Putini dhe shqiptarët, si është e mundur që në mes të një lufte, Presidenti i Rusisë së madhe përmend vazhdimisht Kosovën dhe Shqipërinë e vogël?

0
Vladimi Putin - CNN

Shaqir Vukaj*

Presidenti rus, Putin mbasi “verifikoi” ato që tha kasneci i tij Llavrov para fillimit të sulmit kundër Ukrainës, për “Mercenarë nga Shqipëria në Ukrainë për të nxjerrë Rusinë nga vetja…”, gjatë një bisede me kancelarin e Gjermanisë, Sholz tha se “Në Ukrainë po shohim gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, militantë nga Kosova dhe madje xhihadistë me përvojë operacionale në Siri”.

Si për t’i kaluar lehtë këto fjalë të Putinit, disa persona, madje ndonjë edhe politikan me peshë, shqiptar apo i huaj, u shprehën se ai “përhap gënjeshtra të tilla për të shmangur vëmendjen nga lufta dhe nga humbjet që po pëson në Ukrainë…”.

Mendoj se nuk duhet marrë kaq lehtë, por duhet vlerësuar me seriozitetin më të madh nga qeveritarë dhe politikanë në Shqipëri e më gjerë. Putini nuk është prej atyre që i lëshon fjalët kot. Ai çdo gjë e ka të llogaritur e të mirëmenduar. Duke qenë ambasador në Moskë e kam ndjekur Putinin që kur Presidenti Jelcin e emëroi Kryeministër (gusht 1999) dhe i shtroi rrugën për president… madje edhe më përpara. Që atëherë ai ishte i matur dhe për çdo fjalë që thoshte, qoftë edhe gënjeshtër, ndiqte një qëllim të caktuar, madje me qitje të largët…

Shumë bukur e ka përcaktuar Stroub Talbot, ish z/Sekretar Shteti i SHBA (gjatë krizës së Kosovës, përfaqësues i presidentit Klinton, për zgjidhjen e kësaj krize). Në librin me kujtime “Billi dhe Borisi” – (Shënime mbi diplomacinë presidenciale) duke përshkruar takimin e parë me Putinin, (më datë 11 qershor 1999), në atë periudhë Shef i Shërbimit Federal të Sigurimit, ndërmjet të tjerave shkruan:

Putini nuk donte të dukej, i shmangej konflikteve dhe publicitetit, prandaj edhe figuronte diku në periferi të panoramës tonë të politikës ruse… Putini i kishte mësuar kompetencat e drejtimit, aftësinë për të arritur rezultat pa nxitim dhe fërkime të kota… Putini ishte rus “i ftohtë”, të tillë unë nuk kisha takuar. Ai dëgjonte me vëmendje, vëmendje që dukej sa e llogaritur, aq edhe modeste…”.

Putini është marrë që herët me shqiptarët dhe Kosovën. Siç ka dalë nga dokumentet e botuara tani vonë, kur Presidenti Jelcin kërkonte ndonjë person të përshtatshëm si përfaqësues i tij për zgjidhjen e krizës në Kosovë, Putini i kishte propozuar që të caktonte Çërnomerdinin. Në një intervistë të para pak kohëve, ai pranoi se kishte këshilluar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Kvashnjin (pa dijeninë e ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm) që rusët të pushtonin aeroportin e Prishtinës, para hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Mbas nënshtrimit të Millosheviçit, kur diskutohej futja e trupave paqeruajtëse në Kosovë dhe Rusia pretendonte të çonte aty deri në dhjetë mijë trupa (në kuadrin e forcave ndërkombëtare që do vendoseshin në Kosovë) Putini, si Shef i Shërbimit Federal, kërkoi zyrtarisht dhe insistonte që rusët të kishin zonë të veçantë në Kosovë, sepse siç deklaroi ai “Ne do të insistojmë që të kemi zonën tonë, sepse serbët kanë besim vetëm te rusët”.

