PSE DUHET LEXUAR FROJDI?

0
Kolana e librave të Frojdit - 3-libra në shqip

[ Shkarko 3 librat e Frojdit – kurë për mosbesim te iluzionet ]

Arbeni po flet
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Frojdin e kam pasë qejf që në fillim me psiko-analizën e tij. Kur isha në shkollë të mesme, psiko-analiza më tërhiqte, është një kuriozitet i madh të kuptosh psikikën e njerëzve, si funksionon ajo. Pasi inteligjenca jonë vjen pikërisht si produkrt i kësaj psikike dhe ne jemi të privilegjuar të ndryshojmë nga kafshët, pikërisht nga kjo – vetëdija. Kafshët nuk kanë vetëdije!

Dhe në atë kohë lexoja ato që munda, se Frojdi kishte hyrë i kufizuar te ne, dhe pas rënies së regjimit komunist filluan të botohen libra nga vepra e Frojdit, disa prej të cilëve i kam lexuar me interes në atë kohë dhe më kanë bërë përshtypje të madhe, për mënyrën e qartë si shkruan Frojdi, e vërteta racionale që ai transmeton me trajtimet e tij, dhe puna disi e veçantë, gjenialiteti, për të depërtuar thellë në psikikën e njerëzve, për të parë se çfarë fshihet atje, të cilën ai më pas, me teorinë e tij psiko-abnalitike e ndan në 3 pjesë kryesore: Id-i, e pavetëdishmja në bazë, Ego (ose Uni), që ndodhet në mes, dhe Super-ego (ose Mbiuni), që kontrollon edhe Egon, që përmban normat dhe standardet shoqërore të pranuara në psikikën e një personi, ato që edhe bëjnë frenimin, dhe i imponojnë njeriut sjelljen e tij/saj, sipas disa normave bazë të shoqërisë. Një ilustrim nga libri:

truri-psikika

Pcpt. Cs. dhe Pcs. janë shkurtesa që tregojnë cilësitë e vetëdijshme
dhe të paravetëdijshme të njeriut.

Kam përkthyer 6 libra të Frojdit nga vepra e tij e plotë, Freud – Complete Work, që ka 5 102 faqe gjithsej, dhe bëhen mbi 800 faqe përkthim në shqip me ato pjesë që kam menduar se janë themelore dhe me interes më të madh për lexuesit. Librat janë në PDF në shitoren time online, dhe 3 librat e parë janë të përfundur (518 faqe) dhe mund të merren që tani, ndërsa 3 librat e tjerë, besoj se do i bëj gati brenda 1-2 muajve.

Siç mund të shihet edhe nga imazhi në krye të shkrimit, 3 librat e parë të përfunduar, të cilët i kam përmbledhur me fjalët: “Kura për të mos besuar në iluzione. 3 libra që të bëjnë a-fetar, 518 faqe.” këto libra janë:

  1. Studime mbi Histerinë, 233 faqe, që merret me sëmundjen e Histerisë, jepen disa raste dhe se si janë trajtuar ato, problemet që pacientet kanë pasur, pasi histeria të çon deri në paraliza trupore etj. dhe rastet trajtohen nga Frojdi e Brojeri, të cilët në pjesën e dytë të librit japin edhe sqarime teorike mbi punën e tyre. Besoj keni dëgjuar për pacientë, që shkojnë te hoxhallarët e ai i shëron duke i goditur me Kur’an kokës, apo për ata që shkojnë te Kisha e Laçit e sillen reth saj tre herë për t’u shëruar. Një pjesë e këtyre pacientëve kanë shqetësime psikike, edhe histerike, të cilët për t’u shëruar marrin një trajtim të gabuar. Trajtimi me anë të Kur’anit apo vendeve të shenjta, është trajtiom i gabuar, edhe pse në disa raste jep rezultate. Metoda që përdoret sqarohet kështu: Personi me shqetësime mund të ketë neuroza ose psikoza ose gjendje histerie, dhe hoxhallarët apo objektet e shenjta synojnë të krijojnë një neurozë edhe më të fortë se ajo që ka i sëmuri, e me anë të saj, të frenojnë neurozën e tij/saj.

