Të shqetësohesh për qytetin është qytetari, jo foltorexhi

0
434
Sheshi i flamurit - ndërtimi

Mentor Kikia

Një grup njerëzish në Vlorë protestuan kundër ndërtimeve që po bëhen në Sheshin e Flamurit. Ata thonë se aty po ndërtohet një terminal autobusazh dhe kjo, sipas tyre, por edhe në realitet, do ta zhbënte atë që sot është simboli i një qyteti simbol.

Kryeministri Rama ka nxituar ti akuzojë ata si foltorexhinj, duke sqaruar, se ajo që po ndërtohet është një kolonadë, pra një objekt që do të jetë pjesë e mozaikut të sheshit.

Tani, edhe unë që nuk jam foltorexhi, kur kalova para disa ditësh në atë shesh, më mbeti koka pas në atë që po ndërtohej aty, dhe nuk i dhashë karar se çfarë ishte, por që ishte vërtet e tmerrshme nëse do të ishte një objekt biznesi apo çfarëdo tjetër.

Qytetarët kanë të drejtë që shqetësohen. Madje kjo është një gjë e mrekullueshmë që ka njerëz që nuk merakosen vetëm për oborrin e shtëpisë së tyre, por edhe për oborrin e qytetit.

Ata nuk duhen sharë, përgojuar e tallur. Qeveria e madhe në Tiranë dhe ajo e vogla në Vlorë, e kanë për detyrë ti sqarojnë njerëzit se çfarë është ai hekur e beton që hidhet mu tek këmbët e Ismail Qemalit me shokë. Qeveria mund të thotë se këto janë punët e qeverisë e nuk do i japim sqarime njerëzve. Por përvoja ka treguar se punët e bashkisë dhe të qeverisë i vunë mu para syve herojve të kombit një konvikt gjigand e të shëmtuar, sa do ia vlente çdo dëmshpërblim për ta rrëzuar përtokë.

Tek e fundit, njerëzit që reagojnë e kërkojnë llogari, mund të jenë kundërshtarë të qeverisë, por ata janë pasuri e demokracisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.