FROJDI, HIJEDRITAT E TIJ

0
Psiko-analisti austriak - Zigmund Frojd, 1935

Prend N. Buzhala Prend BUZHALA:

(Bashkëbisedim)

Në vazhdim të shkrimit: https://fjala.info/pacientet-e-frojdit-diskutim-psiko-analitik-me-prend-buzhalen/

Meqë vetë nuk dërgoj tekste te portalet, as që e di se si dërgohen te ju; shkrova në mesazh pa e ditur se qenkeni ju, i nderuar Arben! Mendova se komunikimi me mesazh mjafton dhe, e pashë, që nuk e respektuat kërkesën time kur ju shkrova: “këtë shkrim, i cili padashtas u zgjerua, e bëra thjesht për ju se çfarë qëndrimi kam; nuk e bëra për publikim“. E shoh se ndjeni nevojë që me dikë të bashkëbisedoni, besoj, jo si pacient i Frojdit! Hahaha ! Unë nuk e kam ditur që ky shkrim që flet për mua qenka yti, se më ka dalë me dy emra e herë pa emër!

Kam shkruar disa herë për Frojdin dhe për ndikimin e tij në letërsi dhe askund nuk kam folur për të në mënyrë pezhorative. Nuk e kam ndërmend askujt t’ia rrëmbej Frojdin e as t’a dhuroj… as meritat pro a contra frojdiste…

Më është dashur të lexoja dikur, nga Frojdi për këto 50 vjet, thjesht për nevoja të letërsisë, (besa edhe për provim në letërsi) aso kohe, sidomos të letërsisë e kritikës letrare psikanalitike që kultivohej me të madhe në Kosovë. Në bibliotekën time kam mjaft botime edhe shqip të veprave të Frojdit që janë botuar në Tiranë (tash vonë po dëgjoj që edhe ju përkthyekeni nga gjermanishtja Frjodin dhe ju përgëzoj), – nuk është nevoja t’ua them! Nuk di se çfarë formimi shkollor keni, por besoj që keni studiuar shkencat humanitare a shoqërore, ndryshe, një fizikan, bie fjala, e ka problem të merret me këso cikërrimash frojdiste.

Dhe, meqë veten e shpall frojdolog, dhe interesohesh vazhdimisht, që, me anë të Frojdtit, t’i godasësh të tjerët që nuk ditkan sa ti (eh, nuk po i shtjelloj këtu në mënyrë frojdiste ankthin e pasojat e diktaturës për sulme… as miratimin e burgosjeve e pushkatimeve enveristo-frojdiste “ateiste”, që iu bënë klerikëve të Shkodrës që qenë shkolluar në 24 universitete evropiane… ); atëherë po i jap edhe disa OBJEKSIONE personale, pa pretendime frojdolologjike apo antifrojdologjike, më shumë si sintezë leximesh… po edhe si mundësi të pafund që t’i ofron bota digjitale: t’i ofron krejt veprat e tij, shtjellimet e studimet për të etj. etj.

 

1. NJË SI HYRJE

 

Askush nuk e konteston që Frojdi është njëra ndër figurat kryesore në zhvillimin e psikologjisë moderne dhe që ka një lidhje të ngushtë me konceptet e irracionalizmit. Këtë konstatim vetëm prej teje po e dëgjoj që ai nuk qenka pjesëtar i rrymave psiko-filozofike të irracionalizmit (e ke dhënë një shpjegim tejet të përciptë e të thjeshtëzuar për irracionalizmin e që s’ka fare të bëjë me Frojdin)! Racionalizmi e irraconalizmi janë rryma të mendimit modern, ashtu siç janë dhjetëra e dhjetëra të tjera…

Vetë Frojdi ishte ai njëri prej të parëve që nxori në pah ndikimin e forcave irracionale në sjelljen njerëzore. Po e përsëris: përmes teorisë së tij të psikoanalizës, Frojdi zbuloi se shumica e veprimeve dhe mendimeve tona janë të ndikuara nga procese të pavetëdijshme, që shpesh janë irracionale dhe të bazuara në instinkte primitive, të cilat ai i identifikoi si “Id” ose instinkti i dëshirave dhe impulsit seksual (libidoja).