Gjatë atyre pak muajve që Putini ishte kryeministër (Presidenti Jelcin pothuajse gjithë kohën ishte i sëmurë e i përhumbur) Rusia vazhdonte të mbështeste Serbinë dhe Millosheviçin me të gjitha mënyrat, madje më me zell. Kështu gjatë atyre muajve Rusia u deklarua haptazi e me prepotencë për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë, rriti aktivitetin dhe presionin ndaj ndërkombëtarëve, madje edhe duke kërcënuar në mbledhje apo takime zyrtare, u shtuan ankesat e sulmet kundër udhëheqjes ruse e direkt kundër Jelcinit, se përse Rusia nuk kishte ndihmuar me armatime moderne Jugosllavinë etj. Nuk ishte e rastit që pikërisht në atë periudhë, ministri i mbrojtjes i Rusisë vizitoi Beogradin… Sigurisht që pas të gjitha këtyre veprimeve qëndronte Kryeministri Putin.

Mbas ardhjes në postin e Presidentit, marrëdhëniet me SHBA dhe NATO-n u dukën sikur po shkonin drejt përmirësimit, veçanërisht mbas 11 Shtatorit (sulmit mbi kullat binjake), sulmit të SHBA kundër Afganistanit (Putini i krijoi mundësi logjistike dhe ndihma të tjera SHBA për pushtimin e tij). Në vitin 2002 u krijua këshilli Rusi-NATO, që sipas disa analistëve ishte hapi i parë i Rusisë drejt NATO-s (Rusia nuk kishte kundërshtuar fort për pranimin e Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë në NATO) etj.

Por pavarësisht nga këto, Moska zyrtare vazhdonte të shprehej ashpër dhe haptazi kundër gjithçkaje shqiptare në Kosovë, madje me doza të shtuara, duke përfshirë në disa raste edhe Shqipërinë (U sulmua ashpër Presidenti Rexhep Meidani, u shumëfishuan gënjeshtrat për gjenocidin e shqiptarëve kundër serbëve, madje arritën deri aty sa trumbetonin me të madhe se “Nga dhuna e shqiptarëve, nga Kosova janë larguar 500 mijë serbë dhe po kaq shqiptarë kanë ardhur nga Shqipëria”). Rusia kërkoi zyrtarisht që të mbyllej Gjykata e Hagës, ministri i Mbrojtjes kërkoi zyrtarisht që ushtria jugosllave të kthehej në Kosovë etj.

Edhe më i ashpër ishte qëndrimi i Rusisë kundër shqiptarëve mbas daljes në skenë të UÇK-së në Maqedoni. Me gjithë se Putini ishte i angazhuar fort për konsolidimin e pushtetit te tij, kryesisht në planin e brendshëm, së pari për stabilitet politik, për daljen e Rusisë nga kriza ekonomike, në luftën kundër korrupsionit etj., ai gjeti rastin të angazhohej publikisht kundër shqiptarëve. Kështu në mbledhjen e Qeverisë Ruse të dt. 5.03.2001, ndërmjet tjerave ai tha:

Në Ballkan po ndodh ajo që ne kishim parashikuar. Mbas largimit të ushtrisë Jugosllave nga Kosova aty u krijua vakum, të cilin e mbushën terroristët shqiptarë…

Çdo gjë që ndodhte në botë, Putini përpiqej ta lidhje me “terroristët shqiptarë’. Kështu, pak ditë mbas ngjarjes së 11 shatorit në SHBA, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ai tha:

Atë që terroristët po bëjnë në Çeçeni që nga viti 1996, tani po e bëjnë në Kosovë, nga ku përpiqen të veprojnë edhe jashtë saj”.

