Viti 2024 me Alternativë të Re politike!

0
259
ADN - Alternativa Demokratike për Ndryshim

Shkruan: Florim Zeqa

Ashtu siç hymë në vitin 2023, edhe po e lëmë pas, si një nga vitet më të mbrapshta pas pavarësisë, me thyerje të mëdha shpirtërore për mosrealizimin e shumë premtimeve nga pushtetarët, siç ishin hapja e vendeve të punës, përmirësimin e sistemit të drejtësisë, atij shëndetësor dhe arsimor, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, e shumë premtimeve tjera elektorale.

Ëndrrat e venitura të qytetarëve

Pra, edhe në këtë vit, sikurse në vitet paraprake, oligarkët e pushtetit u përkujdesën për veten e tyre, pasurimin e pafundmë nga zhvatja e buxhetit të shtetit. Rritja e varfërisë është duke e shtuar rrezikun e shpërthimit të “bombës” sociale, e cila mund ta sjellë vendin në një situatë të paparashikuar politike, ku shteti mund të shndërrohet në një arenë përleshjesh frontale mes qytetarëve të pakënaqur dhe pushtetarëve.

Me nivelin aktual të zhvillimit ekonomik, mungesës së përspektivës, pasigurisë për jetë dhe paaftësisë së qeverisjes së vendit, jo vetëm brezi i ri, por të gjitha shtresat e popullsisë synim e kanë ikjen nga vendi me resurse të pasura natyrore dhe pasuri marramendëse nëntokësore.

Aq e pashpresë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në këtë vend, saqë jo një “bombë” sociale, por një bombë atomike duket të jetë e pamjaftueshme për ta larguar këtë klasë të shëmtuar kusarësh nga skena politike!

Edhe me ndryshimet e fundit politike, pushtetarët aktualë po na e bëjnë me dije që në Kosovë nuk ka vend për njerëzit e ndershëm dhe atdhetarë, për ne që nuk jemi pjesë e klaneve të politikës dhe parapolitikës, për ne që mendojmë ndryshe, për ne që e duam Kosovën me shpirtë e me zemër, na kanë mbetur vetëm dy rrugë: t’i detyrojmë këto klane mafioze të largohen nga skena politike, ose populli i ndershëm do t’i mbledhë plaçkat për të ikur përgjithmonë nga ky vend.

Politikanët e papërgjegjshëm Kosovën nga një vendi i shpresës dhe i ardhmërisë e kanë kthyer në një vend ku ëndrrat shndërrohen në iluzione, ku shpresat vdesin akoma pa lindur, ku vdekja të shoqëron gjithkund dhe në çdo hap të jetës.

Shqiptarët e Kosovës në të kaluarën e afërt që identifikoheshin me heroizmin, trimërinë, krenarinë, atdhedashurinë, solidaritetin, humanizmin dhe tolerancën, sot janë kthyer në njerëz që urrejnë njëri-tjetrin, nga besnikë në tradhtarë, nga besimtarë në fanatikë fetarë, nga politikanë në biznesmenë matrapazë, nga mbrojtës të pasurisë shoqërore në shkatërrues të ardhmërisë!

Nëse deri dje morali njerëzor ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor e kanë njollosur imazhin dhe e kanë mjegulluar të ardhmen e shoqërisë sonë.

Zëri i ndërgjegjes kombëtare thërret

Aq e rëndë dhe e padurueshme është bërë jeta e qytetarëve në vendin për të cilin sakrifikuan gjatë, saqë, secili qytetar i lutet Zotit për largimin pa kthim nga vendi i bekuar, i larë me gjak ndër shekuj.

Ata që ikin nga vendi, ikin duke mallkuar tokën që i rriti, shkaku i një grushti të vogël kusarësh politikë, që ua thyen të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.

Andaj, zëri i ndërgjegjes kombëtare thërret si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve me gjak të pastër kombëtarë, për bashkim të mendjeve dhe zemrave edhe një herë sikurse në fillim të viteve të ’90-ta, për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e uzurpatorëve, matrapazëve dhe zhvatësve të buxhetit të shtetit, nga rrënuesit e vlerave dhe traditave tona kombëtare.

Ardhja në pushtet e një Alternative të Re politike, e një klase të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte kushtet për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare. Pothuajse çdo gjë është bërë e padurueshme në vendin tonë, mirëpo edhe durimit qytetar i ka ardhur fundi nga padrejtësitë dhe prapësitë e shumta politike.