Në kontekstin e irracionalizmit, kjo qasje është një formë e kundërshtimit të racionalizmit, i cili theksonte rëndësinë e arsyes dhe logjikës. Frojdi tregoi se instinktet dhe dëshirat e pavetëdijshme mund të udhëheqin individin drejt veprimeve që nuk janë gjithmonë të kontrolluara ose të kuptueshme për mendjen e ndërgjegjshme. Sipas tij, shumë nga sëmundjet mendore dhe çrregullimet emocionale janë rezultat i tensionit midis këtyre forcave irracionale dhe kërkesave të shoqërisë.

Kjo mendësi e Frojdit frymëzoi shumë mendimtarë të mëvonshëm në filozofi, psikologji dhe letërsi, veçanërisht ata që trajtonin temat e absurditetit, dëshirave të pavetëdijshme dhe konfliktit të brendshëm.

 

2. NDIKIMI FROJDIT NË ARTE, LETËRSI DHE KRITIKËN LETRARE

 

Frojdi pati një ndikim të madh në arte, në letërsi dhe kritikën letrare. Teoria e tij mbi pavetëdijen dhe interpretimi i ëndrrave, frymëzoi një numër të madh shkrimtarësh dhe kritikësh që e përdorën psikologjinë frojdiane për t’i analizuar tekstet dhe personazhet letrare. Shkrimtarë modernistë si James Joyce, Virginia Woolf dhe Marcel Proust, të lexuar e të përkthyer tashmë edhe shqip, (në Kosovë tipik është Anton Pashku), përdorën procedime artistike që paraqitnin idetë e Frojdt për rrjedhën e ndërdijes. Në letërsi është i njohur romani i rrjedhës së ndërdijes apo i përroit të ndërdijes, subkoshencës.

Këta shkrimtarë ishin të interesuar për qëmtimin e botës së brendshme të personazheve të tyre, duke pasur një qasje më introspektive dhe psikologjike. Kritikët letrarë, si Harold Bloom dhe Jacques Lacan, përdorën konceptet frojdiane për të analizuar tekstet letrare (në Kosovë në vitet ’70 është i njohur Mensur Raifi me studimet monografike mbi Nolin dhe Migjenin). Për shembull, Kompleksi i Edipit u bë një model për t’i kuptuar marrëdhëniet dhe konfliktet ndërpersonale në letërsi.

Frojdi pati një ndikim të madh në lëvizjen e surrealizmit, një rrymë artistike që u zhvillua në fillim të shekullit të 20-të. Surrealistët u frymëzuan nga idetë e Frojdit për pavetëdijen, ëndrrat dhe nënvetëdijen, ndërdijen, dhe kërkuan ta kapin anën e fshehur të mendjes njerëzore përmes artit. Sot edhe keni mundësi të shikoni piktura, edhe të lexoni poezi që quhen “hermetike” e të paqarta! Dikur quheshin dekadente e borgjeze! Piktorë si Salvador Dalí, René Magritte, dhe Max Ernst u ndikuan nga Frojd dhe përpiqeshin të hulumtonin kontradiktat e pavetëdijes dhe ëndrrat në veprat e tyre. Ata krijuan imazhe të çuditshme dhe të pabesueshme që sfidonin logjikën dhe realitetin, duke gjurmuar konfliktet dhe dëshirat e fshehura.

Metoda e “shkrimit automatik” e përdorur nga shkrimtarët dhe artistët surrealistë (në Kosovë është i njohur si krijues i tillë Beqir Musliu) apo në Evropë si André Breton (i përthyer shqip që në vitet ‘70), u ndikuan drejtpërdrejt nga ideja e Frojdt për rrjedhën e lirë të mendimeve dhe përpjekjet për të dalë në sipërfaqe mendimet e pavetëdijshme. Është e vërtetë që konceptet e Fojdit janë përhapur gjerësisht dhe kanë ndikuar në film, teatër, televizion dhe letërsi.

