Serbia nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk ka dorëzuar Radojçiçin. Kjo të çon në përfundimin se situata do të përshkallëzohet më tej. Sulmet e bandave terroriste në veri dhe lufta hibride e Serbisë ndaj Kosovës ka gjasa të rriten. Bisedimet me Serbinë deri tani kanë dështuar. Fajtor për këtë dështim është Serbia dhe Vuçiçi. Serbia nuk ka treguar seriozotet në bisedime. Pala serbe nuk i ka nënshkruar marrëveshjet e arritura. Negociatori i deritanishëm i BE-së, për bisedimet Kosovë-Serbi, ka mbështetur palën serbe.
Ky është një paradoks i madh dhe i pashpjegueshëm në thelbin e tij. Nuk duhet të mbështetet agresori, dhe nga ana tjetër të sulmohet viktima. Kosova është viktima e luftës me Serbinë. Ajo sot po vuan masat ndëshkuese të BE-së…! Takimi i kryeministrit, Kurti, me drejtuesen e re të BE-së, Kallas, është një shpresë tjetër për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Le të shpresojmë tek drejtuesit e rinj të institucioneve të BE-së! Besojmë se masat ndëshkuese të vendosura nga BE-ja, ndaj Kosovës, duhet të hiqen sa më parë. Serbisë i ka ngecur sharra në gozhdë me kryeministrin e Kosovës, zotin Albin Kurti.
Ai dhe qeveria e tij nuk ka rënë “pre” e politikës grabitqare të saj. Kurti nuk ka firmosur asnjë marrëveshje me Serbinë që bie ndesh me kushtetutën Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti, sulmohet nga Serbia, anatemohet, fajësohet dhe cilësohet si “fajtori” i dështimit të bisedimeve dhe ngjarjeve që ndodhin në veri të Kosovës. Kjo propagandë është e pritshme nga Serbia. Ajo nuk pranon asnjë dështim të saj, prandaj “fajin” i’a faturon Kurtit dhe Kosovës. Kjo qasje e saj, ka qenë, është, dhe do të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Kjo është në ADN-në e politikës serbe…
Ajo që ngjallë neveri është qëndrimi “infantil” i pjesës më të madhe të politikës opozitare të Kosovës. Disa prej tyre “vërsulen” si hiena kundër Albinit dhe e fajësojnë atë për dështimet me Serbinë. Madje atë e quajnë edhe bashkëpunëtor të saj… Kjo është e turpshme, është antikombëtare, është mbështetje për Serbinë!
Si mund të fajësohet zoti Kurti si kryeministër, kur ai me qëndrimet e tij, i tha, JO:
● “Open Ballkanit”.
● Ndarjes së Kosovës, ndryshimit të kufinjëve dhe shkëmbimit të territoreve.
● Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me kopetenca ekzekutive.
● Nga ana tjetër Kryeministri, Kurti, i tha, PO: Vendosjes së autoritetit të shtetit të Kosovës në veri të saj. Këto janë arritje të mëdha të Albinit si kryeministër. E kundërta do të ishte fatalitet për Kosovën dhe tradhëti ndaj saj. A do të jetë apo jo më kryeministër, Kurti, këtë vendos populli i Kosovës në zgjedhjet e ardhshme… Tani në prag të zgjedhjeve të reja në Kosovë, Vuçiçi dhe Qeveria e tij po shfrytëzojnë momentin për ta përçarë politikën e Kosovës. Fokusin e saj kryesor e ka tek disa politikan opozitar.
Nga lufta e egër për pushtet opozita në Kosovë është e përçarë. Ajo me çdo kusht kërkon të largojë Kurtin nga pushteti. Për t’ia arritur qëllimit ajo mund të bashkëpunojë edhe me listën Srpska, vetëm të largojë Kurtin nga drejtimi i Qeverisë së Kosovës. Është i pafalshëm qëndrimi i opozitës në Kosovë ku për gjithçka fajëson, Kurtin. Edhe në momentet kur vazhdon lufta në Ukrahinë dhe Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive ndaj Kosovës dhe disa vendeve të Ballkanit, opozita e Kosovës persëri fajëson Kurtin.
Kësaj i thonë të bësh, “strucin”. Opozitarët duhet ta braktisin këtë lojë të rrezikshme. Sot, më tepër se kurrë ata duhet të bashkohen. Duhet të bëjnë një pakt bashkëpunimi për hir të Kosovës. Opozita duhet të lërë mënjanë ndasitë partiake dhe luftën e pandershme për pushtet. Së bashku me shumicën duhet të hartojnë një platformë strategjike për mbrojtjen e vendit nga Serbia. Lufta po troket në shumë zona të nxehta të globit…
Kosova dhe Ballkani janë të kërcënuara nga kjo luftë globale. Disa media dhe analistë në Kosovë po luajnë një rol shumë negativ, duke bërë lojën e Serbisë. Kjo është e pafalshme, është e turpshme dhe antikombëtare. Në këto kushte mund të merret edhe mendimi i “këshillit të të urtëve” ku, zë, shumë peshë mendimi i ish-presidentit, Sejdiu. Klasa politike e Kosovës duhet të bashkohet. Kështu ajo mund t’u bëjë ballë veprimeve agresive dhe luftës hibride të Serbisë ndaj Kosovës…
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 04.12.2024