Te Komunikimi paraprak, që bëjnë Brojeri dhe Frojdi, ata sqarojnë: “për habinë tonë të madhe në fillim, se çdo simptomë histerike individuale u zhduk menjëherë dhe përgjithmonë, kur ne kishim arritur të nxjerrim qartë në dritë kujtimin e ngjarjes nga e cila ishte provokuar dhe të zgjonim ndikimin e saj shoqërues dhe kur pacienti e kishte përshkruar atë ngjarje në detajet më të mëdha të mundshme dhe e kishte shprehur afektin me fjalë.” Pra, këto shqetësime me bazë psikike, shërohen nga metoda e psiko-analizës, duke gjetuar shkakun që i ka krijuar ato. Pradaj libri është interesant për profesionistët e fushës, por edhe për njerëzit kuriozë, që duan të dinë më shumë në këtë fushë.

2. Totemi dhe Tabuja, 135 faqe, është një libër që nuk duhet lënë pa e lexuar, nëse doni një histori të zhvillimit psikik shoqëror që në lashtësi, fazat e zhvillimit dhe se si kemi ardhur me besimin deri në ditët e sotme. Në lidhje me këtë libër, mund të lexoni shkrimin tim https://fjala.info/totemi-dhe-tabuja-nga-zigmund-frojd/, që e kam shkruar sapo përfundova përkthimin e tij.

3. Moisiu dhe monoteizmi, 150 faqe, është libri i fundit për këtë pjesë, të cilin e kam publikuar me pjesë edhe në Facebook, dhe po i zgjatem pak më shumë në vijim.

Pse njerëzit besojnë në fe? Frojdi sqaron: “…asgjë nuk besohet më lehtë nga ne sesa ajo që, pa iu referuar së vërtetës, përballet me iluzionet tona dëshirore.” Dmth. kemi dëshirë të gënjejmë veten… 🙂

Frojdi shkruan në librin e tij Moisiu dhe monoteizmi: “…kush e sugjeroi poetin hebre Heine në shekullin e nëntëmbëdhjetë pas Krishtit, që të ankohej për fenë e tij si ‘murtaja e zvarritur nga lugina e Nilit, besimet e pashëndetshme të Egjiptit të Lashtë’?

Frojdi i referohet Ernst Sellin, i cili në një vepër të tij ka folur për Moisiun dhe vrasjen e tij nga hebrejtë, gjë që në Bibël kjo nuk përmendet: “Ne do të huazojmë nga Selini hipotezën e tij, se Moisiu egjiptian u vra nga hebrejtë dhe feja që ai kishte prezantuar u braktis.” f. 27.

Frojdi për Biblën: “Rrëfimi biblik që kemi përpara përmban të dhëna historike të çmuara dhe në të vërtetë të paçmueshme, të cilat megjithatë janë shtrembëruar nga ndikimi i qëllimeve të fuqishme tendencioze dhe janë zbukuruar nga produktet e shpikjes poetike.” f. 31.

Frojdi, në vitin 1938 ishte i rrezikuar në dy drejtime, por ai nuk heshti për ta shkruar të vërtetën sipas tij. Ja çfarë shkruan ai, ndërsa ishte ende në Vjenë dhe mbrohej nga kisha katolike, e cila ishte kundër nazizmit: “Sido që të jetë, gjërat kanë shkuar aq larg, sa sot demokracitë konservatore janë bërë roje të përparimit kulturor dhe, e çuditshme të thuhet, është pikërisht institucioni i Kishës Katolike, ai që bën një mbrojtje të fuqishme kundër përhapjes së këtij rreziku për qytetërimin – Kisha e cila deri më tani ka qenë armiku i pamëshirshëm i lirisë së mendimit dhe i përparimit drejt zbulimit të së vërtetës!” f. 41.

Sigmund Freud - free

Shumica e njerëzve nuk e duan me të vërtetë lirinë,
sepse liria përfshin përgjegjësinë,
dhe shumica e njerëzve e kanë frikë përgjegjësinë.

Ishte viti 1938, nazizmi po i vriste hebrejtë, Frojdi si i tillë kishte frikë për jetën e tij, tri motrat e tij psh. ia vranë nazistët më pas. Ai kishte marrë mbrojtje nga kisha katolike e Vjenës, por nuk ishte i sigurt për veten, e as për veprën e tij…

Frojdi shkruan: “Ne po jetojmë këtu në një vend katolik nën mbrojtjen e asaj kishe, e pasigurt se sa do të zgjasë kjo mbrojtje. Por për sa kohë që zgjat, ne natyrshëm hezitojmë të bëjmë çdo gjë që do të ngjallte armiqësinë e Kishës. Kjo nuk është frikacakëri, por maturi. Armiku i ri, të cilit duam t’ia shmangemi të qënit në shërbim, është më i rrezikshëm se ai i vjetri, me të cilin tashmë jemi mësuar të pajtohemi. Kërkimet psiko-analitike që ne i vazhdojmë gjithsesi, shihen me vëmendje të dyshimtë nga katolicizmi. Unë nuk do të them se kjo është padrejtësisht kështu. Nëse puna jonë na çon në një përfundim, që e redukton fenë në një neurozë të njerëzimit dhe shpjegon fuqinë e saj të madhe në të njëjtën mënyrë, si një detyrim neurotik tek pacientët tanë individualë, ne mund të jemi të sigurt se do ta tërheqim pakënaqësinë e fuqive tona sunduese mbi ne.” f. 41-42.