Filmografë si Alfred Hitchcock dhe Stanley Kubrick, janë ndikuar nga idetë freudiane për pavetëdijen dhe ankthet e fshehura. Filma të njohur si “Psycho” (1960) i Hitchcock dhe “A Clockwork Orange” (1971) i Kubrick përmbajnë elemente të analizës psikologjike që qëmtojnë çështje të identitetit, dëshirave, dhe pavetëdijes. Libri i tij “Interpretimi i ëndrrave” shërbeu si frymëzim për shumë krijime artistike dhe mediatike, që përdorin ëndrrat për t’i shprehur mendime të pavetëdijshme dhe dëshira të shtypura.

Mirëpo, letërsia dhe artet nuk janë mbyllur në guaskat irraconaliste frojdiane, për shkak se jeta dhe arti janë shumë më të hapura, më të larmishme e më kompkese se sa thjeshtëzimet frojdiste.

 

3. MBI IRRACIONALIZMIN SI RRYMË MODERNE E MENDIMIT

 

Frojdi nuk mund të klasifikohet thjesht si irracionalist “i pastër”, por ai pati një ndikim të madh në kuptimin e forcave irracionale që ndikojnë në sjelljen njerëzore. Ai nuk mohoi rëndësinë e arsyes dhe racionalitetit, por në vend të kësaj tregoi se sjellja njerëzore është komplekse dhe shpesh e udhëhequr nga forca irracionale që ekzistojnë përtej ndërgjegjes.

Ky fokus mbi pavetëdijen dhe irracionalitetin si pjesë përbërëse të natyrës njerëzore, e bën atë të rëndësishëm për TRADITAT IRRACIONALISTE në psikologji dhe filozofi. Në këtë mënyrë, ai përfaqëson një përzierje të të dyja qasjeve – irracionalizmit dhe racionalizmit.

Irracionalizmi është një rrymë filozofike që thekson rolin e forcave irracionale në jetën njerëzore, duke kundërshtuar rëndësinë e arsyes dhe racionalizmit si mënyra kryesore për ta kuptuar botën. E, pra, vetë Frojdi e pranon që racionalizmi është i pafuqishëm t’i shpjegojë labirintet e botës irracionale! Filozofët irracionalistë besojnë se përvoja njerëzore, ndjenjat, instinktet, dhe perceptimet janë më të rëndësishme se logjika dhe mendimi racional në formimin e jetës dhe sjelljes sonë.

Irracionalizmi është një reagim kundër rrymave racionaliste që e theksojnë arsyen dhe logjikën si mjetin kryesor për të njohur të vërtetën. Irracionalistët, si Frojdi, argumentojnë se arsyeja ka kufij dhe nuk mund t’i shpjegojë plotësisht përvojat më të thella njerëzore, si emocionet, dëshirat, ndjenjat shpirtërore apo krizat ekzistenciale. Irracionalizmi përqendrohet në rëndësinë e emocioneve dhe instinkteve si elemente themelore të qenies njerëzore. Këto forca konsiderohen më të fuqishme dhe të rëndësishme sesa mendimi racional në vendimet që njerëzit marrin dhe në mënyrën se si përjetojnë botën.

Këtë edhe vetë Arbeni e pranon në shkrimet e veta! Çuditërisht!

Psikoanaliza e Frojdit, për shembull, hulumton ndikimin e dëshirave irracionale të pavetëdijshme në jetën e përditshme.

Irracionalizmi lidhet ngushtë me disa rryma tjera, siç është, bie fjala, ekzistencializmi, veçanërisht të mendimeve të rrymave irracionaliste si Kierkegaard dhe Nietzsche, të cilët sfiduan rëndësinë e arsyes dhe theksuan përvojën subjektive të individit. Për këta filozofë, jeta është e pajustifikueshme dhe absurde, dhe përpjekjet për ta gjetur një kuptim të plotë përmes arsyes janë të pamjaftueshme.