Gjithë kjo periudhë (vitet 2001-2003) është e mbushur me akuza të pabesueshme kundër shqiptarëve, ku u aktivizuan hapur Kryeministri e ministrat (në mënyrë të veçantë ai i Jashtëm dhe i Mbrojtjes) ushtarakë, deputetë, analistë, gazetarë etj, Putini fliste më rallë, por sa herë fliste ishte tepër i ashpër ndaj shqiptarëve e Kosovës… U rritën dukshëm deklaratat zyrtare e sulmet kundër nesh, ku krahas artikujve e analizave pa fund u botuan disa libra, ndërmjet të cilëve ai i ish Kryeministrit të Bashkimit Sovjetik, Nikollaj Rizhkov “Golgota Jugosllave”, “Tetë muaj plus” i ish kryeministrit të Rusisë Evgeni Primakov, “Historia e Krizës Jugosllave” i historianes Elena Guskova etj. me qëndrime të theksuara antishqiptare, ku termat kriminelë, vrasës, trafikantë, sadistë etj. përdoreshin pa asnjë lloj dogane, pa folur për gënjeshtra, akuza e falsifikime të paimagjinueshme kundër nesh.

Siç thamë më sipër, gjithë kjo periudhë karakterizohet nga hapa të matur të Putinit në marrëdhëniet me Perëndimin e përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve. Në ketë kuadër, në vitin 2003 ai tërhoqi trupat ushtarake nga Ballkani (Bosnja Hercegovina dhe Kosova) për çka në Rusi pati shumë kritika, duke u quajtur si “Tërheqja më e madhe dhe humbja më e madhe e interesave ruse në Ballkan”.

Mbasi u gozhdua në karrigen e tij dhe autoriteti në radhët e popullit rus iu rrit dukshëm, ai doli haptazi dhe publikisht, madje mjaft kërcënueshëm kundër shqiptarëve. Kështu në mbledhjen e këshillit të Sigurimit të Sigurimit të Rusisë, të dt. 21.03.2004 ai tha:
Rusia nuk mund të shohë me indiferencë atë që po ndodh na Kosovë, ku nuk është gjë tjetër përveç se spastrim etnik, prandaj duhet dhënë kundërpërgjigje e ashpër në mbrojtje të serbëve”.

Duhet venë në dukje se Putini çdo fjalë që thoshte e llogariste mirë dhe ndiqte qëllime të caktuara. Në periudhën kur problemi i Kosovës ishte vënë në rrugën e vështirë të shpalljes së pavarësisë, e Perëndimi, si për ta zgjatur… kishte dalë me kërkesën “më përpara standardet e më vonë statusi”, Rusia u kap fort mbas kësaj teze dhe u angazhua në të gjitha takimet e rëndësishme ndërkombëtare, në OKB, në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit, të Grupit të Kontaktit etj., ku nëpërmjet gjuhës diplomatike e jo rrallë kërcënuese shprehej kundër pavarësimit të Kosovës.

Pikërisht në ketë periudhë, në fund të viti 2004, pa pritur (sipas shumë analistëve rusë e të huaj) Putini pranoi publikisht se:
Përse ne bëjmë sikur nuk shohim se ç’procese ndodhin sot në botë dhe Europë? A nuk u shpërbë Jugosllavia? U shpërbë. Dhe e gjithë bota i njohu shtetet e reja. Gjithë kohën kemi thënë: nuk ka pavarësi për Kosovën. Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur, ajo është pjesë e Jugosllavisë. Por ç’po ndodh në praktikë? Praktikisht Kosova po ndahet dhe të gjithë bëjnë sikur nuk shohin, nuk dëgjojnë”.

Por ky pohim i Putinit ishte tërheqje vëmendjeje e thirrje institucioneve ruse për të ashpërsuar qëndrimin ndaj pavarësimit të Kosovës, ç’ka u pa realisht gjatë vitit 2005.

