Kalaja e Novobërdës në vitin 2014.
Foto: Oliver Schmitt
BALLKAN BLOG – DerStandard.De – Përktheu Arben Çokaj
Elitat politike të Serbisë dhe Perandorisë Osmane i përkisnin botëve jashtëzakonisht të ndërlidhura
Blog / Oliver Jens Schmitt, 30 janar 2023
Në blogun e ftuar, historiani Oliver Jens Schmitt analizon politikën serbe në shekujt 14 dhe 15.
Beteja e Fushë-Kosovës në ditën e Shën Vitusit (28 qershor) 1389 është pika referuese e kulturës serbe të kujtesës. Në atë kohë, një ushtri serbo-boshnjake iu kundërvu osmanëve nën sulltan Murad I. Murati I u vra nga një luftëtar serb i quajtur Millosh (K)Obiliq, princi serb Lazar Hrebeljanoviç u kap rob dhe u ekzekutua gjithashtu. Vijat e frontit politik ishin të qarta, këtu ushtria e krishterë e princit Llazar dhe e mbretit boshnjak Tvrtko I Kotromaniç, i cili vetë nuk mori pjesë në betejë, por dërgoi një raport fitoreje në Firence; dhe atje osmanët, të cilët kishin pushtuar pjesë të mëdha të Ballkanit Lindor, që nga viti 1354. Në kulturën serbe të kujtesës, kujtimi i luftës kundër “turqve” (që do të thotë myslimanëve, e më pak turq në kuptimin etnik) ruhet deri më sot. Bashkëkohësit e betejës tashmë i kishin kënduar me këngë veprat heroike të luftëtarëve të krishterë dhe menjëherë pas betejës, Llazari u adhurua nga Kisha Ortodokse si dëshmitar i besimit.
Në realpolitikë, megjithatë, pas vitit 1389 elitat serbe duhej t’u ofronin osmanëve një ndihmë vendimtare në nënshtrimin e mëtejshëm të Ballkanit. Dhe pak mbahet mend për të deri më sot. Mjafton një vështrim në burimet dhe librat e historisë, për të vërtetuar, se në të gjitha momentet fatale të historisë osmane nga viti 1389 deri në rënien e despotatit (principatës) serb në vitin 1459, fisnikët serbë ndërhynë në favor të osmanëve dhe kundër kundërshtarëve të krishterë të osmanëve.
Humbja e kryqtarëve
Në vitin 1395, princi ortodoks i Vllahisë (Rumania e sotme jugore) Mirçea i Vjetër, e kundërshtoi Sulltanin osman Bajazidi I pranë Rovinës. Fitorja osmane u arrit kryesisht nga fisnikët serbë, që shërbyen si vasalë në ushtrinë osmane, veçanërisht nga Marko Kraljeviç. Në kujtesën serbe, ai është hero i luftës kundër osmanëve, në realitetin historik ka luftuar dhe ka rënë si vasal në krah të tyre.
Një vit më vonë, në vitin 1396, mbreti hungarez Sigismund i Luksemburgut kishte mbledhur një ushtri të madhe, e cila përfshinte fisnikë nga gjysma e Evropës, të cilët donin t’i dëbonin osmanët nga Ballkani me një avancim në zemër të sundimit osman, në Bullgarinë e sotme. Beteja shpërtheu në afërsi të Nikopolit në Danub dhe u vendos nga ndërhyrja e kalorësve të blinduar serbë nën drejtimin e Stefan Lazareviçit, djalit të Princit Llazar, të cilit osmanët ia kishin prerë kokën shtatë vjet më parë. Kryqtarët e krishterë u masakruan, fisnikët më të pasur u zunë robër dhe shumë familje fisnike franceze u shkatërruan, duke paguar shpërblime për Sulltanin. Nuk do të kishte më ndërhyrje perëndimore kundër osmanëve në Ballkan për dekada.
Gjashtë vjet më vonë, në 1402, Perandoria Osmane ishte në prag të katastrofës: sundimtari mongol Timur Lenk pushtoi Anadollin me një ushtri të madhe. Pranë Ankarasë, ai takoi sulltanin osman Bajazid I. Ushtria e tij u shpërbë kur vasalët turko-myslimanë të Sulltanit dezertuan te mongolët dhe princat osmanë dezertuan. Vetëm Stefan Lazareviçi dhe kalorësit e tij serbë të armatosur rëndë luftuan kundër mongolëve deri në fund.