 

4. KU ËSHTË I TEJKALUAR DHE I KRITIKUAR FROJDI SOT?

 

A janë të tejlaluara mendimet e Frojdit, meqë e përmend një tjetër autor (N. Aliun)?

Duke u marrë në dhjetëra vepra me traumat e pavetëdijshme, me ndikimin e ëndrrave apo edhe me lajthitjet dhe veprimet e pavetëdijshme; Frojdi na thotë ndërkohë që ne mund të mendojmë se jemi duke vepruar në mënyrë racionale, shumë nga veprimet dhe emocionet tona janë rezultat i këtyre proceseve të pavetëdijshme, të cilat Frojdi besonte se kanë një rol qendror në formimin e personalitetit dhe në sjelljen njerëzore.

Kështu besonte ai!
Por kështu nuk besojnë shumë të tjerë. Ssomos të dekadave të gjymtës së dytë të shekullit XX.

Mendimet e Sigmund Frojdit vazhdojnë të kenë një ndikim të rëndësishëm në psikologji, filozofi, në romanin psikologjk etj. dhe kulturën e përgjithshme, por shumë prej teorive të tij janë rishikuar, janë sfiduar e besa edhe tejkaluar nga zhvillimet më të fundit në psikologji dhe neuroshkencë. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si teoritë e Frojdt janë trajtuar dhe riinterpretuar në dritën e kërkimeve të reja dhe metodave më empirike.

– Frojdi theksonte se zhvillimi psikoseksual dhe kompleksi i Edipit ishin kryesoret për zhvillimin e individit. Në ditët e sotme, këto ide janë më pak të pranuara në mënyrë universale. Studimet moderne mbi zhvillimin njerëzor dhe personalitetin, sugjerojnë se shumë faktorë, duke përfshirë mjedisin social dhe zhvillimin kognitiv, luajnë rol më të madh se seksualiteti.

– Metodat klasike të Freud-it, me analizat e ëndrrave dhe interpretimit të asociacionit të lirë, janë zëvendësuar nga metoda më të sakta dhe të bazuara në evidenca për trajtimin e çrregullimeve mendore. Këshillimi kognitiv-bihejvioral dhe terapitë e bazuara në neurologji kanë treguar rezultate më të mira në disa fusha.

– Ndërsa Freud e shihte pavetëdijen si vendin e dëshirave të shtypura, studimet neuroshkencore e kuptojnë pavetëdijen si procese më të gjera kognitive që veprojnë jashtë ndërgjegjes, por jo domosdoshmërisht të lidhura me konfliktet e fshehura apo traumat.

– Freud ishte determinist dhe besonte se shumë nga veprimet dhe mendimet tona janë të drejtuara nga forca të pavetëdijshme. Psikologjia moderne e kupton individin si një qenie më komplekse dhe më të pavarur, qenie autonome, me kapacitet për vetëkontroll dhe ndryshim të sjelljes përmes ndërgjegjes dhe ndërhyrjeve terapeutike.

– Ndër kritikët më të njohur të Frojdit janë feministet dhe psikologët e zhvillimit, të cilët kanë kontestuar qasjen e tij ndaj seksualitetit dhe zhvillimit të femrës. Karen Horney dhe Erik Erikson janë disa nga ata që kanë riparë dhe zgjeruar teoritë e zhvillimit të Frojdit. Feministët e kanë akuzuar Frojdin për një qasje seksiste… Këto teori frojdane për fermat  janë konsideruar të mbushura me paragjykime gjinore dhe të padrejta ndaj femrave, duke nënvlerësuar rolin dhe vlerat e tyre. Feministja Simone de Beauvoir i ka sfiduar këto pikëpamje, duke argumentuar se teoritë e Freud-it për gratë ishin të ndikuara nga normat patriarkale të kohës së tij dhe jo të bazuara në kuptimin e vërtetë të psikologjisë femërore. Frojd na del, pra, edhe PATRIARKALST!!! Këtë e thonë njerëz me renome të mendimit modern!

