PERPJEKJET E QEVERISË SË ILIAS BEJ VRIONIT PËR PAJTIMIN E GJAQEVE NË KRAHINËN E MESAPLIKUT, VLORË

0
282
Major Ahmet Lepenica

Major Ahmet Lepenica

Nga Enver Memishaj

Hakmarrja, gjakmarrja, është një tregues i një shoqërie të prapambetur e cila nuk ka arritur të bindë anëtarët e sajë sa që të kërkojnë zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet gjykatave.

Në Shqipëri gjakmarrja ka vazhdur të jetë problem i madh shoqëror. Shoqëria, por edhe shteti që nga koha e sundimit turk e në vazhdim kanë bërë gjithnjë përpjekje për pajtimin e gjaqeve dhe shpëtimin e jetës njerëzore.

Ndërsa gjakmarrja, gjatë periudhës së diktaturës komuniste ishte shumë e kufizuar, pas vitit 1990, gjakmarrjet u shtuan sidomos në Veri dhe u bënë një problem i madh shtetëror dhe shoqëror.

Më poshtë nëpërmjet dokumenteve do të flasim për përpjekjet që u bënë në Vlorë, në krahinën e Mesaplikut, për pajtimin e gjaqeve.
Që nga shpallja e Pavarësisë në vitin 1912, për shkak të Luftës së Parë Botërore shteti shqiptar do të funksiononte fare pak.

Shteti shqiptar fillon me Kongresin e Lushnjës në janar 1920 dhe Luftën e Vlorës qershor shtator 1920. Sapo erdhi në fuqi qeveia e Sulejman Delvinës me aq sa mundi u interesua dhe vlerësoi edhe pajtimin e gjaqeve.

Në krahinën e Mesaplikut që në vitin 1921 përmblidhte 11 fshatra, problem për hasmëritë ishte fshati i Vranishtit, me gjakësi që nga koha e Turqisë dhe me ngatërresa të tjera. Kjo gjendje e kishte ndarë fshatin në dy grupe kundërshtare.

Në këtë vit autoriteti më i lartë shtetëror në Jug të Shqipërisë ishte major Ahmet Lepenica i emruar komandant i xhandarmërisë së Vlorës 29.8.1920 deri në janar 1921 kur trasferohet komandant i detashmenteve në Lushnjë, ndërsa më 12 shkurt 1921 është emëruar Komandant i Krahut të Vjosës, që fillonte nga lumi Vjosë dhe deri në kufirin me Greqinë.

Pajtimit të hasmërive, gjaqeve major Ahmeti u kishte vënë rëndësi të madhe. Në shtator të vitit 1921, u bë problem i madh fshati i Vranishtit. Për të vendosur qetësinë, major Ahmeti dërgoi atje një nga oficerët e tij më të mirë Komandantin e Rrethit të Vlorës, kapiten Osman Tetovën.

Më 20 gusht 1921, Komandnati i Krahut të Vjosës, major Ahmet Lepenica i shkruante Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë: “Tash lajmërohemi nga qarku i Vlorës se populli i katundit Vranisht rrethi i Vlorës ka ngritë krye e nuk njef qeverinë. Prej popullit të naltpërmëndur primari me gjithë gjindarmërinë të cilët kishin vajtur për hetime asht rrethue. Për të veprue mbi shkaktarët u dërgue një fuqi gjindarmërie nën komandën e kapiten Osmën Tetovës”.

Për kryerjen e detyrës, Komandnati i Rrethit të Vlorës kapiten Osman Tetova, më 1 shtator 1921 i shkruante Qarkomandës së Vlorës: “ Sikuse ju pata lajmëruar z. Tuaj mbi ngjarjen e katundit nëVranisht për çështjen e të dhjetës vajta me një fuqi gjindarmësh vetë, në katundin e largët të përmëndur dhe fillova për me ba hetimet e duhura për nxjerrjen e të drejtës në shesh.

Për herën e parë thërrita parësinë e dy partive me radhë dhe mora shpegime mbi shkakun e kundërshtimit, pastaj së bashku i mblodha në xhami e ju dhashë kuptime tue ju thënë se ndarja e katundit në dy parti s’asht gjë, prandaj lypset të bashkoheni si vëllezër që jeni.