Trupat serbe në ushtrinë osmane
Rreth tre dekada më vonë, në vitin 1430, osmanët sulmuan qytetin e Selanikut, qyteti më i rëndësishëm në Ballkan krahas Konstandinopojës. Ushtarët serbë nën drejtimin e Grgur Brankoviçit luajtën një rol vendimtar. Dhe kur Sulltan Mehmeti II rrethoi Kostandinopojën në 1453 dhe më në fund e pushtoi më 29 maj, trupat serbe ishin në ushtrinë osmane dhe jo në anën e bizantinëve ortodoksë.
Si mund të shpjegohen këto fakte? Pas vitit 1389, fisnikët serbë të mbijetuar, u bënë vasalë të osmanëve, veçanërisht të dinastive armiqësore Lazareviçi dhe Brankoviçi. Ata u integruan shpejt në botën politike osmane. Martesat dinastike luajtën një rol qendror. Olivera Lazareviç u martua me Sulltan Bajazid I dhe Mara Brankoviç u bë gruaja e Sulltan Murad II (1422-1451). Me këto zonja erdhën më shumë serbë në oborrin osman. Kronikat osmane e përshkruajnë Oliverën si një femme fatale, e cila, në veçanti, futi konsumimin e alkoolit në oborrin osman dhe kështu tronditi zakonet e vjetra të mira të sulltanëve. Pas vdekjes së të shoqit, Mara Brankoviç u tërhoq në rezidencën e një vejushe në Maqedoninë jugore dhe për vite me radhë, i ktheu vargjet e diplomacisë sekrete osmane drejt perëndimit, veçanërisht në Venedik.
Një elitë e vërtetë serbe u shfaq në oborrin osman dhe serbishtja flitej gjerësisht atje deri në shekullin e 16-të. Lidhjet e ngushta me osmanët kishin disa arsye: Ajo synonte të balanconte presionin e madh osman mbi Serbinë; Por kjo duhet gjithashtu t’i japë elitave serbe hapësirë për manovrim në krahasim me fqinjët e tyre katolikë, veçanërisht Hungarinë. Në atë kohë (si edhe tani), Serbia ndoqi një politikë të shitblerjes midis Perëndimit dhe Lindjes, dhe në atë kohë kjo nënkuptonte midis Hungarisë dhe Venedikut nga njëra anë dhe Perandorisë Osmane nga ana tjetër. Nëse osmanët bëheshin dërrmues, elitat serbe forconin lidhjet e tyre me Hungarinë, por sukseset shumë të mëdha hungareze kundër osmanëve bënë, që elitat serbe të shikonin përsëri më drejt lindjes.
Ndryshimi i besnikërisë
As Hungaria katolike dhe as Perandoria Islame Osmane nuk dukeshin të dëshirueshme për fisnikët serbë. Nënshtrimi ndaj osmanëve nuk garantonte në asnjë mënyrë stabilitet: nga fundi i jetës së tij, vasali besnik Stefan Lazareviç u kthye në kampin hungarez dhe ishte gjithashtu vasal i kurorës hungareze, me prona të pasura tokash në Hungari. Besnikëria e tij nuk e pengoi Sulltanin të pushtonte pjesë të mëdha të Serbisë pas vdekjes së Stefanit. Pasardhësi i Stefanit, Georg Brankoviç (1427-1456) gjithashtu nuk ishte imun ndaj sulmeve osmane, pavarësisht martesës së Marës me Sulltan Muradin II. Në vitin 1439 ai madje duhej të ikte nga osmanët, të cilët pushtuan Serbinë dhe iu desh të linte rrugën përsëri pas një ndërhyrjeje hungareze në 1443/44.