– Kritika shkencore e teorive të Frojdit vjen kryesisht nga mungesa e metodave empirike dhe të dhënave të matshme. Teoritë e tij janë zhvilluar nga raste klinike individuale dhe observime të subjekteve të veçanta, dhe nuk kanë kaluar testin e metodave të standardizuara të kërkimit shkencor. Psikologjia moderne, veçanërisht psikologjia eksperimentale dhe neuroshkenca, kërkon të dhëna të bazuara në prova dhe modele të testueshme, të cilat i mungojnë në teoritë e Frojdit. Bie fjala, teoria e pavetëdijes dhe shtypja e konflikteve seksuale, nuk mund të verifikohen në mënyrë të qartë përmes studimeve eksperimentale dhe nuk ofrojnë parashikime të matshme.

– Frojdi e përshkruante zhvillimin e personalitetit përmes fazave psikoseksuale, duke sugjeruar që të gjithë individët kalojnë përmes këtyre fazave në mënyrë universale. Kjo teori është sfiduar për mungesën e ndjeshmërisë ndaj dallimeve kulturore, individuale dhe historike… për të mos thënë edhe raciste! Psikologët dhe antropologët kanë argumentuar se zhvillimi njerëzor është më i ndikuar nga kultura dhe shoqëria, se sa nga faktorë të pandryshueshëm biologjikë, siç e përshkruan Frojdi. Teoritë e tij  janë kritikuar si të kufizuara në përvojën perëndimore dhe moderne të kohës së tij.

– Psikoanaliza frojdane zakonisht kërkonte vite e vite të trajtimit intensiv dhe seanca të gjata, shpesh pa rezultate të qarta. Në kontrast me këtë, metodat moderne të terapisë, si terapia kognitive-bihejviorale (CBT) dhe forma të tjera të psikoterapive të bazuara në evidenca, kanë treguar rezultate më të shpejta dhe më të matshme në trajtimin e çrregullimeve mendore si depresioni, ankthi dhe çrregullimet obsesive-kompulsive. Metodat më të shkurtra dhe të bazuara në evidencë kanë treguar të jenë më të efektshme për shumë çrregullime mendore, duke bërë që psikoanaliza freojdiane të duket e gjatë dhe joefikase.

– Frojdi ishte një determinist psikologjik, duke sugjeruar që shumica e sjelljeve njerëzore drejtohen nga pavetëdija dhe dëshirat e shtypura, të cilat janë jashtë kontrollit të individit. Kjo pikëpamje u konsiderua si PESIMISTE DHE DEKURAJUESE, PASI E KUFIZONTE AFTËSINË E INDIVIDIT PËR NDRYSHIM DHE ZHVILLIM PERSONAL.

Këto teori të Frojdit janë kritikuar si tejet të thjeshta dhe të kufizuara, duke ekzagjeruar rolin e seksualitetit në zhvillimin e personalitetit dhe duke nënvlerësuar ndikimet më të gjera sociale dhe kulturore.

Pra, Frojdi qenka i tejkaluar!

Në kohët e sotme, shumë nga teoritë e Freud-it janë kritikuar për mungesë të bazës empirike dhe për t’u konsideruar si jo shkencore. Bota ecën përpara e nuk mbetet me kokën pas: shumë nga idetë e tij kanë pësuar ndryshime, por ato vazhdojnë të ofrojnë një bazë për ta kuptuar psikologjinë dhe psikoanalizën në kuptimin historik dhe kulturor.

Psikologjia bashkëkohore ka adoptuar dhe zhvilluar një gamë të gjerë metodash terapeutike që e anashkalojnë modelin klasik të Frojdit, duke përfshirë terapinë kognitive-bihejviorale, terapinë e pranimit dhe angazhimit (ACT), terapinë dialektike-bihejviorale (DBT) dhe shumë të tjera. Këto forma të terapisë janë më të përqendruara në zgjidhjen praktike të problemeve dhe më pak në interpretimin e konflikteve të pavetëdijshme.

