.

Duke theksuar se edhe vetë Jugosllavia ishte anëtare e OKB-së, autorët e traktit ekspozojnë paradoksin moral dhe politik të një shteti që në arenën ndërkombëtare pretendon të jetë mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe barazisë kombëtare, ndërkohë që brenda territorit të vet ndjek politika shtypëse, diskriminuese dhe kolonialiste ndaj një pjese të konsiderueshme të qytetarëve të tij.

Thirrja drejtuar mbarë popullit shqiptar, pa dallim vendndodhjeje, për të marrë pjesë aktive në manifestime gjithëpopullore, ishte shprehje e përpjekjes për një ndërgjegjësim dhe mobilizim kombëtar, që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe ndan një kauzë të përbashkët. Kjo përfshinte jo vetëm përballjen me padrejtësitë aktuale, por edhe një projektim të qartë të së ardhmes – një Republikë e Kosovës e njohur ndërkombëtarisht, që do të mishëronte parimet e vetëvendosjes, barazisë dhe demokracisë.

Kërkesa “Kosova-Republikë” e drejtë dhe legjitime

Në këtë mënyrë, trakti nuk mbeti vetëm një dokument proteste; ai u shndërrua në një manifest politik dhe moral për të drejtën e një populli për të qenë subjekt i historisë së vet, për të mos mbetur peng i padrejtësisë, por për t’u bërë pjesë aktive e rendit ndërkombëtar nëpërmjet mekanizmave të drejtësisë globale.

Në mbyllje të traktit, në një ton të fuqishëm emocional dhe politik, autorët artikulojnë një thirrje të ngarkuar me taban dhe vizion politik, duke e përmbyllur dokumentin me fjalët: “Lufta jonë është e drejt dhe patjetër do të triumfojë! Lavdi të rënëve për liri! Kosova Republikë!”. Këto fjalë nuk ishin thjesht një përfundim formal, por një shpërthim i bindjes së palëkundur për drejtësinë e kauzës, një përkushtim i thellë moral ndaj atyre që kanë sakrifikuar jetën për idealin e lirisë dhe një afirmim i qartë politik për aspiratën themelore të kohës – krijimin e Republikës së Kosovës si subjekt politik dhe shtetëror më vete.

Përdorimi i fjalës “luftë” në këtë kontekst duhet kuptuar në dimensionin e saj të gjerë: si luftë politike, rezistencë qytetare, dhe angazhim kolektiv për të çliruar Kosovën nga strukturat e diskriminimit dhe kolonizimit. Lufta është përkufizuar si “e drejtë”, çka në diskursin politik dhe juridik ndërkombëtar përbën një legjitimim të kërkesës për vetëvendosje dhe një refuzim të të gjitha përpjekjeve për ta kriminalizuar këtë lëvizje. Duke shpallur se ajo “patjetër do të triumfojë”, autorët shprehin një besim të palëkundur se rruga e nisur, sado e vështirë dhe e përgjakshme, do të çojë në arritjen e qëllimit të fundit: lirinë dhe njohjen ndërkombëtare të subjektivitetit politik të Kosovës.

Nderimi i “të rënëve për liri” ngrihet në një nivel të lartë të moralit kombëtar dhe kolektiv. Ky nderim nuk është vetëm një akt përkujtimi, por edhe një obligim për të vazhduar rrugën që ata nisën. Në këtë mënyrë, të rënët shndërrohen në gurë themeli të identitetit të ri politik dhe moral të Kosovës, ndërsa lavdia e tyre përligj çdo përpjekje të mëtejshme për liri dhe drejtësi.

Deklarata “Kosova Republikë!” është jo vetëm një slogan politik, por një formulim vizionar që sintetizon aspiratën e kamotshme për shtetësi dhe sovranitet. Në këtë pohim të shkurtër përmblidhen të gjitha shtresat e kërkesave – nga ajo për autonomi reale brenda federatës jugosllave, deri te projekti i një shteti të pavarur dhe të barabartë në rendin ndërkombëtar.

Përfundimisht, vetë identifikimi i traktit si produkt i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës ishte thelbësor, pasi i jep dokumentit një autoritet të qartë politik dhe e lidh atë me një subjekt kolektiv të organizuar, i cili përfaqësonte zërin dhe aspiratat e shumicës shqiptare në Kosovë. Në këtë mënyrë, traktati nuk mbetet një tekst anonim i rezistencës, por bëhet një akt politik i vetëdijshëm dhe i koordinuar, i cili thërret për ndërgjegjësim, veprim dhe përbashkim rreth një ideali që i tejkalon kufijtë e momentit: ndërtimi i një Republike të Kosovës të lirë, demokratike dhe të barabartë në mes të kombeve.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.