Shtetin e shpëton vetëm një alternativë të re politike!

0
408
Florim Zeqa - Shkolla Azem Bejta

Shkruan: Florim Zeqa, 25.04.2022

Sikurse partitë në pushtet, që nuk po e japin as më të voglën provë për një ndryshimin e premtuar, ndërkohë që subjektet politike opozitare janë të çakorduara dhe pa platformë të përbashkët opozitare, për qytetarët nuk mbetet shpresë tjetër pos krijimi i një alternative të re, pa njerëz të inkriminuar brenda saj dhe që ofron ndryshime substanciale dhe përmbajtësore në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Ndryshimi mision i mundur

Ndryshim kualitativ në skenën politike në vend nuk është mision i pamundur, pasi që Kosova ka njerëz të pastër e të guximshëm, që do të përbënin bërthamën e një alternative të re, për të bërë luftën e fortë dhe të hapur kundër mashtruesve në pushtetin aktual, por edhe ndaj opozitës së inkriminuar.

Gjendja e pashpresë e krijuar në vend, si pasojë e papjekurisë politike dhe mungesës së transparencës së qeveritarëve aktual, e përcjellur me skandale të njëpasnjëshme në politikën e jashtme ka bërë që populli mos t’u besojë më as këtyre!

Si pasojë e kësaj, në mendjen e popullit është krijuar bindja se kush më pak e kush më shumë, të gjithë që merren me politikë, janë mashtrues e intrigantë, janë hajna dhe kusarë politikë, derisa inteligjenca e pastër ka mbetur e përgjumur!

Padrejtësisht është krijuar bindja tek një pjesë e opinionit publik, se nuk kemi njerëz më të mirë për politikë nga këta që i kemi aktualisht!

Skandalet, dëshmi e vazhdimësisë politike

Kjo klasë politike me besim të humbur dhe tejet të konsumuar, elektoratin e tyre po e përdorin vetëm si objekt përgjatë fushatave zgjedhore, sa për t’ua grabitur besimin, votën, ndërsa të gjitha pazarllëqet i bëjnë mes vete dhe me ndërkombëtarët.

Këtë e vërteton rasti i fundit i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Dr. Martin Berisha i përfshirë në skandalin e madh financiar.

Pa dashur të zgjatem tutje në detajet e megaskandalit financiar të “doktor” ambasadorit kosovar në Kroaci, kjo e dëshmon se qeverisja aktuale nuk është ndryshimi, por mashtrimi dhe vazhdimësia e qeverisjeve paraprake!

Kasta aktuale politike e vendit, në veçanti liderët e partive tona politike, para opinionit publik, elektoratit të tyre, shpesh përlahen mes vete, por asnjëherë nuk mund t’i shkojnë deri në fund “konfliktit”, shkaku i interesave të përbashkëta, apo thënë më qartë dhe troç, shkaku i bizneseve të përbashkëta, tenderëve që i ndajnë me njëri-tjetrin, e deri të aferat korruptive.

Të gjithë liderët e subjekteve politike, pa dallim, janë shndërruar në uzurpatorë të shtetit dhe varrmihës së ardhmërisë së qytetarëve të këtij vendi, janë bërë sinonim i së keqes, i korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes së pasurisë shoqërore (shtetërore), duke e shndërruar Kosovën e pasur me resurse të shumta natyrore një vend të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në të.

Kosova ka njerëz të aftë, të pastër dhe të guximshëm, prapa të cilëve do të rreshtoheshin shumica e qytetarëve pa asnjë hezitim, por dikush ndër më të guximshmit duhet ta merrë stafetën në dorë dhe të nisemi përpara për arritjen e ktheses së madhe me njerëz të rinjë të cilët do ta ndërtojnë një mentalitet të ri qeverisës.

Vullneti i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive, jo vetëm që ekziston, por thërret si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë. Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazuar në vlera njerëzore, në atdhedashuri e moral njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të keqqeverisjes tash e sa vite ne Kosovë.

Secili mund të japim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës. Secili me takatin e me zanatin e vet, mund ta bëjmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, për kthimin e identitetit dhe shpirtit humanitar të shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj. Prandaj, vendit urgjentisht i duhet një fillim i ri, një organizim i ri, një alternativë e re politike për largimin e këtyre kusarëve nga skena politike.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.