Imazhi i parë nga teleskopi Webb i NASA-s është pamja jonë më e thellë e universit

0
717
Galaktikat e reja

Imazhi i parë në fushë të thellë i marrë nga Teleskopi Hapësinor James Webb, tregon galaktikat nga universi i hershëm, të zmadhuara nga një grup galaktik në plan të parë.
Imazhi nga NASA, ESA, CSA dhe STSCI

SHKENCA

Imazhi i sapo publikuar me ngjyra të plota nxjerr në pah një koleksion mahnitës të galaktikave të lashta – dhe paralajmëron një epokë të re për astronominë.

Nga NADIA DRAKE, NationalGeographic.com12 KORRIK 2022Përktheu Arben Çokaj

Pas një udhëtimi miliona milje në hapësirë, observatori më i ri i NASA-s, teleskopi hapësinor James Webb, ka kapur grupin e tij të parë të imazheve me ngjyra të plota të universit. Dhe në një ngjarje të veçantë paraprake sot, Presidenti i SHBA Joe Biden ka zbuluar njërën prej tyre, në të cilën qindra – nëse jo mijëra – galaktika të largëta ndezin një det kozmik me ngjyrë.

Është një dritare e re në historinë e universit tonë,” tha Biden gjatë ngjarjes. “Dhe sot do të shohim dritën e parë, që do të shkëlqejë nga ajo dritare.”

Fotografia është shkrepja e parë e JWST në atë që astronomët e quajnë imazh në fushë të thellë, kur teleskopi hedh një vështrim të gjatë në një pjesë të vogël të hapësirës, ​​duke mbledhur dritë të zbehtë dhe duke zbuluar objekte jashtëzakonisht të largëta. Siç shihet nga syri i mprehtë, infra i kuq i instrumentit, ajo copëz e vogël është e populluar nga galaktika të mrekullueshme, të vorbullta, të ndezura, disa prej të cilave ekzistonin më shumë se 13 miliardë vjet më parë, kur universi ishte ende një fëmijë.

Ju shikoni pamjen më të thellë të universit, ndonjëherë, në atë foto,” thotë Thomas Zurbuchen i NASA-s, administrator i asociuar i drejtorisë së misionit shkencor.

Të paktën katër imazhe shtesë do të publikohen më 12 korrik, duke ofruar pamje të reja të galaktikave që përplasen, nxjerrjet përfundimtare të një ylli që po vdes, një çerdhe masive yjore dhe spektrin e një bote aliene.

Në një nga imazhet e para të kapura nga teleskopi James Webb i NASA-s gjatë fazës së tij të testimit, një grusht yjesh, të dalluar nga thumbat e tyre të difraksionit, shkëlqejnë mes mijëra galaktikave të zbehta, disa në universin e afërt, por shumë më tepër në universin e largët. /Imazhi nga ekipi i NASA-s, CSA-së dhe FGS-së

I nisur më 25 dhjetor 2021, JWST është teleskopi më i fuqishëm, që ka fluturuar ndonjëherë. Kur shkencëtarët e parashikuan për herë të parë dekada më parë, ata imagjinuan një teleskop që do të ishte në gjendje të shikonte përsëri në fillimet më të hershme të universit, kur yjet dhe galaktikat e para po dilnin nga errësira kozmike. Për ta bërë këtë, observatori prej 10 miliardë dollarësh e sheh qiellin në dritë infra të kuqe, ose gjatësi vale, që janë pak më të gjata se sa mund të perceptojnë sytë e njeriut. Pasi imazhet janë në tokë, ato ngjyrosen duke përdorur një gamë që korrespondon me gjatësitë e ndryshme të valëve infra të kuqe.

Me kalimin e viteve, vonesat e shumta, gabimet gjatë montimit, tejkalimet e buxhetit dhe një polemikë e vazhdueshme në lidhje me njeriun për të cilin teleskopi u emërua, rrënuan udhëtimin e JWST në hapësirë. Por sapo shkoi atje, teleskopi kreu me sukses një rutinë komplekse vendosjeje me qindra hapa të ndërlikuar. Pasqyra e observatorit me diametër 21 këmbë u shpalos, një mburojë dielli me shumë shtresa u shpalos dhe instrumentet u ftohën në pothuajse zero absolute.

Tani, me këto imazhe të para në dorë, është e qartë se JWST po funksionon ndoshta edhe më mirë se sa pritej – dhe se 20 vitet e ardhshme të operacioneve shkencore do të jenë të mbushura me surpriza.

Një vështrim prapa në kohë

Imazhi në fushë të thellë të publikuar sot është, në një farë mënyre, analoge me udhëtimin nëpër kohë. Ai ofron një paraqitje të shkurtër të së kaluarës së largët, kur galaktikat e hershme sapo po rriteshin.

Zurbuchen e përshkruan atë si një “goditje veprimi”, sepse drita nga ato galaktika në dukje të panumërta të sfondit përforcohet dhe shtrembërohet nga graviteti i pamasë i një grumbulli galaktik – i quajtur SMACS 0723 – në plan të parë. Ai grumbull masiv, i cili është katër miliardë vite dritë larg nga Toka, vepron si një lente zmadhuese, duke lejuar që drita e galaktikave jashtëzakonisht të vjetra, shumë më të largëta të shfaqet.

Është e qartë se drita gjen një rrugë vërtet komplekse për ne,” thotë Zurbuchen. “Unë mendoj se është pothuajse jashtëzakonisht e bukur, duke ditur që fotonet që po imazhoni këtu kanë qenë në hapësirë, në rrugën drejt kësaj kamere, për më shumë se 13 miliardë vjet. Unë mendoj se kjo thjesht ju merr frymën.

Kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë synuar një teleskop në një pjesë të hapësirës dhe kanë pritur të shohin se çfarë doli. Në vitin 1995, teleskopi hapësinor Hubble shikoi një copë qielli në dukje bosh për njëqind orë. Ajo përpjekje prodhoi një nga imazhet më revolucionare në shkencë: një xhep hapësinor i mbushur me galaktikë, që ndryshoi thellësisht konceptet se si është populluar universi.

Hubble vazhdoi të prodhonte imazhe gjithnjë e më të thella, duke shtrirë aftësinë e teleskopit për të parë në universin e hershëm. Në mënyrë të ngjashme, JWST do të prodhojë fotografi gjithnjë e më të thella të kozmosit, duke tërhequr sekrete nga errësira dhe duke zbuluar realitete, që njerëzit nuk i kanë parë kurrë më parë – dhe ndoshta as që i kanë imagjinuar.

Tani ne hyjmë në një fazë të re të zbulimit shkencor. Duke u bazuar në trashëgiminë e Hubble, teleskopi hapësinor James Webb na lejon të shohim më thellë në hapësirë ​​se kurrë më parë, dhe me qartësi mahnitëse,” – tha nënpresidentja Kamala Harris, kryetare e Këshillit Kombëtar të Hapësirës, ​​gjatë konferencës. “Do të përmirësojë atë që dimë për origjinën e universit tonë, sistemit tonë diellor dhe ndoshta vetë jetës.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.