Me qenë se Kosova po ecte drejt pavarësimit, dhe Rusia nuk kishte forcë ta ndalonte, mbasi bëri disa tentativa, siç ishte propozimi për bashkimin e të gjitha shteteve të Ballkanit (ide e hedhur nga ministri i jashtëm Llavrov në gusht 2005) etj., atëherë Putini “e drodhi” dhe kërkoi ta shfrytëzonte për qëllimet e veta. Kështu ai doli me idenë e “universalizimit” të problemit të pavarësisë së Kosovës dhe në një konferencë shtypi në fillim të vitit 2006 ai deklaroi:

Nëse ndokush mendon se Kosovës mund t’i jepet pavarësia shtetërore, atëherë përse ne duhet t’ia refuzojmë këtë abhazëve apo osetino-jugorëve…” parim që ai e shtjelloi më vonë, dhe që u bë baza e politikës ruse, nga një anë për të kundërshtuar pavarësimin e Kosovës, e nga ana tjetër, për të joshur e nxitur kërkesat e disa rajoneve e krahinave në Gjeorgji, Azerbajxhan e Moldavi për t’u shkëputur nga shtetet e tyre.

Që atëherë pati ndonjë analist që shkruante se Putini kishte parasysh edhe Krimenë… Madje ai bëri një sondazh në takimin e BE-Rusi në Helsinki ku tha: “Pavarësia e Kosovës krijon precedent për situata të ngjashme”, duke u dhënë zemër atyre krahinave që kërkonin shkëputje nga shtetet e tyre. Në mbledhjen e qeverisë, më 30.01.2006, duke folur kundër pavarësisë e Kosovës, ai e shtjelloi edhe më gjerë idenë e tij:

Tërheq vëmendjen tuaj, se nga pikëpamja e respektimit të parimit të së drejtës ndërkombëtare, ky është një problem jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, por edhe nisur nga interesat praktike të hapësirës postsovjetike. Të gjitha variantet e propozimeve për zgjidhje, duhet të kenë karakter universal. Kjo është tepër e rëndësishme për hapësirat postsovjetike…

Nga kjo periudhë, parimi i universalizimit për zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre u bë ndër “argumentet” kryesore të Moskës, nga njëra anë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, nga ana tjetër, për të nxitur kërkesat e disa rajoneve në Gjeorgji, Azerbajxhan, Moldavi e siç do të rezultonte vite më vonë edhe në Ukrainë… Me që kjo ide nuk gjeti përkrahje, në takimin e Helsinkit, Rusi-BE ai kërcënoi se “Pavarësia e Kosovës krijon precedent për situata të ngjashme”.

Ndarja e Malit të Zi nga Serbia, në vitin 2006, në Rusi u prit me kritika të ashpra kundër malazezëve që kishin votuar për ndarje, por problemi më shqetësues për Moskën ishe se rasti i Malit të Zi, do të bëhej shembull, madje i bazuar ligjërisht, për pavarësinë e Kosovës. Sipas zëdhënëses së Putinit, e cila duke folur për pasojat e ndarjes së Malit të Zi nga Serbia, ndërmjet të tjerave tha:

Kryesorja që mund të vëmë në dukje, jo pa keqardhje, është fragmentarizmi dhe copëtimi i popullit sllav ortodoks në Ballkan… Përpara kemi ekstremizmin shqiptar, sepse sipas doktrinës së “Shqipërisë së madhe”, 40 për qind e Malit të Zi të sotëm, një pjesë e madhe e Maqedonisë dhe pjesa Veri-Perëndimore e Greqisë duhet t’i jepen Shqipërisë”.

Tepër i ashpër u tregua Putini në Konferencën Ndërkombëtare për Sigurinë, mbajtur në Munih më 10 shkurt 2007, ku shpalosi disa nga synimet e tij për rolin e Rusisë në të ardhmen, duke përcaktuar “Vijat e kuqe” në Ballkan, Kaukaz etj. Edhe aty gjeti rastin të fliste kundër pavarësimit të Kosovës, kur tha se: “Vetëm kosovarët dhe serbët mund ta zgjidhin këtë çështje… nëse njëra nga palët ndjehet e lënduar, kjo do të zvarritet në shekuj”.

Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai u shpreh tepër ashpër, madje kërcënoi:
Precedenti i Kosovës është precedent i tmerrshëm. Në thelb ai shkatërron gjithë sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare të krijuar jo gjatë disa dekadave, por gjatë qindra vjetëve. Dhe pa asnjë dyshim mund të sjellë një seri pasojash të paparashikueshme”.

Mbas një aksioni ushtarak (një aventure ushtarake do ta quaja unë) që ndërmori presidenti i Gjeorgjisë, Saakashvili (jo pa nxitjen e disa qarqeve perëndimore) kundër Osetisë së Jugut (në verë të v.2008), realisht kundër Rusisë, ushtria ruse, duke dashur të tregonte aftësitë e saj, jo vetëm shpartalloi brenda pak ditësh ushtrinë gjeorgjiane, por po të donte merrte edhe kryeqytetin, Tbilisin… Putinit iu dha rasti, që krahas të tjerave t’i kthehej problemit të Kosovës, dhe më 29.8.2008 u shpreh:

Kur ne u përpoqëm të ndalojmë pavarësinë e Kosovës, nuk na dëgjoi askush… Çfarë mund t’u themi popujve të vegjël të Kaukazit, përse Kosova mund të fitojë pavarësinë dhe këta jo?

Pa pikë turpi e pa iu dridhur qerpiku, fliste pikërisht ai Putin, që pak vite më përpara kishte mbytur me zjarr e hekur Çeçeninë, vetëm se kërkonte pavarësinë nga Rusia…

Sigurisht që ai e shfrytëzoi rastin Kosovë për të shpallur shtete të pavarura (realisht të varur krejtësisht nga Rusia) Osetinë e Jugut (me rreth 70 mijë banorë) dhe Abhazinë, (me rreth 300 mijë banorë), shtete që deri më sot nuk i ka njohur askush.

* * *

Në vitin 2014, mbas aneksimit të Ukrainës nga Rusia, Putini është marrë shumë herë me Kosovën dhe shqiptarët, herë duke bërë krahasime midis Krimesë dhe Kosovës, herë duke thënë se Kosova ishte shembull për Krimenë etj.

Kështu një herë ai deklaroi se “Për rastin e Krimesë ne përdorëm precedentin Kosovë” ndërsa një herë tjetër deklaroi se “Në një vend, në Kosovë mund të përmbushet vullneti i popullit dhe këtu jo. E gjitha kjo është lojë politike”.

Në vitin 2017, duke folur për referendumin e zhvilluar në Katalonjë për shkëputje nga Spanja, Putini përsëri gjeti rastin të merrej me Kosovën, kur ndërmjet të tjerash tha: “Perëndimi nxori xhindet nga shishja për pavarësinë e Kosovës”.

Në shkurt 2018, gjatë takimit Putin-Vuçiq ai deklaroi: “Ne vazhdojmë të mbështesim Serbinë dhe tërësinë territoriale të saj”.

Më 25 nëntor 2021, gjatë takimit më Presidentin serb Vuçiq ai deklaroi se: “Rusia mbështet pozicionin e Serbisë për pavarësinë e Kosovës” dhe shtoi se “Kosova është Serbi ashtu siç është Ukraina Rusi”… Pak ditë para këtij takimi zëdhënësja e MP Jashtme kishte deklaruar:
Situata në Ballkan po acarohet nga veprimet e ekstremistëve kosovarë. Radikalët shqiptarë vazhdojnë tentativat për t’u “shpëtuar” nga serbët”.

Këto janë disa nga deklarimet antishqiptare edhe qëndrimet e hapura në mbrojtje të Serbisë, por ai ka folur dhe na ka përmendur shumë herë të tjera, madje më shumë se çdo popull e vend ballkanik, dhe më gjerë…

* * *

Me të drejtë lind pyetja, si ka mundësi që në këtë kohë kur Putini është jashtëzakonisht i zënë me luftën në Ukrainë i bie ndërmend të merret me shqiptarët e me Shqipërinë, një vend i vogël që nuk lot asnjë rol të rëndësishëm në politikën e madhe botërore. Për disa politikanë e diplomatë kjo është e pashpjegueshme, por jo për ata që njohin mirë problemet e Ballkanit.