A po e sheh Prend (Buzhala), pse unë dyshova se ju e paragjykoni Frojdin për arsye fetare, se kisha katolike e ka parë me dyshim punën e tij – se për Naserin (Aliun) nuk kisha dyshime të tilla, por ia lashë këtë gjë mosnjohjes së tij të Frojdit sa duhet.

Ishte viti 1938, pra, koha kur Frojdin e detyrojnë të largohet nga Vjena, për në Londër, dhe nazistët nuk e marrin për ta ekzekutuar, pasi ai njihej nga kushdo në botë dhe nazistët nuk donin të përmendeshin për keq, se ruanin ende një aparencë para publikut.

Sigmund Freud - Moisiu dhe monoteizmi

Frojdi shkruan: “Më parë, unë jetoja nën mbrojtjen e Kishës Katolike dhe kisha frikë se botimi i punës sime do të rezultonte në humbjen e asaj mbrojtjeje dhe do të sillte një ndalim të punës së ndjekësve dhe studentëve të psiko-analizës në Austri. Pastaj, papritmas, erdhi pushtimi gjerman dhe katolicizmi vërtetoi, për të përdorur fjalët e Biblës, ‘një kallam të thyer’. Me sigurinë se tani duhet të persekutohem jo vetëm për linjën time të mendimit, por edhe për ‘racën’ time – i shoqëruar nga shumë miq të mi, u largova nga qyteti, i cili, që në fëmijërinë time të hershme, kishte qenë shtëpia ime për shtatëdhjetë e tetë vjet.” f. 43.

Katolicizmii doli atij “një kallam i thyer”… nuk mund e mbrojti. Frojdi tregon me punën e tij se ishte një interlektual i guximshëm, që nuk përkulej, edhe në ato kohë të errëta e të vështira, kjo për t’i shpjeguar një mikut tim intelektual, se ‘kush është Frojdi’, pasi ai, në një bisedë me të, më tha: “Kush është Frojdi?” Donte të tregonte ndoshta, se ai e të tjerë janë më lart se Frojdi, në pretendim. Por Frojdi ishte i qartë për natyrën e fesë, dhe nuk u përkul para neurozave obsesionale gjithënjerëzore, iluzionerve, që e bëjnë ende sot disa intelektualë…

Frojdi shkroi më tej në librin e tij, në lidhje me vrasjet e atit: “Hapi i parë vendimtar drejt një ndryshimi në këtë lloj organizimi ‘social’ duket se ka qenë se vëllezërit e dëbuar, që jetonin në një komunitet, u bashkuan për të mposhtur babanë e tyre dhe, siç ishte zakon në ato ditë, e përpinë (hëngrën) atë të papërpunuar. Nuk ka nevojë të pengohemi nga ky kanibalizëm; vazhdoi shumë në kohët e mëvonshme. Çështja thelbësore, megjithatë, është se ne ua atribuojmë të njëjtat qëndrime emocionale këtyre njerëzve primitivë, që ne jemi në gjendje t’i krijojmë me anë të hetimit analitik, te njerëzit primitivë të ditëve të sotme – te fëmijët tanë. Supozojmë, pra, se ata jo vetëm e urrenin dhe kishin frikë të atin, por edhe e nderonin atë si model dhe se secili prej tyre dëshironte të zinte vendin e tij në realitet. Nëse po, ne mund ta kuptojmë aktin kanibalist si një përpjekje për të siguruar identifikimin me të, duke përfshirë një pjesë të tij.” f. 63.