M’u përgjigjën me një za: sot në këtë shenjtore po bashkohemi si ta lyp puna e atdheut dhe të shkuarat në këtë minut po i harrojmë. E kështu zumë me shënue ngatërresat, tue zgjedhë e emnue parësia vetë si muhtarë e të tjera tue mbajtun nga nji procesverbal të cilat këtu ngjitazi nga nji kopjo ju paraqitet.

Meqënse shkaku i grindjes kish rrjedhë për disa ngjarje të vjetra nga parësia më me influencë, u përpoqa me i pajtue, e kështu për një vit lidha nji besë qi mos të kërkohen gjaqet, e cila u pranua. Para nji shumice dhanë fjalën e nderit se s’kanë me kërkue gjaqet dhe zunë duart e njani tjetrit dhe procesverbali u nënshkrua.

Si u krye puna me nji qetësi e armoni e pash të arsyeshme me mbledhun gjithë parësinë e krahinës Mesaplikut, më datën 29.8.921 në Brataj, ku biseduam për qetësinë e vendit dhe pëlqyen mendimin për faljet e gjaqeve, kështu u formua nji komisjon, për çdo katund nga dy vetë dhe kanë me fillue me pajtue, si gjaqet ashtu dhe ngatërresat e tjera. Komisjoni i formur asht shkrue në procesverbale qe ju paraqiten. Pra, me faljen e gjaqeve ka me u sigurue qetësia e krahinës Mesaplikut dhe kështu u kthyesh për në qendër. Nderime. Komandnati i Rrethit të Vlorës kapiten Osman Tetova”.

Pas kësaj shkrese të Osmën Tetovës, Qark Komanda e Vlorës i shkruan Komandës së Krahut të Vjosës dhe Komandanti major Ahmet Lepenica i shkruan Komandës Përgjithshme të Xhandarmërisë: “Qarkkomanda e Vlorës, mbas një raporti që merr prej rrethkomandantit të Vlorës na lajmëron se çështja e të dhjetës së katundit Vranisht ka rrjedhur prej një mosmarrëveshje të dy partive. Me të vajtuarit e kapiten z. Osman Tetovës atje, çështja ka marrë fund me bashkimin e të dy anëve.

Sadik Sinani dhjetar i katundit ka da të dhjetën në mënyrë të pëlqyeshme dhe populli ka fillue me i dhanë të dhjetën dhjetarit.

Në katundin e sipërpërmëndur grindja më e madhe rrjedh prej disa parive të cilët kanë me marrë e me dhanë disa gjaqe që prej kohës së Turqisë, për të cilët pleqësia e katundit i ka ba një lutje kapiten Osman Tetovës që t’i pajtojë përgjithnjë ose përkohësisht, që kështu të bjerë një bashkim në mes të dy palëve. Komandant i Krahut të Vjosës, Major Ahmet Lebenica Vula”.

VENDIM I PARËSISË SË VRANISHTIT

Neve të nënshkruarit, parësi e katundit Vranisht, për me prue nji qetësi në katundin tonë, e pamë të arsyeshme, bashkë me qeverinë, për me lidh nji besë shqiptare, sikur kanë ba të parët tanë, që në katundin Vranisht gjaqet që janë ba qysh në kohën e Turqisë për mos me u kërkue për nji vit, d.m.th. deri më 15 gusht 1922.

Pra, në qoftë se njani kthen këtë besë e merr gjak të jemi të detyruar, gjaksorin me e zanë, dhe simbas zakonit kemi me veprue mbi të. Pra ai që kthen besën është në gjak me gjithë katundin. Prandaj, për me qenë të dy anët, si ata që kanë marrë gjak, ashtu edhe ata që kanë me dhënë, këtu para nesh dhe para qeverisë t’i japin dorën njeri tjetrit dhe armiqësia largohet, dhe pajtohemi, deri në kohën që përmëndet më lartë.

Pra edhe neve parësia garantohemi për këtë besë që u lidh. Në qoftë se njani e prish sikur thamë më sipër ai që e bën hynë në gjak me ne, dhe me katundin, prandaj, në qoftë se bahet ndonjë e tillë ngjarje, qeveris do t’i jemi përgjegjës me çfardo mënyre dhe të veprojë nomi mbi ne të nënshkruarit.Gjaqet që u pajtuan janë këta që përmënden më poshtë:
Murat Ramadani ka me marë gjak prej shtëpisë së Azem Ismailit.