Putini që llogarit çdo fjalë nuk e ka me Ukrainën, sepse sado mercenarë shqiptarë të shkojnë në Ukrainë, nuk çojnë asnjë peshë kundër ushtrisë ruse prej qindra mijëra forcash, të pajisur me mjetet më moderne të kohës. Putini e ka me Ballkanin e në këtë kuadër me Shqipërinë e Kosovën… me shqiptarët.

Historikisht Rusia ka qenë tepër e lidhur me Ballkanin, madje edhe alfabetin e fenë ortodokse i ka marrë nga Ballkani. Ai ka qenë tepër i rëndësishëm në politikën e jashtme të Rusisë, jo vetëm nga pikëpamja strategjike, por, sipas saj, për realizimin e misionit “të shenjtë” për “mbrojtjen e popujve vëllezër sllavë”. Po t’i referohemi historisë, rezulton se nuk ka asnjë ngjarje me rendësi në Ballkan, ku të mos ketë marrë pjesë Rusia, apo Bashkimi Sovjetik. Mjafton të kujtojmë takimin e Stalinit me Çërçillin, ku u vendos që në vendet ballkanike (përveç Greqisë) të vendosej sistemi socialist. Kujtoni si i sollën të paketuara nga Moska udhëheqjet e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bukuresht dhe Sofje (deri në fund të Luftës Dytë Botërore aleate të Gjermanisë Naziste).

Historia e Ballkanit është vazhdim organik i historisë së Rusisë, pjesë e ndërgjegjes së saj kombëtare” është një tezë e përhapur dhe e mbrojtur nga shumë politikanë, historianë, ushtarakë, politolog, gazetarë e analistë rusë dhe që është ngulitur në ndërgjegjen dhe mendjet e shumë rusëve…

Sigurisht që Putini, në vazhdën e politikës së paraardhësve, pavarësisht si rrodhën ngjarjet dhe dobësimi i ndikimit rus këto dekadat e fundit, ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë hequr dorë nga Ballkani, përkundrazi presin rastin e madje e nxisin…

Sipas llogarive të tyre, po piqen kushtet për t’iu turrur Ballkanit (sipas tyre mbasi të mbyllin hesapet me Ukrainën) sigurisht duke shfrytëzuar Serbinë, situatën në Bosnjë Hercegovinë e deri diku në Mal të Zi etj., dhe një lloj pasiviteti të BE, që prej vitesh rreket e shtyn pambarimisht pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE… Dhe kryesorja, duke parë e analizuar qëndrimet e Europës e SHBA, që pavarësisht nga sanksionet që kanë ndërmarrë ditët e fundit kundër Rusisë, praktikisht e lanë në baltë Ukrainën, megjithëse e kishin nxitur e i kishin premtuar shumë… dhe siç pohoi këto ditë shefi i Diplomacisë së BE, J. Borell “Perëndimi nuk duhej t’i bënte premtime jo reale Ukrainës”. Krahas të tjerave, këto i kanë dhënë zemër Putinit e shokëve të tij…

Me të drejtë shtrohet pyetja përse Putini u mor me problemin e mercenarëve nga Ballkani, dhe përmendi shqiptarët dhe kroatët. Pikërisht këta dy popuj janë bërë pengesë kryesore për “Serbinë e Madhe” apo siç kanë filluar ta quajnë kohët e fundit për “Botën Serbe”.

Para pak ditëve, mbas kërkesës për pranimin e Kosovës në NATO, Presidenti i Serbisë Vuçiq kërcënoi ndërkombëtarët se po pranuat Kosovën, do të ketë luftë, njëlloj siç kërcënonte Putini për Ukrainën… Serbia është armatosur këto vitet e fundit si asnjë vend në Ballkan, kryesisht nga Rusia, përfshirë armatimet më moderne.