Despoti Georg, megjithatë, preferoi të rimarrë principatën e tij nga duart e Sulltanit dhe të sabotonte përparimin e mëtejshëm hungarez në Ballkan – edhe pse Sulltanit kohët e fundit i kishin verbuar dy vëllezërit e tij Grgur dhe Stefan. Kur Despoti Georg vdiq në vitin 1456, dy fraksione u formuan në oborrin serb në Smederevo (në lindje të Beogradit), një që rekomandonte rezistencën kundër osmanëve, një tjetër që i hapi rrugën Sulltanit për të hyrë në Serbi në 1459 – me në krye Voivodin e Madh Michael Angeloviç. Vëllai i tij nuk ishte askush tjetër veçse Mahmud Pashë Angeloviç, veziri i madh i Sulltanit. Pas pushtimit përfundimtar të Serbisë, një sërë burrash dhe grash fisnike u tërhoqën në oborrin e Mara Brankoviçit, ku vazhduan të kultivonin kulturën ortodokse serbe brenda kornizës së Perandorisë Osmane.
Megjithatë, në vetë Serbinë, pushtetin e morën elitat e reja osmane. Nuk i ndihmoi elitave serbe dërgimi i minatorëve dhe ushtarëve nga Novobërda në portat e Bizantit në vitin 1453. Novobërda (në Kosovën lindore) ishte miniera më e madhe e argjendit në Ballkan në Mesjetë, një Klondike Ballkanike me minatorë gjermanë, tregtarë nga Dubrovniku dhe priftërinj katolikë nga Shqipëria. Në vitin 1455, vetë Sulltani e pushtoi këtë qytet të pasur argjendi. Dhe katër vjet më vonë, shtetësia serbe mori fund.
Raporte nga bashkëkohësit
Si e vlerësuan bashkëkohësit vasalitetin serb ndaj osmanëve? Elitat ortodokse të Serbisë ishin shumë të vetëdijshme, se ndihma e tyre ushtarake, po u shkaktonte dëm serioz bashkëfetarëve ortodoksë në Vllahi dhe Bizant. “Ata luftuan me turqit, kundër dëshirës së tyre, por nuk kishin rrugë tjetër”, shkruante biografi i despotit Lazareviç, Konstandin Filozofi. Në gojën e Marko Kraljeviçit, i cili luftoi kundër vllahëve ortodoksë në vitin 1395, ai vë këto fjalë: “I lutem Zotit t’i ndihmojë të krishterët dhe dua të jem i vdekuri i parë në këtë betejë“. Konstandin Filozofi shprehu qëndrimin zyrtar të oborrit serb – fisnikët nuk kishin alternativë, presioni osman ishte shumë i madh, por të paktën ata kishin ruajtur ndërgjegjen e tyre të krishterë.
I njëjti autor tregon gjithashtu se si, gjatë luftimeve të brendshme serbe për fron, Stefan Lazareviçi u takua me rivalin e tij serb Georg Brankoviç, i cili kishte me vete trupat ndihmëse osmane, në Fushë-Kosovë në vitin 1402. Ata bërtitën të tmerruar “Shiko, djali i Llazarit” dhe më pas ikën. Kështu djali – Stefan Lazareviçi – u hakmor për të atin Llazarin trembëdhjetë vjet pas 28 qershorit 1389, natyrisht jo në luftën kundër osmanëve, por kundër një ushtrie serbo-osmane, në një luftë të brendshme dinastike serbe.
Në aspektin realpolitik, e veja e Llazarit – dhe nëna e Stefanit – Milica duhej të udhëtonte në oborrin osman. Ajo i kërkoi ndihmë Sulltanit, sepse dy djemtë e saj Stefani dhe Vuk po ziheshin për trashëgiminë. Grindjet e brendshme dinastike serbe ishin një portë e rëndësishme për pushtuesit osmanë. Në të kundërt, fisnikët serbë ndërhynë vazhdimisht në betejat dinastike brenda osmane.
Ndjenja antiperëndimore dhe afërsia fetare
Bota e elitës serbe dhe osmane ishte e ndërthurur ngushtë dhe, me gjithë konfliktin, aktorët njiheshin me njëri-tjetrin; Ata shpesh ishin të lidhur me njëri-tjetrin përtej kufijve fetarë. Dhe në veçanti Stefan Lazareviçi ishte nganjëherë një lloj krijuesi sulltan gjatë mosmarrëveshjes së madhe të fronit osman (1403-1413). Gjatë kohës së dobësisë osmane, elitat serbe nuk treguan interes për të mposhtur me vendosmëri osmanët me ndihmën e Perëndimit katolik. Përkundrazi, ata u përpoqën të zgjeronin hapësirën e tyre të manovrimit në situatën osmano-ballkanike; Osmanët, të cilët kulturalisht ishin shumë më ballkanikë sesa supozohet përgjithësisht, ishin mendërisht shumë më afër shumicës së fisnikëve serbë, sesa fuqitë katolike të Hungarisë dhe Venecias.