Këto pohime kam pasur rast t’i lexoj para shumë dekadash dhe tash i gjen me bollëk në internet!
Ndërkohë që psikoanaliza klasike është modifikuar, disa prej ideve të Freud-it kanë vazhduar të evoluojnë

Qasjet humaniste si ato të Carl Rogers dhe Abraham Maslow theksojnë potencialin për ngritje dhe vetë-realizim, duke theksuar pikëpamje më optimiste dhe më të fuqizuar të natyrës njerëzore. Këto qasje kundërshtojnë idenë frojdiane se individët janë të burgosur nga pavetëdija dhe konfliktet e shtypura.

Frojdi kritikohet, pra, si defetist!

 

5. DIÇKA PËR RAPORTET E FROJDIT ME RELIGJIONIN

 

Nuk do të hyj në psikanalistët modernë (që i kam lexuar që moti) se si e zbërthejnë ndërdijen etj. pse e urren religjonin! E urren jo pse e thotë të vërtetën për të, por pse vuante nga a Kompleksi i Edipit (urrente babanë si figurë dominuese). Kështu thonë neofrojdistët për të!

Kur po ky Frojd thotë se nuk beson në vullnetin e lirë, sepse ne “nuk jemi në gjendje të kontrollojmë sjelljet tona”, se “sjelljet janë të paracaktuara nga motive që qëndrojnë jashtë vetëdijes sonë, në të pandërgjegjshmen”; atëherë ai vetëm sa qëndron në anën tjetër të medaljes së besimtarëve, që thonë se gjithçka varet nga “vullneti i Zotit”.

Kritiku më i madh letrar bashkëkohor, Harold Bloom, e quan dështim kritikën e Frojdit ndaj fesë, meqë edhe feja edhe psikanaliza janë mënyra të interpretimit të realitetit (shih gjerësisht: https://en.wikipedia.org/wiki/Sigmund_Freud%27s_views_on_religion#:~:text=Freud%20considered%20God%20as%20a,favor%20of%20science%20and%20reason.)

Në veprën e tij “Gjatë dhe pas besimit” (“The Future of an Illusion“), Frojd e paraqet religjionin si një iluzion të krijuar nga nevoja për të ndjerë siguri dhe mbrojtje. Ai e sheh religjionin si një formë të psikologjisë regresive, që ndihmon individët të përballojnë frikën e vdekjes dhe pasigurinë ekzistenciale, duke i ofruar një ndjenjë të dashurisë dhe mbikëqyrjes nga një entitet i lartë.

Kritikët e Frojdit e akuzojnë atë për mungesë të provave empirike që mbështesin teoritë e tij. Shumë nga ideja e tij e religjionit si një iluzion është vlerësuar si një hipotezë që nuk mund të testohet në mënyrë objektive. Psikologjia moderne ka zhvilluar teoritë që e shikojnë religjionin në një mënyrë më të nuancuar, duke e parë atë si një faktor potencialisht pozitiv për shëndetin psikologjik dhe si një burim të rëndësishëm të ndihmës dhe mbështetje për individët. Religjioni gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në formimin e kulturave dhe identiteteve shoqërore. Ai ndihmon në krijimin e normave dhe vlerave që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë dhe jetojnë në shoqëri.

Kritika ndaj Frojdit e sheh religjionin jo vetëm si një iluzion, por si një faktor të rëndësishëm, që ndihmon në formimin e identitetit personal dhe shoqëror, duke ofruar ndihmë dhe mbështetje në shumë nivele. Metodat analitike të Frojdit kanë qenë subjekt i kritikave për mungesë të provave empirike. Shumë psikologë modernë përdorin metoda më të avancuara dhe më empirike për t’i shqyrtuar ndikimet e religjionit dhe gjejnë ndikime të ndryshme nga ato që i përshkroi Frojdi. Ndërsa disa mund ta shohin religjionin si një iluzion ose një mekanizëm mbrojtës, të tjerë mund të ecin përpara duke e parë atë si një burim të rëndësishëm të kuptimit, lidhjes dhe mbështetjes në jetë.