Sot, ajo është blerësi më i madh në Europë i armatimeve nga Rusia. Pa u zgjatur në shifra, vetëm dy-tri vitet e fundit, Rusia ka furnizuar Serbinë me dhjetëra tanke T-72MS, pajisje të blinduara zbulimi, avionë MIG-29 të modifikuar, Helikopterë Mi-35 M dhe Mi-17V5, komplekse raketash “Kornat” , “ZRKP”, “Pancer C1M” etj. Aq shumë është armatosur Serbia, sa para pak kohësh, ish ushtaraku i lartë i Ushtrisë Jugosllave Dejan Beriç deklaroi se: “Sot ushtria serbe ka tre herë më shumë armatime se sa oficerë e ushtarë me pagesë”.

Situata në Bosnjë Hercegovinë sa vjen e acarohet. Presidenti i Republika Srpska, miku i Moskës, Dodik, pothuajse e ka shkëputur këtë republikë nga Federata… në perspektivë për t’u bashkuar me Serbinë.

Nuk duhen nënvleftësuar thirrjet e ditëve të fundit të opozitës serbe “Për kthimin e Kosovës në Serbi” apo “Kurrë nuk do ta dorëzojmë Kosovën”, ashtu siç nuk nënvleftësuar mitingjet madhështore në Beograd në mbështetje të Rusisë për luftën kundër Ukrainës.

Edhe situata në Mal të Zi nuk është aq e qetë. Klanet proruse e sidomos proserbe janë të fuqishme, çka u pa edhe në demonstrimet e tyre rrugëve të Podgoricës e qyteteve të tjera në mbështetje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Nuk duhen harruar përpjekjet e Rusisë për grusht shteti aty dhe në Maqedoninë e Veriut apo përpjekjet për të penguar pranimin e saj në NATO.

I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, G. Eskobar para pak ditëve, tha se Perëndimi duhet të shtojë përpjekjet e punën për të penguar Rusinë në Ballkan.

Këto dhe zhvillime të tjera duhet të kthejnë më me këmbë në tokë NATO-n dhe BE-në, por në radhë të parë ne, shqiptarët, politikanët dhe ata që drejtojnë Shqipërinë. Nuk duhet harruar se për Putinin (që aq shumë është marrë me ne) e për disa putinër të tjerë, ne shqiptarët jemi “mercenarë”, “terroristë, ekstremistë, fundamentalistë, trafikantë” etj., “që shkatërruam Jugosllavinë”, që “bëmë spastrim etnik në Kosovë”, që “armiqësuam NATO-n e më gjerë SHBA dhe Europën me Rusinë e Serbinë”, që “pengojmë krijimin e Botës Serbe”, që “propozuam Rezolutë të posaçme në OKB kundër Rusisë” etj. etj.

Këto dhe të tjera që ka deklaruar Putini dhe shokët e tij, ne shqiptarët duhet t’i marrim seriozisht e të jemi të përgatitur, sepse jo rastësisht Moska e shpalli Shqipërinë vend jo mik që në gjuhën jodiplomatike do të thotë vend armik.

Vërtetë jemi vend anëtar i NATO-s, e siç thuhet përditë, na mbron NATO-ja. Vërtet na mbron ajo, por në radhë të parë ne duhet të mbrojmë veten, të jemi të përgatitur për çdo rast. Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova (jo vetëm nga Kosova…) e çdo gjë mund të nxitet e të ndodhë aty dhe ne duhet të jemi një me Kosovën…

Do të ishte një hap pozitiv për ruajtjen e paqes në Ballkan që në këto kushte, NATO të avanconte pranimin e Kosovës, sepse ndoshta nesër mund të jetë vonë dhe nuk do të mund të bëjë gjë, ashtu siç po ndodhë në Ukrainë…

*ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi

©️Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016 ( credit Avokat P.Gj. )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.