Antagonizmi fetar midis katolikëve dhe ortodoksëve ishte dukshëm më i madh se antagonizmi fetar midis ortodoksëve dhe myslimanëve; Një ndjenjë antiperëndimore i bashkoi këto dy të fundit dhe për shekuj me radhë, osmanët shfrytëzuan pakënaqësitë antiperëndimore të shumë serbëve ortodoksë, kundër botës kishtare romake, për të siguruar pushtetin e tyre në Ballkan.
Por gjërat ishin ndryshe në rastin e ortodoksëve në Ballkan. Georgios Sphrantzes, këshilltar i perandorit të fundit bizantin Konstandin XI. dhe dëshmitar okular i rënies së Bizantit, formuloi akuzën më të ashpër kundër serbëve ortodoksë në mërgimin e tij në Korfuz: “Serbia mund të dërgonte fshehurazi para dhe njerëz nga zona të ndryshme. Por a ka parë dikush para? Në fakt, ata dërguan para dhe shumë burra, gjegjësisht Emiri (nënkupton Mehmedin II), i cili ishte gati të rrethonte qytetin (Kostandinopojën). Dhe turqit u gëzuan dhe thanë: Ja, edhe serbët janë kundër jush!”. Ky bizantin kujtoi me hidhërim rolin serb në rënien e qytetit perandorak, në të cilin zotëria e tij Konstandini XI, ra duke luftuar. Elitat serbe nuk praktikuan solidaritet ortodoks.
Kujtimet e një jeniçeri
Kujtimet e Konstantin Mihailoviçit tregojnë se shumë serbë ishin të vetëdijshëm për kontributin e tyre në suksesin osman. Ai u kap gjatë pushtimit të qytetit të tij të Novobërdës në vitin 1455 dhe u bë jeniçer, d.m.th., ushtar i këmbësorisë elitare osmane. Ai arriti të arratisej në perëndim, ku shkroi kujtimet e tij. Kostandini tregon se ndihmësit serbë u mashtruan, sepse sulltani i bëri të besonin se ishin vendosur në Anadoll. Ata e kuptuan shumë vonë se ishte kundër Bizantit Ortodoks. Kostandini e shkroi këtë dekada pas përfundimit të Bizantit. Ai vëren, “por ai (Bizanti) do të ishte pushtuar pa ndihmën tonë”. Ai përmend injorancën, detyrimin osman dhe, së fundi, rëndësinë e vogël të trupave serbe si justifikime. Bizantinët e panë atë ndryshe dhe e quajtën sjelljen serbe me emrin e saj: ishte një tradhti ndaj çështjes ortodokse, madje osmanët përdorën mbështetjen e trupave serbe për propagandën e tyre, për të demoralizuar bizantinët ortodoksë.
Fisnikët dhe luftëtarët serbë e ndihmuan kështu Perandorinë Osmane të depërtonte në momente vendimtare kundër shteteve ortodokse dhe katolike. Serbët dhe osmanët, të paktën elitat e tyre politike, nuk i përkisnin botëve të ndara, por të ndërthurura.
Megjithatë, shumë fisnikë serbë kishin një pikëmbështetje në kampin hungarez si vasalë dhe pronarë tokash, dhe fisnikët serbë gjithashtu u përfshinë në politikën e brendshme në Hungari, dhe një Brankoviç pothuajse u ngjit në fronin hungarez. Elitat serbe manovruan mes Perëndimit dhe Lindjes, duke kërkuar avantazhe dhe fitime në të dy kampet. Në fund, ata llogaritën gabimisht – ata e kishin dobësuar Hungarinë, e megjithatë ata kishin shumë pak ndikim në oborrin e Sulltanit, për të përcaktuar ndonjëherë politikën osmane. Dhe kur osmanët më në fund u goditën, ndihma ushtarake për dekada rezultoi e pavlefshme.