Mendimi revolucionarizues i Frojdit me psiko-analizën e tij, që tregon transformimin shoqëror dhe lindjen e kodeve të moralit dhe drejtësisë e më gjerë te njeriu i parë primitiv… Frojdi nuk trajtoi vetëm psiko-analizën, si teori e analizës psikike, që disa miq të mi thonë se e kanë studiuar, por ai analizoi shoqërinë njerëzore në zhvillimin e saj, deri në ditët kur ai jetoi, ku e bazoi edhe teorinë e tij, e nga kjo analizë ne kuptojmë arsyet racionale të përfundimeve të tij, rreth fesë dhe instikteve bazë të njeriut. Duke lexuar këto tre librat e parë të përkthyera në shqip, ne kuptojmë më shumë nga Vepra e Frojdit, e cila është më se e arsyeshme dhe racionale. Ne biem dakord me përfundimet e tij, bëhemi a-fetarë si ai, ose të paktën, nuk besojmë me pasion te liluzionet fetare, e më gjerë.

Shoqëria njerëzore që në kohët e saj primitive, është një përpjekje mes atit dhe të birit, kush e merr pushtetin. Kështu që nëse feja hebraike kishte zotin Jahweh, Jahovai, zotin e vullkanit, atin, si zot të vetëm, me pak stil Pali, ia kaloi stafetën të birit të supozuar, Krishtit, i cili ‘u sakrifikua për të marrë mëkatet e njerëzimit’, dhe i zuri në fakt vendin Atit në fenë e krishterë. Sqarimi nga Frojdi, që nuk ia falin kurrë katolikët:

Frojdi shkruan: “Ambivalenca që dominon në marrëdhënien me babain u shfaq qartë, megjithatë, në rezultatin përfundimtar të risisë fetare. Me sa duket kishte për qëllim të shfajësonte perëndinë atë, ajo përfundoi në rrëzimin e tij nga froni dhe largimin prej tij. Judaizmi kishte qenë një fe e babait; Krishterimi u bë një fe e të birit. Perëndia i vjetër, Ati, ra prapa Krishtit; Krishti, Biri, zuri vendin e tij, ashtu si çdo bir kishte shpresuar të bënte në kohët e lashta. Pali, i cili mbante judaizmin, gjithashtu e shkatërroi atë. Pa dyshim që ai ia detyronte suksesin e tij në radhë të parë faktit se, nëpërmjet idesë së shpenguesit, ai lante ndjenjën e fajit të njerëzimit; por ai i detyrohej edhe rrethanave, që ai braktisi karakterin e ‘zgjedhur’ të popullit të tij dhe shenjën e tij dalluese – rrethprerjen – në mënyrë që feja e re, të mund të ishte universale, duke i përqafuar të gjithë njerëzit. Edhe pse dëshira e tij personale për hakmarrje, mund të ketë luajtur një rol në marrjen e këtij hapi nga Pali, për refuzimin e inovacionit të tij në rrethet hebraike, megjithatë ajo rivendosi gjithashtu një tipar të fesë së vjetër Aten – ai hoqi një kufizim që ajo fe kishte patur, kur iu dorëzua një automjetit të ri, popullit hebre.” f. 67

Frojdi në lidhje me Zotin, shkruan: “Mund të na vijë keq vetëm që disa përvoja në jetë dhe vëzhgime në botë e bëjnë të pamundur, që ne të pranojmë premisën e ekzistencës së një Qenieje të tillë Supreme. Sikur bota të mos kishte mjaft gjëegjëza, ne e kemi vendosur problemin e ri te të kuptuarit, se si këta njerëzit e tjerë kanë qenë në gjendje ta fitojnë besimin e tyre në Qenien Hyjnore dhe nga e ka marrë ai besim fuqinë e tij të pamasë, e cila pushton ‘arsyen dhe shkencën’.

Feja e Moisiut çoi në këtë rezultat sepse (1) i lejoi njerëzit të merrnin pjesë në madhështinë e një ideje të re për Zotin, (2) pohoi se ky popull ishte zgjedhur nga ky Zot i madh dhe ishte i destinuar të merrte prova të favorit të tij të veçantë dhe (3) u detyroi njerëzve një përparim në intelektualitet, i cili, mjaft i rëndësishëm në vetvete, hapi rrugën, përveç kësaj, për vlerësimin e punës intelektuale dhe për heqjen dorë të mëtejshme nga instinktet.” f. 95

Sigmund Freud - E ardhmja e një iluzioni

Lis Bukuroca e ka studiuar Frojdin, por disa gjëra nuk i ka parë. Prandaj ai pyet një psikologe, e cila i referohet 2-3 herë Frojdit në një takim, se si ka mundur Frojdi të gjejë, se çfarë mendon një fëmijë 2 vjeçar, e ajo mbetet pa dhënë ndonjë sqarim të qartë. Lisi e quan këtë triumf të tij, pa e ditur ende se Frojdi e ka dhënë këtë përgjigje për të, me dorën e tij:

