SKRIBOMANIA SI FENOMEN SOCIAL

0
460
Pena me bojë

Nga KOL SHKODRANI

Në Albanistan ka plasë një scribomani e lemeritshme. Poezi po e po, me 100 mijë poetë për ndryshime sa na janë shtuar poetet si hithrat në çdo skërkë të mëmëdheut. Por tani kanë dalë dhe romancierët me një program allasoj, nga çdo shqiptar në një llogore në diktaturë – në çdo shqiptar me një roman në demokraci (lexo demokraci demonësh).

Kështu, në prozën e gjatë – një roman një thes me fjalë, produkti është i bollshëm. Madje Dikush Dikushja në Muzeun Kombëtar promovoi katër libra në një ditë, 2 vëllime me vargje dhe 2 romane. Lum Shqipëria që i ka. Ka shkrimtarë, por nuk ka lexues. Doktor-Kritikë me para, ka more ka. Kur i fton në promovim të thonë 150 dollarë si fillim. Dhe ndodh çudia arbërore, të gjithë dinë të shkruajnë, asnjë nuk di të lexojë. Por nuk është krejt e keqja që botojnë të gjithë.

Por kur mediokrri nis e bën protagonistin dhe del në publik të flas si shkruhet poezia, atëherë letërsisë i ka rënë tavani në kokë. Dhe në Facebook mbiquhen Filan Poeti. Epo fundja skribomanët më mirë të merren me shkrime, qofshin si qofshin, se sa të merren me punë të tjera të dëmshme për shoqërinë. Po të jenë se i kanë frymëzim-frymëzezat e veta nga përvoja vetanake, çka, por kur scribomanët nisin e kopjojnë autorët e tjere kjo është bir selman i nënës kë të qaj më parë.

Por kam vënë re edhe kësisoj, dalin në Televizion e kakarisin si pulat për të parin e të vetmin libër-vezë që kanë bërë. Pa le të tjerë (këndeza këta), që vjershat nga letërsia e huaj i recitojnë si të vetat. Dhe Ministria teveqele e Kultures këtij lloj sebepi skriboman u jep mbështetje financiare. Çfarë të themi e çfarë të mos themi?!Është qelbur peshku kokë e bisht në punët e artit dhe të kulturës.

Por ka keq e më keq. Për dreq thuaj! Del kreu Jubilant i poezisë zyrtare në Shqipërinë e tallavave dhe harton antologjinë e kinse poezisë moderne shqipe me titull treshekullor “Vesh me diell e mbath me hënë”. Fut brenda edhe rilindasit romantikë në këtë antologjinë “moderne” dhe lë pa futur poetët e shquar nga Kosova. Por ky laureati i poezisë zyrtare që ha në dy tasat e krahëve të politikës, nuk harron të vendos në antologjinë vetanake dhe ndonjë çupëlinë poetike. Hallall e pirolla i qoftë!

Kësisoj e miklon pushteti poezinë duke venë në krye soj-soj mediokrriteti. Po le të shkojmë më tej, se qyfyret letrare në Albanistan nuk kanë të sosur.

A keni parë si vrapojnë të gjithë të dalin në foto me kryeparin e letërsisë shqipe bashkohore, i famshëm e i kthyer në atdhe tashma.
Një kafe, një foto, …dhe hyre në histori.

Ja këtu fillon e mbaron gjithçka, sepse tregon se njeriu ka frikë të jetë vetvetja dhe përpiqet të marrë sadopak nga lavdia e tjetrit.
©️ Kol Shkodrani 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.