Kritikët e Freud-it shpesh argumentojnë se religjioni nuk është domosdoshmërisht një iluzion, por një faktor që kontribuon në mirëqenien dhe zhvillimin personal dhe shoqëror. Madje, ka që e quajnë Frojdin edhe sharlatan ose deluzionist. Se ai krijoi teoritë e tij bazuara në pothuajse në asgjë… e jo në mbështetje empirike.

 

6. PAK PËRTEJ FROJDIT

 

Në fund, çka mendoj për të gjitha këto që u thane këtu (psikanalizë, letërsi, art, kulturë, Frojd, besim e religjion etj.)? që në rini e kam përqafuar mendimin se Liria (VETËDIJA MODERNE) i veçon FORMAT E DIFERENCUARA TË VETËDIJES SHOQËRORE siç janë: POLITIKA (që merret me jetën shoqërore e shtetërore), SHKENCA (me njohjen), FILOZOFIA (me urtinë), RELIGJIONI (me besimin) KULTURA (me gjithçka që prodhon a kultivon mendja e dora e njeriut), ARTI (me krijimtarinë dhe ETIKA (me moralin).

Asnjëra formë e vetëdijes nuk mund ta zëvendësojë tjetrën, por që të gjitha gërshetohen, përafrohen apo dhe kundërshtohen… Njerëzimi gjithmonë ka jetuar me këto FORMA TË VETËDIJES (po qe se secila prej këtyre fushave bën përpjekje për t’i parë burimet e vetë këtyre formave, rrëshqet thjesht në një rrëfim, për të mos thënë në një MIT… e them në KUPTIMIN POZITIV, e jo pse mitin u dashka ta përfytyrojmë si MIT NEGATIV, ani se ekzistojnë edhe ato).

Ato janë të pazhdukshme! Provoi religjioni i krishterë me inkuizicion ta zëvendësojë shkencën, por doli i humbur: shkenca nuk u zhduk, por triumfoi!

Provoi komunizmi, duke “e zëvendësuar” religjonin me “shkencë” (me pseudo-ateizëm), duke vrarë e burgosur besimtarë, por nuk i doli: religjioni rikthehet në vitet ‘90! Triumfon qytetërimi i lirisë! Unë i besoj lirisë dhe këtij qytetërimi! Njeriu ka pasur, ka e do të ketë gjithmonë nevojë për besim. Ka nevojë edhe për hyjnoren, edhe për shenjtërinë: për shenjtërinë e jetës e të shpirtit! Për përsosje!

Edhe vetë ateistët janë religjiozë, kur preokupohen me mosekzistencën e Perëndisë!
Liria mbjell në trupin e saj kritikën, kurse ideologjitë totalitare nuk e pranojnë kritikën.

Liria mbron individin, kurse ideologjia totalitare e sakrifikon atë (qoftë edhe fëmijët, duke u hedhur në erë me bomba)…

Liria (VETËDIJA MODERNE) i veçon FORMAT E DIFERENCUARA TË VETËDIJES SHOQËRORE siç janë: POLITIKA, SHKENCA, FILOZOFIA, RELIGJIONI, KULTURA, ARTI dhe ETIKA, kurse ideologjitë totalitare dhe religjionet totalitare ato nuk i ndajnë, sepse rolin e shkencës, filozofisë, politikës etj. e merr përsipër religjioni totalitar, ngjashëm siç vepruan ideologjitë totalitare të fashizmit e komunizmit.

Liria nuk vë asnjë formë të vetëdijes shoqërore mbi tjetrën (nuk e vë religjionin mbi politikën, shkencën, kulturën, etikën, artin a filozofinë), kurse ideologjitë totalitare religjioze e shoqërore e vënë religjionin mbi shkencën, politikën, kulturën, etikën, artin dhe filozofinë (e para) dhe mbi to ateizmin totalitar (e dyta).

Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Liria dhe Njeriu i Lirë, i lirë të besojë e të mos besojë, i lirë të mbajë qëndrim, të mendojë e kritikojë etj. etj. Është epokë e çlirimit të njeriut nga shumë paragjykime (dogma e kufizime tjera antinjerëzore), është Njeriu i Çliruar.