Frojdi për fëmijët: “Ajo që fëmijët kanë përjetuar në moshën dy vjeçare dhe nuk e kanë kuptuar, nuk mund të kujtohet kurrë prej tyre, përveçse në ëndrra; ata mund ta kuptojnë këtë vetëm nëpërmjet trajtimit psiko-analitik. Por në një kohë të mëvonshme, do të depërtojë në jetën e tyre me impulse obsesionale, do të udhëheqë veprimet e tyre, do të vendosë simpatitë dhe antipatitë e tyre dhe shpeshherë do të përcaktojë zgjedhjen e tyre për një objekt dashurie, për të cilën është kaq shpesh e pamundur të gjesh një bazë racionale.

“Ne kemi mësuar nga psiko-analizat e individëve se përshtypjet e tyre më të hershme, të marra në një kohë kur fëmija mezi ishte ende i aftë të fliste, prodhojnë në një moment apo një tjetër efekte të një karakteri kompulsiv, pa u mbajtur mend vetë me vetëdije.

Kështu, duke lexuar 3 librat e mi të parë, prej 518 faqesh, të përkthyer nga Vepra e plotë e Frojdit, jo vetëm Lisi, por edhe Prend Buzhala e të tjerët, që thonë: “Kush është Frojdi?”, se u duket vetja më të mëdhenj se ai, do të marrin përgjigjet e tyre, për pyetjet që kanë. Dhe tani nuk ka nevojë ta lexoni Frojdin në frëngjisht, gjermaniht, serbo-kroatisht apo anglisht, se duket që nuk e keni kuptuar mirë, mund ta lexoni me lehtësi edhe në shqip. 🙂 f. 98

Frojdi këtu i godet njerëzit e sotëm primitivë:
Ne e kuptojmë se si një njeri primitiv ka nevojë për një zot si krijues i universit, si kryetar i klanit të tij, si mbrojtës personal. Ky zot zë pozicionin e tij pas baballarëve të vdekur, për të cilët tradita ka ende diçka për të thënë. Një njeri i ditëve të mëvonshme, i ditëve tona, sillet në të njëjtën mënyrë. Edhe ai mbetet fëmijëror dhe ka nevojë për mbrojtje, edhe kur është i rritur; ai mendon se nuk mund të bëjë pa mbështetjen e zotit të tij. Kaq është e padiskutueshme. Por është më pak e lehtë të kuptohet pse mund të ketë vetëm një zot të vetëm, pse pikërisht përparimi nga henoteizmi në monoteizëm merr një rëndësi dërrmuese. Pa dyshim se është e vërtetë, siç e kemi shpjeguar, se besimtari ka një pjesë në madhështinë e zotit të tij; dhe sa më i madh të jetë zoti, aq më e besueshme është mbrojtja, që ai mund të ofrojë. Por fuqia e një perëndie nuk presupozon domosdoshmërisht se ai është i vetmi. Shumë popuj e konsideruan atë vetëm si një lavdërim të zotit të tyre kryesor, nëse ai do të sundonte mbi hyjnitë e tjera, që ishin inferiore ndaj tij dhe ata nuk mendonin se kjo e zbehte madhështinë e tij, nëse do të kishte zota të tjerë pranë tij. Pa dyshim, nëse ky zot do të bëhej universal dhe do të kishte për shqetësim të gjitha vendet dhe popujt, do të thoshte edhe një sakrificë e intimitetit. Dukej sikur dikush po e ndante zotin e tij me të huajt dhe duhej ta kompensonte këtë me dispozitën që ai preferonte. Mund të theksojmë më tej se ideja e një perëndie të vetme, do të thotë në vetvete një përparim në intelektualitet, por është e pamundur të vlerësohet kjo pikë kaq lart.” f. 100

Si i thua tjerëve “mos beso!”? – më tha një mik intelektual i njohur. Unë i thashë se nuk i them tjerëve ‘mos beso’, por u them se “je duke besuar kot!” Përgjigjen më të saktë për këtë, e jep Frojdi:

“…ne nuk besojmë se ekziston një zot i vetëm i madh sot, por se në kohët e lashta ka pasur një person të vetëm, që dukej i madh në atë kohë dhe që më pas u kthye në kujtesën e njerëzve, si i ngritur në hyjni.” f. 101.