Shteti i ri për dikë është bërë “nënë e për dikë tjetër njerkë”, siç thotë populli, dikujt i mundësoi t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujt tjetër asgjë, Kosova u bë parajsë për pushtetarët, u shndërrua në ferr për qytetarët!

“Të gjithë bashkë kundër së keqës”, duhet të jetë slogan i fuqishëm i vitit 2024, i bashkimit në luftën për ndryshim, mobilizim i përgjithshëm i popullatës pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.

Kjo është mundur të arrihet me unitet dhe forcë për ndryshime pozitive, me solidaritet, humanizëm dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Të mos mbetemi edhe më tutje robër të politikave të papërgjegjshme të grupeve të interesit, të mos bëhemi skllevër të kusarëve politikë, të atyre që 24 vjet rresht rropën e ç’rropën e gjithë pasurinë e këtij vendi.

Largimi i qytetareve nga vendi nuk është zgjidhja e problemeve, përkundrazi e thellon akoma më tepër varfërinë dhe denigrimin social, shton orekset e pushtetarëve për gllabërimin e mëtutjeshëm të pasurive shtetërore.

ADN shkëndijë shprese për ndryshim

Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN) është një nismë e re politike, është një shkëndijë shprese në këtë situatë të rënduar politike në të cilën po kalon shteti dhe qytetarët e Kosovës.

Sikurse AND-ja, asnjë nismë tjetër politike nuk duhet të jetë vazhdimësi dhe as levë e subjekteve aktuale politike. Ngase secila prej tyre, për të mirë apo për të keq, e kanë dëshmuar vetën në qeverisjen e vendit.

Ardhja në pushtet e një klase krejtësisht të re dhe të përgjegjshme politike, e aftë për ndryshime pozitive, do të krijonte premisat për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime etnike, partiake, ideologjike apo fetare.

Insistimi im i vazhdueshëm për ndryshimet pozitive në vendin tonë, nuk e nënkupton ‘pasurimin’ e skenës politike edhe me një subjekt të ri, por në esencë, është përpjekja ime për finalizimin e projektit madhor për themelimin e një lëvizje të re politike, e cila në gjirin e vet do të tubojë elektoratin e zhgënjyer nga të gjitha partitë politike, sa të dështuara, po aq të konsumuara përgjatë këtyre 24 viteve të fundit në liri.

Nisma e re, Alternativa Demokratike për Ndryshim (AND), nuk e ka thjeshtë vetëm qëllimin për ndërrimin e pushtetit në Kosovë, por ndryshimin e mentalitetit qeverisës dhe ndryshimin rrënjësor të sistemit qeverisës në vend, gjegjësisht kalimin nga sistemi Parlamentar në atë Presidencial.

Sistemi Presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale pas-zgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës, si dhe krijon premisat e bipolarizimit të skenës politike, gjegjësisht krijimin e dy blloqeve të forta parazgjedhore.

Partitë aktuale, proceset e brendshme zgjedhore i shfrytëzojnë për ruajtjen e vazhdimësisë së elitave politike në partitë e tyre, pa e dhënë asnjë sinjal për reformimin e partive kundrejt kërkesave të vazhdueshme të elektoratit.

Arsyeja e pengimit të reformave në partitë aktuale, janë klanet dhe grupet e interesit të rreshtuara pas liderëve të partisë, të cilat e ngulfatën çdo përpjekje për ndryshim përmbajtësorë në këtë vend.

Tre shkronjat ADN simbolizojnë gjenezën politike të shqiptarëve në trojet etnike, të cilat do të ndalojnë katandisjen e mëtutjeshme politike të shtetit të Kosovës.

Megjithatë, kemi arsye të ngremë dolli dhe të festojmë, sepse mbrapa po e lëmë një nga vitet më të mbrapshta në këto 24 vitet në liri. Ta lëmë pas të keqen, me këmbë të mbarë në vitin e ri 2024. Gëzuar një vit të mbarë dhe të suksesshëm të gjithë qytetarëve të vendit tim dhe bashkatdhetarëve kudo që ndodhen në botën mbarë.

Gëzuar bashkatdhetarë! Na priftë e mbara në vitin 2024!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.