21 gusht 2024


Arbeni po flet Arben Çokaj

I nderuar Prend, faleminderit shumë për këtë punim me mjaft vlerë. Pavarësisht se vihet re, se ju i referoheni më shumë kritikëve të Frojdit, se sa veprës së tij. Gjatë leximit të veprës së Frojdit e më pas edhe përkthimit të tij, ku kam zgjedhur rreth 6 libra me pjesën më esenciale të punës së Frojdit, nuk kam vënë re se ai është irracional, pavarësisht se nëse ai gjatë punës së tij, është dashur të merret sipas perceptimit të tij me instinktet bazë të njeriut, me shtypjet e neurozat psikike, e më gjerë.

Nëse njeriu dhe sjellja e tij janë produkt i pavetëdijes, më shumë se i vetëdijes, e kjo është irracionale, kjo nuk e bën Frojdin irracional, por kritikët e tij, ato që Erick Fromm i quan ‘ortodoksët frojdianë’, të cilët ti i ke referuar me shumicë në shkrimin tënd, e akuzojnë Frojdin si të tillë, dhe të përpiqen ta nënvleftësojnë punën e tij dhe zbulimet e tij të rëndësishme. Tani nëse në pavetëdije futen frikërat, fobitë, emocionet etj. dhe pavetëdija është irracionale, si mundet feja që beson te një iluzion, dhe shfrytëzon pavetëdijen e njeriut të jetë racionale dhe kritikët e Frojdit gjithashtu të thonë se Frojdi është irracional, kur ata mbrojnë fenë, iluzionin, neurozën obsesionale, që janë irracionale? Pra, kemi një kontestim këtu.

Nuk mund të thuash se vepra e Frojdit ka rënë – siç bën Naser Aliu, nëse në disa fusha, ka avancime. Do të ishte marrëzi, të pretendohet se e tha Frojdi këtë, dhe i vuri pikën. Frojdi e besonte Darvinin, Evolucionin e tij, si pasojë ai e dinte dhe e shprehë shpesh gjatë sqarimeve të tij, se ka mangësi në ato trajtime që bën, dhe madje shprehet me mjaft modesti. Lexoje e më thuaj. Te puna jote nuk ke asnjë referencë direkte nga vepra e Frojdit, si do të bëj unë më pas, e do e fus edhe linkun këtu, në fund.

Po ta shikosh veprën e Erick Fromm, vëren se ai në fillim e shihte Frojdin me dyshim, se ishte ndikuar nga kritikët e tiij, si ti në këtë rast, por nga fundi i veprës së Fromm, vërehet një vlerësim gjithnjë e më i madh për punën e Frojdit. Kështu edhe ti, nëse lexon Frojdin e jo kritikët e tij, me siguri, do të bindesh se Frojdi ka të drejtë më shumë se ata, se kritikët e tij.

Unë i bëra gati 518 faqe përkthim nga Vepra e plotë e Frojdit, të ndarë në 3 libra dhe po ta nisi linkun këtu. Po i deshe librat – falas – për t’i lexuar, t’i dërgoj dhe nëse ke kohë për t’i lexuar, na e trego në fund, me një shkrim objeksionin tënd për veprën e Frojdit, ku pajtohesh e ku nuk pajtophesh me të dhe a do bëhesh a-fetar si unë nga leximi i veprës së tij, sidomos pas leximit të librit Totemi dhe Tabuja dhe Moisiu dhe monoteizmi, ku kam futur edhe pjesën E ardhmja e një iluzuioni.

Zigmund Frojd – Vepra e plotë – 3 libra (I)

Prend, të uroj më të mirat, më trego se ku mund ta nisi linkun, që t’i shkarkosh librat falas.

Shkrimin tim përmbyllës në lidhje me përfundimin e përkthimit të librit të tretë, mund ta lexoni këtu: https://fjala.info/pse-duhet-lexuar-frojdi/

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.