E njerëzit vazhdojnë të besojnë në këto iluzione, se kanë nevojë për to – më thonë intelektuali i shquar… E pastaj?! Se disa kanë nevojë të besojnë, a mos duhet të besojmë të gjithë? Apo të shurdhohemi nga piskamat arabe me altoparlante në emër të besimit?

Ja si u krijua feja e krishterë nga Sauli prej Tarsit të Turqisë, një hebre që u kthye në krishtërim dhe u vra më pas nga romakët, kur u bë shën Pali, që shpërndau i pari fenë e krishterë në Iliri e Romë:

…Sauli i Tarsit (i cili, si qytetar romak, e quajti veten Pal), në frymën e të cilit doli për herë të parë kuptimi: ‘arsyeja pse jemi të tillë të pakënaqur është që ne kemi vrarë Zotin Atë.’ Dhe është plotësisht e kuptueshme që ai mund ta kuptonte këtë pjesë të së vërtetës vetëm në maskimin delirant të lajmit të gëzuar: ‘ne jemi të çliruar nga çdo faj, pasi njëri prej nesh ka sakrifikuar jetën e tij, për të na shfajësuar’. Në këtë formulë, vrasja e Zotit sigurisht nuk përmendej, por një krim që duhej shlyer me sakrificën e një viktime, mund të ishte vetëm një vrasje. Dhe hapi i ndërmjetëm midis iluzionit dhe së vërtetës historike u bë i mundur nga siguria se viktima e sakrificës kishte qenë i biri i Zotit. Me forcën që nxirrte nga burimi i së vërtetës historike, ky besim i ri rrëzoi çdo pengesë. Ndjenja e lumtur e të qenit i zgjedhur, u zëvendësua nga ndjenja çliruese e shëlbimit. Por fakti i atëvrasjes, për t’u kthyer në kujtesën e njerëzimit, duhej të kapërcente rezistenca më të mëdha se fakti tjetër, i cili kishte përbërë temën e monoteizmit; gjithashtu ishte e detyruar t’i nënshtrohej një shtrembërimi më të fuqishëm. Krimi i paemëruar, u zëvendësua nga hipoteza e asaj, që duhet përshkruar si një ‘mëkat fillestar’ i fshehtë. Mëkati origjinal dhe shëlbimi me flijimin e një viktime, u bënë gurët e themelit të fesë së re, të themeluar nga Pali.” f. 106.

Po për fenë islame, çfarë thotë Frojdi?
Frojdi shkruan: “Nga informacionet e mia të kufizuara mund të shtoj se rasti i themelimit të fesë muhamedane më duket si një përsëritje e shkurtuar e asaj hebraike, nga e cila doli si një imitim. Me sa duket, në të vërtetë, Profeti kishte për qëllim fillimisht ta pranonte Judaizmin plotësisht për veten dhe popullin e tij. Rimarrja e babait të vetëm të madh primar u solli arabëve një ekzaltim të jashtëzakonshëm të vetëbesimit të tyre, i cili çoi në suksese të mëdha botërore, por e lodhi veten me ta. All’ahu u tregua shumë më mirënjohës ndaj popullit të tij të zgjedhur, sesa Jahveh ndaj popullit të tij.” f. 71.

Kështu pra, vijmë në fund të trajtimit tonë për librin e fundit të Frojdit, të përthyer Moisiu dhe monoteizmi, ku shohim dyshimet e autorit për ekzistencën e Zotit, për fenë dhe besimin. Secili ka të drejtë të ketë mendimet e tij, të besojë ose jo, të thotë se feja duhet ose nuk duhet gjë, por feja në fakt është jo-produktive si aktivitet, e nëse ne duam të zhvillohemi si shqiptarë, duhet shkollim e dije, dhe punë e zhvilim.

Nëse Frojdi me vepën e tij Moisiu dhe monoteizmi e bëri të qartë se besimi te iluzionet fetare është irracional, i bie që puna e tij analitike, është racionale!

Prandaj mendoj se Frojdi duhet lexuar. Mund të mos jemi plotësisht dakord me të në të gjitha rastet, por në pjesën më të madhe, ai ka të drejtë dhe trajtimet e tij qëndrojnë. Kështu që ne duke lexuar Frojdin, ngrejmë unin tonë në një nivel më lart dhe bëhemi më të ndërgjegjshëm për botën që na rrethon edhe psikikën e njeriut. Shoqëria ka nevojë për ngritjen e unit, që të mos besojë më në iluzione e fantazi. Kjo e bën Frojdin racional në punën e tij, e jo irracional, siç pretendojnë disa nga kritikët e tij.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.