Fejzo Murati ka me marrë gjak prej Mulla Murat Tartarit.
Rushit Çelua ka me marrë gjak prej Bilbil Bashos.
Jazo Xhama ka me marrë gjak prej Besim Tartarit.

Hajdar Habili me Myslim Hibron kanë me marrë gjakun njeni tjetrit, por prapë kanë armiqësi.

Pra, këta të naltpërmëndurit i dhanë shoshoqit dorën dhe u pajtuan para nesh, e kështu këtë procesverbal po e vërtetojme me e nënshkrue:

Mulla Murat Tartari, Sadedin Kamberi, Azem Ismaili, Rrapo Meto, Fejzo Murati, Mehmet Muharremi, Rushit Çelo, Zoto Mahmuti, Murat Memishaj, Sadik Sinani, Bali Sadik, Murat Ramadani, Myslim Ibro, Hajdar Habili, Tafil Kapo, Sali Kamberi, Miftar Lato Nuredini
Vërtetohet se gjashtë procesverbalet që janë mbush janë nënshkruar para nesh.
Vranisht 27.8.921

Postkomandanti i Brate Kapter Qazim Guga Rreth Komandant i Vlorës Kapiten Osman Tetova

Major Ahmet Lepenica urdhëroi, që mbi bazën e zakoneve të mira të popullit tonë, të formohet një komision i krahinës së Mesaplikut për faljen e hasmërive dhe gjaqeve. Më pshtë po japim vendimin e komisjonit të krahinës së Mesaplikut.

VENDIM I PARËSIVE TË KRAHINËS SË MESAPLIKUT

Për me pajtuar gjaqet, si dhe ngatërresat e tjera, kjo që po shkruhet ma poshtë, neve të nënshkruarit parësia e Mesaplikut e mbledhur sot në qendrën e krahinës Brataj, formojmë nji komisjon për me pajtue gjaqet e vjetra e të tjera. Këta zotni që po i shkruajmë këtu poshtë:

Prej katundit Vranisht: Rrapo Meto, Myslim Ibro,
Tërbaçi: Çelo Shako, Mustafa Laçe,
Brataj: Shaip Sako, Ibrahim Musa,
Lepenica: Allush Mamo, Mulla Beqiri,
Gjormi: Sinan Memushi, Selam Hasani,
Gumenica: Numan Kojdheli, Bajram Mehmeti,
Vajza: Rexhep Sulejmëni, Kalo Telhai,
Velça: Emin Haxhiu, Rait Brahimi,
Ramica: Zaçe Xhelo, Bajram Qamili,
Matogjini: Boro Miftari, Nexhip Maska,
Bashaj: Zyber Musa, Islam Halili.

Këta zotrinj që u shënuan më sipër, do të jenë të detyruar që nën kryesinë e z. Zaçe Xhelo të shetisin gjithë katundet e Mesaplikut, tue pajtue gjaqet me doemos, e me prue nji bashkim vëllazëror, e cila ka me sigurue e forcue qeverinë tonë. Ata që s’kanë me ju bind kësaj bese do të veprohet simbas zakonit të vendit ashtu edhe nomit qeveritar.

Pajtimi i gjaqeve do të kryhet nji orë e më parë. Kështu, këtë vendim po e vërtetojmë duke nënshkruar:

Vranisht: Mulla Murat Tartari, Myslim Ibro,
Lepenicë: Mulla Beqiri,
Tërbaç: Mustafa Laçe, Laze Malo,
Brataj: Dervish Bilbili, Brahim Musai, Shaip Sako,
Vajzë: Hamdi Nurçe, Kalo Telhai,
Gjormi: Sinan Memushi, Selam Hasani,
Gumenica: Manxhar Fejzo,
Bashaj: Zyber Musa, Islam Selami,
Matogjin: Mahil Shabani, Velo Memushi, Hasan Beqir Sulo.

Vlorë më 1.9.921

* * *

Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë nënkolonel Ali Kosturi, raportimet e major Ahmet Lepenicës ia përciell Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kjo kryeministrisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.